I pafajshmi i masakrës së Qafë-Gjashtës, padi për dëmshpërblim

0
140

Elton Qyno

Eduart Çipa dorëzon padinë në sekretarinë e gjykatës. U mbajt rreth dy vite në burg

 

pranga-arrestimEduart Çipa, një ndër të akuzuarit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si shkaktar i masakrës së Qafë-Gjashtës në Sarandë dhe i shpallur i pafajshëm nga gjykata, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, ku kërkon prej saj dëmshpërblimin financiar për ditët e qëndrimit në burg. Kërkesë-padia është paraqitur në datën 9 shtator në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit, ku Çipa kërkon shpërblimin financiar për të gjitha ditët e qëndrimit në burg, nga moment i arrestimit të tij prej policisë dhe deri në ditën e lirimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në padinë e tij Cipa ka paditur degën e thesarit në Tiranë dhe Ministrinë e Financave, duke u kërkuar këtyre të fundit detyrimin financiar të mbajtjes në mënyrë të pa drejtë në qeli, për një periudhë rreth dy vjeçare. Në padinë e tij civile Çipa saktëson se gjatë qëndrimit në burg, ai ka humbur mundësinë për të punuar dhe siguruar të ardhura financiare për të mbajtur familjen e tij. Për më tepër, qëndrimi në burg në mënyrë të padrejtë e ka dëmtuar akoma dhe më rëndë ekonomikisht familjen e tij, për shkak edhe të një faturë financiare që duhet të shlyenin ndaj avokatit mbrojtës. Në këto kushte, Çipa kërkon dëmshpërblimin financiar për të gjitha ditët e burgut.

Vendimi, tetor 2011

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka shpallur në muajin tetor 2011 të pafajshëm Eduart Çipën, i dënuar me 15 vjet burg në Shkallën e Parë, si një nga autorët e masakrës së Qafë-Gjashtës të marsit 1997 në Sarandë, ku u vra e u dogj një polic dhe u mor peng një tjetër. Për nëntë të pandehurit e tjerë, Gjykata e Apelit la të pandryshuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, në 11 maj të këtij viti. Mbi të pandehurit e kësaj dosjeje rëndonin akuzat e “Vrasjes me dashje” në bashkëpunim, ndaj punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti. Gjithashtu, ata akuzoheshin për “Vrasje me dashje” në bashkëpunim, mbetur në tentativë ndaj punonjësve të tjerë të policisë, Sokol Bizhga, Eduart Alija dhe Myzafer Blushi. Katër punonjësit e policisë së Vlorës ranë në një pritë të armatosur më 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë, teksa po ktheheshin nga Saranda drejt Vlorës. Në një seancë gjyqësore ku ishin të pranishëm vetëm katër nga të pandehurit e parabugorsur, pesëshja gjykuese lexoi vendimin, i cili liroi nga qelia vetëm një prej tyre.

Ngjarja
10 të pandehurit janë ulur në bankën e të akuzuarve, pasi ata dyshohet se janë organizatorët e asaj që më pas mori emrin si “Masakra e Qafë-Gjashtës”. Ngjarja në fjalë daton më 4 mars 1997, ku katër punonjës të policisë së Vlorës, Sokol Bizhga, Gjergji Mehmeti, Eduart Alija dhe Myzafer Blushi udhëtuan drejt Sarandës për të rimëkëmbur komisariatin e policisë, të dalë jashtë funksionit. Gjatë kthimit për në Vlorë, në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë një grup personash i zunë pritë dhe nisën të qëllonin me armë në drejtim të tyre. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë efektivi i policisë Gjergji Mehmeti, kufoma e të cilit u dogj më pas me gjithë makinën, si dhe u mbajt peng dhe u torturua për disa ditë, Eduart Aliaj. Ndërsa Bizhga dhe Blushi arritën t’i shpëtonin sulmit dhe të largoheshin.

 

 

Maqedonasi

Dosja e Agim Eminit do të pushohet

Dosja e vetëvrasjes së shqiptaro-maqedonasit Agim Emini po shkon drejt pushimit. Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga raporti i mjekësisë ligjore dhe ekspertizës së laboratorit kriminalistik, rezulton se Emini pasi ka qëlluar të dashurën e tij 21-vjeçare ka vrarë veten me një plumb në kokë. Për prokurorin, meqenëse autori i plagosjes së 21 vjeçares ka vrarë vetën, dosja do të pushohet. Ndërkaq, vajza ka treguar versionin e saj në prokurori, duke sqaruar se fillimisht ishte kërcënuar me armë nga shqiptaro-maqedonasi dhe më pas ka qëlluar në drejtim të saj, duke i shkaktuar plagosjen. Krimi është kryer në korridorin e një hoteli në periferi të kryeqytetit në fillim të muajt gusht. Sipas akuzës, vajza ishte njohur në Strugë me 50-vjeçarin, në kohën kur ajo punonte si balerinë në një lokal nate.

 

Në Laç

Shkëndija në kabinë, në flakë pallati i kulturës

Pallati i kulturës në qytetin e Laçit është përfshirë nga flakët e zjarrit ditën e djeshme. Kabina elektrike në ambientet e brendshme të pallatit të kulturës ka marrë flakë, pranë sallës së shfaqjeve për fëmijë. Për pasojë, janë shkaktuar dëme materiale vetëm në dhomën ku ndodhej kabina elektrike, pasi forcat e zjarrfikësve kanë ndërhyrë në kohë. Fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar në njerëz, ndërsa flakët janë izoluar menjëherë në ambientin ku u dogj kabina elektrike. Shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë një masë elektrike, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Klandestinët

Policia ndalon 14 emigrantë

14 emigrantë klandestinë u ndaluan mesditën e së dielës në afërsi të vendit të njohur si Uji i Ftohtë në Tepelenë, bëri të ditur Policia e Shtetit. Klandestinët, nëntë meshkuj dhe pesë femra, shoqëroheshin nga dy persona nga Fieri, të cilët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, pasi u larguan me ngut në momentin e ndalimit prej policisë. 14 emigrantët kishin kaluar ilegalisht kufirin shqiptar dhe synonin t’i drejtoheshin Malit të Zi, prej nga ku shpresonin të kalonin në vendet e Evropës Perëndimore. Në identifikimin e tyre, rezultoi se shtetasit e ndaluar ishin sirianë dhe eritreas.

 

Itali

Shqiptari vjedh energjinë elektrike

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, shqiptarët e vjedhin energjinë elektrike. Por ndryshimi qëndron në Itali, policia të denoncon në prokurori dhe të çon menjëherë për ndjekje penale. Kjo i ka ndodhur një emigranti shqiptar 30 vjeç në Savona të Italisë. Ai është vënë nën akuzë për “Vjedhje të energjisë elektrike”. Policia ka ndërhyrë, pas kërkesës që ka bërë një nga kompanitë që shpërndante energjinë elektrike në zonë, shkruan media italiane e cila nuk bën publike emrin e shqiptarit. Në denoncimin e bërë, thuhet se në një banesë ishin lëvizur çelësat e mbylljes së matësit të energjisë elektrike dhe të gazit, të vënë disa vite më parë nga e njëjta shoqëri kur shtëpia banohej nga persona të tjerë. Me të zbuluar mashtrimin, kompania ka identifikuar dhe ka denoncuar emigrantin shqiptar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency