Qeveria e re, votëbesohet pas dy ditë debatesh në Kuvend me 82 vota pro dhe 55 kundër

0
137

Florenc Drizari

“Bie mazhoranca 83 votave”, Vangjel Dule i PBDNJ-së nuk merr pjesë në votimin e qeverisë dhe programit

Kryetari i Kuvendit, Meta: Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të arrijnë ta realizojnë me sukses këtë program

 

rama ne parlamentPas dy ditë debatesh për programin politik të qeverisë së re dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, Kuvendi miratoi dje në seancë plenare me 82 vota pro, 55 kundër dhe asnjë abstenim, propozimet e bëra nga Kryeministri Edi Rama.

Pas një maratone debatësh prej mëse 20 orësh në Kuvend, Programi politik i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe përbërja e qeverisë së re u mandata për një mandat katër vjeçar pasditen e së dielës.

Deputetët e maxhorancës dhe të opozitës dhanë qëndrimet dhe idetë e tyre ku shpesh herë nuk munguan edhe batutat dhe fyerjet në replikat me njëri-tjetrin, ndërsa në votimin e djeshëm morën pjesë 137 deputetë, nga 140 ligjvënës që ka Kuvendi i Shqipërisë. Gjatë votimit munguan tre deputetë, ish – Kryeministri Sali Berisha, i cili u largua nga Parlamenti pak minuta pasi Rama të mbante fjalimin dhe deputetit Vasil Bici, i cili ende nuk ka bërë betimin.

Nga radhët e mazhorancës mungoi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Mungesa e votës së tij bëri që mazhorance e re të binte në 82 vota, nga 83 që ka koalicioni i majtë me emërtimin ASHE.

ILIR META

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e mbajtur u shpreh se, “ është i bindur se përmes tri kolonave të programit : transparencës, të llogaridhënies dhe të gjithëpërfshirjes, kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të arrijnë ta realizojnë me sukses këtë program.”

Kryetari I Kuvendit vlerësoi rëndësinë themelore të reformave që parashikohen  në programin politik për  procesin e integrimit, sistemit të drejtësisë, punësimit, në fushën administrative dhe në sektorë të tjerë.

“Njëkohësisht, jam i bindur se përmes kësaj fryme të re që po rrezaton kjo maxhorancë, që po rrezaton kjo qeveri e re në Kuvendin e Shqipërisë, ne do të kemi, herët a  vonë, edhe kontributin e demokratëve, të cilët edhe sot, edhe dje, nuk munguan ta japin këtu përmes ideve, propozimeve dhe kritikave të tyre, sepse pavarësisht se cili ishte dje në pushtet dhe cili është sot, e cili do të jetë nesër, çdo gjë ndryshon, por Shqipëria nuk ndryshon. Ajo është e të gjithëve”, u shpreh ndër të tjera Kryetari I Kuvendit në fjalimin e tij.

Në fjalimin e tij drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama tha se “ Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka dy forca kryesore, njëri është  kryeministër, njëri kryetar i Kuvendit, të dy drejtues të Aleancës për Shqipërinë Evropiane”

Sipas Kryeministrit Edi Rama, “kjo aleancë ka marrë një mandat të fortë për të rilindur Shqipërinë për të ecur më shpejt dhe kanë përgjegjësinë historike ta përmbushim aspiratën e shqiptarëve, duke mos përsëritur gabimet e së shkuarës”.Kryeministri Edi Rama ftoi opozitën  për të bashkëpunuar në realizimin e reformave në të mirë të vendit. Seanca plenare mbylli punimet rreth orës 16.15 minuta dhe më pas krerët e qeverisë vijuan me procedurat e betimit para Presidentit të Republikës dhe zhvillimin e mbledhjes së parë për këtë mandat katër vjeçar.

 

Reagimi i PBDNJ-së për mungesën e Dules në Kuvend

“Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk morri pjesë sot, datë 15.09.2013 në votim, për shkak se ndodhet jashtë vendit në Konferencë Ndërkombëtare në Gjeneve të Zvicrës. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut siç u shpreh edhe Z. Dule në diskutimin e tij të djeshëm për programin e qeverisë është pro kabinetit qeveritar dhe programit te tij.” Zyra e shtypit PBDNJ.

 

 

Zbardhje Batutaash mes Blushit e Berishës dhe debatet mes Palokës dhe Ramës

Sali Berisha: “Këta zotërinj po u krijojnë nauzë qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit. E drejta e komunikimit është e drejta për të vërtetën. Nuk është e drejtë për mashtrim. Por këta janë nihilistë primitivë. Të flasësh pa 100 ditësh, pa 300 ditësh do të thotë të tallesh me 1 milionë shqiptarët që të kanë besuar, se ata që nuk të kanë besuar nuk do ta bëjnë kurrë, janë 2 milionë të tjerë”- deklaroi Berisha.

Ben Blushi: Duhet ta dimë që deri tani kemi mundur partine demokratike por nuk kemi fituar mbi varfërinë. Ne kemi mundur të djathtën, por nuk kemi fituar mbi pabarazinë. Ne kemi mundur  Sali Berishen, por nuk kemi fituar mbi autokracinë.

Sali Berisha: Të kërkosh sinqeritet tek Blushi është njëlloj si të kërkosh rrethin në katror. As Sali Berisha dhe asnjëri prej tyre harroje ti se është i mundur, jemi të pamposhtur. Z. Kryetar në fushatë elektorale konkurruan dy alternativa. Njëra ishte ajo me paketën e premtimeve të mia, por tjetra ishte me paketën po me premtimeve, të shëndetësisë falas, që unë nuk mund ta premtoja, po ashtu për energjinë dhe legalizimeve falas… Ju i morët besimin qytetarëve shqiptar me këto premtime. Unë deklarova se nëse i bini këtu, unë do t’i votoj. Nëse nuk i sillni këtu, do ketë betejë më të vendosur në 20 vite për dinjitetin e shqiptarëve. Ne jemi parti e lirive dhe dinjitetit njerëzor.

Ilir Meta: Po Z. Blushi.

Deputetët e PD-së: Ai foli njëherë.

Ilir Meta: z. Blushi nuk ia përmendi emrin z. Berisha, ndërsa z. Berisha ia përmendi z. Blushi.

Ben Blushi: Unë se kuptova në fakt pse doli këtu por dua të them dicka: Ti je njeri i lexuar por do të them një gjë që s’e ke lexuar. Çfarë thotështe Bernard Shoë për Don Kishotin. Thote që kur Don Kishoti filloi të lexojë, u bë xhentëllmen, kur filloi të besonte ato që lexonte, u bë qesharak. Edhe unë kam këtë këshillë për ty, mos i beso të gjithë atyre që lexon, qoftë edhe nga programi i qeverisë.

Edi Paloka, Blushit: “Ne nuk kemi një qeveri. Kemi një njeri që i pëlqen të quhet koka se PS, i cili e ka gjetur kokën se dje ishte i shqetësuar. Njërit nga qoshja i bërtet i thotë pse qeshe, pastaj i bërtet i thotë pse nuk qeshe. Ministrat i përdor për të dërguar letrat, apo shishe uji. Një tjetër e përdor për t’i sjellë kompjuterin. Kjo është qeveria që do të na drejtojë ne këto katër vite. Jo për faj të tyre, kështu që ti Blush nuk pse mërzitesh që nuk u bërë ministër në këtë qeveri se nuk do ishe gati ti bëje këto detyra kaq të vështira”.

Edi Rama: Kishte një kryefjalë në gjithë jermin tuaj, mes ëndrrës së sukseseve imagjinare dhe zhgjëndrrës së dhimbshme të 23 qershorit. Kryefjala ishte që ky nuk është program, s’ka shifra, s’ka afate, s’ka shpjegime si do bëhen ato që thuhen, ka pak faqe të shkruara, ka shumë faqe me ngjyra. Pse ka fotografi? Po shqiponja pse s’ka dalë mirë në fotografi? Pa folur pastaj për paraqitjen time programatike që u kthye në motiv për të ikur deri nga salla me pretendimin se po ushtroj dhunë. S’keni parë asgjë akoma.

Deputetët e opozitës çohen në këmbë dhe reagojnë kundër Ramës. “Na kërcënoi”

Ilir Meta: Ishte shaka z. Paloka, kështu që merre me qetësi.

Edi Rama: E habitshme, për një forcë që ka qenë tetë vjet në qeveri, të mos dijë akoma çfarë është një program qeverisës…

Deputetët e opzitës i bien tavolinave në formë proteste

Ilir Meta: Z. Paloka ju tërheq vëmendjen! Ta dëgjojmë deri në fund.

Taulant Balla: Manushaqe të nxjerrim përjashta (Topallit)

Edi Rama: Ende më e habitshme që udhërrëfyesit e kësaj force të mos kenë asnjë haber në diskutimin e një pike kaq fillestare për një diskutim të kësaj natyre. Tani ju lutem, do t’u vij në ndihmë se po flas për programin. Edhe ju i shkollës së natës dëgjoni se kapni ndonjë gjë ditën. Problemi juaj nuk është që besoni atë që lexoni, problemi juaj është që nuk lexoni…

 

 

 

Ruçi: 397 herë keni përmendur Ramën, qëndrimi i tij në Kuvend tregon vizionin tonë

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramz Ruçi foli për një qasje të re të mazhorancës socialiste me përfaqësuesit e opozitës. Sipas tij, qëndrimi që mbajti prej dy ditësh Kryeministri Rama në Kuvend dhe diskutimet për programin e treguan qartë se cili do të jetë mënyra e qeverisjes së majtë. Gramoz Ruçi tha propozimet që paraqiten në program, janë edhe shqetësimë të BE-së. Për këtë ai tha se ka kërkuar edhe mbështetjen e opozitës.

“Si mor nuk duruat as tetë minuta, pas tetë vjetësh kërkesë. U tha se unë kam një pikëpamje tjetër për parlamentarizmin. A nuk ua ka thënë këtë Brukseseli. Asnjëherë nuk tha qeveria ime, por mazhorance, a nuk është ky një kusht i Brukselit? U tha që ne kemi një qasje tjëtër për lutën ndaj krimit, për lutën ndaj korrupsionit? A nuk është kjo një qasje tjëtër? Ne kemi qasje tjëtër për etikën, për administratën. Pak a shumë u tha ato probleme që na ka thënë Evropa dhe pak a shumë u tha për atë që ai u votua. Më gjeni një fjalë, një shprehje jo të krahasuar me ato tuajat, që cenon etikën e parlamentarizmit… Së treti gjatë këtij debati dua të nënvizoj edhe një moment që e gjithë mazhoranca, erdhëm pa karshillëk, por me përulje të thellë ndaj atyre 1 milion shqiptarëve që na votuan, por edhe ndaj atyre 700 mijë shqiptarëve që nuk na votuan. Erdhëm duke dëgjuar, pa arrogancë, dhe nuk u etiketuam si armiq, siç nuk na keni dëgjuar dhe na keni etiketuar për tetë vjet. Erdhëm për herë të parë këtu me një kryeministër që nuk ka fjalime pambarimisht.

397 herë keni lançuar Edi Ramën këto dy ditë. Asnjëherë nuk ka ndërhyrë, përkundrazi ka buzëqeshur dhe ka shënuar problemin. Erdhëm në këtë seancë që atë që thëmi të mos quhet predikim, por të jëtë e besueshme se dija jonë do të jetë pikërisht kjo”, -deklaroi Gramoz Ruçi. Në fund të fjalës ai uroi si mazhorancës socialiste për përgjegjësitë e marra, ashtu edhe përfaqësuesit e opozitës për misionin e tyre.

 

Edi Paloka: Rama mashtroi shqiptarët me programin, agresion ndaj opozitës

Kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka i cilësoi premtime elektorale pikat e programit qeverisës, duke adresuar në drejtim të kryeministrit, Edi Rama, një sërë akuzash për mashtrimin e qytetarëve shqiptar më 23 qershor. Gjithashtu Paloka kritikoi edhe përbërjen e qeverisë së re, tha se Rama dhe një pjesë e kabinetit të tij, është e kapur nga krimi. Kreu i grupit parlamentar demokrat, theksoi se gjate fjalimit përmbyllës të diskutimeve parlamentare në kuadrin e debatit për programin e ri qeverisës të së majtës se “Zyra e deputetit Edi Rama në Vlorë, si zyra e Sudes”. Edi Paloka“Ajo që ne morëm në dorë, ishte një nga fjalimet e tua të fushatës elektorale”, iu drejtua ai Ramës.

“Një pjesë e shqiptarëve e besuan Ramën, besuan se shëndetësinë dhe ilaçet mund ti bëjë falas, besuan se do të ul borxhin e brendshëm dhe të jashtëm, besuan se do kompesojë pronarët, besuan se do paguaj 25% të përndjekurit, etj etj. Fatkeqësisht shumë e besuan këtë, dhe u bënë 1 milionë, ajo shifra që pëlqen kaq shumë Rama ta përmendë gjithmonë”.

Por 1 milionë votat u kthyen në 1 milionë shuplaka për opozitën. Që ditën e parë të kuvendit, kërkuan me arrogancë të na mohonin të drejtën për tu njohur me programin e tyre qeverisës.

Më tej Paloka bëri krahasimin me Papandreun.

Ju thatë se nëse Rama përfundon si Papandreu kjo sepse Berisha i la një vend të shkatërruar. Prapë Berishës i ngelet faji. Ai është një alibi, por Rama di të dështonte edhe në kushte të tjera. Rama nuk mund ta luftoj krimin se është i lidhur në mënyrën më të keqe me të. Kjo për arsye se Krimi kontrollon Ramën për interesat e tij. Nga nesër nuk fillon rrumpalla por rrampalla.” u shpreh Paloka.

Dhe në fund të fjalës së tij, Paloka e ka quajtur kryeministrin e ri Ramapandreu, duke e lidhur atë me homologun e tij grek të PASOK, Papandreu.

Sipas Palokës, Rama me fjalimin e tij dje dëshmoi se e urren opozitën dhe detyrën si kryeministër e ka nisur duke i bërë agresion deputetëve të djathtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency