Berisha: Vizita e Ramës në Kosovës, përçarëse, injoroi Presidentin Rugova

0
131

Gëzim Saliu

Bogdani: Rama duhej të kërkonte ndjesë në Kosovë për nderimin e antishqiptarit Goran Bregoviç

Vizita e Kryeministrit Rama në Kosovë ishte përçarëse pasi injoroi rolin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës. Kështu e ka komentuar dje, ish-kryeministri Sali Berisha vizitën e Ramës në Kosovë, ku theksoi se një kryetar ekzekutivi i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare. Kryeministri i dekretuar, Rama, zgjodhi Kosovën për vizitën e tij të parë zyrtare. një Kryeministër i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare, por mendoj se ky rregull nuk ka vlerë në rastin e dy Kryeministrave të kombit tonë. Mirëpo në një akt përçarës të paimagjinueshëm z. Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Me këtë qëndrim të pashembullt z. Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës por dhe mbare kombin shqiptar”, – shkruante Berisha në rrjetin social Facebook. Më tej, ish-kryeministri i vendit e cilësoi si të pavdekshme veprën e Presidentit Rugova në tërë historinë kombëtare. “Ai me forcën e pathyeshme të besimit tek e drejta e popullit dhe vendit të tij shpalli, nën pushtimin e egër serb, pavarësinë e Kosovës, ngriti pushtetin paralel të shqiptarëve kundër pushtetit të okupatorit, mbrojti çështjen e drejtë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë e mëdha të Evropës. Pas çlirimit të Kosovës nga UÇK, luftëtarët e saj të lirisë dhe NATO, si presidenti i parë i Kosovës së lirë ai udhëhoqi me mençuri dhe vendosmëri vendin drejt Pavarësisë. Nder përjetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Presidentit Rugova!”, – theksoi Berisha.

Bogdani

Ishte deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili reagoi së pari ndaj vizitës së Kryeministri Edi Rama në Kosovë, duke theksuar se ai duhet t’i kërkojë falje popullit kosovar, për nderimin që i ka bërë muzikantit Goran Bregoviç. “Partia Demokratike i kujton Kryeministrit të dekretuar Edi Rama, se sot është në vendin e duhur, pavarësisht se shumë vonë, për të kërkuar ndjesë për aktin e tij publik dhe politik, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Përpara se të flasë për projektet me Kosovën dhe traktatin e miqësisë me të, një shpikje e çuditshme e z. Rama kjo, ai duhet të kërkojë falje për nderimin, që i ka bërë Goran Bregoviçit, një muzikant i njohur për vokacionin e tij antishqiptar”, – u shpreh Bogdani nga selia blu. Më tej, deputeti demokrat nënvizoi se,: “Nga mosnjohja, nga padija, apo nga bindjet e tij të mëparshme, z. Rama ka ngritur në piedestalin e kryeqytetit, kur ishte kryetar bashkie, muzikantin e preferuar të çetnikëve, që u këndonte spastrimeve etnike dhe gjenocidit në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Ai thotë se vizioni i tij ka ndryshuar, por e kaluara jo e largët është aty dhe dëshmon të kundërtën, deri në momentin që vetë Rama të distancohet”.

 

PD: Rama në Kosovë na përfaqësoi si “Sudja”, qeveria e tij, si një kioskë pa letra

Partia Demokratike ka sulmuar dje vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, ku sekretari i grupit parlamentar të selisë blu, Gent Strazimiri, akuzoi Ramën se kreu vizitën e parë të tij si kryetar ekzekutivi i pavotëbesuar. “Sot në Kosovë na ka përfaqësuar “Sudja”… Ka zgjedhur ta fillojë pikërisht në Kosovë, i pavotëbesuar nga Parlamenti, e kur së bashku me “ekipin” i ngjajnë një kioske pa leje, në pritje të letrave të legalizimit!!! Ndoshta prandaj për herë te parë Kosova pret “Kryeministrin e Shqipërisë” me një sallë Parlamenti të boshatisur… Një gjë është e qartë që sot: këtë “rekord popullariteti” do ta mbajë në jetë të jetëve, se s’ka burrë t’ia thyejë…?”, – shkruante Strazimiri në rrjetin social “facebook”.

 

Homazhet tek varri i Rugovës, Rama: Kosova pa të nuk do ishte realitet

Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e djeshme homazhe pranë varrit të ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Sipas Kryeministrit shqiptar, Rugova dhe shumë të tjerë kanë dhënë gjithçka për Kosovën. “Në këtë vend ku prehet një njeri pa të cilin Kosova që kemi sot nuk do të ishte bërë realitet, siç nuk do të ishte bërë pa të gjithë protagonistët e tjerë, ata që dhanë jetën për të dhe ata që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e saj shtet i ri, sovran, demokratik. Lavdi përjetë kujtimit të Ibrahim Rugovës dhe të të gjithë atyre që vunë gjithçka kishin në themelet e Kosovës së re”, – deklaroi Rama.

 

Jahjaga: Kosova mund të mësojë nga reformat e Shqipërisë

Pjesë e vizitës së Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ishte edhe takimi me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit tha se Kosova dhe Shqipëria kanë bërë progres të konsiderueshëm dhe kanë të gjitha mundësitë për të vënë në pah vlerat më të mira, duke pasur mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve dhe BE-së. Jahjaga theksoi se është detyrë e liderëve të vendit të ofrojnë platforma politike dhe programe të zhvillimit, që synojnë përparimin e vendit, të cilat gjejnë përkrahjen e popullit ndaj vizionit dhe zbatimit të tyre. Presidentja Jahjaga shprehu rëndësinë e projekteve të përbashkëta në shfrytëzimin e resurseve natyrore të të dyja vendeve dhe në plan rajonal, duke theksuar: “zotërojmë një potencial të rëndësishëm, rininë, nevojën e jetësimit të ëndrrave të tyre dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre konkrete në zhvillimin e dy vendeve tona”. Jahjaga vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe tha se Kosova mund të mësojë nga reformat që Shqipëria tashmë ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve të nevojshme për anëtarësim, transmeton telegraf. Ajo vlerësoi angazhimin e Ramës për ndërtimin e urave dhe bashkëpunimit si kontribut në të mirë të ardhmes tonë dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency