Semantika e vdekjes!

0
147

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Një zotëri nga Kruja ka shpallur vdekjen e tij, sipas shtypit, me qëllim që fëmijët dhe të afërmit të kujtohen për të dhe të marrin mundimin ta vizitojnë dhe të mbajnë marrëdhënie me të.

Perlë e zgjuarsisë krutane!

Sa duhet të ketë menduar i shkreti për ta shpikur këtë formulë!

Të ndërtosh marrëdhënie publike duke përdorur lajmërimin e një vdekjeje të paqenë!

S’ka tekst komunikimi që e përmban!

Perlë.

Ka fëmijë që qajnë për prindërit e tyre vetëm kur i shohin në letra të varura në shtylla të pista rrugësh.

Ka fëmijë që kujtohen për prindërit vetëm kur ata vdesin.

Individi i izoluar ka vetëm një mundësi të provojë solidaritetin familjar dhe vetëm me një çmim makabër: vdekjen!

Të duam të vdekur!

Zotëria nga Kruja, ish-emigrant në Kanada, na provon duke na tallur se s’ka pasur asnjë metodë tjetër për të mbajtur lidhjet familjare gjallë në shumë raste veçse duke folur gjuhën e rasteve ekstreme.

Mos kanë marrë ceremonitë funebre rolin e rikrijuesit të lidhjeve shoqërore që janë shpërbërë, prishur, shkatërruar?

Jeta na ndau dhe vdekja na bashkon? Ky është paradoksi i marrëdhënieve njerëzore? Përndryshe askush nuk ka kohë më për njeriun tjetër?

Mjeshtër zotëria nga Kruja kur rishpik atë që specialistët e mëdhenj të komunikimit e kanë shpikur para tij: dramatizim i ekzistencës për të tërhequr vëmendjen e mjedisit rreth teje!

Ai dramatizon qenien e vet duke e shpallur të vdekur.

Përdor vdekjen false për të treguar se akoma jeton.

Një shën Baltazar i kohëve moderne. Jeton i vdekur për familjen, dhe vdes që të dihet se jeton.

Jeto i vdekur dhe vdis të jetosh!

Vetminë e ekzistencës reale të jetës së tij, kërkon ta mundë duke përdorur gurin e fundit, vdekjen si fillim vetmie reale.

Ky njeri duhet mediatizuar, intervistuar, falënderuar!

Ai na kujton se përtej punëve, halleve, ambicieve karrieriste, lekëve, kafenesë, plazheve, veturave, allishverisheve, mërzisë intelektuale, mashtrimeve, politikës, votimeve, ka edhe njerëz që jetojnë në këtë botë…

I kemi harruar.

Kemi harruar ta pyesim tjetrin: Çfarë halli ke? Vetëm tregojmë hallet ose idiotësitë tona!

Kemi harruar se përtej jetës së rrëmujshme qëndron vdekja!

Atje asgjë e kësaj bote nuk ka më kuptim.

Të gjitha kuptimet përfundojnë.

Pasuria kthehet në zero, karriera kthehet në zero, posti pushtetar kthehet në zero, dija në zero, shtëpia në zero, tokat e vjedhura në zero, lekët e korrupsionit në zero, fama në zero, ambicia profesionale në zero.

Asnjë fjalë nuk futet më në veshin e tjetrit. Foli sa të duash. veshi i është mpirë nga thirrjet, lutjet, nga media, nga politika, nga komshiu, nga zhurmat e stërmëdha që si sirenat antike thërrasin për askund.

Çfarë fjale të gjej për ta kthyer veshin njerëzor, të dyllosur, të anestezuar, të mirë, rreth një mesazhi fillestar, parësor, sikurse është dëshira për të jetuar i rrethuar nga fëmijët, miqtë, të afërmit?

Ai gjeti fjalën ekstreme: Vdekjen. I tmerron fjala vdekje të vdekshmit, ndofta e vetmja fjalë që u kujton se duhet me qenë njerëzor.

Kemi ardhur vallë në stadin kur vetëm semantika e fjalëve ekstreme, vrasje, atentat, vdekje, kolerë, varje në litar, kokëprerje me sëpatë, bombardim kimik, luftë, mund të na tërheqë vëmendjen sepse të tjerat na kalojnë pa na e cikur veshin?

Zotëria nga Kruja përdori vdekjen për të rijetuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency