Anulohet mega-tenderi i CEZ-it për blerje energjie

0
131

Ervin Kaduku

ERE bllokon procedurën, administrata e kompanisë së shpërndarjes do të presë urdhra të rinj nga qeveria, e cila mund të ndryshojë taktikë me çekët

 

KESH-1_1Qeveria e re mund të ndryshojë qëndrim nga CEZ Group, kompania çeke, e cila gjithnjë mbetet pronare e 75% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Kjo u duk nga fakti se Enti Rregullator i Energjisë i ka kërkuar kompanisë CEZ Shpërndarje, tashmë nën administrim shtetëror, që të pezullojë procedurat për importin e energjisë elektrike për vitin e ardhshëm, për mbulimin e humbjeve. Lajmi është bërë dje i ditur nga kompania e shpërndarjes së energjisë, që, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, deklaroi se ERE ka kërkuar pezullimin e procedurave, të parashikuara të zhvilloheshin më datë 9 shtator, nëpërmjet një shkese zyrtare të dërguar në datën 6 shtator.

Ndërkaq burime zyrtare pranë Entit Rregullator të Energjisë bëjnë të ditur se vendimi për pezullimin e procedurave të tenderit, nëpërmjet të cilit do të sigurohej energjia që CEZ-it i duhet vitin e ardhshëm për mbulimin e humbjeve kushtëzohet nga procesi i shpronësimit të kompanisë, që tashmë do të varet nga qeveria e re. CEZ Shpërndarje ka aktualisht një status të përkohshëm dhe vendimet që do të merren për të ardhmen e kompanisë i takojnë qeverisë së re, përfshirë këtu tenderi për sigurimin e energjisë elektrike për një periudhë 1-vjeçare.
Ministrat e qeverisë së re deklaruan pak kohë më parë në konferencën “Shqipëria e gjeneratës tjetër” se energjetika është një ndër emergjencat e para me të cilën do të përballen. Përveç sigurimit të energjisë për dimrin, kabineti Rama duhet të marrë vendime dhe për të ardhmen e kompanisë, si dhe çfarë do të ndodhë me çekët e CEZ.

Largimi i çekëve që privatizuan kompaninë e vetme të shpërndarjes së energjisë u komentua si një shenjë negative për investitorët e huaj, që kërkojnë të investojnë në sektorin e energjisë elektrike, një ndër më problematikët afatgjatë në vend.

 

Tenderi

Në fakt, dje, CEZ Shpërndarje pritej të zhvillonte një mega-tenderin me vlerë rreth 80 milionë euro, e vlefshme për importin e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2014. Kjo praktikë është ndjekur edhe në të kaluarën, dhe shërben për të “porositur” që tani sasinë e nevojshme për vitin që vjen te tregtarët e shumicës në rajon, por mundësi për të marrë pjesë në garë kanë edhe prodhuesit vendas.

Në këto kushte, për shkak të rëndësisë që mbart ky tender, gjykohet se transparenca nga CEZ Shpërndarje, e cila është nën varësi të shtetit shqiptar, pas largimit të çekëve, është mjaft e rëndësishme.

Në tenderin e fundit të zhvilluar nga kjo kompani, për të importuar 180 mijë megavat energji elektrike, për shkak të mungesës së konkurrencës, kushteve të vendosura dhe pranimit të çmimeve jashtë niveleve të tregut, humbjet për shtetin arrijnë në 1 milion euro. Dhe kjo vetëm për një muaj.

 

 

 

Bankat ulin 5.5 për qind kreditimin në valutë të huaj

Në korrik huadhënia në monedhë të huaj ra 5.5% me bazë vjetore.

Kërkesa e bizneseve për financim është orientuar kryesisht drejt financimit të nevojave për kapital qarkullues, veçanërisht në dy vitet e fundit, thuhet në “Kreditimi i sektorit privat: Analizë e zhvillimeve në vend dhe rajon” nga Erjona Suljoti dhe Sofika Note, Departamenti i Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, kërkesa për financimin e investimeve ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga fundi i vitit 2008. Kërkesa e ulët për kredi për investime ka ndikuar edhe në ngadalësimin e shpejtë e më pas tkurrjen e kredisë në valutë, e cila tradicionalisht ka qenë e lidhur me financimin e investimeve. Sipas raportimeve të bankave, arsyet kryesore pas rënies së kërkesës për kredi janë ngadalësimi i përgjithshëm i ekonomisë dhe veçanërisht rënia e nivelit të investimeve të reja, konstatohet në raportin e BSH.

Statistikat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i huasë në valutë ra me 3% në 331 miliardë lekë në korrik, në raport me një muaj më parë.

Me bazë vjetore (korrik 2013/korrik 2012) huaja në monedhë të huaj është tkurrur me 5.6%, ndërkohë që ajo në lekë brenda të njëjtës periudhë është zgjeruar me 7.4%.

Si rrjedhojë pesha e stokut të huasë në valutë ndaj totalit ka zbritur në 60% të totalit në fund të muajit korrik, nga 68% që ishte kjo peshë në dhjetor 2009.

 

INSTAT: Lehtësohen kostot e prodhimit për biznesin

Nuk kanë vonuar të ndjehen masat ligjore të ndërmarra nga qeveria Berisha në dobi të sektorit privat të ekonomisë në vend. Bizneset vendase, mes vështirësive të rënies së kërkesës e problemeve me likuiditetin, mund të marrin disi frymë lirisht, pasi në pjesën e parë të vitit nuk po përballen me rritje të kostove të prodhimit, në raport me një vit më pare, ndërkohë që në raport me tremujorin e parë, rritja është fare e lehtë për disa industri.

 

INSTAT bën të ditur se në tremujorin e dytë të vitit 2013, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 113.6 për qind (Viti 2005 = 100), duke shënuar një rritje prej 0.2 për qind kundrejt tremujorit të parë 2013. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është -0.5 për qind. Industria Nxjerrëse shënoi një ulje prej 0.4 për qind. Këtu mund të përmendim uljen e çmimeve të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e produkteve energjetike” me 1.6 për qind. Çmimet e produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e produkteve jo energjetike” kanë shënuar një rritje me 0.6 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në degën “Industri përpunuese” shënoi rritje me 0.3 për qind. Brenda saj mund të përmendim rritjen e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: ”Industria tekstile dhe e veshjeve” me 0.4 për qind, ”Industria e letrës, kartonit dhe botime” me 0.7 për qind, “Fabrikimi i mobilieve” me 1.7 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në aktivitetin “Industri ushqimore” shënoi ulje me 0.1 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 111.6 për qind duke shënuar një rritje me 0.4 për qind krahasuar me tremujorin e parë 2013. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në degën “Industri përpunuese” me 1 për qind. Indeksi i Çmimeve të Eksportit (viti 2005 = 100) arriti 120.0 për qind duke shënuar një ulje prej 0.9 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Këtu mund të përmendim uljen e çmimeve të produkteve në degën “Industri nxjerrëse” me 0.3 për qind.

 

Alpha Bank përuron palestrën e parë në natyrë

Prej disa javësh pranë Liqenit Artificial të Tiranës, ka filluar të funksionojë palestra e parë në natyrë në Shqipëri. Ky projekt i rëndësishëm u mundësua nga Alpha Bank Albania me mbështetjen e Bashkisë Tiranë e cila e besoi këtë projekt dhe e mbështeti gjatë gjithë procesit të realizimit. Prej shumë vitesh Alpha Bank ka mbështetur aktivitete të ndryshme sportive duke dashur të promovojë vlerat e sportit. Një nga sponsorizimet më historike të Bankës janë Lojërat Olimpike Athinë 2004, ku banka ishte sponsor gjeneral. Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, z. Periklis Drougkas, tha: “Jam shumë i lumtur që institucioni që unë përfaqësoj financoi një projekt kaq të rëndësishëm për komunitetin pasi qasja në natyrë është jetike për shëndetin fizik, psikologjik dhe shpirtëror të të gjithë moshave. Ne duhet të stërvitemi rregullisht dhe ta kthejmë stërvitjen në një rutinë të përditshme. Kjo do të kontribuojë në një të ardhme më të shëndetshme dhe do të na shpërblejë me jetë të jetuara më mirë”. Që prej ditës së parë Alpha Gym Park është mirëpritur dhe frekuentuar rregullisht nga qytetarët të cilët kanë patur mundësinë të marrin këshilla për përdorimin e duhur dhe efikas të pajisjeve nga nje instruktore fitnesi.  Alpha Gym Park përmban 10 pajisje gjimnastikore si edhe mjedis të përshtatshëm të rrethuar me gjelbërim, stola dhe çezma për t’u freskuar. Punonjësit e Alpha Bank mbollën disa pemë dhe gjatë javëve në vazhdim do të dhurojnë bluza dhe çanta sportive për të gjithë qytetarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre fizik pranë këtij parku sportiv.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency