Basha: Rama mbeti në klasë nga profesionalizmi i opozitës, qeveria pa objektiva

0
135

Ina Jano

Kreu i PD-së reagoi menjëherë pas votimit në Parlament të programit qeverisës, duke siguruar qytetarët për një opozitë të fortë që do të zhvillojnë gjatë

 

image3Kreu i Partisë Demokratike zoti Lulzim Basha ka reaguar me njëherë ditën e djeshme pasi në Parlament u votëbesua qeveria e re, me 82 vota pro, duke humbur një votë nga mazhoranca. Lideri i ri i demokratëve ka deklaruar se qeveria e Ramës vërtet kaloi në Parlament dhe u votëbesua aty por vetëm për shkak të numrave, pasi realisht ai ka mbetur në klasë në provën e gjykimit të shëndoshë dhe profesional të opozitës. “Qeveria e Ramës kaloi sot (dje) në Kuvend të ashtuquajturin program të saj me numrat që ka në Kuvend. Por mbeti në klasë në provën e gjykimit të shëndoshë dhe profesional të opozitës. Për dy ditë me radhë deputetët e Partisë Demokratike dhe partive aleate demostruan me fakte të pakundërshtueshme se qeveria Rama nuk ka program”, – shkroi kryetari i selisë blu në Facebook. Ai më tej shkruan se realisht nuk ka një program kjo qeveri dhe ajo që u paraqit është një pamflet që mund të quhet pa objektiva. “Kjo është e para qeveri në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune, pa program zhvillimi, pa objektiva të mbështetur në burime konkrete, pa kalkulime konkrete, pa afate. Starton, si të mos ishte qeveri e një vendi të NATO-së, e që pason dhjetë qeveri demokratike në këtë vend, që kanë lënë secila shenjën e vet në përparimin e Shqipërisë, por si të ishte një qeveri që, “zbret nga mali”, – shkroi Basha. Sipas tij, “për dy ditë me radhë deputetët tanë hodhën dritë me fakte konkrete se manifesti që qeveria e konsideron program përfaqëson një listë të gjatë tërheqjesh e modifikimesh të premtimeve elektorale që Rama e të tijët kanë bërë në fushatë”. “Kjo është e para qeveri që tërhiqet pa filluar punë akoma nga një numër i madh premtimesh të votuara, duke vendosur që tani me qytetarët dhe me dinjitetin e tyre raportin e gënjeshtrës dhe mashtrimit pa dridhje qerpiku”, – vijoi Basha.  “Unë besoj se në përballjen e parë të këtyre përmasave në aulën e Kuvendit midis të ashtu quajturës Rilindje të zotit Rama dhe opozitës, qeveria mbeti në klasë edhe në provën e gjykimit të shëndoshë të bashkëqytetarëve. Mbeti në klasë pikërisht se nuk ka program, pikërisht se ka mashtruar pa kufi për të marrë vota”, – shkruan ai. Ndërsa duke vijuar më poshtë dhe duke folur për të gjitha ato që kjo opozitë ka planifikuar të bëjë gjatë katër viteve të ardhshme, shefi i demokratëve thotë se ai do të vijojë që të japë mbështetjen për çështje të tjera si integrimit dhe që kanë rëndësi kapitale. “I kemi premtuar publikut se do të votojmë çdo ligj e akt që shkon në favor të integrimit, reformave, mirëqënies dhe zhvillimit të vendit. Do ta mbajmë këtë premtim. Kemi premtuar gjithashtu se nuk do t’i japim asnjë minutë paqe kësaj qeverie për gënjeshtrat dhe mashtrimet e saj elektorale, si dhe për për çdo tundim apo provë të saj për të zhbërë arritjet demokratike”,- shkruan kreu i PD-së. Këtë premtim, vijon Basha, “filluam ta mbajmë këto dy ditë në Kuvend e do ta vazhdojmë deri në ditën e fundit të tij. Publiku i vëmendshëm shqiptar asistoi në pagëzimin e një opozite të fortë, përfshirëse, profesionale, të kulturuar, moderne dhe shpresë dhënëse. Kjo është opozita që kemi premtuar, të cilën do ta bëjmë gjithnjë e më efikase në ditët e muajt e në vazhdim, me njerëzit, mes njerëzve dhe për njerëzit”. “Me këtë rast, si kryetar i Partisë Demokratike, dua të falënderoj nga zemra të gjithë deputetë opozitarë, që i dhanë vlerë të madhe Kuvendit por mendoj se ndihmuan edhe qeverinë, me performancën e tyre të shkëlqyer, me fjalimet e tyre të përgjegjshme, plot kompetencë dhe etikë qytetare. Urojmë që kryeministri dhe qeveria e tij ta kenë dëgjuar oponencën tonë. Jo vetëm përmes pranisë fizike në seancë, por kryesorja, ta kenë dëgjuar me veshin e arsyes për t’u ulur me këmbë në tokë. Për të hequr dorë nga sindroma e vitit zero. Për të hequr dorë nga mashtrimet dhe tullumbacet. Për të hequr dorë nga zakoni i vjetër i dinastisë së tyre për t’i numëruar votat si plumba për armikun. Për të përveshur mëngët e filluar punë”, – përfundon kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

 

Reagimi

Kreu i PD-së, Ramës: Hiq dorë nga kërcënimet, do përballesh me pasoja

Ndërkohë që Qeveria e re e kryeministrit Edi Rama, bënte betimin përpara presidentit të Republikës, në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike, ka dalë në një deklaratë për mediat, në lidhje me kërcënimin që i ka bërë kryeministri i ri Edi Rama, opozitës në parlamentin shqiptar, gjatë replikave mbi diskutimin për programin e qeverisë së re. “Deri sot asnjë Kryeministër nuk ishte dëgjuar ti thoshte opozitës, ‘ushtrova dhunë. Nuk keni parë asgjë akoma’. E gjithë kjo në përfundim të një debati dy ditor në Kuvendin e Shqipërisë mbi programin qeverisës. Kërcënimi i tij i sotëm kundër opozitës nuk është i rastit. Rama mendon se mund të kënaqi zgjedhësit shqiptarë duke ofruar strategji tensioni me opozitën dhe duke e kërcënuar atë. Duke bërë testin e dhunës  verbale si paralajmërim të dhunës tjetër. Gabon rëndë zoti Rama. Sepse populli sido që të votojë, vetëm këtë nuk pranon. Që të dhunohet opozita e tij, pasi e konsideron opozitën vlerë të pazëvendësueshme të demokracisë. Gabon rëndë se PD është një kockë e fortë dhe e pathyeshme. Kjo opozitë është pagëzuar e tillë dy dekada më parë, në betejën më të egër me regjimin komunist në Europë, dhe qëndron duke u ripërtërirë, për ti shërbyer pa kthim demokracie dhe qytetarëve shqiptarë. Ju bëj thirrje ta tërhiqni menjëherë kërcënimin ndaj opozitës dhe të kërkoni ndjesë para qytetarëve. Parlamenti është shtëpia e përbashkët e përfaqësuesve të popullit. Ju ftoj ta nderoni atë, duke hequr dorë nga gjuha e mllefit dhe kërcënimeve, me të cilën nuk kemi asnjë shans  të shkojmë në Europë, në të kundërt do të përballeni me pasoja që mund ti merrni vetë me mend”, – u shpreh Basha. Kryeministri Rama tha se opozita adreson akuza ndaj tij për agresivitet për shkak se ende nuk ka marrë veten nga humbja e 23 Qershorit.
“Jo sikur sapo kanë dalë nga një i atillë dru i popullit, por ju nuk e dini ku e keni kokën. Më mirë vijoni të gërmoni të gjeni ku keni kokën. Më akuzuat se ushtroj dhunë, por nuk keni parë ende asgjë”.

 

 Facebook

Berisha 650 mijë miq

Pavarësisht ngjarjeve dhe ngarkesës së shumtë në këto ditë me zhvillime të ethshme në Parlament, ish-Kryeministri Berisha ka gjetur kohë për tu marë pak me faqen e tij zyrtare në Facebook. Për tu marrë me miqtë e tij dhe për të shkruar një status që ndryshe nga të zakonshmit nuk i përkiste politikës. Më saktë mund të quhet një falënderim për të gjithë ndjekësit e tij. “Sot një rekord i ri, 650.000 miq ne rrjetin tone social! Të dashur miq, në një hark kohor prej 45 ditësh, pra nga data 10 gusht, në rrjetin tone social të FB u bashkuan 50.000 miq të rinj. Rrjeti ynë vazhdon me rritjen ditore (në proporcion me popullatën) mbi dhjetë herë më të madhe se rrjeti me rritjen ditore më të lartë të FB. E vërteta është magneti më i fuqishëm i rrjetit tonë social. Besimi, entuziazmi, përkushtimi juaj janë vis vitalis i rrjetit tonë kampion! Urime, Urimeee!! Sb” , – shkruan ish-kreu i demokratëve Sali Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency