Standard.al

Dhjetëra vrasje dhe plot vrasës të lirë

newspaper_25955Kroacia po refuzon të hetojë krimet e komunizmit jugosllav. Për këtë arsye vendi menjëherë pasi ka hyrë në Bashkimin Evropian ka provokuar një konflikt të ashpër me administratën në Bruksel, duke refuzuar ekstradimin e Josip Perkoviqit, i cili në Jugosllavinë e Titos ka qenë shef i UDB-së republikane dhe në Kroacinë e pavarur zyrtar me influencë në aparatin e sigurisë. A mund të ketë informata Perkoviqi edhe për vrasësit e Jusuf Gërvallës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë në Perëndim?

Rruga dhe lagjja Pantovçak është ndër më të njohurat në Zagreb. Këtu gjenden shumë ambasada, vila pasanikësh dhe selia e presidentit, që dikur ishte ndërtuar për Josip Broz Titon. E njohur si “Vila Zagorje” këtu mendohej se do t’i kalonte vitet e pleqërisë lideri jugosllav. Që në numrin e parë të vitit 1966, revista gjermane “Der Spiegel“ spekulonte se pas përfundimit të ndërtimit të vilës Tito, atëbotë 73-vjeçar, po bëhej gati të largohej nga pushteti për shkak se atij po i “ligështohej potenca politike”. Por Tito do të largohej tek 14 vjet më vonë, kur vdiq në Lubjanë. Gjatë atyre 14 vjetëve Tito e kishte shkarkuar nga posti zëvendësin e tij Aleksandar Rankoviqin, kishte goditur lëvizjen nacionale në Kroaci, lëvizjen liberale në Serbi dhe i kishte vënë themelet një Jugosllavie tjetër me Kushtetutën e vitit 1974, e cila decentralizonte pushtetin dhe u jepte njësive federale, e sidomos krahinave – Kosovës dhe Vojvodinës – një autonomi të gjerë. Kjo është njëra anë e trashëgimisë së Titos, e cila më vonë do të fundosej në lumenj gjaku.

 

Vrasja në garazh

Jo larg ish-vilës së Titos dhe selisë së tanishme të presidentit kroat Ivo Josipoviq, në Pantovçak 194 jeton Josip Perkoviqi. Kush e viziton webfaqen e Zyrës Federale të Policisë Kriminalistike të Republikës Federale të Gjermanisë do t’i bjerë në sy edhe emri i Perkoviqit. Nga autoritetet gjermane ai kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar. Çdokush që ofron informata, të cilat çojnë në arrestimin e tij dhe sjelljen në Gjermani, do të marrë 12 mijë euro. Perkoviqi kërkohet nga drejtësia gjermane për shkak se dyshohet të ketë qenë organizator i vrasjes së Stjepan Gjurekoviqit më 28 korrik 1983, në një garazh në fshatin Wolfratshausen në landin gjerman të Bavarisë. Gjurekoviqi kishte qenë menaxher i kopanisë së njohur të naftës INA dhe kundërshtar i komunizmit jugosllav. Pasi iku nga Jugosllavia përmes Austrisë dhe gjeti strehë në Gjermani, ai kishte paralajmëruar se do të shkruante një libër mbi korrupsionin në shtetin e Titos. Një paralajmërim i tillë alarmoi autoritetet jugosllave, të cilat me gjasë frikësoheshin se Gjurekoviqi me të dhënat e tij do të komprometonte udhëheqjen shtetërore, përfshirë edhe vetë Titon. Për këtë arsye shërbimi sekret jugosllav UDB kishte vendosur ta vrasë Gjurekoviqin, ndërsa urdhri supozohet se kishte ardhur nga lart, nga zyra e Titos. Hetuesit gjermanë që kishin ekzaminuar kufomën e Gjurekoviqit njoftuan se ai ishte qëlluar me armë në dorën e djathtë, në të dy krahët, në shpinë dhe në bel. Pastaj vrasësit ia kishin çarë kokën me sëpatë. Ishte një vrasje bestiale, e cila atëbotë nuk çoi shumë pluhur në qarqet politike në Bonn: qeveria social-liberale gjermane e shikonte Titon si partner.

 

Kohërat kanë ndryshuar dhe drejtësia gjermane nuk ka hequr dorë asnjëherë nga përndjekja e vrasësve, sepse në Gjermani vrasja nuk parashkruhet. Pasi së voni te autoritetet gjermane u paraqit një person që dikur kishte qenë në shërbim të UDB-së dhe i cili dha dëshmi për përzierjen e shumë personave nga nomenklatura e UDB-së në atentatet kundër aktivistëve kroatë në ekzil, policia gjermane arrestoi Krunosllav Pratesin. Ky person në vitin 2008 u dënua në München me burg të përjashtëm si pjesëmarrës në vrasje. Krunosllav Pratesi ua kishe dhënë çelësin e garazhit bashkëpjesëmarrësve në vrasjen e Gjurekoviqit. Në këtë gjykim u kuptua se njëri prej organizatorëve kryesorë të vrasjes në Wolfratshausen kishte qenë Josip Perkoviqi, atëbotë shef i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit Shtetëror të Republikës së Kroacisë. Kjo drejtori merrej me luftimin e “emigracionit armiqësor”.

 

Hija e udbashëve

Edhe pse Perkoviçi kërkohet nga drejtësia gjermane, autoritetet refuzojnë prej vitesh ta ekstradojnë atë. Madje tri ditë para se Kroacia të hynte në Bashkimin Evropian më 1 korrik Parlamenti në Zagreb me procedurë të shpejtë miratoi një ndryshim ligji, i cili kufizon fushëveprimin e fletarrestimit evropian. Sipas palës kroate, fletarrestimi evropian vlen vetëm për vepra të kryera pas 7 gushtit 2002. Politikanët kroatë e dinin saktësisht se me hyrjen në BE vendi i tyre ishte i obliguar ta ekstradonte Perkoviqin, duke respektuar kërkesën gjermane për ekstradim. Pas kësaj manovre politiko-juridike të Kroacisë, Brukseli reagoi me zemërim dhe kërkoi urgjentisht nga qeveria kroate të iniciojë në parlament anulimin e ndryshimit të ligjit që pamundëson ekstradimin e Perkoviqit apo të dyshuarve të tjerë për vrasje. Brukseli u kërcënua me bllokim fondesh, me ndëshkime të tjera, madje flitej se Kroacisë mund t’i merret e drejta e votës në BE. Përballë presionit qeveria kroate lëshoi pe dhe premtoi se do ta kthejë gjendjen e mëparshme juridike. Mirëpo, një gjë e tillë, sipas kryeministrit socialdemokrat Zoran Milanoviq, kërkon kohë, gati një vit. Po ashtu Milanoviqi ngul këmbë që Perkoviqi të mos ekstradohet për shkak se krimet e shërbimit sekret komunist janë parashkruar (domethënë ka skaduar afati ligjor për ndjekjen e vrasësve). Nëse kjo vlen për Kroacinë, nuk vlen për Gjermaninë, në territorin e së cilës është kryer krimi.

 

Kokëfortësia e politikanëve kroatë për të mbrojtur Perkoviqin është tmerruese për viktimat, por për vëzhguesit e politikës në këtë vend aspak befasuese. Josip Perkoviqi është person me ndikim në Kroaci. Dhe – mbi të gjitha – ai ka shumë informata për politikanët e këtij vendi. Se çfarë do të bëjë ai me këto informata nëse ekstradohet në Gjermani, nuk mund të dihet tani, por nëse Perkoviqi vendos të flasë, atëherë jo pak politikanë aktivë dhe joaktivë në Kroaci duhet të shqetësohen. Pas pavarësimit të Kroacisë Perkoviqi u angazhua nga kryetari Franjo Tugjman në funksione të ndryshme në aparatin e sigurisë, ishte zëvendësministër i Mbrojtjes, këshilltar për çështje të sigurisë dhe ndihmoi në ndërtimin e shërbimit të ri sekret të Kroacisë. Që nga viti 1997 ai nuk ushtron ndonjë funksion zyrtar, por ekspertë të sigurisë në Zagreb mendojnë se ai vazhdon të jetë këshilltar i autoriteteve kroate. Pa dyshim ndikim të madh në aparatin e sigurisë në Kroaci ka i biri i Josip Perkoviqit – Sasha Perkoviqi. Ai i ka shërbyer pushtetit të Tugjmanit, pastaj ka qenë këshilltar për siguri nacionale i kryetarëve Stjepan Mesiq dhe Ivo Josipoviq, të cilit vazhdon t’i shërbejë edhe sot. Për shumë kroatë me orientim nacional apo nacionalist ndikimi kaq i madh i Perkoviqëve në strukturat e sigurisë flet për hijen e UDB-së dhe të udbashëve të dikurshëm edhe në ditët e sotme.

 

Vrasja në Untergruppenbach

Sipas medieve gjermane, vrasës të shërbimit sekret jugosllav që nga viti 1946 vetëm në Gjermani kanë vrarë mbi 60 emigrantë nga Jugosllavia e atëhershme. Vrasësit janë të lirë. Mes viteve 1970 dhe 1989 në Gjermani u vranë 22 kroatë. Mes mbi 60 të vrarëve në Gjermani janë edhe tri personalitete nga Kosova: Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Autoritetet gjermane kur marrin ndonjë informatë mbi këtë krim vazhdojnë me akribi ta plotësojnë dosjen. Rasti i Josip Perkoviqit mund të sjellë një kthesë në këtë kapitull të errët: si kuadër i lartë i UDB-së, Perkoviqi ndoshta disponon me informata edhe për “masakrën mbi shqiptarët” (sipas DER SPIEGEL të datës 25 janar 1982). Krimi ishte kryer në fshatin Untergruppenbach të landit të Baden-Württembergut më 17 janar 1982, aty ku jetonte Jusuf Gërvalla me familje.

Ndonëse që nga çlirimi i Kosovës kanë kaluar mbi 14 vjet dhe Kosova prej atëherë ka qenë e bashkëqeverisur dhe më vonë e qeverisur kryesisht nga politikanët shqiptarë, asnjëri prej tyre – për aq sa dihet publikisht – nuk ka kërkuar nga autoritetet gjermane informacion mbi nivelin e hetimeve në rastin Gërvalla dhe Zeka. Nuk është kërkuar as nga Sllovenia dhe Kroacia informacion, ndonëse autoritetet e këtyre dy republikave ish-jugosllave mund të kenë më shumë dijeni mbi veprimtarinë e UDB-së në botën e jashtme. Po ashtu as brenda autoriteteve të sigurisë së Kosovës (polici para së gjithash) nuk ekziston asnjë ekip i veçantë që do të merrej me hetime dhe me mbledhjen e informatave e dëshmive eventuale se kush mund të qëndrojë pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës në Gjermani apo Enver Hadrit në Bruksel. A kishte UDB-ja bashkëpunëtorë, informatorë e ndihmës shqiptarë, të cilët e çuan te dera e Jusuf Gërvallës? Kjo pyetje mbetet aktuale. Ndoshta këmbëngulja e autoriteteve gjermane dhe e trashëgimtarëve të Jusuf Gërvallës një ditë do të sjellë qartësi. Kosova zyrtare, ndërkaq, qëndron indiferente ndaj vrasjes së Jusuf Gërvallës dhe shokëve të tij. Ashtu siç qëndron indiferente edhe ndaj idealeve kombëtare, kulturore dhe demokratike, për të cilat u angazhuan ata. Në fund edhe një detaj: katër vjet pas vrasjes së Stjepan Gjurekoviqit në Gjermani në një aksident misterioz komunikacioni në Kanada vdiq djali i tij Damiri.

 

Enver Robelli

kohaditore

Comments are closed.