Real Madrid i pangopur: Në janar sjellim Falkaon ose Suarezin

0
196

Jurges Veizaj

Madrilenët duket se duan ta kthejnë skuadrën në një “Dream Team” duke tentuar ta mbingarkojnë skuadrën me superlojtarë të tjerë. Perezi në janar bëhet gati për sulmin drejt Suarezit dhe Falkaos

 

1378713378_extras_noticia_foton_7_0Historia e Realit nuk mund të kuptohet pa bëmat që ka bërë ekipi në merkato. Miliona euro të derdhura të skuadrat e tjera me vetëm një synim. Të marrin më të mirët për të krijuar galaktikët. Duket se spanjollët nuk kënaqen me pak, madje ata duhet të cilësohen si “të pangopur”. Duke përfituar nga gjendja e mirë ekonomike që gëzojnë kryeqytetasit nuk kanë lojtar “ëndërr”, pasi ata gjithçka e kthejnë në realitet. Sivjet ishte një vit i bujshëm për ta. Bejli me 91 milionë euro, ardhja e Isko Ilaramendit, Karvahalit e kanë kthyer skuadrën në një makineri fitoreje dhe me lojtarë që duket se së bashku do të bëjnë historinë. Por duket se nuk mjafton. Perez po kërkon edhe një goditje të fundit. Ka kohë që në skuadër po mungon një numër 9. Jo si numër fanelle, por si rol i lojtarit në fushë. I vetmi problem i Realit ka qenë mungesa e një gjahtari goli. Benzema u mendua si zgjidhja e këtij problemi, por francezi nuk i përmbushi pritshmëritë. Kjo për shkakun se nuk është aq rezultativ për skuadrën që ka. Kështu që, bosi Perez po hedh shikimin diku tjetër. Bëhet fjalë për dy emra të mëdhenj, Falkao dhe Suarez. Të dy janë latinë dhe janë në superformë. Janë ndër sulmuesit më të mirë në botë për momentin dhe tepër efektivë atëherë kur duhet. Mundësitë janë që një prej tyre të jetë pjesë e galaktikëve në merkaton e janarit.

 

Kolumbiani Falkao

Falkao këtë vit u zhvendos nga Atletiko Madridi te Monakoja, pasi ekipi francez po mendon ringritjen dhe mendoi se blerja e Falkaos apo Mutinjos do ta sjellë skuadrën në nivelet që ka qenë. Por gjithçkaje mund t’i jepet fundi, duke pasur parasysh se nga vjen oferta. Duke pasur parasysh dhe dëshirën e Perezit për të sjellë një 9, kjo mund ta bindë kolumbianin që t’i bashkohet një projekti si ai që po ndërton Ançeloti. Emri u lidh me Realin që në fund të gushtit, por dukej se gjithçka ishte e pamundur për shkak të kohës së paktë që kishte mbetur. Kolumbiani duket se nuk është i kënaqur nga taksat që duhet të paguajë dhe kontrata e tij e lejon që të ketë mundësinë për të lëvizur. Duket se dimri do të jetë i nxehtë për madrilenët që e kërkojnë me ngul një 9. Gjatë gjithë kësaj kohe, ndërkohë, të gjithë sytë do të jenë nga Benzema. Performanca e tij do të shikohet me kujdes dhe pastaj do të vlerësohet nëse ai është i duhur për skuadrën apo jo. Pas largimit të Ozilit, sulmuesi francez nëse nuk bën paraqitje të mira gjatë këtyre 4 muajve, mund të jetë i larguari tjetër. Ndërsa për sa i përket Suarezit, uruguajani ka kërkuar pak kohë më parë që të largohej nga “reds”-at. Një vendim i lojtarit, por që më vonë u bind nga klubi që të qëndronte edhe një sezon. Duke pasur Benzemanë dhe me një Morata tepër të ri për t’i dhënë një përgjegjësi shumë të madhe, Reali mund të sjellë në “Bernabeu” një galaktik të ri.

Perezi kundër Ozilit

E çuditshme, por e vërtetë. Me sa duket, transferimi i Ozilit e paska pasur një arsye të fortë, sipas Florentino Perezit. Presidenti i Realit foli për lojtarin që u transferua në ditët e fundit të merkatos te topçinjtë e Vengerit. Kur u pyet për lojtarin, ai komentoi: “Nuk ishte një profesionist i mirë. Ishte i obsesionuar ndaj femrave. Qëndronte natën vonë me to dhe rrinte shumë pa fjetur”. Gjithashtu, bosi galaktik foli edhe për babain e lojtarit duke e quajtur si pa sens atë çfarë kërkonte. “Kur erdhi për të diskutuar për rinovimin e kontratës, ne i propozuam një shtyrje deri në 2018 me 6.5 milionë euro në sezon, por ai kërkoi 8.5 milionë euro. Ne nuk ramë dakord, kështu që ai kërkoi një klub tjetër dhe këtë e dëgjuam prej të tjerëve. Shumë pak profesional nga lojtari dhe nga sjellja e agjentit të tij”, – komentoi Perez. Lojtari tashmë është bërë pjesë e topçinjve dhe pritet që të hidhet në fushë në javët në vijim.

 

Zidani kundër Bejlit

Zidanit nuk i pëlqyen shifrat të cilat u paguan për të blerë lojtarin uellsian. Këtë verë ish-lojtari i Totenhemit mund të ishte bërë lojtari më i shtrenjtë në histori, por më pas u ra dakord për shifrën e 91 milionë eurove, duke e vënë pas Ronaldos. “Është e papranueshme që Real Madridi do të paguante 100 milionë euro te Totenhemi, sepse asnjë lojtar nuk vlen aq”, – u shpreh asistenti i Karlo Ançelotit. Fjalë të forta nga një lojtar që ka qenë vetë pjesë e këtyre diskutimeve, kur u ble nga Juventusi për 75 milionë euro në 2001-shin. Edhe për këtë ai komentoi duke thënë: “Dhjetë vite më parë, unë u bleva për 75 milionë euro dhe atëherë thashë se nuk vleja aq. Mendoj se asnjëri nuk duhet të vlejë aq, por ky është futbolli dhe fatkeqësisht është akoma e pabesueshme se si njerëzit mund të harxhojnë kaq shumë”, – e mbylli deklaratën e tij francezi.

Real Madrid, klubi më i shtrenjtë në botë

Madridi është ekipi sportiv më i shtrenjtë në botë. Sipas përllogaritjeve të revistës ”Forbes”, vlera aktuale e skuadrës merenges është 2 miliardë e 575 milionë euro, 100 milionë euro më shumë sa vlera që kishte nënkampionia e Spanjës në muajin prill. Rezultatet ekonomike të publikuara nga Reali për sezonin futbollistik 2012-2013 tregojnë një rritje 5.5% të të ardhurave, që kapin shifrën 520 milionë euro. Edhe përfitimet operative të “los blancos” u rritën 2.3% që në total arrijnë 132 milionë euro.

 

 

 

Islandezët: Me Shqipërinë do të marrim fitoren, De Biazi luan në sulm

Sfida e sotme pritet që të jetë më vendimtarja për sa i përket fatit për Brazil 2014-ën. Në këtë ndeshje mund të shuhen ose rizgjohen ëndrrat për një kualifikim historik në play off. Përballë do të jenë islandezët që duket se janë surpriza e këtij grupi dhe këtyre eliminatoreve. Vetëm pak ditë më parë ata arritën që të merrnin një barazim 4 me 4 me pretendentët e Zvicrës. Një rezultat i pabesueshëm që duket se do t’u japë eufori për përballjen me kuqezinjtë. Një ndeshje e vështirë, me një terren të vështirë, për shkak edhe të ndryshimit të temperaturave. Por, De Biazi mund të bëjë historinë.

Edhe islandezët përballen me historinë

Edhe islandezët duan të bëjnë historinë. Sipas zëvendëstrajnerit Hallgrimson, nuk ka ndodhur kurrë më parë që Islanda të jetë kaq pranë vendit të dytë, ndaj edhe përballja ndaj kuqezinjve është konsideruar si një nga ato që nuk duhet humbur kurrë. “Ne nuk kemi qenë asnjëherë kaq pranë vendit të dytë, ndaj ndeshja me Shqipërinë do të jetë historike. Pas barazimit që morëm në Zvicër, morali i skuadrës është më lart se kurrë më parë, ndaj kjo gjë duhet shfrytëzuar në maksimum. Uroj që të mos ketë asnjë vend bosh në stadium dhe të gjithë të vijnë për të përkrahur ekipin në një moment kaq të rëndësishëm për vijueshmërinë e kualifikimeve”, – ka deklaruar Hallgrímsson për mediat islandeze. “Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë me lojtarë që luajnë kryesisht në Evropë dhe me një trajner, i cili vjen nga shkolla italiane, ndaj duhet pasur shumë kujdes. Kjo është një skuadër e fortë fizikisht dhe që luan mirë me topin”, – ka thënë zëvendëstrajneri i Islandës.

De Biazi dhe skema “anti-Islandë”

Në ndeshjen kundër Islandës tekniku Xhani de Biazi pritet të rikthehet në skemën 4-4-2. Ai pritet të heqë dorë nga skema 4-2-3-1 duke iu rikthyer variantit klasik 4-4-2. Nga tre mesfushorët shkatërrues, i sakrifikuari është Ervin Bulku. Mesfushori tiranas ka luajtur dje me skuadrën e rezervave, ndërkohë që De Biazi ia ka besuar qendrën e mesfushës dyshes Basha-Kaçe. Nga ana tjetër, Dallku rikthehet titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Lila spostohet në të majtë të këtij reparti. Për këtë pozicion mund të ketë dilema deri pak orë para ndeshjes, pasi edhe Hysaj është një kandidat. Nga ana tjetër, në qendër të mbrojtjes nuk ka asnjë dilemë, pasi rikonfirmohen Cana dhe Teli. Krahët e mesfushës do të jenë gjithashtu të njëjtë me Roshin dhe Ramën. Gjithsesi, edhe për këto pozicione, nuk do të ishte çudi që De Biazi të ndryshonte mendje, duke i dhënë një shans Vilës. Në repartin sulmues, Çani do të ketë si partner Salihin. Ky ishte formacioni që u paraqit dje në një lojë brenda grupit. Në ekipin e rezervave ishin Ujkani, Hysaj, Curri, Osmani, Arapi, Vila, Abrashi, Bulku, Gjasula, Januzi dhe Mehmeti. Pas ushtrimeve të zakonshme të nxehjes në startin e seancës, që nisi në orën 17:35, trajneri ndau ekipin në dy grupe. De Biazi u kushtoi më shumë rëndësi goditjeve standarde. Gjithçka u bazua tek Ergys Kaçe, i cili ka kaluar tashmë shqetësimin në kofshë. Mesfushori ishte ekzekutues i të gjitha goditjeve të dënimit. Shpesh trajneri provonte skuadrën në pozicione standarde, teksa në ndihmë të sulmit ishin edhe Cana e Teli. De Biazi kërkon të befasojë Islandën me skema si ndaj Norvegjisë. Gjithçka shkoi më së miri për skuadrën, teksa Salihi dhe Çani arritën të shënonin disa herë gjatë lojës. Shpesh trajneri e ndërpriste testin për të udhëzuar lojtarët në fazën ofensive. Ai ka kërkuar më shumë nga Roshi dhe Rama, duke lënë të kuptohet se loja nga krahët do të jetë faktor në sfidën me Islandën.

Ergys Kaçe nuk ka dëmtim

Mesfushori i kombëtares Ergys Kaçe nuk ka asgjë të rëndë dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Islandës. Ai që ishte lojtari më i mirë i ndeshjes në Lubjanë do të japë kontributin e tij edhe në Reikjavik.

Megjithatë dilemat e trajnerit Xhani de Biazi vazhdojnë sepse ende nuk e ka vendosur skemën dhe formacionin me të cilin do të luajë. Fakti që ka shumë kritika dhe disa prej senatorëve ndihem më mirë me skemën 4-4-2, ka bërë që italiani të mendohet dy herë për vendimin që do të marrë. Mungesa e Agollit në njërin krah e vështirëson akoma më shumë vendimin e tij sepse duhet të kalojë Lilën në të majtë, ose t’i besojë për herë të parë një fanellë titullari të riut Elseid Hysaj.

 

Mbështetja nga tifozët

Skuadrës kombëtare nuk i ka munguar mbështetja e tifozerisë edhe në ndeshjet e zhvilluara jashtë Shqipërisë. Këtë gjë u pa edhe në ndeshjen me Slloveninë, ku qindra tifozë mbushën shkallët e stadiumit edhe pse djemtë kuq e zi humbën. Pavarësisht rezultatit, mbështetje nuk do të mungojë edhe ndaj Islandës. Përfaqësuesi i Tifozave Kuq e Zi për Suedi, Salih Shala, i ka thënë portalit “Asport.info” se rreth 60 bileta tashmë i ka rezervuar ai për tifozët që pritet të udhëtojnë në mënyrë të organizuar kryesisht nga shtetet skandinave. “Jemi rreth 60 persona që do të udhëtojmë, shumica dërmuese nga Skandinavia, udhëtimin do ta bëjmë me aeroplan. Pjesa e parë nisen sot (e hënë) dhe pjesa tjetër e tifozëve do të nisen të martën në mëngjes”, – ka thënë Salihu. Ai ka sqaruar se dje në mesdite janë kthyer nga Sllovenia dhe menjëherë do të nisemi për në Islandë. Bileta në tribunën shqiptare kushton 20 euro plus disa taksa që është dashur ti paguajnë tifozët shqiptarë, që sillet diku rreth 23 euro.

 

Migjen Basha synon 3 pikë

Kombëtarja shqiptare do të kërkojë një rezultat pozitiv në ndeshjen përballë skuadrës së Islandës, e cila do të luhet të martën në Reikjavik. Pas humbjes me Slloveninë, Migjen Basha shprehet se Shqipëria ka ende shanse për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin botëror.

“Duhet të sulmojmë që në fillim, pa pasur frikë. Ne e pamë ndaj Sllovenisë që nuk iu përshtatëm dot situatës në kushtet kur donim të ruanim rezultatin. Na nevojiten tri pikë për të besuar te vendi i dytë, kështu që duhet të shkojmë në Islandë me mendimin për ta fituar ndeshjen. Me përqindje nuk mund ta them, por besimi është shumë i madh. Megjithatë, varet edhe nga rezultatet e rivalëve. Nëse marrim tri pikë në Islandë, atëherë kemi shumë shpresa”, – theksoi anëtari i Torinos.

 

Juventusi hedh sytë nga talenti Januzaj

Një tjetër shqiptar mund t’i bashkohet Serisë A. Drejtuesit e skuadrës së Juventusit i kanë vënë syrin talentit kosovar të Mançester Junajtid, Adnan Januzaj. Sipas ‘Tuttosport’ juventinët po tentojnë të marrin një tjetër talent nga “red devils”. Por, ndryshe nga francezi të cilit i përfundonte kontrata, të riut 18-vjeçar me pasaportë belge i mbeten edhe dy vite kontratë me gjigantët anglezë dhe për këtë arsye duhet të nisin negociatat me drejtuesit e Junajtidit për çmimin.

Adnan Januzaj bëri debutimin e tij me skuadrën e parë të Mançester Junajtidit në një ndeshje zyrtare më 11 gusht të këtij viti, kur zëvendësoi Robin van Persin dhe me performancën e tij mahniti teknikun David Mojes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency