Edi Rama prezanton në Kuvend programin e qeverisjes, të shtunën votohet

0
114

Florenc Drizari

Rama: Armiqtë tanë nuk janë në këtë sallë, por është papunësia dhe varfëria

Deputetët e PD-së reagojnë gjatë fjalimit të Ramës, “fol për programin, lëri akuzat”.

 

rama_ne_kuvendKryeministri Edi Rama prezantoi një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Pas një fjalimi që zgjati për me tepër se një orë, ai prezantoi pikat kryesore të programit politik, duke folur gjithashtu edhe për një marrëdhënie të re me opozitë e djathtë.

Gjatë fjalimit të Ramës, teksa po krahasonte zgjedhjet e 23 qershorit me ato të vitit ’92, shoqëruar kjo edhe me një analizë të shkurtër për proceset qeverisëse që e kanë lënë pas zhvillimin e vendit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike bojkotoi seancën parlamentare në formë proteste. Nga ajo që mund të kuptohej në sallën e Kuvendit ishte se ish – Kryeministri Sali Berisha dhe ish – kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, i kërkuan Edi Ramës (jashtë mikrofonit), që të lërë mënjanë krahasimet dhe të fokusohet tek programi, duke shmanguar edhe kritikat për punën e qeverisjes së kaluar. Por kryesocialisti vazhdoi me fjalimin e tij pa u ndërprerë nga ndërhyrjet nga salla dhe pak minuta pasi ai kishte nisur fjalën para deputetëve, demokratët çohen duke u larguar në formë proteste. Nga fjalimet e mbajtura më pas, përfaqësues të PD-së, deklaruan se u ndihen të fyer nga qëndrimi i Kryeministrit të sapo dekretuar nga Presidenti Nishani, Edi Ramës, duke e paralajmëruan atë për një mandat të shkurtë qeverisës nëse vazhdon në të ardhmen me një gjuhë fyese ndaj opozitës.

Edi Rama

Kryesocialisti Edi Rama, njëkohësisht edhe Kryeministër i sapo dekretuar i Republikës së Shqipërisë prezantoi në Kuvend të gjitha pikat kryesore të programit të tij qeverisës për katër vitet e ardhshme, duke folur edhe për një qasje të re me opozitën parlamentare si dhe me institucionet e tjera të vendit.

“Njësoj si në Evropë unë nuk do ta provokoj opozitën duke i kërkuar të votojë programin e qeverisë siç bënte rëndomtë paraardhësi im, por vetëm do ta falënderoj sinqerisht për kënaqësinë që na jep të gjithëve ne fakti se Partia Demokratike do ta lexojë më vëmendje të madhe dhe do ta diskutojë me pasion të veçantë programin tonë. Nga opozita nuk kemi pritur më shumë sesa të na ndjekë me vëmendjen më të madhe dhe të na kundërvihet me pasionin e vet emblematik. Kjo do të na ndihmojë të ecim më shpjet edhe falë opozitës se kam shumë besimin se do të na mbajë gjithnjë zgjuar për mos të rënë qorrazi në humnerën ku ra, ku u zhyt qorrazi dhe ku kërkon vetë”, – deklaroi Rama.

Sipas tij ndryshimi nga ajo që presin qytetarët shqiptar nuk do të vijë as brenda një nate dhe as brenda një viti të mandatit qeverisës “por puna për rilindjen e projektuar në këtë program, nuk do të reshtë asnjë minutë dhe rilindje do të këtë”.

Në fjalën e tij, Rama premtoi përmbushjen e premtimeve të bëra më parë në fushtën elektorale. Sipas tij, në këtë mandat katër vjeçar do të mbahet premtimi për legalizime falas, shëndetësi falas dhe ulje të taksave për qytetarët, si dhe hapjen e 300 mijë vendeve të punës.

Për legalizimet

“Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën bregdetare. Dhe jo e jo, ndërtime të paligjshme për të bërë biznes duke i bërë shtetit ngado një karshillëk të paparë, thellësisht antieuropian e fyes për dinjitetin e shoqërisë. Nëse të varfërve që kërkuan Amerikën këtu në Shqipëri, duke ardhur nga humbëtirat e varfërisë e të papunësisë, për të ndërtuar një jetë të re rreth Tiranës e qyteteve të mëdha, ne nuk do t’u kërkojmë lekë po vetëm përmbushjen e detyrimeve të zakonshme të çdo shtetasi për ujin, dritat, plehrat, zengjinëve të betonarmesë së hedhur kuturu pa asnjë leje e gajle për të drejtat e pronës, komunitetit, natyrës, do t’u rezervojmë një faturë sa të kripur aq edhe të paharrueshme”.

Për taksat

“Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi – Mjeku – Polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm. Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve. Do të ecim hap pas hapi, me planin tonë konkret në përmbushjen e këtij zotimi dhe në fund të mandatit tonë, shtresa e mesme si edhe më të varfrit do të kenë më shumë para në xhep, e do të shërbehen më mirë”.

Për shëndetësinë

“Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja – duke filluar nga shëndetësia e arsimi padyshim. Cilido merret me politikë këtyre anëve dhe vazhdon të mendojë se shëndeti është mall që blihet e vazhdon të thotë, kujdesi shëndetësor merret vetëm me para sepse shëndetësia kushton prandaj kush s’ka para nuk duhet të sëmuret, i ka merituar qoftë dhe për kaq të 1 milionë shuplakat e 23 qershorit. Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë dhe ky mandat do të jetë mandati i një reforme radikale në shëndetësi”.

 

 

 

 

Ridvan Bode bën betimin si deputet

Ish – ministri i Financave Ridvan Bode bëri dje betimin para Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili lexoi edhe formulën e betimit. Bode bëri dje betimin si ligjvënës për faktin se gjatë betimit të deputetëve dy ditë më parë, ai nuk ishte prezent në sallën e Kuvendit. Në seancën e parë të Kuvendit u ngrit komisioni i verifikimit të mandateve, përbërja e së cilit reflektoi përfaqësimin politike të deputetëve në Kuvend. Pas ngritjes së këtij komisioni në seancën ë parë, deputetët një ditë më pas bën edhe verifikimet duke mos konstatuar papërputhshmëri me mandatin e deputetit. Për këtë ata iu ferrua listës shumemërore të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Aleanca e majtë në Kuvendin e Shqipërisë ka marrë në zgjedhjet e 23 qershorit 83 vende, ndërsa aleanca e djathtë 57 vende.

 

Meta: Të shtunën diskutohet programi, ftoj palët të respektojnë njëri-tjetrin

Të shtunën në orën 10 Kuvendi i Shqipërisë pritet të diskutojë lidhur me programin e qeverisjes. Të enjten në darkë rreth orës 20:00 deputetët duhet të dorëzojnë pranë Kuvendit pyetjet lidhur me programin. Këtë e kërkoi kryetari i Kuvendit Ilir Meta i cili tha se qeveria duhet të përgatitet për pyetjet në seancën e radhës. Nëse ka konsensus tha ai, seanca mund të filloj më para.

“Grupet parlamentare të paraqesin listën e diskutantëve në lidhje me rregulloren. Siguroj përfaqësuesit e opozitës për t’ju dhënë të gjithë mundësinë për të pasur kohën e duhur për të bërë pyetje, por njëkohësisht për të pasur kohë maksimale për t’u shprehur gjatë debatit, do t’i ftoja të gjithë që të vazhdojmë përpara në kuadër të rregullores. Ta dëgjojmë më vëmendje njëri-tjetrin dhe të mos ta ndërpresim. Do të bëj më të mirën për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe do të bëjmë më të mirën të gjithë sëbashku”, – deklaroi Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency