Standard.al

I fshihej drejtësisë me emër të rremë, 9 muaj burg për vrasësin

Elton Qyno

Shefqet Vreto ekzekutoi burrin e të dashurës në Gramsh. U kap me pasaportë biometrike

 

Gjykata-e-Tiranes_9_9Për t’i shpëtuar ndjekjes së drejtësisë shqiptare, njeriu që vrau në vitin 1989 Bashkim Elezin, burrin e të dashurës së tij, Manushaqe Elezi, kishte falsifikuar gjendjen civile dhe se nëpërmjet kësaj ai ka mundur të nxjerrë dhe një pasaportë biometrike me emrin Kristaq Kinolli. Nën këtë emër, Vreto ka mundur të qëndrojë për disa vite i fshehur në Selanik dhe më pas të regjistrohet në njësinë bashkiake nr. 7 në Tiranë, duke u paraqitur si person që vinte nga qyteti i Korçës. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës e ka gjetur fajtor Shefqet Vreton, duke e dënuar atë me 9 muaj burg, për akuzën e “Falsifikimit të pasaportave”. Ndërkohë, Vreto së bashku me bashkëjetuesen e tij janë arrestuar një vit më parë në doganën e Qafë-Thanës, pasi po tentonin të hynin nga Maqedonia në Shqipëri.

Falsifikimi i pasaportës

Në datën 25.4.2012, rreth orës 21:00, nga ana e sektorit të Operacioneve Speciale, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i të pandehurit Shefqet Vreto, për faktin se ky shtetas figuronte i shpallur në kërkim për vrasje. Gjatë kontrollit që iu bë këtij të pandehuri iu gjet me vete një pasaportë biometrike me gjeneralitete Kristaq Kinolli, prodhuar me dt. 28 maj 2010 dhe me nr. BE0257296. Gjatë kontrollit në sistemin TIMS rezulton se ky shtetas, me gjeneralitetet Kristaq Kinolli, ka bërë të mundur të nxjerrë në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe dy pasaporta të tjera një në vitin 2003 e tjetra në vitin 2007. Nga verifikimi i bërë në zyrën e Gjendjes Civile Librazhd, rezulton se në këtë zyrë gjendje civile figuron i regjistruar akoma shtetasi, Shefqet Vreto, i biri i Seitit e Qamiles, lindur me 29 prill 1951, ku për këtë fakt u administrua dhe certifikata e lindjes, dt 29.4.2011. Nga aktet hetimore rezulton se shtetasi Shefqet Vreto së bashku me shtetasen Manushaqe Lezi, bashkëshorten e tij, ishin shpallur në kërkim për kryerjen e veprës penale të vrasjes në bashkëpunim dhe ishte dënuar me 25 vjet burg. Ky shtetas ka vuajtur dënimin nga viti 1989 deri në vitin 1997, kur është larguar nga burgu si rezultat i trazirave dhe me pas nuk ishte kthyer. Meqenëse figuronte i shpallur në kërkim, nëpërmjet të dhënave fiktive dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara shtetasi Shefqet Vreto, me vendimin 268, dt. 12.2.2003,ardhur nga Korça është regjistruar në njësinë bashkiake nr. 7 Tiranë, me gjeneralitetet Kristaq Kinolli, i biri i Mihalit e Niqit, dt. 1.5.1950, lindur e banues në Korçë dhe më pas nëpërmjet ketij rregjistrimi fiktiv ai ka aplikuar dhe është paisur me pasaporte në vitin 2003, 2007 si dhe me pas me pasaportë biometrike me dt 28 maj 2010, me nr. BE0257296, e cila është sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Nga shkresa e zyrës civile të Bashkisë Korçë organi i akuzës është vënë në dijeni se shtetasi Kristaq Kinolli nuk figuron i regjistruar në regjistrat themeltarë të qytetit Korçë nr. 5/47, viti 1974 e në këtë regjistër me këtë numër figuron e regjistruar familja Foto Zhidro.

Regjistrimi në Tiranë

Po kështu nga zyra e Gjendjes Civile, njësia 7, është informuar se familja Kinolli është regjistruar tek kjo njësi, duke përdorur një certifikatë të lëshuar nga Bashkia Korçë sipas regjistrit themeltar Themistokli Gërmenji, nr. 3-21-57, viti 1974. Por përsëri nga Bashkia Korçë thuhet se zyra e Gjendjes Civile Korçë nuk disponon regjistër themeltar Themistokli Gërmenji, nr. 3-21-57, viti 1974. Në këto rrethana nga organi i akuzës është sjellë për gjykim i pandehuri Shefqet Vreto, duke u akuzuar për kryerjen e veprës penale“Falsifikimit i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave të parashikuar nga neni 189/1 i K. Penal.

Vendimi i gjykatës

I pandehuri si në hetim dhe në gjykim nuk ka qenë i pranishëm e për rrjedhojë nuk ka dhënë shpjegime rreth saj për të kuptuar qëndrimin e tij rreth akuzës. Nga shqyrtimi në tërësi i akteve që ndodhen në fashikullin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Shefqet Vreto gjykata krijon bindjen e plotë se i pandehuri Shefqet Vreto  është autor i veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” parashikuar nga neni 189/1 i K. Penal. Me veprimet e tij aktive i pandehuri Shefqet Vreto ka cenuar marrëdhënien juridike të mbrojtur në mënyrë të posaçme nga Kodi Penal për të siguruar rregullueshmërinë e lëshimit dhe të përdorimit apo saktësinë e këtyre dokumenteve nga veprime të kundërligjshme. Nga ana objektive kjo vepër është realizuar me anë të përdorimit të një dokumenti të falsifikuar, në rastin konkret është përdorimi i pasaportës me gjeneralitete të rreme. Nga ana subjektive i pandehuri Shefqet Vreto ka vepruar me dashje direkte pasi ai e ka ditur, parashikuar dhe e ka dëshiruar përdorimin e një dokumenti të tillë për të shkuar në Greqi.

 

Zjarri ra për herë të dytë në park

Gjirokastër, zjarri i fuqishëm në parkun e Viroit. Rrezikohet kurora me pisha

Parku Kombëtar i Viroit në Gjirokastër rrezikon të shkrumbohet i tëri. Një zjarr i fuqishëm, i cili ka rënë mesditën e djeshme mbi pishat e parkut kombëtar, ka përfshirë një sipërfaqe të madhe, duke e vënë në rrezik serioz ekzistencën e tij. Në shuarjen e zjarrit është mobilizuar policia bashkiake, ajo komunale, e gjelbërimit dhe policia e rendit, të cilët po përpiqen me mjete rrethanore të vënë në kontroll flakët, pasi terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen me automjetet zjarrfikëseve. Situatën po e ndjek nga afër edhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, i cili u shpreh se zjarri i rënë pak më parë po përparon duke djegur edhe kurorën e dytë me pisha pranë Viroit. Bime shtron nevojën e një ndërhyrje nga ajri, ndërsa shton se era e fortë po favorizon edhe më tepër përhapjen e flakëve. Ndërkaq policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së këtij zjarri masiv, nga ku mësohet se është bërë edhe shoqërimi i tre barinjve, të dyshuar si autor të zjarrëvënies.

 

Atentati mafioz në qendër të Vlorës

Dy vjet nga vrasja e Skerdi Konomit asnjë autor përpara drejtësisë

Dje u mbushën dy vjet nga ekzekutimi mafioz me bombë me telekomandë i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ngjarje e ndodhur në qendër të Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhur në bulevardin Skelë – Vlorë, ku makinës së gjyqtarit 33 vjeçar iu vendos një sasi eksplozivi i cili i mori jetën. Vrasja e gjyqtarit të Shkallës së Parë në Gjykatën e Vlorës tronditi opinionin publik, duke vënë në lëvizje jo vetëm policinë e Vlorës, por të gjitha strukturat e rëndësishme policore dhe të drejtësisë, por ende sot e kësaj dite nuk ka një emër konkret apo të dyshuar për vrasjen. Pas ngjarjes, çështjen e morën Krimet e Rënda në Tiranë. Edhe pse gjithnjë thuhet se po hetohet, ende nuk ka një emër konkret dhe pse mediatikisht pistat ishin të shumta që çuan në këtë vrasje. Seriali i bombave me telekomandë të cilat vendosen nën shasinë e automjeteve mbeten ende të pa zbuluara gati në të gjitha rastet pasi ekspertët tanë thuajse e kanë të pamundur të hetojnë lehtësisht mbi eksplozivet ku në të shumtat e rasteve nuk lënë gjurmë dhe autorët janë profesionist. Familjarët e gjyqtarit Konomi kanë apeluar për drejtësi dhe për zbardhjen e ngjarjes.

 

 

Comments are closed.