Standard.al

Kronikë (apologji) nga vende ku nuk rreh asnjë diell

Nga Elis Buba

 

83422127Hapat e vizatuar në terren nga krimi i organizuar përbëjnë një bashkësi gjurmësh që ravijëzojnë vallen e minjve kur nuk ka mace në shtëpi. Në më pak se dy muaj, njerëzit me uniformë kanë raportuar për një numër të frikshëm vrasjesh, që qartazi nuk i shërbejnë shumë atij që i ka kryer sesa atij që i ka urdhëruar. Drejtësia dhe rendi kanë ruajtur një pozitë disi profane, të lëkundur e të mëdyshur përballë këtyre shfaqjeve që injektojnë antikorpe të tjera negative në faqen e zezë të kronikës me të njëjtën ngjyrë.

Mësuam për atë që u quajt masakra e Vlorës, në 28 korrik. Nga duart e një 22-vjeçari Delin Hajdari u mor jeta e tre persona, Sokol Isufaj, 34 vjeç, nga Roskoveci i Fierit, Diana Ademi, 53 vjeçe, dhe 17-vjeçari nga Përrenjasi, Serdi Bajlozi.

Mësuam për një 36-vjeçar Eltion Lafetaj, i sapo kthyer nga Italia, i cili mbeti i vrarë në një atentat fare pranë banesës së tij në Tiranë.

Mësuam për një tjetër shpërthim të telekomanduar që tronditi qytetin e Vlorës. Ermal Brahimaj, 31 vjeç, mori plagë të lehta dhe i shpëtoi vdekjes, pasi autorët shpërthyen tritolin e vendosur në motorin e fuoristradës.

Mësuam për hedhjen në erë me eksploziv në Tiranë të automjetit të ish-të dënuarit për vrasje, Petrit Marku. Tre personat e tjerë që ndodheshin në makinë, e dashura e tij holandeze, motra e tij dhe nipi, bashkë me Markun, mbetën të plagosur rëndë.

Mësuam për atë që ndodhi në rrugën “Vasho Pasha” në ambientet e brendshme të një lokali, ku u plagos shtetasi Elton Fusha, 36 vjeç, ndërkaq që ka gjetur vdekjen shtetasja Majlinda Hoxha 28 vjeç.

 

Kjo kohë po provon të dëshmojë se shtresat e pavetëdijshme të rinisë së dikurshme që burrërohet vetëm simbolikisht sot, kanë mundur të krijojnë një dinasti thjesht duke dhënë shembullin e tyre në hapësirën e vogël mendore të brezave pasrendës. Këta dy muaj situata ka qenë vërtet e trishtueshme. Shqetësimeve të zakonshme të qytetarëve u janë shtuar edhe shqetësimet e breshërive, shpërthimeve e llahtarëve të përgjakjes së rrugëve. Tmerri po përmbledh me të dyja duart nderin e drejtësisë, po e bën shuk dhe po e vendos në xhep të vetëgjyqësisë.

Nuk kam shpresa tek kjo plejadë e ngarkuar rëndë me derte. Krimi është një udhë e brendshme demoniake thuajse e detyruar për ta. Brezit të tranzicionit i ka fërshëllyer plotë herë pranë veshit pasiguria për jetën, për të ardhmen, për familjen. Të pashkolluar, të paedukuar, të përbuzur, të vuajtur, të vjedhur. Të marrë nga fundet e Shqipërisë e të sjellë në metropolin intensiv, me imagjinatë dritëvogël për një jetë të begatë e pa uri. Të ndjellë e të sjellë për shifra elektorati, në interes të X, Y apo Z. Tashmë vegjetojnë të brengosur, të papunësuar, rrjedhimisht të revoltuar, të qorollepsur nga premtime e nga mendësi të mjegulluara e kapitulluara, për të zgjidhur gjithçka me ndihmën e të tjerëve. E kur kjo ndihmë nuk vjen apo vonon, dridhen mishrat e duart ngrihen për tu vënë në kokë. Zonat suburbane të qyteteve të mëdha të vendit tonë, gëlojnë me familje në nevojë, gëlojnë nga të rinj dhe të reja që përpijnë hapësira dramash nëse do trajtoheshin teatralisht fatet e tyre. Nuk është e rastit që janë regjistruar qindra raste të krimit në familje dhe komunitet. Kodi i nderit dhe kanonizimet e reja që i bëhen Kanunit, nga gjuhë interpretuesish gjakndezur, nuk mjaftojnë më për të sjell ekuilibrat e duhur shpirtërorë. Në këto komunitete të shpërfytyruara e dërrmuara, me një frymëmarrje të ngjirur në ajrin e rëndur e të bajatur mbeturinash, blatohet një kontigjent i ri i njerëzish që mund t’i shndërrosh në të shfrytëzueshëm brenda pak minutash, duke i ngjyer nëpër astarë xhepash me yndyrë të majme parash.

Në ç’lloj rrugësh ecin disa jetë? Ç’veprime kryen mungesa e tretësirave të vetëmoralizimit në shpirtin e njeriut? A po fle ndër ne dëshira për një pikë referimi. Dëshira për një njeri të ndritur gati engjëll të nderit, që të na përkrahë, të na mësojë, të na ndriçojë, të na japë zë e mend në kokë. Ta kemi mik e shok, krahë, ndërgjegje të munguar, mbështetje, ekuilibër, objekt admirimi e shembull, objekt besnikërie e frymëzimi. A mund ta shuaj grindjen tonë me murin, vështrimi i një njeriu që mbledh vitet që ne hedhim poshtë. A mund t’i mbushë me përdëllim orët e rralla të argëtimit një udhëheqës i shtrenjtë për shpirtin tonë. Një mik jo i rremë. Problemi qëndron pikërisht këtu. Gjatë kredhjes në tronditjet e jetëve të monizmit vetmitar, e fëmijërive të ngrata, të familjeve ku as aroma e mëngjesit nuk ngjall jetë. Pikat e referimit, shembujt për tu ndjekur, ishin të mbushura, të tejngopura me vula të kuqe demagogjie. Mileti mësonin simbolet dhe konvencionet e jetës kolektive nga librat e filmat e frymëzuar nga një rrjetë merimange. E cila shërben për të sfumuar të gjitha mendjet pas frëngjive të kullës së izolimit. Nga degët e rrapeve të shtrembër që mbante Partia si pishtarë, binin histori të lodhura e të lodhshme, që popullit i ushqeheshin si art i mjeshtërisë. Personazhet që gjendeshin në këto vepra janë vetëm tre, i miri absolut, i keqi gjithnjë absolut dhe një i tretë që bënte kthesë relative në rrugën e drejtë.

Kjo mungesa e edukatës, na rëndon si këmborë në qafë e nuk mund të bëjmë as një shenjë rezistence qoftë edhe për hir të jetës tonë. Në dramaturgjinë botërore ne mbetemi sharlatanët. Sado sukses të ketë një shqiptar kudo në botë, gjithnjë do ekspozohet me kamjen e me xhinglat e kjo zgërdhin këdo.

Fukarallëku i ngulitur përgjatë brezave në mendjet e njerëzve bën ende bujë sot. Anakronizmi në edukatën familjare të para dy dekadash, demagogjia politike e shtetërore, është një gijotinë që po shtron nën vete të gjitha kolonat e mundshme të shtetit. Duke filluar nga arsimi, shëndetësia, drejtësia, deri tek rendi, etj janë në thërrmim e sipër, kjo si pasojë themelore e mungesës së përkushtimit ndaj detyrës. Zëvendësimi i prioriteteve, gjithashtu kryen një veprim korroziv, duke epërsuar jashtëzakonisht prirjen për përfitime vetjake. Populli ynë liridashës, tani dëshiron vetëm ta lënë të lirë të adhurojë, me jargët çurkë, paranë. Si e vetmja vlerë e rigjetur e rindërtuese, kompozuese e shpirtit skllav. Përjashtuese definitive e injorancës së mbjellë me pahir nga autorë skandalozë të realizmit socialist si Dhimitër Shuteriqi dhe Çlirimtarët e tij, Shevqet Musaraj dhe qëndrimet e tij Para agimit, Fatmir Gjata dhe përralla Përmbysja, Ali Abdihoxha dhe plagjiatura e tij e famshme Një vjeshtë me stuhi, të mos flas pastaj për poetët “heronj të punës socialiste” si Aleks Çaçi, Mark Gurakuqi, Llazar Siliqi. Pena e tyre shterpë e shpërlau me konformizëm idiotesk pothuajse cilindo që mori mundimin të shfletojë mizanveprat e tyre.

Ndaj, edhe historikisht krijohet një nënqeshje përqeshëse për letrarët. Shembujt e trumbetuar prej shumë kohësh aq fortë, kanë qenë zhgënjim edhe për vetë pasqyrat e tyre. Ndaj dhe injoranca është bërë ves, është bërë pjesë e të qenit burrë. Burri s’mund të jetë kurrsesi një mendimtar, nëse shembulli i mendimtarëve është po aq palaço qesharak sa këta. Fjalët e amshueshme të veprave të burrave të zotë, mbeten tavolinave lartë e poshtë. Nderi gjithashtu. Shiko ç’bëjnë politikanët, pa u hyrë gjemb nën këmbë! Të bëhemi edhe ne të mençur si ata! Shfleto paranë, është dija më e vyer që mund të kesh! Shfleto shifrat dhe lëre injorancën tënde të marrë si të mirëqenë gjithçka që manipuluesit hedhin me pikatore në mendjen tënde! Rrëmbe trazirën e brendshme dhe trazoje me skamjen, kujto të hollat që rrëzëllejnë si rreze e mirëqenies dhe turru në tym, bej dëm, rrëmbe saktësisht atë që s’të takon e do marrësh saktësisht atë që të takon, nëse gjendet ndonjëherë drejtësia mbi ty!

Padija është mjerim, ka thënë një njeri i shquar që e quanin Viktor Hygo. Është mjerimi ynë. Vetë sjellja, ndjenjat tona, grindjet tona, krimet tona, familjet tona, makinat, shtëpitë tona, lagjet tona, qyteti ynë, miqtë tanë, jeta jonë, dëshmojnë pakundërshtueshmërisht se ne vuajmë për mend. Padija është mjerim e ne të paditur na kanë dashur dhe ende kështu na duan. E ne biem mbrëmjeve në shtrat, me ëndrra për shumë para, në fare pak kohë. Kjo s’është tjetër veç mizerie mbi kokat tona, është krim mbi pasurinë e vogël që mund të na gjendet në shpirt. Kronika e këtyre muajve të fundit flet qartë e nuk mund të trilloj.

Nuk mund të jetë gjithçka vepër e rastësisë. Gjithçka e frymëzuar nga pabukësia dhe gjendja aktuale shoqërore. Gjithçka pasojë e filmave me mafie që për shqiptarët janë bërë si pasuri folklorike. Janë të gjitha elemente të pavarura të së njëjtës shfaqje. Është brutaliteti që lexohet rëndom në fytyrat e njerëzve që merr hov në thrillera realë. Janë mosmarrëveshjet e pjella nga mungesa e aftësive në komunikim. Është e ardhmja e parashkruar e 12-vjeçarëve që kundërmojnë era alkool kokë e këmbë, teksa dëgjojnë tallava nga subkulturat-antikultura që gëlojnë në Youtube e tymosin duhan pafund.

Kronikë (apologji) nga vende ku duket sikur nuk rreh asnjë diell. Troje të rrethuara me pallate e me makina të parkuara. Aty ku vend nuk gjendet më, për ata që ende duhet të rriten e të bëhen e ardhmja e këtij vendi.

Është realiteti që paraqet sot me një gjuhë të thjeshtë, por profetike fatet e këtij mileti të nxjerrë, siç thotë Podrimja, si dele në pazar… mes dy qytetërimeve.

Comments are closed.