LINÇÌMI I DHEMBSHURISË

0
142

Luan  MYFTIU

Nuk e kuptova héret pse nuk më lejoheshin shumë gjëra. Pse nuk mund të doja, a të urreja si më thosh zemra. Pse pengohesha të gjykoja me mendjen time, apo edhe thjesht  t’i përkisja vetes. Shkurt, shumë vonë e kuptoova pse që më qe vënë kështu kufiri te thana. Ndaj pyesja shpesh veten përse ndihesha i lirë, vetëm kur hiqja dorë vetë nga nevoja për lirí. Përse nuk ndihesha i varfër, kur s’kisha kërkesa dhe përse ndihesha i sigurtë, kur injoroja veten. Megjithatë, si jetim që isha, kurrë nuk u mësova dot pa nevojën për dhembshuri njerëzore. Bilé, asnjëherë s’u ndieva i kënaqur me vetminë e detyruar. Jo! Mos, vallë, prandaj nuk ushqeja ndjenja armiqësore ndaj atyre, që nuk më tregoheshin dashamirës ? Se si kisha vënë ré që edhe nevoja për pak dhemburí njerëzore e shndëroka njeriun në një lloj lypsari. Dhe unë isha bërë i tillë, megjithëse nuk doja ta pranoja. Kisha konstatuar se, në një sistem privues, gjendja shoqërore përcaktonte dhe marrëdhëniet personale. Sepse, kur ndodhi njëherë që klima politike u zbut shumë dhe mua më pranuan të punoja si arsimtar, ( natyrisht, në një fshat të largët ! ), njerëzit sikur ndryshuan qëndrim ndaj meje, sikur filluan të tregonin një lloj dhembshuríe. Dhe unë atëherë u ndieva një qënie shoqërore. Megjithatë, prapë kishte që më pengonin të zija miq. Të kisha shokë dhe sidomos ndonjë shoqe. Përsërí, pra, s’kisha me kë të qaja një hall. Nuk më thosh njerí një fjalë të mirë. Nuk kisha kujt t’i shprehja një brengë. Ndaj thosha që kjo më ndodhte, ngaqë isha bir i një nacionalisti, dënuar prej sistemit. Kështu isha i dyshuari pa fakte, i izoluari pa vendim komision, i burgosuri pa vendim gjykate ! Të isha, vallë, ai fajtori i përjetshëm, imagjinar ? Që druhej të shkonte në dasmat, a ceremonitë mortore të miqve ? Që nuk guxonte t’i shprehte ndjenjat fisnike një vajze me biografi “të mirë” ? Që nuk komentonte dot një film, apo një libër të bukur ? Kështu, ndodhi, pra, që dalëngadalë u mbylla në vetëvete. Që ndjenjat sikur filluan të më “thaheshin”. Që jetoja i lumtur me zotësinë për t’ia mohuar vetes çdo gëzim të jetës. Ndoshta prandaj një mjek i njohur më tha një ditë se vuaja nga karakteromania. Dhe ndoshta kish të drejtë. Se unë jetoja me ca gëzime të çuditshme ! Po ç’të bëja ! Ky qe fati im, që duhej ta përballoja. Mbaj mend që m’u desh të harxhoja dhe shumë energjí për të ruajtur fytyrën time, sepse e ndieja që sistemi kërkonte të më jepte të tijën. Dhe ajo mua nuk më pëlqente. Se nuk isha natyrë e nënshtruar. Se kisha parë shumë, që kishin rënë viktima të karakterit të tyre. Njerëz që i binin dhe murit me kokë. Po unë, më shumë se sedrën e sëmurë, çmoja ndjenjën e dhembshurísë.  Nuk di pse më duhej shpesh një ngushëllim. Qoftë ky dhe nga një personazh, që mund të më jepte pak ngrohtësí shpirtërore, të më ngushëllonte në mjerimin e vetmisë. Dhe, çudi, m’u duk sikur befas Zoti m’u gjend pranë. Sikur ma zbriti një ditë të mirën nga qielli. Se befas u ndjeva i plotë, si i mbushur me përkujdesje njerëzore ! Dhe ndonëse këta ishin miq imagjinarë, unë u ndjeva i rrethuar nga dashamirës, që më çmonin shumë, gati sa dhe unë veten time. Kisha gjetur një libër të artë. Më kish rënë në dorë romani “Idioti” i Dostojevskit, të cilin e përpiva duke e lexuar me fjalor, pasi rusishten nuk e njihja aq mirë. E lexova fshehurazi, se qe një libër i ndaluar. I ndaluar nga sistemi që nuk donte njerëz me ndjenja të holla, as me botë të pasur shpirtërore. Se kudo që t’i vinte re këto, sulej ta fuste viktimën në “kthetra”. Ta bënte për vete, t’i merrte haraç të rëndë. Prandaj ndalonte filmat sentimentale, librat e klasikëve, gjithçka që zbuste shpirtin e njeriut. Dhe unë kisha rënë në krahët e një engjëlli mbrojtës, por të mallkuar.

Ndaj më kapi një frikë e fshehtë, se kisha parë artistë të dënuar vetëm pse kishin kënduar me ndjenjë ?! Shkrimtarë të martirizuar pse kishin krijuar vepra që ngjallnin mëshirë !  Poetë të zhdukur pse kishin zbuluar virtyte dhe tek ata, që nuk i donte regjimi !…

Po a mund të shpëtoja unë nga një fat i tillë ? Unë që jetoja i vetmuar dhe për këtë akuzohesha si “minë me sahát” ? Unë që dhe krenohesha pse lexoja libra “psikologjikë”. Mirpo…ndoshta prandaj qe tragjike dhe për të qeshur për mua, kur dëgjova ulërimat e hetuesve, të cilët, duke qënë injorantë dhe duke mos ditur si të ma formulonin akuzën pse kisha lexuar “Idiotin” e Dostojevskit, më kërkuan me tortura ta gjeja unë vetë ndikimin negativ, që mund të kisha pasur nga ky autor i “molepsur” ! Dhe, kur unë u kërkova që këtë të ma faktonin ata, filluannga tortura edhe më të rënda. Dhe unë e dija mirë se ku donin të dilnin. Ndaj pranova më mirë të sajoja kundër vetes “kufizimet ideore”, që kisha pësuar prej këtij konstruktori të shpirtrave njerëzorë. Në fillim u shpjegova se në atë roman nuk bëhej fjalë për një idiot, por për një simbol të mirësisë, për një gjysëm gjeníu, i cili në roman thirret “idiot” pse kish qënë ca kohë i shtruar në psikiatri. Që ky personazh sillet e vepron aty krejt si njeri normal. Pastaj shtova që ky “idiot” është aq i mirë, sa i bën të gjithë për vete me dashurínë e tij njerëzore. Këtu prokurori nuk duroi më gjatë. U ngrit në këmbë dhe, si i çakërdisur, filloi nga ulërímat : “I pandehur ! Përgjigju shkurt ! E ke lexuar ti këtë “vepër” ?!… Po, apo jo !?“. Dhe, kur mori prej meje përgjigjen pozitive, i ra tavolinës me grusht dhe ngriti zërin : ”Për ç’dashurí njerëzore flet ai maskara !? Ë ?!…Për ndonjë dashurí për të varfërit, apo për të pasurit ?!…Apo për… të çmendurit !?… Po ty, more armik, ç’të tërhoqi te “dashuría” e një të lajthituri ?!…Ç’gjë të veçantë paske parë “zotrote” te dhembshuría e një idioti ?!… Fol, pra, armik i partisë ! E para, pse e lexove !?” E dyta, ç’do t’u edukoje ti fëmijëve të popullit me “shpirtin e madh” të këtij borgjezi ?!… Pastaj, prit ! Na fol njëherë ç’ndikime ke pasur ti vetë nga ky edepsëz ?! ( Në sallën, që kish rënë në heshtje, u ndienë ca kukurizma të mbytura  !) – . Fol, pra, armik, ç’ndikime ke pasur prej tij ?!… Si ? Si ? Pret të ta themi ne ?! Jo, more ! Po ne s’jemi të çmendur që të marrim me mend adhurimin që të ka krijuar ty një i lojtur nga trutë e kokës !?…Hajde, fol taní ! Si i donte ky idiot njerëzit !?”. Dhe, kur dëgjoi nga goja ime se princi Mishkin i donte njerëzit ashtu, thjesht, si njerëz, prokurori ia dha gazit me të madhe. Pastaj, pasi fshiu syzet me shamí, shtoi me solemnitet : ”Po ne, more, si i duam njerëzit ?… Si kafshë ?!… Ë ?… Si bagëti i duam ne !?…

– Jo, zotëri! – shtova vrik – Edhe ju si njerëz i doni, por ju nuk mund t’ia lejoni vetes t’ju  vijë keq për një kundërshtar, a për dikë që gabon… Ju s’mund të tregoheni të dhembshur p.sh. ndaj një… kundërshtari ?! …

– Si ?!… “Ashtu ?!…” – U dëgjua klithma e tij në formë piskame. “Domethënë ti i paske edukuar fëmijët e popullit t’u vijë keq për armiqtë e partisë !?!…Dhe trupi gjykues u tërhoq.

……………………………………………………………………………………………………………………………

Pretenca dhe vendimi për “Dhjetë vjet burg !” m’u dha, mbështetur në akuzën se kisha zbutur luftën e klasave nën pretekstin e keqardhjes për çdo lloj njeríu !…

Vonë e mora vesh se të ftuarit paskëshin dalë nga salla kokulur e të menduar !…

 

Tiranë, më 6 . 9. 2O13  -.           ______    %    ______            –  Luan  MYFTIU  –

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency