Standard.al

Idiotët e mashtruar dhe psikopatët e vetëkënaqur

Michael REdelstein

David Ramsay Steele

Psikologji// Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

liarblogpicPërpjekja për të përmirësuar shkallëzimin e vlerësimit të vetvetes tek individi, has në probleme të shumta. Një nga ato më patetiket lind kur njerëzit, të cilët shfaqin rendiment tepër të dobët në disa punë specifike (nëse i gjykojmë ata objektivisht), inkurajohen që ta shohin veten sikur janë tejet të shkëlqyer dhe në këtë mënyrë, informacioni për cilësitë e tyre të dobëta, minimizohet.

Në një nga studimet e fundit, në gjashtë shtete: (SHBA, Britani, Kanada, Irlandë, Kore, Spanjë) u bë një testim standard matematike te nxënësit 13-vjeçarë. Veç kësaj, atyre iu kërkua të jepnin një vlerësim për shprehjen: “Unë jam mirë në matematikë!”

Fëmijët amerikanët i vlerësuan aftësitë e veta më lart se të gjithë (68% e tyre pohuan këtë deklaratë!) Por në testin që përmendëm, amerikanët dolën të fundit.

Disa edukatorë mendojnë se të dy këto rezultate qenë të ndërlidhura. Këta nxënës, që morën vlerësime nga dobët deri në mesatare, qenë fryrë nga fantazia se ishin ku e ku më superiorë nga të tjerët. Në fakt, ata ishin viktima të “kurrikulumit vetë-vlerësues”, i projektuar për t’i bërë fëmijët që të ndiheshin mirë me veten, pavarësisht nga e vërteta.

Ndjenja e mbivlerësimit të vetvetes mund të shpjerë në vetë-zhgënjim. Nuk është e vërtetë se njerëzit që ndihen mirë me veten, japin edhe rezultate më të mira. Është një mashtrim mizor të induktosh përshtypjen sikur suksesi vjen fare kollaj po mbajte qëndrim “pozitiv”. Në fakt, performanca e mirë është e lidhur ngushtë me “Tolerancën e Lartë të Shqetësimit” pra, aftësinë për t’ia dalë mbanë qetësisht vështirësive dhe pengesave. Zakonisht, arritjet e mëdha kërkojnë përkushtim të jashtëzakonshëm, investim të vazhdueshëm e të mundimshëm përpjekjesh të zellshme për periudha të gjata kohe. Ato kërkojnë gjithashtu talent të lindur, i cili nuk është i njëllojtë te të gjithë njerëzit.

Për disa njerëz mund të jetë relativisht e padëmshme që ta vazhdojnë jetën me iluzionin se janë të zotët në ndonjë fushë, kur në fakt nuk janë. Megjithatë, në qoftë se nga ky iluzion arrijnë të krijojnë një vetëvlerësim, atëherë duhet të përgatiten për një zhgënjim shkatërrues, nëse vendosin që të përballen ndonjë ditë sy më sy me realitetin.

Ky nuk është i vetmi problem që lind nga vlerësimi i lartë i vetvetes. Shumë teoricienë kanë supozuar se kriminelët e dhunshëm vuajnë nga vlerësimi i ulët i vetvetes dhe se mund të reabilitohen po t’i bësh që ta ngrenë lart këtë vlerësim. Por, sipas rishikimit të kujdesshëm të fakteve nga tre psikologë (Roj Baumajsteri, Xhozef Boudëni dhe Laura Smarti) u konstatua se mjaft individë të dhunshëm ruajnë opinion shumë të lartë për veten; vetë-vlerësimet e tyre të larta irreale i predispozojnë që të sillen dhunshëm. Sikurse përmendin autorët e mësipërm, gjatë trajtimit të përdhunuesve, abuzuesve të femrave apo vrasësve, përpjekjet për t’i bindur ata se janë qenie superiore, rezultuan të pakuptimta, përderisa kjo ishte pikërisht edhe ajo çka këta njerëz besonin se ishin.

 

Sukseset e tua nuk janë Ti – Dështimet e tua nuk janë Ti

 

Xheri e kishte vështirë ta kuptonte idenë time.

– Përse qenka gabim të ndihesh mirë se je njeri i suksesshëm? A nuk do të ishte më e arsyeshme sikur të kthehesha në po atë gjendje që ndihesha para gjashtë muajve?

– Epo, kjo mundësi është e parealizueshme, – ia ktheva unë. – Nëse arrin që me një kërcitje të gishtave t’ia nisësh e të fitosh sërish para, atëherë mbase ashtu duhej të bëje. Nuk ka asgjë të gabuar në atë që të ndihesh mirë, kur je i suksesshëm. Ajo që hap probleme është ta vlerësosh veten shumë lart kur je i suksesshëm e të ndihesh mirë vetëm e vetëm ngaqë i ke vënë vetes një notë të lartë. Do të bëje më mirë sikur të mos e vlerësoje kurrë veten, por thjesht vlerëso vetëm sjelljen tënde specifike.

– Kjo duket sikur ka kuptim, – pranoi ai. – Por nuk është kjo rruga, mendoj.

– Po si ta thotë mendja ty?

– Eh, kur isha i suksesshëm, ndihesha shkëlqyeshëm fare.

– Ndiheshe mirë me veten. Po ti sërish mund të ndihesh i lumtur dhe i kënaqur, duke u krenuar me arritjet e tua, pa e shkatërruar tërësisht veten me këto. Dhe pas kësaj nuk do t’i lejosh më vetes të ndihesh si krimb, po të falimentoi biznesi imobilar.

– Hm. Shumë interesant! Pra, nuk qenka mirë ta ngre veten lart në piedestal, ose dhe tjetra, ta shikoj poshtë veten time. A e di, qysh tani po ndihem më pak i dëshpëruar, thjesht duke e parë idenë nga ky këndvështrim. Është një ide shumë e ndryshme nga mënyra sesi jam mësuar të mendoj.

 

Ushtrimi treminutësh i Xherit

 

Xheri kishte nisur ta kapte mesazhin. I shpjegova metodën e të shkruarit të ushtrimit triminutësh, të cilin ai nisi ta praktikonte përditë. Ja një ushtrim tipik:

 

A.        (Ngjarja Aktivizuese): Biznesi im po humbet para.

B.        (Bindja Irracionale): Unë DUHET të bëj para, ndryshe s’jam i zoti.

C.        (Pasoja Emocionale): Depresion.

D.        (Diskutimi): Pse DUHET të bëj shumë para? Si më bën keq mua mospatja e të ardhurave të larta?

E.        (Mendimi i Ri Efektiv): Asnjë ligj i universit nuk thotë se unë DUHET të fitoj shumë para. Realiteti mbetet realitet, i pavarur nga pikëpamjet e mia për të, kështu që mund t’i pranoj plotësisht luhatjet e tregut imobilar bashkë me të metat e mia. Unë nuk kthehem si me magji në krimb, madje edhe po i humba të tëra paratë. Nuk janë të ardhurat e mia zhgënjyese, por mërzitja ime për këtë, që më bën të ndihem i dëshpëruar. Po kështu, nuk është suksesi në vetvete, por pikëpamja ime për të, ajo që më bën të ndihem se jam person i mrekullueshëm. Suksesi nuk e ndryshon dot thelbin tim dhe as më bën “burrë të mirë”, sikurse edhe dështimi nuk më shndërron mua në dështak të mjerë. Qëllimi im në jetë është të kënaq vetveten dhe jo të tregoj se cili jam në vetvete.

F.         (Ndjenja e Re): Më shumë preokupim dhe vendosmëri ngulmuese sesa ankth apo depresion intensiv.

 

Një argument vetëshkatërimtar

 

Rasti i Xherit është interesant për faktin se brenda pak muajve ai qe shndërruar nga një person që e mbivlerësonte veten, në një person që tashmë e nënvlerësonte. Por, mënyra e të menduarit të tij është diçka e zakonshme:

1.         Unë dua të ndihem mirë. (këtu s’ka asgjë të keqe)

2.         Që të ndihem mirë, duhet të ndihem mirë me veten (kjo është gabim).

3.         Të ndihem mirë me veten, do të thotë të mendoj se jam person me vlerë.

4.         Unë mund t’i vërtetoj vetes se jam me vlerë nga sukseset që arrij në X gjë: (fitim parash, të kaluarit e një provimi, të mbajturit e trupit në formë, joshja e seksit tjetër, të qenët i zoti në shtrat, dhënia lumturi familjes,…)

5.         Uff! E paskam qelbur në X. Pra, qenkam i pavlerë. Unë NDIHEM KEQ.

 

 

 

Të ardhurat e tua nuk janë TI

Problemi i Xherit ilustron gjithashtu një bindje tepër të përhapur, por të gabuar – bindjen se të ardhurat tona monetare janë masa e vlefshmërisë apo e sukseseve tona në jetë. Kjo bindje e rremë është burim ankthi dhe depresioni te miliona individë.

Të ardhurat tona monetare përfaqësojnë vetëm atë çka njerëzit e tjerë vendosin të të paguajnë për shërbime që ne zgjedhim t’ju afrojmë atyre. Ato nuk janë një gjykim ndaj “shpirtit” apo dinjitetit tonë si qenie njerëzore. Nuk ka asgjë poshtëruese apo fyese në pasjen e një rroge të ulët, madje kjo nuk përbën as edhe ndonjë gjykim përfundimtar për aftësitë tona – Mozarti vdiq i varfër.

Nëse do të arrinim t’i rrisnim të ardhurat tona, atëherë me to mund të përballonim më shumë të mira materiale, të cilat do të na mundësonin që t’i realizonim më mirë qëllimet tona e mbase të bënim një jetë më të plotë. Kjo është diçka e mrekullueshme, por mbase ne do të vlerësonim shumë më lart kohën e lirë apo shmangien e streseve ndaj kërkesave që do të nevojiteshin për të kryer rritjen e të ardhurave tona përtej ndonjë kufiri të caktuar. Në këtë rast do të qe një gabim trashanik po të supozonim se DUHET të ndjekim si qëllim final në vetvete, sigurimin e një ardhure më të lartë parash.

Comments are closed.