PD, me kryetar transitor grupi deri në dhjetor, ja çfarë pritet nga mbledhja e parë e demokratëve

0
119

Florenc Drizari

Kreu i ri i grupit të PD-së, Olldashi, Bylykbashi apo Imami?

 

shtepia-qendrore-e-ushtriseParaditen e së hënës rreth orës 11:00 demokratët do të mbledhin për herë të parë grupin e tyre parlamentare që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Mbledhja e parë për sesionin e ri parlamentar për PD-në pritet të mbahet në ambientet e reja, ish-ndërtesa e SHQUP-it. Nga kjo mbledhje pritet të hartohet strategjia politike që do të ndjekë PD-ja tashmë në opozitë, si dhe zgjedhja e kryetarit të grupit parlamentar.

Pas dorëheqjes që ish-kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi bëri në muajin gusht, PD ndodhet pa kryetar grupi. Gjatë mbledhjes pritet edhe caktimi i emrit të ri që do të jetë në krye të demokratëve në Kuvend, ndërkohë që kryetari Basha mban funksionet e kryebashkiakut të Tiranës dhe nuk është pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu nga mbledhja e datës 9 shtator pritet edhe përcaktimi i nënkryetarëve të komisioneve parlamentare. Për emrat e këtyre të fundit pritet të caktohen ish-ministrat e PD-së, një strategji kjo që duket se krijon një mbrojtje më të mirë për punën e qeverisjes së djathtë në 8 vitet e pushtetit.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së që pritet të zgjidhjet në fillim të javës, do të jetë i përkohshëm, për faktin se ai do ta mbajë këtë post deri në përfundimin e zgjedhjeve brenda PD-së. Pas zgjedhjes së strukturave të reja të Partisë Demokratike, zgjedhje të cilat pritet të fillojnë pas disa ditësh, duke iu referuar statusit të kësaj partie, nënkryetari i partisë bëhet automatikisht kryetar grupi parlamentar i saj.

Kryetari i përkohshëm i grupit parlamentar duhet të plotësojë një kriter të panegociueshëm, që ka të bëjë me kohën e aktivizimit të tij në Parlament. Duke iu referuar deklaratave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në shtator pritet që demokratët të bëjnë një opozitë aktive në Kuvend dhe në komisionet parlamentare. Një kriter tjetër për kryetarin e grupit të PD-së, është që ai duhet të ketë dy ose më shumë mandate si deputet.

Sipas deklaratave të mëparshme të kryetarit të ri të demokratëve Basha, PD do t’i nënshtrohet një faze ristrukturimi në të gjitha degët, proces i cili pritet të përfundojë me të zgjedhurit e rinj në kuvendin kombëtar të kësaj partie në fund të këtij viti. Procesi pritet të shoqërohet edhe me analizën e humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit dhe strategjitë që do të ndiqen për të udhëhequr PD-në drejt zgjedhjeve të ardhshme.

Më herët, përfaqësues të së djathtës kanë thënë se PD duhet t’i nënshtrohet një faze të re ristrukturimi dhe analizash lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, si dhe të ndiqet një rrugë e fortë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë. Përfaqësues të PD-së kanë vënë theksin tek premtimet e bëra nga PS në fushatën e kaluar zgjedhore, ku sipas tyre ato premtime janë të parealizueshme. Demokratët për këtë kanë kërkuar që të ndiqet rruga e “tregimit të së vërtetës” në sytë e opinionit publik. Një nga strategjitë për të bërë këtë është edhe ndjekja e një komunikimi të vazhdueshëm me median. Sipas tyre, PD-ja nuk duhet t’i shmanget edhe propozimit të alternativave të reja përkrah opozitarizmit të fortë parlamentar.

 

Tritan Shehu: Opozita në shtator të qartësojë premtimet e parealizueshme të socialistëve

Tritan Shehu, një prej figurave që ka mbajtur poste të rëndësishme në Partinë Demokratike, e ka quajtur të domosdoshëm fillimin e një procesi organizimi të brendshëm nga opozita e re, ku të analizohen shkaqet e humbjes dhe të dilet në konkluzione me Kongresin e pritshëm në muajin dhjetor. Fillimisht ai thotë se opozita duhet të qartësojë para opinionit publik premtimet e socialistëve që sipas tij, janë spekulative dhe nuk mund të realizohen. Në një prononcim për gazetën “standard” të pak ditëve më parë, shehu ka thënë PD-ja nuk duhet të mungojnë edhe alternativat për të qeverisur më mirë.

“Opozita me shtatorit duhet të fillojë një proces organizimi të brendshëm; një proces të përbashkët analizimi i shkaqeve të humbjes që të fillojë që nga baza dhe të mbarojë me një Kongres diku nga dhjetori me konkluzionet ndaj këtij procesi. Opozita duhet të koncentrohet në një element të rëndësishëm tashmë, me argumentimin e qartësimit të popullsisë për falsitetin e premtimeve të Partisë Socialiste në fushatë elektorale. Ishin premtime absolutisht spekulative dhe njerëzit duhet ta kuptojnë sa më shpejt këtë gjë”, – tha Tritan Shehu.

 

Bulevardi i ri, Berisha: Nisin themelet e Tiranës së shekullit të 21-të

Kryeministri i vendit në detyrë, Sali Berisha, vlerësoi fillimin e punimeve një ditë më parë për bulevardin e ri të Tiranës. Berisha e quajti nisjen e punimeve si themelin e ri të kryeqytetit për shekullin e 21-të. Nga profili i tij në internet në Facebook, Kryeministri aktual foli në detaje edhe për arkitektët e parë të Tiranës disa dekada më parë.

“Te dashur miq, sot filluan punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri dhe sistemimit rekreativ të lumit të Tiranës, projekt i studios se famshme Grimshaw. Bulevardi i ri lidh Tiranen me Paskuqanin dhe ka një gjerësi rreth 70 m dhe si një korridor i vërtetë ekologjik lidh Liqenin Artificial me Liqenin e Paskuqanit. Ai është vazhdim i bulevardit ekzistues te ndërtuar 80 vite me pare sipas idesë së arkitektit gjenial Brasini dhe projektit të një grupi arkitektesh të udhëhequr nga Florestano Di Fausto.

Bulevardi i Ri zhvillon gjysmën e braktisur e te “paralizuar” prej mbi 80 vitesh të Tiranës, krijon mijëra e mijëra vende pune, i jep kryeqytetit pamjen e një metropoli modern evropian dhe garanton një përmirësim të madh te trafikut, gjelbërimit, tregut dhe punësimit. Sistemimi i lumit të Tiranës e shndërron atë nga një zonë e shëmtuar hedhurinash në një zonë shumë të bukur rekreative.

Mirënjohje të thellë donatoreve bujare, autoriteteve të UAE, Katar,Kuvajt, Bashkisë së Tiranës, Kryetarit te saj, studios Grimshaw dhe dhjetëra e dhjetëra eksperteve të shoqërisë civile për këtë vepër themeluese, monumentale të Tiranës së shekullit të 21-të. Urime!! sb”, – shkruan Kryeministri në detyrë i Shqipërisë, Sali Berisha, në profilin e tij në Facebook.

Projekti

Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61 milionë eurosh për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshaw Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 prill 2013, me vlerë 54 milionë euro si dhe grantit nga qeveria e Katarit me vlerë 7 milionë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency