Pesha e dhimbjes për Azemin

0
146

Nga Halil Rama

 

Ndonëse autoritetet shtetërore dhe të gjithë demokratët e vërtetë po i bëjnë nderimin e merituar duke varrosur eshtrat tek “Dëshmorët e Kombit”, e motra e Azemit, Nuria, është e pushtuar nga një dhimbje e thellë. 15 vjet pa dhe me Azemin! Pa njeriun më të dashur të zemrës që 12 shtatorin e kobshëm të vitit të mbrapshtë 1998 u ekzekutua nga dora vrastare e bishës gjakatare që kërkonte rikthimin e skëterrës komuniste. Ndërkohë, pranë tij për 15 vite me radhë. Çdo javë, çdo përvjetor ditëlindje e ditëvdekjeje, Nuria, djemtë e vajzat, nipërit e mbesat, me kurora e tufa me lule, me lot të pashtershëm pranë varrit të Azemit. Madje ajo ngrehinë varrmihëse në Sharrë mund të konsiderohet si “shtëpiza” e dytë e Nurie Hajdarit.

Nuk ka dashuri më të madhe sesa ajo e motrës për të vëllain. Por tek Nuria kjo është shumëfish më e madhe, sa dhe pesha e dhimbjes. Sepse e ka rritur si vëllanë më të vogël..,është kujdesur për të kur ka shkuar në klasën e parë duke i mbështjellë librat….e ka përcellë e pritur kur shkonte e vinte nga shkolla në Tiranë……E ka mbështetur dhe inkurajuar si askush tjetër në atë dhjetor të furishëm të ’90-tës kur doli si uragan kundër sistemit më të egër. Kur u përball me të dhe e rrëzoi. Për të gjitha e motra sot Nuria ndjehet më krenare se kurrë për Azemin.

Nuria ishte vetëm 7 vjeçe atë 11 mars të vitit 1963 kur do të lindte Azemi. Me nostalgji ajo sjell në kujtesë çastin e vendosjes së emrit të njeriut që do të bënte epokë të ndritur në historinë e Shqipërisë. “Në shtëpinë tonë përdhese, kur lindi Azemi, babai ynë ndjesë pastë, erdhi e na tha se a keni menduar për emrin?!… Dhe kur u ndesh me heshtjen tonë, tha se familja jonë përfaqëson dhe trashëgon patriotizmin e shqiptarëve ndër shekuj. Ndaj dhe do ta pagëzojmë me emrin e një heroi të dëgjuar siç ka qenë Azem Galica”.

Po përse ndihet sot më e trishtuar se kurrë. Jo se nuk krenohet me nderimet që po i bëhen nga bashkëluftëtarët, dhjetoristët e ‘90-ës, nga gjithë shqiptarët demokratë të vërtetë, por sepse ishte mësuar ta merrte çdo tre ditë rrugën nga Lapraka për në Sharrë…dhe i duket pak si së prapthi ndryshimi i kahjes së këtyre udhëtimeve për në Sauk tek varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, pranë monumentit “Nënë Shqipëri” ku do të prehet i qetë tribuni i nacionalizmit shqiptar. Këtë dhimbje e shpreh fytyra e saj e vrerosur, e shprehin lotët pambarim që s’po i shterojnë gjithë këto ditë. Por edhe kështu e përlotur ajo di ta bëjë vlerësimin për ata që po përmbushin më së miri amanetin e Azemit. “I jemi borxhli përjetë Lulzim Bashës, që edhe në këtë rast është projeksioni ynë. Kryebashkiaku që para një viti ishte ndër kryesorët në nismën për vendosjen e monumentit të Azemit në qendër të Qytetit Studenti nga ku ai nisi betejën për shembjen e komunizmit, këtë përvjetor të 15-të të ekzekutimit të tij, me përgjegjësinë e kryetarit të PD po realizon varrimin e eshtrave të Liderit të Dhjetorit tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut”, – shprehet Nuria. Është ky treguesi më sinjifikativ i vlerësimit për vëllain tim, vëllain e të gjithë dhjetoristëve të ‘90-ës, frymëzues i brezave të të rinjve demokratë që aspirojnë demokracinë e vërtetë.

Azemi tashmë do të jetë më pranë fëmijëve e bashkëshortes së tij shembullore, Fatmirës që për 15 vjet mban hapur derën për të gjithë ata që vijnë e nderojnë Azemin, më pranë shtatores së tij në Qytetin Studenti dhe fare pranë monumentit “Nënë Shqipëri” që ai aq shumë e deshi… Po t’i vështrosh me vëmendje këto tre skalione janë pothuajse në një vijë drejtvizore. Edhe për këtë gjetje Nuria është krenare.

Nderim të veçantë shpreh motra e Dëshmorit të Atdheut, Heroit të Demokracisë, Liderit të Dhjetorit, për Sali Berishën, liderin historik të demokratëve që bëri realitet ëndrrën dhe aspiratat e Azemit. Nëse para një viti në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Berisha e ngriti Azemin në panteonin e figurave më të shquara të kombit, atje ku ai e meriton më shumë se kushdo, sërish sot ideatori i ndryshimeve të mëdha në Shqipërinë e sotme evropiane, realizuesi i integrimeve euroatlantike të Shqipërisë dhe frymëzuesi i gjithë shqiptarëve, këtu në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e diasporë është bashkë me ta në nderimin që i bëhet Azem Hajdarit. Mirënjohës për jetë Sali Berishës, – shprehet Nuria. Ajo vlerëson maksimalisht ata që nderojnë Azemin. Ai tashmë është i veshur me pavdekësi…

Para 15 vitesh, vrasësit u shfaqën në formën e djallit dhe e goditën pa mëshirë. Ata ia kishin menduar vdekjen prej kohësh. Vdekja i erdhi e vrazhdë. I ishte afruar kushedi sa herë, por pa e frikësuar. Atë natë të 12 shtatorit 1998, erdhi me mot të keq. Duhej të binte shiu dhe të fikeshin dritat. Edhe në errësirë, Azemi mendonte për dritën. Ai ishte në betejë me lirinë e kufizuar. Dhe vdekja thonë se është e ëmbël dhe e ndershme kur vdes për liri, ndaj Azem Hajdari ishte një dhuratë e madhe për mbarë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë për demokratët anembanë vendit, të cilët me 12 shtator të 1998-ës, e qanë si një hero dhe sot e kujtojnë si një martir të demokracisë.

Çastet e jetës së shkurtër i bëri të përjetshme. Familja e tij sot ngre kokën lart dhe kujton një të vërtetë: Azemi vazhdon të zotërojë… Thjesht, vetëm iku. Fëmijën e vogël e la në barkun e bashkëshortes. Azemi i vogël s’e njohu dot të atin. Rudinën e pengoi e ëma ta shihte të vdekur. Ajo duhej ta mbante mend vetëm të gjallë. Kiri e pa të rrëzuar me shpresën se do të ngrihej, ashtu shtatlartë siç kishte ndodhur edhe në atentatet e tjera. Kurse Fatmira, s’e la dhembjen që t’i mundë, por kujtoi buzëqeshjen e Azemit që trembte çdo lot dhe frikë, kur i përcolli nga selia e PD-së drejt shtëpisë.

Azem Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes, edhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës.

Azem Hajdari do të mbahet mend si kalorës i lirisë dhe do të mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar e për të mbrojtur vlerat që ai beson.

Figura e Azem Hajdarit mbetet në memorien e gjithsecilit si një njeri i veçantë e i papërsëritshëm, vetitë e të cilit i përkasin një heroi kombëtar. Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithsecilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj.

Nëse para një viti Lideri historik i Dhjetorit u rikthye aty ku 23 vite më parë u priu studentëve në një lëvizje që do të merrte përmasa mbarëkombëtare për shembjen e një prej diktaturave më të egra që kishte njohur historia e njerëzimit, nesër Azem Hajdari vjen pranë monumentit “Nënë Shqipëri” me ëndrrën e tij të realizuar: Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe me bashkimin e shqiptarëve në BE.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency