Konstituohet parlamenti i ri, ja detajet

0
179

Gëzim Saliu

Si formohet qeveria e re, rrugët dhe afatet ligjore të përcaktuara

 

Kuvendi-i-ShqiperiseSot zhvillohet seanca e parë e punimeve të legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshe nga tre vitet e kaluara, ky sesion i ri i parlamentit nis me ndryshime të dukshme si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Pas përfundimit të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe shpalljes fitues të koalicionit të majtë, tashmë vendi do të ketë një qeveri të re si edhe 140 deputetë të dalë nga vota e qytetarëve shqiptarë, ku 55 prej tyre do të shkelin për herë të parë sot në ambientet e Parlamentit. Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë.

Deputetët

Në Rregulloren parlamentar janë përcaktuar qartë procedurat që ndiqen në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Nisur nga fakti se kryeministri në detyrë Sali Berisha ka refuzuar të drejtojë seancën, si deputeti më i vjetër në moshë, kjo detyrë do ti kalojë deputeti të dytë më të vjetër në moshë në parlamentin e ri, anëtarit të kryesisë së PS-së Namik Dokle. Ndërkohë që pas zgjedhjes së kreut të ri të Kuvendit, i cili sipas marrëveshjes PS-LSI do jetë Ilir Meta, nis procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Afati maksimal ligjor për këtë proçedurë është 48 orë, por nga praktikat e mëparshme këtij komisioni i janë dashur më pak se 24 orë për hartimin e raportit për verifikimin e mandateve. Nëse përsëritet praktika e 2009-s, Kuvendi, që mbetet i thirrur në seancë, vijon punimet të martën paradite, ku pritet të bëhet betimi i të zgjedhurve, që vetëm pas këtij momenti do të jenë zyrtarisht deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend. Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Kandidati për Kryetar i Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Në parlamentin e ri vihet re prania e madhe e juristëve dhe biznesmenëve. Nga 140 deputetë, 55 prej tyre do të ulen për herë të parë në karriget e Parlamentit, nga ku 8 do të jenë gazetarë.

Qeveria e re

Kapitulli i pestë i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton mënyrën se si formohet Këshilli i Ministrave. Neni 95 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton se,: “Këshilli i Ministrave përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.  Në një nen më poshtë, përcaktohet procedura e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi këtë bazë, partia ose koalicioni fitues ( në këtë rast Partia Socialiste) duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, i cili do të jetë Edi Rama. Pas dekretimit nga Kryetari i Shtetit, emri i kryeministrit duhet të votohet në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, – thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.

 

 

Dorëheqja e Berishës, sot tek Nishani

Kryeministrit në detyrë Sali Berisha do të japë dorëheqjen nga posti i tij ditën e sotme vetëm pak orë  përpara nisjes së seancës së Kuvendit. Mësohet se Berisha do të takojë presidentin Bujar Nishani për të dorëzuar postin e tij e pas kësaj për t’ia lënë vendin qeverisjes së socialistëve. Më parë, kreu aktual i ekzekutivit ka bërë të ditur në mbledhjen e fundit të qeverisë se do të qëndrojë në detyrë deri në momentin e fundit, pavarësisht dorëheqjes. “Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do t’i paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës”, – u shpreh Berisha.

 

Kuvendi i ri

5 grupe parlamentare, dy të majta dhe tre të djathta

Legjislatura e VIII e Kuvendit të Shqipërisë pritet të ketë një numër të lartë të grupeve parlamentare. 5 do të jenë grupet parlamentare, nga ku 3 do ti përkasin të djathtëve dhe 2 të majtëve. Grupi më i madh parlamentar do të jetë ai socialist, i cili është vendosur nga strukturat e partisë më të madhe të drejtohet  sërish nga Gramoz Ruçi. Partia Demokratike ka grupin e dytë më të madh në parlament, por kryetari që do të zëvendësoje Astrit Patozin në këtë detyrë do të zgjidhet paraditen e sotme nga mbledhja e parë e të zgjedhurve për deputetë të Partisë Demokratike e cila do të zhvillohet, tek selia e re tek ish-SHQUP. Për drejtues të përkohshëm të grupit demokrat, deri në zgjedhjet e PD–së në dhjetor, janë përfolur disa emra, por emri zyrtar do të vendoset ditën e sotme. Lëvizja Socialiste për Integrim, do të ketë grupin  e tretë parlamentar për nga madhësia, nisur nga fakti se arriti të marrë 17 deputetë nga zgjedhjet e 23 qershorit.  Dy janë kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e grupit të LSI-së, Petrit Vasili dhe Luan Rama . Por me grupet e tyre parlamentare do të përfaqësohen edhe PDIU dhe PR, përkatësisht me 5 dhe 4 deputetë. Në mungesë të 7 deputetëve të nevojshëm për këtë strukturë parlamentare, ata do të huazojnë deputetë nga Partia Demokratike.

 

Reagimi i Kuvendit

Kompjuterët me tender të hapur, projekti E-parlament arritja më e madhe e dixhitalizimit

Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar dje lidhur me vendosjen e kompjuterëve në sallën e Parlamentit. Duke marrë shkas nga akuzat për tenderin, Kuvendi sqaroi se,: “Kuvendi i Shqipërisë as këto ditë dhe as gjatë vitit 2013 nuk ka bërë as edhe një tender kompjuterash. Çdo gjë që shkruhet në lidhje me këtë është gënjeshtër, keqdashësi dhe mashtrim. Kompjuterët që po instalohen në sallën e Seancave Plenare janë prokuruar (blerë) që në vitin 2012 duke iu nënshtruar plotësisht procedurave të prokurimit publik me tender të hapur, me një konkurencë maksimale dhe garë të ndershme mes kompanive (siç del qartë edhe nga njoftimi zyrtar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik të datës 26 nëntor 2012 i njoftimit të kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese, bashkëlidhur dokumentet e skanuara). Ato janë pjesë e projektit e-parlament, i cili tashmë është në fazën e tij të implementimit përfundimtar. Projekti e-parlament është një ndër arritjet më të mëdha në fushën e dixhitalizimit të Kuvendit të Shqipërisë”. Sipas Kuvendit,  E-parlament do të bëjë të mundur rritjen e efektivitetit të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë të deputetëve, pasi tashmë çdo deputet do të ketë të dixhitalizuar (në format elektronik) çdo dokument parlamentar që lidhet me procesin ligjbërës, që nga projektligji, relacioni përkatës i Këshillit të Ministrave, raportet e komisioneve përkatëse që e shqyrtojnë atë projektligj, amendimet, votimet deri në momentin që ligji votohet në seancë plenare. “Nga ana tjetër, falë këtij projekti bëhet i mundur krijimi i një data-base të plotë të të gjitha ligjeve që Kuvendi miraton. Projekti e-parlament është një hap shumë i rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të transparencës së Parlamentit kundrejt zgjedhësve. Administrata e Kuvendit të Shqipërisë po punon me përkushtim për fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit dhe në këtë kuadër të gjitha këto investime në fushën e teknologjisë së informacionit do të bëjnë të mundur që Kuvendi i Shqipërisë të jetë një institucion më efektiv, më transparent, më i përfaqësuar, më i besueshëm”, thuhej në reagimin për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Deputetët më jetëgjatë të Parlamentit shqiptar

Në sallën e Kuvendit do të ulen sot 140 të mandatuarit e 23 qershorit. Por vetëm 6 prej tyre, janë zgjedhur deputetë që nga parlamenti i parë pluralist në 1991. Ata janë Namik Dokle, Sali Berisha, Kastriot Islami, Gramoz Ruçi, Arben Imami dhe Genc Ruli. I vetmi prej tyre që nuk është shkëputur për asnjë moment nga jeta parlamentare, është Namik Dokle, zgjedhur 8 herë deputet. Nisur nga fakti se Berisha ka refuzuar të drejtojë seancën e 9 shtatorit, atëherë ky privilegj i transferohet deputetit Dokle. Pas tij, me praninë më të gjatë në parlament janë Ilir Meta, që do të jetë kryetari i ardhshëm i Kuvendit dhe Kastriot Islami, të zgjedhur nga 7 herë. 3 deputetë të rizgjedhur, mbajnë mbi supe nga 6 mandate. Ndërsa 7 të tjerë, kanë siguruar përfaqësim në 5 legjislatura. 5 deputetë në të dy kampet, janë zgjedhur nga 4 herë në Kuvend. Pra, 18 deputetë kanë një përvojë mbi 4 legjislatura. Ndërsa 47 të mandatuar, do të ulen për herë të parë në sallën e Parlamentit. Ndër 140 të votuarit me sistemin propocional rajonal, 24 janë femra. 15 vijnë nga e majta dhe 9 nga e djathta. Me lënien e mandatit nga deputetët që bëhen ministra, zëvendësueset e çojnë në 30 numrin e femrave. Me gjithë ministrat pa të drejtë vote, në seancë shkojnë 103 vetë përballë 57 deputetëve të opozitës së djathtë.

 

box

Mandatet sipas partive

1. Partia Socialiste – 65 deputetë

2. Partia Demokratike – 46 deputetë

3. Lëvizja Socialiste për Integrim – 16 deputetë

4. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet – 5 deputetë

5. Partia Republikane – 4 deputetë

6. Partia Demokristiane – 1 deputet

7. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – 1 deputet

8. Partia Kristian Demokrate Shqiptare – 1 deputet

9. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – 1 deputet

Ministrat e rinj

Hapat nga dekretimi i Presidentit tek dorëheqja nga mandati

Sipas marrëveshjes PS-LSI, ministrat e rinj të kabinetit qeveritar do të heqin dorë nga mandati i deputetit i fituar në zgjedhjet e 23 qershorit. Deri më tani është konfirmuar fakti se vetëm pas votëbesimit të qeverisë së re në Kuvend do të nisë procedura për dorëzimin e mandatit nga ana e ministrave. Për ministrat e rinj, Presidenti i vendit ka bërë të ditur se do të marrë më parë konsulencën e institucioneve përkatëse lidhur me verifikimin e tyre. Ndërkohë, që 16 ministrat e kabinetit “Rama” do t’i drejtohen individualisht me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar. Por institucioni më i lartë zgjedhor e ka të pamundur të mandatojë 16 deputetët e rinj, për shkak të mungesës së kuorumit në KQZ, duke detyruar sërish mazhorancën të çojë çështjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor. Një zgjidhje në këtë mes mbetet edhe ajo që deri më tani është përfolur vetëm si alternativë, që ka të bëjë me rikthimin e anëtarëve të dorëhequr të KQZ-së në detyrë. Ky rikthim i tyre do të bënte të mundur efektivitetin e plotë të këtij organi, me mundësi për të marrë vendime me shumicë të cilësuar. Në rast të kundërt, mandatet do të shkojnë Kolegjin Zgjedhor, aty ku edhe u bë i mundur certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Nga ana tjetër, pritet që të majtët të ndjekin një skemë të mirëpërcaktuar lidhur me dorëheqjen e ministrave. Këta të fundit do të heqin dorë nga mandatet në periudha të ndryshme për të shmangur rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare. Nëse ministrat do të dorëzonin mandatet në të njëjtin moment, atëherë mazhoranca do të reduktohej në 67 vota dhe në rast se e djathta do të braktiste seancën parlamentare, atëherë do të mungonte kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh për të zhvilluar normalisht punimet kuvendore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency