Studentët / Part-time, procedura e plotë për regjistrim, datat se kur do të bëhen aplikimet

0
227

Driçim Çaka

Dokumentacioni që duhet të dorëzojë çdo kandidat. Aplikimi i kandidatëve në programin e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë do të nisë nga data 18 shtator

 

studente-proteste-diploma-fallcoPublikohet procedura për regjistrimin e të rinjve në studimet me kohë të pjesshme. Do të jenë fakultete përkatëse institucionet që do të merren me procesin e pranimit dhe regjistrimit të aplikantëve. Këtë vit do të jenë 9402 studentë të cilët do të kenë shansin për të studiuar për herë të parë apo si fakultet të dytë. 70% e kuotave do të jenë për ata kandidatë të cilët nuk kanë qenë regjistruar në asnjë program studimi ose nuk kanë përfunduar një të tillë në IAL-të publike me kohë të plotë ose të pjesshme. Ndërsa 30% e kuotave do të jenë, si program i dytë studimi, për kandidatë që kanë përfunduar një program studimi universitar.

Aplikimi

Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:

– Fotokopje të noterizuara të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje.

– Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje të

mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës;

-2 fotografi;

– Mandat arkëtimi i tarifës së regjimit prej 1.600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare.

-Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme të institucionet e arsimit të lartë public.

 

Rastet e veçanta

Në qoftë se kandidati nuk ka diplomë të maturës shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, të dorëzojë edhe vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje. Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, të dorëzojnë në sekretaritë mësimore, edhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar si të barasvlershme me të në Shqipëri. Këta kandidatë nuk kanë detyrim të dorëzojnë vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për provimet me zgjedhje. Nuk pranohen aplikime nga kandidatë të shpallur fitues me formularët A2 dhe A3, të regjistruar në listat përfundimtare.

Aplikimi

Aplikimi i kandidatëve në programin e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, do të zhvillohet nga data 18 shtator deri në datën 16 tetor, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse. Ndërsa regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 21 tetor deri në datën 24 tetor, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore. Për kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të cilët do të aplikojnë direkt pranë IAL-ve publike, ndiqet e njëjta procedurë, si dhe për kandidatët brenda vendit.

 

Debati për masterat

Senati i UT-së i përgjigjet Fakultetit të Gjuhëve të Huaja: Nuk keni tagër për hapjen e degëve të reja

Vetëm një ditë më parë dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, akuzoi senatin e Universitetit të Tiranës për moshapjen e degëve të reja në master. Ditën e djeshme, Universiteti i Tiranës i është përgjigjur dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. “Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka propozuar për miratim 23 mastera të profileve të ndryshme prej të cilëve: 7 prej tyre kanë qenë mastera brenda profilit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja ndërsa 16 mastera të tjera kanë qenë mastera të cilët mbulojnë fusha të fakulteteve të tjera si: Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës”, – thuhet në njoftimin e UT-së. Praktika e ndjekur në çdo rast për miratimin e masterave të cilat mbulojnë fusha përtej atyre që mbulon një fakultet i vetëm, është që përpara miratimit në senat, fakultetet përkatëse japin ekspertizën dhe sugjerimet përkatëse në ndërtimin e kurrikulave, kjo pasi ajo pjesë e kurrikulës që i përket një fakulteti të caktuar do të mbulohet pas miratimi të masterit nga ai fakultet. Pas propozimeve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, masterat të cilat mbulonin fushat që i përkasin fakulteteve të lartpërmendura i janë dërguar këtyre fakulteteve për të dhënë ekspertizën dhe mendimet e tyre. Nënvizojmë që shumica e masterave të cilët nuk u miratuan janë të fushës së mësuesisë, ku në hartimin e këtyre kurrikulave ka dhe udhëzime të qarta në lidhje me standardet që duhen plotësuar nga MASH.

 

Të hënë nis viti shkollor 2013-2014, nxënësit nxitojnë për librat

Ditën e hënë nis vit shkollor 2013-2014. Viti i ri shkollor pritet t’i gjejë nxënësit të pajisur me tekstet shkollore, të cilat janë dërguar në çdo shkollë dhe shpërndarja po vijon normalisht. Ndërkohë, tërheqja e librave në ditët e fundit ka sjellë edhe dyndje të prindërve dhe nxënësve për të blerë librin shkollor. Në pjesën më të madhe të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme procesi nuk ka krijuar probleme. Pjesa më e madhe e shkollave kanë informuar drejtorinë arsimore se kanë përfunduar procesin e shpërndarjes së teksteve. Pajisja e tyre me tekste është drejt fundit. Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit nuk raportohet për mungesë librash. Prej muajit gusht distributorë të ndryshëm kanë nisur punën për shpërndarjen e materialeve shkollore. Librat janë dërguar në çdo shkollë të arsimit 9-vjeçar dhe parauniversitar. Pas çdo blerje nxënësit tërheqin kuponin tatimor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency