Vizita e parë e Ramës si Kryeministër në Bruksel: Të kapim trenin e Evropës

0
152

Gëzim Saliu

Ambasadori i BE-së: Mbështesim rrugëtimin progresiv të Shqipërisë drejt integrimit

 

rama-ambasadoret1Menjëherë pas marrjes së detyrës së Kryeministrit të ri të vendit, Edi Rama do të nisë vizitën e tij të parë jashtë vendit, duke udhëtuar drejt Brukselit për të diskutuar me liderët e BE-së lidhur me integrimin evropian të Shqipërisë. Kështu u bë e ditur dje pas takimit që kreu i ardhshëm i ekzekutivit zhvilloi me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, në selinë e PS-së, ku temë kryesore e diskutimit mes tyre ishte statusi i vendit kandidat në Bashkimin Evropian. “Është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, është momenti për të mos lënë që treni i Evropës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë dhe për të hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit evropian, ku ne dëshirojmë të përfshijmë të gjithë shoqërinë; për të cilin ne jemi të angazhuar të ndërtojmë një proces të brendshëm në institucionet e shtetit, duke filluar nga ministritë. Detajet do t’i shpjegoj më tutje së bashku me kolegët ministra, por në kohën e duhur”, – deklaroi Rama.

Takimi

Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ka vizituar dje në orët e para të paradites selinë e Partisë Socialiste, ku ka zhvilluar një takim me kreun e ardhshëm të ekzekutivit, i cili pret të dekretohet ditën e sotme nga Presidenti Nishani në detyrën e tij të re. Vizita në Bruksel dhe takimi me liderët e BE-së ishte në qendër të bisedës mes Ramës dhe ambasadorit të BE-së, ku ky i fundit e cilësoi këtë vizitë si provë që vërteton rëndësinë e madhe që qeveria e re i jep procesit të integrimit evropian të vendit. “Patëm një takim të frytshëm. Unë pata mundësinë që t’i prezantoja Kryeministrit të zgjedhur të gjitha ato takime që do të bëhen gjatë vizitës së ardhshme në Bruksel me të gjithë shefat e institucioneve evropiane, zotin Barroso, zotin Van Rompuy, zonjën Ashton, sigurisht edhe zotin Martin Schulz e komisionerin Fule. Kjo është një vizitë vërtet tejet e rëndësishme. Ne jemi vërtet shumë të kënaqur dhe shumë të lumtur, që kjo është nga vizitat e para që zoti Rama do të bëjë jashtë Shqipërie. Kjo është edhe prova që vërteton rëndësinë e madhe që i jep qeveria e re procesit të rëndësishëm të integrimit të vendit. Zoti Rama më foli pikërisht për mendimet e tij në këtë drejtim. Po ashtu, ai u shpreh fare qartë edhe për vendosmërinë dhe për angazhimin e kësaj qeverie për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, – tha Sequi. Më tej, ai theksoi se BE dhe të gjitha institucionet e saj mbështesin rrugëtimin progresiv të Shqipërisë drejt BE-së. “Ne kemi besim që me këtë angazhim dhe përkushtim do të kemi mundësi që të ecet përpara në rrugën e duhur. Jemi tërësisht të vendosur të luajmë një rol për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim. Unë besoj, ne besojmë dhe në fakt e diskutuam këtë, se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë është i rëndësishëm dhe është prioritet për qeverinë, është një prioritet kombëtar, sepse i shërben interesave të popullit shqiptar, të qytetarëve shqiptarë të cilët meritojnë, pikërisht, ato të mira që vijnë nga integrimi evropian”, – pohoi kryediplomati evropian në vend. Po ashtu edhe Rama e cilësoi si tepër të rëndësishëm takimin që do të zhvillojë me krerët e BE-së në Bruksel, duke theksuar: “Diskutuam detajet e vizitës sonë të menjëhershme në Bruksel, ku praktikisht do takojmë të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane dhe ku pa asnjë dyshim do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian, në funksion të një Shqipërie që duhet të jetë anëtare e denjë e Bashkimit Evropian. Por, edhe njëkohësisht një vend evropian, këtu në atdheun tonë, me ligjet e duhura, me institucionet e duhura, me shërbimet e duhura dhe me mundësitë e duhura për çdo vajzë e djalë, për çdo burrë dhe grua, për çdo shqiptar dhe shqiptare që të ndihen zot në vendin e tyre”, – deklaroi kreu i ardhshëm i qeverisë si edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

 

Me dyer të mbyllura

Rama mbledh qeverinë për 20 minuta, ministrat e LSI-së “përurojnë” selinë e PS-së

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje ministrat në selinë e Partisë Socialiste. Mbledhja e improvizuar e qeverisë u zhvillua në selinë e forcës më të madhe të së majtës, ku prej kohësh tashmë ekziston edhe zyra e Kryeministrit të zgjedhur. Në takimin e djeshëm me Kryeministrin e ri morën pjesë edhe ministrat që përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, të cilët shkelën për herë të parë në selinë e purpurt. Pas takimit, që zgjati thuajse 20 minuta, asnjë prej ministrave nuk ka dhënë asnjë deklaratë për diskutimet që janë kryer pas dyerve të mbledhjes së tretë informale të qeverisë së re. Më parë, ministrat e kabinetit të ri kanë firmosur Kodin e Vlerave Etike të ministrave, i cili orienton mënyrën se si duhet të jetë komunikimi mes tyre, me qytetarët, me deputetët, por edhe me mediat. Sipas Ramës, ky kod bazohet në modelet më të arrira të mirëqeverisjes demokratike. Një nga pikat e kodit është edhe komunikimi zyrtar që ministrat do të kenë me publikun, pasi të kenë marrë detyrën. Çdo deklaratë apo komunikim me mediat para publikimit do të kalojë më parë nga Drejtoria e Komunikimit që do të ndodhet pranë Kryeministrit Rama. Ky kod, sa i takon marrëdhënies së qeverisë me mediat, tenton të centralizojë informacionin zyrtar.

 

Eralda Çani

Rama prezanton këshilltaren për të Drejtën Publike

Eralda Çani do të jetë këshilltarja për të Drejtën Publike e Kryeministrit Edi Rama. Këtë e ka bërë të ditur dje kryesocialisti në rrjetin social Facebook, ku theksoi nga ana tjetër se kabineti i Kryeministrit do të jetë një strukturë krejt e re dhe jotradicionale në formën e në mënyrën e funksionimit. “Numri i këshilltarëve do të jetë më i kufizuar se zakonisht dhe fushat e tyre të përgjegjësisë janë specifikuar me kujdes, në funksion të nevojave strategjike dhe të procesit vendimmarrës në Kryeministri. Përzgjedhja më e fundit është profesorja e asociuar Eralda Çani, doktore shkencash në të Drejtën Publike, njohëse e spikatur e së drejtës kushtetuese-administrative. Është mbresëlënëse eksperienca e saj shumë e pasur akademike brenda e jashtë vendit, po edhe praktika e përfshirjes aktive në jetësimin e projekteve të rëndësishme për të drejtën publike”, – shkruante Rama. Ai shprehu bindjen e plotë se Eralda Çani do të forcojë sensin e së drejtës publike të qeverisjes së re. “Kam bindjen e plotë se kontributi i Eralda Çanit në procesin vendimmarrës do të forcojë ndjeshëm sensin e të drejtës publike të qeverisjes sonë, dhe do të jetë një vlerë e çmuar në mozaikun e talenteve e të eksperiencave të posaçme që po ndërthurim për skuadrën e re të këshilltarëve të Kryeministrit”.

 

Mbledhja

Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, Meta: Të respektojmë parimet gjithëpërfshirëse

Petrit Vasili është zgjedhur dje si kryetar i ri i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në mbledhjen e grupit parlamentare të kësaj force politike, të zhvilluar një orë para nisjes së seancës së pasdites së djeshme të Kuvendit, u zgjodh me konsensus kandidatura e Vasilit për këtë post. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u uroi suksese deputetëve të rinj, ndërsa shtoi se kjo forcë përfaqësohet me një numër të konsiderueshëm deputetësh. Kjo, sipas Metës, është kompensimi i mandateve të humbura padrejtësisht në 2005-ën dhe 2009-ën. “Unë besoj se LSI energjinë pozitive për të ndihmuar vendin të ecë më shpejt në rrugën e integrimit do ta reflektojë në Kuvendin e ri dhe në qeverisjen e vendit. U uroj ministrave të LSI në qeveri dhe gjithë përfaqësuesve suksese. Ne shkojmë në Kuvendin e ri për herë të parë pas 9 vitesh, më në fund me një grup të konsiderueshëm parlamentar, është kompensim i mandateve që kemi humbur padrejtësisht në 2005-ën dhe 2009-ën. Besoj tek integriteti juaj dhe qëndrimi ynë për të ecur më shpejt, të respektojmë parimet demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, – tha Meta. Sipas Metës, edhe në vazhdim grupi parlamentar do të zhvillojë mbledhje të rregullta javore. Ai ftoi grupin e tij të përmbushë axhendën e qeverisë së re. Lëvizja Socialiste për Integrim, që doli nga këto zgjedhje ka pohuar se pjesë e grupit të saj parlamentar do të jenë 17 deputetë, 16 të fituar nga zgjedhjet dhe Spartak Braho, pjesë e listave fituese të PS-së. Për sa i përket deputetit Spartak Braho, Meta tha se ky i fundit do të jetë i pranishëm në mbledhjet e grupit të PS-së, ndërsa do të marrë pjesë tek mbledhjet e kryesisë së LSI-së.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency