Standard.al

Retro / Maksima e Kafkës

Rruga e vërtetë kalon mbi një litar që është tendosur paksa mbi sipërfaqen e tokës. Duket sikur shërben më shumë për të penguar sesa për t’u përshkruar.

 

 

size500_YoungKafka3Dy janë mëkatet më të rënda të njeriut, e prej tyre rrjedhin gjithë të tjerët me radhë: padurimi mosveprimi. Nga shkaku i padurimit njeriun e përzunë prej parajse, për shkak të mosveprimit s’kthehet dot pas. Por mbase vetëm njëri është mëkati më i rëndë padurimi: për shkak të tij e përzunë, e po për këtë shkak nuk kthehet.

Çasti vendimtar i evolucionit njerëzor është i përhershëm. Për këtë arsye, lëvizjet intelektuale revolucionare që shpallin si të parëndësishme gjithë çka ndodhur kanë të drejtë pasi ende s’ka ndodhur gjë.

Njëri nga mjetet më të suksesshme me të cilët e keqja na ndjell është ngasja për luftë. Është njëlloj si lufta me gratë, që përfundon në shtrat.

Një bushtër e fëlliqur, që ka pjellë shumë herë, vende-vende, në kalbëzim e sipër, i ngjan fëmijërisë sime, të cilën e kisha tërësisht timen, që më ndjek pandarë besnike, që s’më bën dora ta rrah, madje i zmbrapsem njëherë për njëherë duke iu druajtur deri dhe firomës së saj, e që, po s’vendosa për të kundërtën, do të më shtrëngojë te cepi i murit që tanimë e shoh fare pranë, për t’u kallëzuar sipër meje e bashkë me mua, deri në fund- a thua më nderon kjo gjë?- Me mishrat e qelbëzuar e të krimbur të gjuhës së saj mbi dorën time.

 

Filani fryhet ca si shumë, beson se ka bërë mjaft të mira meqë ndjehet ca si i tunduar- duke qenë se është objekt gjithnjë e më tërheqës- prej ngasjesh edhe më tej në rritje, me prejardhje të paditur për të. Por shpjegimi i saktë është ky, se një djall i vërtetë e i madh ka hyrë në bark ndërkohë që djaj më të vegjël të panumërt rendin se kush e kush t’i shërbejë të madhit.

 

Shenjë e parë e vetëdijes fillestare është dëshira e vdekjes. Kjo jetë na duket e padurueshme, ndërsa një tjetër e paarritshme. Nuk është më turp ta duash vdekjen; kërkojmë të na zhvendosin nga qelia e vjetër, – të cilën e urrejmë tashmë, në një tjetër, që shumë shpejt do fillojmë ta urrejmë. Një fije besimi ende vazhdon të vagëllojë: kushedi, gjatë zhvendosjes mbase mund të shfaqet në korridor Zoti, të na hedhë një sy e të thotë: “Këtë të burgosur mos e mbyllni më. Po e marr unë”.

 

Po të qe se, tek ecim mbi një rrafsh, në vend që të bëjmë përpara, bëjmë hapa prapa, atëhere ndodhemi para një situate të pashpresë; por kur jemi duke iu kacavjerrë një rrëpire të vështirë, aq të pjerrët sa edhe vetë ne dukemi sikur shihemi që nga poshtë, atëherë hapat prapa mund të jenë shkak vetëm i trajtës së terrenit, prandaj s’ka vend për t’u mërzitur.

 

Mos e lër të keqen të ta mbushë mendjen sikur i mbajtke asaj të fshehta.

Sjellja e keqe vazhdon të na imponohet, të mirën e kemi vetë. Me ta futur brenda vetes, e keqja s’kërkon më t’i besosh.

 

Përulësia i jep gjithkujt, edhe atij që vuan i dëshpëruar vetminë, raportin më të fortë me të tjerët, dhe ia jep menjëherë, me të vetmin kusht që përulësia të jetë e plotë dhe e qëndrueshme. Ajo mund ta bëjë këtë pasi është gjuhë e vërtetë e lutjes e, në të njëjtën kohë, adhurim e lidhje shumë e qëndrueshme. Raporti me të tjerët është raporti i lutjes, raporti me vetë ne, raporti me përpjekjen; prej lutjes del energjia për përpjekjen.

 

Për të shmangur një gabim gjuhësor: atë që aktivisht duam ta shkatërrojmë, duhet më parë ta shtërngojmë fort; ajo që shkërmoqet shkërmoqet, por s’mund të shkatërrohet

Comments are closed.