Berisha paraqet dorëheqjen tek Nishani, Presidenti vlerëson rolin e Kryeministrit

0
133

Ina Jano

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani

 

nishani-sali-berisha-2-300x213Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të selisë blu, ku tashmë Berisha është vetëm një deputet i thjeshtë, Kryeministri i vendit është drejtuar për në Presidencë. Shefi i ekzekutivit shqiptar ka zhvilluar një takim formal me zotin Nishani, duke i dorëzuar këtij të fundit dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, bëhet e ditur se takimi ka zgjatur rreth 20 minuta, ndërsa ka qenë zoti Nishani ai që e ka përcjellë deri në mjediset e jashtme të Presidencës zotin Berisha. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim Kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, i cili dorëzoi detyrën e kreut të ekzekutivit, për t’i hapur formalisht rrugën krijimit të qeverisë së re. Presidenti Nishani, pasi e falënderoi Kryeministrin në detyrë Sali Berisha për bashkëpunimin e frytshëm institucional dhe njerëzor, vlerësoi rolin politik dhe kontributin personal të zotit Berisha dhe të qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike. Në arritje të tilla si anëtarësimi i vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë etj., sipas Presidentit Nishani “roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës”. Kryeministri në detyrë Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani”, – thuhet në njoftimin e zyrës për shtyp të Presidencës. Ndërkohë, pritet që gjatë 10 ditëve të ardhshme, të dekretohet dhe të votohet qeveria e kryesuar nga Edi Rama. Vetë Kryeministri Berisha të enjten e kaluar në mbledhjen e fundit të qeverisë ka shprehur se do ta shikonte kohën më të mirë për të dhënë dorëheqjen, ndërsa tha se do të qëndronte në detyrë së bashku me kabinetin deri në momentin që do të marrë funksionin qeveria e re. “Mbledhja e sotme është e ngjeshur, sepse, natyrisht, është mbledhja që ndan dy qeveritë. Kjo është mbledhja e fundit, nuk do të ketë mbledhje tjetër. Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do t’i paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës”, – tha Berisha të enjten e kaluar, ndërsa media e zbardhi që të dielën lajmin se e hëna do të ishte dita kur Kryeministri do të jepte dorëheqjen.

Pas 23 vitesh në mazhorancë dhe opozitë, Sali Berisha ka qenë një nga protagonistët kryesorë të demokracisë shqiptare, duke e gdhendur në histori emrin e tij në periudhën paskomuniste shqiptare, por tashmë me përfundimin e mandatit të tij 8-vjeçar në krye të ekzekutivit dhe heqjen dorë nga të gjitha funksionet qeverisëse dhe po ashtu dorëheqjen nga të gjitha funksionet në selinë blu, zoti Berisha është vetëm një prej 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, megjithatë atij i është rezervuar një zyrë e veçantë në selinë e PD-së, për shkak të viteve të gjata që ai ka qenë në krye të kësaj force politike.

 

 

Koalicioni i majtë dërgon tek Nishani propozimin për Ramën Kryeministër

Vetëm pak minuta pas mbylljes së punimeve të seancës së parë parlamentare, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka depozituar pranë Presidencës propozimin për Kryeministrin. Propozimi drejtuar kreut të shtetit është firmosur nga dy aleatët e PS-së, LSI dhe PBDNJ, ku propozohet kryesocialisti Edi Rama si Kryeministër i shqiptarëve për katër vitet e ardhshme. Në bazë të Kushtetutës, pas këtij hapi, Kryeministri i ri nis negociatat me partitë e koalicionit dhe zgjedh anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar për të siguruar një mazhorancë të sigurtë, hap ky që tashmë është ezauruar nga zoti Rama prej ditësh. Ndërkaq, brenda 10 ditësh, kryetari i ri i qeverisë, i emëruar sipas Kushtetutës, i paraqet për miratim Kuvendit programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij, e cila votohet e plotë dhe jo e ndarë. Si ministrat, ashtu edhe Kryeministri, do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen, fakt ky që tashmë nuk është problem, kur mazhoranca e re shkon me 83 mandate deputetësh në Kuvend. Afatet e propozimit, emërimit dhe votimit të ministrave përcaktohen në nenin 98 të Kushtetutës, sipas së cilës, “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Kabineti “Rama” do të ketë 21 anëtarë, ku Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet me 5 ministra. Në qeverinë e tij, Edi Rama ka përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, siç është rasti i përkthyeses dhe publicistes, Mirela Kumbaro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency