Dajti kërkon tabulatet e bisedave telefonike të vëna në përgjim me urdhër të Arjan Muçës, gjykata e rrëzon

0
148

Sonja Caka

Gjykatë, vijojnë masat e rrepta të sigurisë para e gjatë gjyqit të Dajtit dhe dorëheqjet e avokatëve nga çështja

 

dritan_dajtigjyqDritan Dajti vazhdon me të njëjtën strategji procesin gjyqësor, duke paraqitur seancë pas seance kërkesa për të cilat edhe ai vetë e di përgjigjen, pra që nuk do të pranohen. Në momentin që gjykata refuzon kërkesën e tij, ai largohet në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit. Kështu veproi edhe dje pas rrëzimit të kërkesës së tij për vënien në dispozicion të transkipteve të tabulateve të përgjimeve telefonike të bisedave të policëve të vrarë në plazhin e Durrësit, krime për të cilat ai akuzohet, si dhe për bisedat e përgjuara të disa efektivëve të tjerë përfshirë edhe drejtuesin e tyre Arian Muça. Kjo kërkesë u rrëzua nga prokurori Ardian Nezha dhe më pas edhe nga gjykata, nga kjo e fundit me argumentin se nuk mund të vihen në dispozicion të të pandehurit bisedat telefonike gjatë operacionit të policëve të vrarë dhe drejtuesve apo kolegëve të tyre. Në seancën e djeshme gjyqësore u paraqit si mbrojtës kryesisht avokati Kadri Isufaj, i cili morri përsipër të pandehurin, duke kërkuar leximin e kërkesës për përjashtim të trupit gjykues. Por, kundërshtimi i gjykatës se nuk është momenti procedural i saktë, ka bërë që mbrojtësi të tërhiqet duke u larguar nga salla e gjyqit. Këtë vendim e mori pasi i pandehuri i kërkoi të largohet nga salla e gjyqit. Gjykata ndërpreu seancën për të caktuar datën 23 shtator për vazhdimin e gjyqit.

Kërkesat

Qysh në fillim të seancës së djeshme, e para pas përfundimit të pushimeve të gjykatave dhe prokurorive, Dritan Dajti kërkoi dhe tabulatet e bisedave telefonike të vëna në përgjim me urdhër të Arjan Muçës. Sipas të pandehurit, bashkë me numrin e tij celular, nën përgjim kanë qenë edhe disa zyrtarë të lartë, emrat e të cilëve nuk i bëri publik. I pandehuri deklaroi se përgjimet janë bërë të mundura nga vetë motra e Arjan Muçës, e cila është me detyrë drejtoreshë e këtij sektori në organin e akuzës. “Kam një kërkesë në formë verbale, pasi ende nuk kam laptop në qeli që ta përgatisë me shkrim. Bazuar në dëshminë e dhënë nga Arjan Muça, ku thuhet se ka urdhëruar vënien në përgjim të numrit tim celular, kërkoj nga gjykata që të më jepet kërkesa që është bërë nga Muça për përgjimin e celularit tim. E dyta, kërkoj që të më vihen në dispozicion rezultatet e përgjimeve duke kujtuar se Muça i ka realizuar edhe me anë të bashkëpunimit të motrës së tij, që punon drejtoreshë në këtë institucion. Së bashku me numrin tim, nën përgjim kanë qenë edhe numra të tjerë celularë të zyrtarëve të lartë dhe mendoj se kjo është arsyeja kryesore pse nuk i jep prokuroria. Së treti, kërkoj revokimin e vendimit të ndërmjetëm të gjykatës që e ka konsideruar si të panevojshëm dhe ka rrëzuar kërkesën për tabulatet e bisedave telefonike të efektivëve të policisë pjesëmarrës në aksion, duke kujtuar se për këtë fakt janë përjashtuar edhe dy gjyqtarë nga procedimi”, – është shprehur Dajti.

Replikat

I menjëhershëm ndaj kësaj kërkese ka qenë reagimi i përfaqësuesit të akuzës, prokurorit Ardian Nezha, i cili ka sqaruar se vënia nën përgjim e celularit ka qenë si rezultat i veprimeve të policisë për parandalimin e krimit. Përfaqësuesi i akuzës ka sqaruar se tabulatet e bisedave nuk janë marrë asnjëherë nga prokuroria. “Përgjimi ka qenë në kuadrin e veprimeve operacionale të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimit dhe në thelb është për identifikimin e vendndodhjes së personit dhe parandalimit të akteve kriminale. Në 10 fashikuj prokurorie, që i pandehuri Dajti i ka në dispozicion, nuk ka vendim të ndërmjetëm gjykate për përgjimin e celularit të Dajtit”, – ka reaguar prokurori Nezha. Pas këtij sqarimi, ka reaguar i pandehuri Dajti, i cili ka kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës që t’i shpjegojë se çfarë nënkupton me pjesën e veprimeve operacionale. Përgjigjja e prokurorit ka qenë se përgjimi është një veprim i ndërmarrë nga policia në kuadrin e parandalimit të krimit. “Prokuroria nuk i disponon këto akte dhe vetë i pandehuri është në dijeni, pasi fashikujt tanë i janë dhënë edhe Dajtit. Për sa i përket motrës së Arjan Muçës, ajo ka filluar punë vetëm para 2 muajsh dhe nuk ka lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2009”, – është përgjigjur prokurori. “Unë dua që t’i disponoj këto prova, pasi krahas numrit tim janë edhe numra të tjerë zyrtarësh të lartë. Meqë prokuroria nuk ka guximin t’i marrë këto prova dhe i quan vetë si të paligjshme veprimet e policisë, është përgjegjësi e organit të akuzës”, – ka reaguar Dajti.

Vendimi

Pas kërkesave të të pandehurit dhe replikave me prokurorin Nezha, Gjykata ka marrë vendim, duke refuzuar kërkesat e Dajtit, me argumentin se duhet ruajtur fshehtësia e hetimeve. Sipas kryesuesit të trupës gjyqësore, Idriz Mulkurti, kërkesa e të pandehurit rrëzohet, pasi këto përgjime janë ndërmarrë si rezultat i veprimeve hetimore të policisë. Duke qenë se janë në këtë kuadër, atëherë ruhet fshehtësia. Pas këtij vendim, i pandehuri ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, me pretendimin se ai po zvarrit gjyqin në mungesë të një mbrojtësi.

 

Vrasja e Dritan Lamajt

Riarrestohet Bejtja pas ndryshimit të masës, avokati rekurs vendimit

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Durrës, rikthehet në burg Gentian Bejtja, personi i akuzuar se ka vjedhur makinën tip “BMW” që u përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Ish-efektivi i burgjeve u arrestua në Fushë-Krujë pasi ishte lënë më parë nga gjykata me “Detyrim paraqitjeje”, ndërsa Prokuroria kishte apeluar për ndryshimin e masës së sigurisë. Më datë 11 shtator ishte seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë së Bejtajt në Apelin e Durrësit. Por në ditën e masës avokati i tij Gramoz Lika, nuk paraqit pasi ishte vetë person i arrestuar. Gjykata kishte vendosur të ndryshojë masën, duke e rikthyer në burg Gentian Bejten. Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit në banesë, Bejtes iu gjet një armë snajper, e cila u dërgua për ekspertim në Laborator. Avokati i tij deklaroi se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për këtë ndryshim mase për klientin e tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency