Verdi dje në Shqipërinë e diktaturës… dhe sot

0
157

VerdiTë kujtosh Verdin me rastin e 200-vjetorit të lindjes…

Ideja për të hedhur këto fjali kushtuar Verdit më lindi pasi ndoqa mbrëmjen e mrekullueshme që na solli në Tiranë për herën e parë aromën e muzikës së madhe shpirtërore të Verdit të madh, kompozimi i shenjtë i vitit 1874 kushtuar shkrimtarit të njohur Alessandro Manzoni. Kaluam disa çaste shumë të këndshme duke shijuar “Homazh për Verdin” “Requiem”-in e famshëm të kompozuar prej tij. Interpretuar me mjeshtëri nga Orkestra e përbashkët Rinore Shqiptare dhe Orchestra Giovanile Italiane, nga kori shumë profesionist i TOB-it që u dirigjua me mjeshtëri të rrallë nën drejtimin e të madhit maestro Aldo Ceccato dhe solistëve italianë si sopranos: S. Daolio, mexosopranos: C. Melis, tenorit: A. Liberatore dhe basit: R. Costantini. Të përzgjedhur pa dyshim me zërat verdianë për interpretimin e “Requiem”-it. Ky aktivitet i madh u organizua me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të lindjes së Giuseppe Verdi-t, nga Instituti Italian i Kulturës nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit. Shumë kujtime kaluan në mendjen time ndërsa dëgjoja e mpirë me dëshirën për të shijuar çdo notë të luajtur nga orkestra që solli atë flladin rinor magjik që vetëm rinia ka aftësinë ta përçojë mbi audiencën me anë të një interpretimi special.

Në Shqipëri, muzika e Verdit është njohur dhe është pëlqyer shumë. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit janë dhënë pothuajse të gjitha veprat e tij si: “Traviata”, “Rigoleto”, “Nabuko”, “Falstaf”, “Aida”, “Otello” etj. Do të mbetet e paharruar në historinë e operës shqiptare si dhe në kujtesën e publikut shqiptar rivënia e operës “Traviata”. Ishte viti 1972, kjo rivënie pati një rëndësi shumë të madhe sepse ringjalli në skenën e operës muzikën e mrekullueshme të Verdit që u interpretua me ndjenjë, pasion, mjeshtëri të lartë artistike nga këngëtarët tanë më të mirë si Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Luiza Papa, Nina Mula etj. Regjia e Mihal Luarasit ishte një regji avangarde, e cila hoqi nga skena atë pluhurin shekullor tradicional të vënieve të zakonshme. Platforma dhe dekoret u realizuan nga piktori i madh e i talentuar Ali Oseku, ku kishte bërë një kombinim të rrallë mes modernes dhe klasikes, me një stil dhe plot shije të veçantë, ato ishin të mrekullueshme dhe kuptimplote. Në aktin e tretë dekoret ishin vendosur nëpër podiume të larta, me korniza të mëdha boshe me ngjyrë floriri, letra bixhozi gjigande dhe bizhuteri të shpërndara me shije në murin ballor të skenës. Në aktin e fundit një mjellmë gjigande me qafën e përkulur poshtë në një sfond gri në të zezë paralajmëronte vdekjen e afërt të Violetës. Shfaqjet ishin të një niveli shumë të lartë, edhe “La Scala” do t’i kishte zili ato, thoshte shpesh babai im. Në atë kohë kultura dhe arti po merrnin një zhvillim bashkëkohor, plot shpresë për të ardhmen dhe vizion evropian. Siç e dimë, artistët janë të parët që e ndiejnë erën e ndryshimeve, deri në atë kohë diktatura po u mbyste shpirtin.

Triumfuan mbi të duke e nxjerrë në të gjitha artet shpirtin, ndjenjën dhe emocionet duke prodhuar krijimet e tyre plot optimizëm nivel të lartë dhe shumë përparimtare. Ndërsa shoh rivënien nga regjisorë të huaj në skenën tonë sot, them me vete, artistët shqiptarë e vunë në atë kohë para shumë të tjerëve. E vunë “Traviatën” në mënyrë bashkëkohore, para gjithë regjisorëve të sotëm. Pra kjo mrekulli për ne u bë e largët dhe filluam ta kujtonim vetëm nëpër ëndrra për vite e vite. Diktaturën e lanë pas artistët tanë të mrekullueshëm, paraprinë kohën, politikën e pamëshirshme, dhe me atë shfaqje na dhuruan sidomos ne adoleshentëve dhe rinisë të asaj kohë shumë shpresë për të ardhmen, ëndrra dhe dëshirën për të jetuar. Ishte një nga dritaret e pakta që na lidhte drejt perëndimit me këtë kulturë që më vonë u bë për ne u bë shumë e vështirë për t’u prekur, një mollë e ndaluar…    

Në mendjen time dhe të gjithë atyre që i panë ato shfaqje, do të mbeten të skalitura e nuk do t’i harrojnë kurrë. U dha shumë herë biletat mbaronin dhe publiku shpërthente dyert e TOB-it. Njerëzit kishin etje për diçka të re dhe në të njëjtën kohë klasike, moderne, të bukur dhe perëndimore. Ne, të rinjtë, e ndienim se po frynte një erë e re. Por fatkeqësisht këtyre ëndrrave u erdhi fundi, një fund tragjik. Pas atyre “Traviata”-ve rrodhën shumë ngjarje të dhimbshme. Erdhi famëkeqi plenumi IV i KQ të PPSH-së, që bëri të vuanin dhe të sfiliten shumë njerëz, shumë artistë. Diktatura u sul egërsisht mbi të gjithë artin dhe kulturën e kuptohet edhe mbi “Traviatën”. Besoj se për herë të parë në historinë botërore të operës, “Traviata” u këndua në gjuhën shqipe, u mbajt qëndrimi klasor dhe Byroja Politike këmbëngulte që tek “Traviata” të dilte lufta e klasave. U pre dhe u shkurtua, me një fjalë “Traviata” u sakatua. Si për gjithçka të bukur diktatura nuk u kursye as për “Traviatën”… Por edhe mbi njerëzit që i dhanë një pamje të re asaj. Ndikimet e artit revolucionar kinez u ndien thellë edhe tek ne. U ndaluan rreptësisht operat e huaja, plasën fletë rrufetë, kontrollet e rrepta punëtore, që na ndiqnin këmba-këmbës ne të rinjtë adoleshentët “rebelët” e kohës së re që po trokiste. Të pikëlluar artistët shqiptarë të niveleve botërore që e ngritën lart emrin e Shqipërisë në shumë skena dhe festivale botërore, e vuajtën shumë atë kohë.

Arti i vërtetë u ndalua dhe u mohua, filluan rëndshëm këngët e masave, për partinë, për Enverin, kishte shumë pak këngë për dashurinë, shumë për aksionet, zboret etj., etj. Kohë të vështira, sidomos për artistët klasikë, të cilëve ua u ndrydhi shpirtin pushteti i egër frymëzënës i diktaturës. Kjo kohë la gjurmë që nuk do të zhduken lehtë nga psikologjia e disa brezave.

Më vonë “Traviata” u vu dhe vazhdon të rivihet në TOB dhe secila shfaqje ka historinë e vet, por jo si ajo që ju tregova më sipër… Ajo ishte dhe mbetet unikale dhe do të mbetet e papërsëritshme… Verdi mbetet një idhull për t’u kujtuar. Duke luajtur muzikën e tij, ne e kemi nderuar dhe kemi bërë një lloj homazhi për të dhe muzikën e tij.

Giuseppe Verdi mbetet kompozitori më popullor i të gjitha kohërave, akoma dëgjohet me ëndje dhe dëshirë nga të gjitha grup moshat e popullsisë dhe me nivelet e ndryshme kulturore. Verdi mbetet idhull për shumë rockstarë si: Elton John, Zucchero, Celine Dion, Eros Ramazzoti, Lucio Dalla, por edhe shumë artistëve të Hollivudit si: Richard Gere, Julia Roberts, George Clooney etj. Të mos flasim për botën e madhe të reklamave, ku Verdi është i pranishëm në shumë prej tyre.

Rajna Kovaçi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency