Standard.al

Çahen me thika për fara luledielli, dënohet me kusht i mituri

Sonja Caka

Gjykata: Minorenit do t’i jepet mundësia të vazhdojë kolegjin, për 2 vjet nën monitorim të Shërbimit të Provës

 

gjykataZënkat mes adoleshentëve janë nga më të ndryshmet, por ajo për të cilën ka shkuar para gjykatës një i mitur është për të qeshur dhe për të qarë. Një 14-vjeçar me inicialet E. D. ka qëlluar me thikë një shokun e tij, pasi ky i fundit e ka qëlluar pse nuk i dha fara luledielli dhe e veçoi nga shokët. I mituri ka njoftuar të atin për zënkën me të dëmtuarin dhe pasi ky i fundit u largua, 14-vjeçari e ka ndjekur pas duke e qëlluar me një thikë të vogël që mbante me vete. Për këtë veprim të kryer, E. D. ka shfaqur pendesë, ndërsa ka shpjeguar edhe arsyet para togave të zeza. Për veprimin e kryer, trupi gjykues e ka dënuar me 1 vit burg. Në përfundim, duke marrë parasysh moshën e vogël dhe faktin që këtë vit minoreni do jetë në klasën e 8-të, gjykata e ka dënuar minorenin me kusht, me qëllimin e vetëm për të mos ia penguar ndjekjen e arsimit 9-vjeçar. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri është nxënës shkolle, në klasën e shtatë të Kolegjit Amerikan. Gjatë këtyre dy viteve në vazhdim, 14-vjeçari nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe duhet të kontaktojnë me Shërbimin e Provës.

Zënka

Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur më 1 mars të këtij viti në Rrugën “Jordan Misja”. Pranë vendit të ngjarjes, janë takuar rastësisht i dëmtuari Flogert Mici me të pandehurin E. D. dhe shtetasit Bledjan Deda e Indrit Mustafaj. Fillimisht ata kanë biseduar me njëri-tjetrin, por pas pak minutash i pandehuri është shkëputur për të blerë një qese me fara luledielli, tek një dyqan ushqimor aty pranë. Pasi është rikthyer tek shokët e tij, Eraldo ka shpërndarë farat e blera, duke i dhënë vetëm Bledjanit dhe Indritit dhe jo Flogertit. Në këto momente ndërmjet këtij të fundit dhe të pandehurit ka filluar një debat i shkurtër dhe Flogerti e ka kapur për koke Eraldon duke e shtrirë përtokë, në baltë. Në këto momente, Flogerti i ka kontrolluar xhepat e rrobave të pandehurit, duke i nxjerrë nga xhepat një thikë të vogël me hapje dhe një aparat celulari, të cilat ia ka hedhur në baltë. Në këtë çast Flogerti dhe Eraldo kanë tentuar të grinden me grushte, por kanë ndërhyrë shokët e tyre Indrit e Bledjan, të cilët i kanë ndarë. I pandehuri Eraldo ka marrë thikën dhe celularin e tij dhe i ka telefonuar të atit, duke i kërkuar të shkonte atje, fakt që vërtetohet edhe nga tabulatet telefonike të numrit celular të të pandehurit. I dëmtuari, i trembur se aty mund të afrohej ndonjë i afërm i të pandehurit, është nisur drejt pikës së grumbullimit të hekurit që ndodhej aty pranë. I pandehuri ka tentuar ta pengojë disa momente, që Flogerti të mos largohej, por i dëmtuari është shkëputur, duke ecur në këmbë drejt pikës së grumbullimit të hekurit. Ndërkohë shtetasit Bledjan Deda dhe Indrit Mustafaj, janë ndarë prej tyre dhe kanë shkuar në një pikë interneti.

Plagosja

I pandehuri e ka ndjekur të dëmtuarin dhe kur kanë mbërritur tek pika e grumbullimit të hekurit, jashtë rrethimit të saj, i ka dalë përpara atij, duke e qëlluar me thikën që mbante me vete, një herë të vetme në kraharor. Në këtë moment, i pandehuri është larguar me vrap, ndërsa i dëmtuari Flogert është futur brenda rrethimit të pikës së grumbullimit të hekurit, ku i ka kërkuar ndihmë punonjësit të kësaj pike, shtetasit Amarildo Demiri, duke iu shprehur me fjalët: “Më gjuajti me thikë Eraldo”. Amarildo i ka dhënë të dëmtuarit disa kartpeceta për t’i vendosur në plagë. Pas pak momentesh, Amarildo me Flogertin kanë dalë në rrugë, duke u nisur drejt lokalit të shtetasit Ndue Steaj, pasi ai ofron dhe shërbim taksie. Sapo kanë dalë në rrugë, kanë parë para lokalit të internetit, shtetasit Indrit Mustafaj e Bledjan Deda, të cilët i kanë thirrur për ndihmë. Menjëherë Indriti me Bledjanin kanë shkuar në ndihmë të Flogertit dhe së bashku me Amarildon e kanë çuar tek lokali i shtetasit Ndue Steaj. Aty e kanë hipur Flogertin në automjetin e tij dhe e kanë nisur drejt Spitalit Ushtarak Tiranë. Flogertin e kanë shoqëruar për në spital, shtetasit Indrit e Bledjan, ndërsa Amarildo është kthyer tek pika e grumbullimit të hekurit. Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor, tek shtetasi Flogert Mici është konstatuar një plagë depërtuese në anën e djathtë të gjoksit sipër mamellës (thithkës) së gjirit të djathtë, dëmtim i mushkërisë së djathtë e shoqëruar me grumbullim gjaku dhe ajri (hemoprenumothoraks) në anën e djathtë të gjoksit. “Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjet të mprehtë prerës – shpues, siç mund të jetë edhe thika. Dëmtimet e mësipërme hyjnë në kategorinë e plagosjeve të rënda, pasi ato kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre, po të mos i jepej të dëmtuarit ndihma e parë dhe e kualifikuar mjekësore” janë shprehur ekspertët mjeko-ligjorë.

Akuzuar

Për kryerjen e veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88.1 i Kodit Penal

Somario

I pandehuri e ka ndjekur të dëmtuarin dhe kur kanë mbërritur tek pika e grumbullimit të hekurit, jashtë rrethimit të saj, i ka dalë përpara atij, duke e qëlluar me thikën që mbante me vete, një herë të vetme në kraharor

Gjykatë e Lartë

Dy fraksionet e Bandës së Durrësit, nesër para Kolegjit Penal

Dy fraksionet e “Bandës së Durrësit” do të përballen nesër me Kolegjin Penal, pas ankimimit të vendimit të dy shkallëve të Krimeve të Rënda, të cilat i kanë dënuar me masa të rënda dënimi anëtarët e kësaj bande. Të pandehurit apelojnë vendimet, pasi edhe në Apelin e Krimeve të Rënda, trupi gjykues, që kryesohej nga gjyqtari Dalip Bushi, nuk e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila i kishte dënuar me 4 burgime të përjetshme dhe me 245 vite burg, 16 anëtarët e “Bandës së Durrësit”. Ata akuzohen për së paku 9 vrasje, krijime të bandës së armatosur, grabitje, pengmarrje, trafik droge, prostitucion, etj. Ashtu siç dhe ishte kërkuar nga Prokuroria, gjykata vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm drejtuesit e kësaj bande Lulzim Berishën, Endrit Doklen, Indrit Taullain dhe të shumëkërkuarin Plaurent Dervishajn. Ndërkaq, vëllai i Plaurentit, Redinald Dervishaj u kap në SHBA për një vrasje, por u lirua më vonë për mungesë provash. Për të penduarin Adriatik Coli u vendos burgimi i përjetshëm, por për faktin se ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë, gjykata vendosi ta dënoi përfundimisht me 10 vite burg. Coli ka rrëfyer disa episode kyçe, ku janë përshkruar me detaje momentet e ekzekutimeve të anëtarëve të kësaj bande famëkeqe. Ndërkohë me 25 vite burg janë dënuar të pandehurit Sardian Sulejmani, Elvin Hoxhosmali, Altin Olloni e Kujtim Buna. Me nga 20 vite burg janë dënuar Alban Neli, Kristjan Begu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi e Altin Nikolla, ndërsa për të pandehurin Spartak Kalthi, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 10 vite burg për faktin se gjatë kohës së kryerjes së krimeve Kalthi ka qenë minoren.

 

 

 

 

 

Comments are closed.