Standard.al

Pushteti i të padukshmes

Çelo Hoxha

 

Regjimi komunist në Shqipëri u vendos ushtarakisht, vazhdoi si regjim ushtarak dhe, me kalimin e kohës, u shndërrua në regjim policor. Arma më e fuqishme mbrojtëse e tij ishte Sigurimi i Shtetit, i cili, veç punonjësve të përhershëm e të deklaruar tij, kishte edhe një rrjet të gjerë e të fshehtë bashkëpunëtorësh. Me rënien e regjimit komunist u shemb, u prish edhe struktura e dukshme e institucionit të tij policor, por ndikimi i tij në shoqërinë e re, demokratike, siç e quajmë, mbeti. Dhe janë pikërisht strukturat e fshehta të saj, rrjeti i ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që morën një rëndësi të madhe për ish-kupolën komuniste, e cila kërkonte të ruante, me forma të tjera tashmë, pushtetin. Për këto arsye, çështja e hapjes së dosjeve të Sigurimit ka qenë një nga temat më të diskutuara gjatë dy dekadave të fundit.

Libri “Diktatura e dosjeve” i gazetarit të njohur Nebil Çika (i Riu), i hedhur në treg kohët e fundit, është dëshmi e këtij arsyetimi. Libri është një përmbledhje e artikujve që autori ka shkuar gjatë viteve, të botuara në gazeta të ndryshme.

Libri trajton, në mënyrë analitike, problemet kryesore që lindin si pasojë e moshapjes së dosjeve. Logjika e thjeshtë e zhvillimit të ngjarjeve është kjo: ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit u katapultuan nga një dorë e fshehtë në pozita kyçe në drejtimin e partive politike dhe institucioneve të shtetit që në fillimet e demokracisë dhe në vazhdim. Problemi me këta njerëz është se në shumë raste, janë njerëz që nuk veprojnë në bazë të ligjeve dhe normave demokratike, por të axhendave të fshehta, të hartuara nga njerëz që qëllim të vetëm kanë pushtetin dhe përfitimet prej tij. Libri i zotit Çika i trajton këto çështje.

Le të marrim vetëm një prej këtyre çështjeve: trajtimi i figurave të larta politike të regjimit komunist. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur përpjekje, shumë herë të suksesshme, për rehabilitimin e tyre. Në Shqipëri, figura e diktatorit nuk është dënuar (nuk i janë hequr as medaljet), në atë mënyrë që kur të flitet për të, të flitet vetëm me kritikë negative, si njeriu përgjegjës për gjithë krimet që ndodhën gjatë diktaturës, përfshi dhe instalimin e vetë regjimit. Jo, për atë flitet në mënyra të ndryshme. Disa e kritikojnë, disa e lavdërojnë, sikur në të shkuarën s’ka ndodhur asgjë. Me personazhet e tjerë gjërat janë më të lehta, madje – si në rastin e Mehmet Shehut – është kërkuar rehabilitimi publik i tij. Krimet që Shehu ka kryer vetë, dhe janë të dokumentuara, nuk vlejnë për përkrahësit e idesë së rehabilitimit. Dora e fshehtë e dosjeve është ndier kudo në këtë proces dhe trajtohet në disa nga artikujt e këtij libri.

Për veprimtarinë deformuese, si pasojë e moshapjes së dosjeve, nuk mund të flitet me siguri absolute dhe as nuk duhet ekzagjeruar roli i saj në gjithçka që ndodh, por ekzistojnë fakte të mjaftueshme për të besuar në efektin e tyre dhe ligjërimi mos të mbetet vetëm në terrenin e konspiracionit.

Një politikan i njohur, i vetëdeklaruar si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit, ishte njëherë i ftuar për një intervistë. Një çast, gazetari e pyeti, bazuar në opinione të ndryshme, nëse ishte e vërtetë se drejtuesit e Lëvizjes Studentore Dhjetor 1990 ishin dërguar aty nga Sigurimi. Politikani e kujtoi gazetarin se ai, gazetari, kishte qenë personi që kishte shkuar te shtëpia e politikanit dhe i kishte kërkuar të shkonte te lëvizja. Gazetari nuk u shpjegua, por e kaloi bisedën në një temë tjetër. Heshtja e gazetarit lë vend për spekulime, nisur edhe nga fakti që ai është akuzuar shumë herë si bashkëpunëtor i Sigurimit dhe asnjëherë nuk i ka mohuar akuzat ose nuk ka bërë ndonjë padi për shpifje ndaj personave që e kanë akuzuar. Ky episod, në librin e zotit Çika, gjendet në faqet 147-153.

Për promovimin e njerëzve në gazetari, bazuar në bashkëpunimin e tyre me Sigurimin dhe jo në aftësitë e tyre profesionale, është folur gjatë. Shumë gazetarë janë akuzuar si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, por asnjëri prej tyre nuk ka ngritur një padi për shpifje ndaj akuzuesit. A kanë qenë ata apo jo bashkëpunëtorë, nuk mund të thuhet me siguri, por një gjë është e dukshme: gazetaria është në nivele të ulëta profesionale dhe promovimi i individëve nuk bëhet mbi bazën e meritës.

Dhe ky është shqetësimi kryesor nga buron debati për dosjet: deformimi i veprimtarisë demokratike të shoqërisë. Nëse do të hapeshin dosjet, atëherë ish-bashkëpunëtorët do të shkëpusnin lidhjen që kanë me botën e fshehtë të pushtetit, shpesh e inkriminuar. Ata do të ishin të lirë, por edhe shoqëria do të ishte e lirë të zhvillohej natyrshëm. Ky është edhe mesazhi kryesor i këtij libri, botuar nga shtëpia botuese “Emal”, që unë e sugjeroj për të lexuar.

Comments are closed.