Deklarata e Presidentit / Deputeti i PS-së, Braçe: Nishani, akt antikushtetues me verifikimin e ministrave të rinj

0
120

Gëzim Saliu

“Presidenti duhet të kuptojë njëherë e mirë se në 23 qershor shqiptarët e mundën edhe atë”

 

BRACE-AKUZA-BERISHES-Deputeti-i-PS-Erion-BracePërplasja mes mazhorancës së re dhe kryetarit të shtetit vazhdon të thellohet. Pas akuzave për vendimin e SHQUP dhe selinë e PD-së, Presidenti Nishani është akuzuar dje për akt antikushtetues dhe politik nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe. Gjithçka lidhet me deklaratën e bërë tri ditë më parë nga kreu i shtetit lidhur me dekretimin e qeverisë së re, ku sipas së cilit, kjo do të ndodhë vetëm pas verifikimit të ministrave tek SHISH. Për anëtarin e kryesisë së PS-së, deklarata e Nishanit përbën një hap tërësisht politik dhe në kundërshtim me ligjin themeltar të vendit. “Presidenti i Republikës po hyn në një rrugë pa krye, antikushtetuese dhe tërësisht politike. Deklarata e tij: “Kryeministrin do ta dekretoj menjëherë, por për ministrat do të pyes SHISH”, është një dalje me vetëdije nga korniza kushtetuese e këtij vendi. Dje pyeta prej studios të një TV-je: Në cilin ligj bazohet ky veprim i paralajmëruar i Presidentit të Republikës? Nuk prisja përgjigje nga Presidenti! E thjeshtë, ai nuk ka ç’të thotë. Ligji i vetëm ku është shkruar e për pasojë e përcaktuar korniza e tij ligjore është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutë nuk parashihet në asnjë nen e germë ky veprim i tij”, – shkruante Braçe në rrjetin social Facebook.

Reagimi

Në reagimin e tij për deklaratën e Presidentit të Republikës, deputeti socialist thekson se ndërmarrja e një akti të tillë përbën sipas tij një agresion të ri ndaj mazhorancës së re. Sipas Braçes, kreu i shtetit është një ndër palët e humbura nga zgjedhjet e 23 qershorit. “Gjithë çka ka paralajmëruar Presidenti i Republikës është: Një agresion i ri ndaj mazhorancës së re, të krijuar nga vota e 1 milion shqiptarëve; antikushtetues, antiligjor dhe me qëllime të mirëfillta politike! Presidenti i Republikës duhet të kuptojë një herë e mirë se në 23 qershor shqiptarët mundën dhe atë! Ai ka qenë pjesë e kësaj qeverie që po ikën dhe në Presidencë u soll si një ministër plotësues i saj”, – akuzoi ai. Për deputetin e PS-së, kjo praktikë që pritet të ndjekë Presidenti për dekretimin e qeverisë së re është, “një dalje me vetëdije nga korniza kushtetuese e këtij vendi”. “Në cilin ligj bazohet ky veprim i paralajmëruar i Presidentit të Republikës? Ai nuk po i drejtohet një gjykate apo prokurorisë për të verifikuar, nëse ndonjë prej ministrave është dënuar apo jo për vepra penale të rënda; krim i organizuar, trafik, korrupsion apo vrasje. Po lë mënjanë faktin, që ligji për SHIK nuk parasheh në asnjë nen të tij, si veprimtari të tij, gjithë ç’kërkon prej këtij institucioni Presidenti i Republikës në këtë rast”, – theksoi Braçe. Një tjetër arsye që hedh poshtë sipas anëtarit të kryesisë së PS-së deklaratën e kryetarit të shtetit është: “hetimi penal në Republikën e Shqipërisë është atribut i prokurorisë së republikës. Presidenti i Republikës ka thënë se do t’i drejtohet SHIK-ut!! Jo një Prokurorie, për të verifikuar, nëse ndonjë prej ministrave është nën ndonjë akuzë për vepra të rënda penale; krim i organizuar, trafik, korrupsion apo vrasje. Atëherë gjithçka që thotë nga kjo pikëpamje, për herë të dytë është antikushtetuese. Në dijeninë time asnjë nga ministrat e shpallur në emër të mazhorancës nuk rezulton të jetë nën ndonjë akuzë për këto vepra e për të cilat m e anë të funksionit që do marrë do të pengojë hetimin”.

Çfarë tha Presidenti Nishani për dekretimin e qeverisë së re

Presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaroi tri ditë më parë në intervistën për emisionin “Opinion” se nuk do të pengojë dekretimin e qeverisë së re, duke shtuar se për ministrat e kabinetit do të marrë më parë konsultime me institucionet përkatëse të shtetit. “Jam njohur përmes mediave, sepse kanë qenë deklarata zyrtare të përfaqësuesve të mazhorancës së re qeverisëse për emrat, por natyrisht Presidenti i Republikës duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj procedurës dhe ligjit. Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë të paqenin; gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës. Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga mazhoranca konkrete”, – tha Nishani, duke theksuar se Presidenti i Republikës duhet t’i ndjekë të gjitha hapat ligjorë dhe kushtetues që e lidhin atë me një detyrë kaq të rëndësishme, sa ç’është dekretimi i një qeverie të re. Ndërsa sa i përket dekretit të Ramës si kryeministër i ri, Nishani ka theksuar kjo kandidaturë nuk do t’i nënshtrohet një verifikimit si ministrat, pasi sipas kreut të shtetit disa figura publike tashmë e kanë kaluar këtë fazë.

 

 

Posti i zv.kryeministrit

Peleshi jep dorëheqjen, Korça në zgjedhje për kreun e ri të bashkisë

Zv.kryeministri i ardhshëm Niko Peleshi ka dhënë dje dorëheqjen nga drejtimi i bashkisë së qytetit të Korçës. Duke iu drejtuar këshilltarëve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku tha se vendimi ka qenë i vështirë, por sfida që ka pranuar për të qenë pjese e ekipit të qeverisë së re është më e madhe. Peleshi ka falënderuar këshilltarët për bashkëpunimin pavarësisht përkatësive politike, teksa ka premtuar se do të rikthehet në Korçë, sa herë të ketë mundësi. “Vendimi për të ndërprerë këtë rrugë të përbashkët, për një arsye shumë të rëndësishme që e kalon orën dhe që ka të bëjë me zhvillimet kombëtare. Unë e kam pasur padyshim të vështirë, por sfida të cilën e kam pranuar është një sfidë e madhe, shumë e vështirë por shumë e bukur. Është e bukur pasi prek gjithë Shqipërinë dhe Korçën padyshim. Është një sfidë që do të japë prioritetin e duhur dhe unë e besoj këtë prandaj jam bërë pjesë e saj. Do i japë prioritetin e duhur zhvillimit urban, zhvillimit të qyteteve tona. Ne kemi fatin e mirë se si qytet jemi gati me projekte zhvillimi që presin vëmendjen, vullnetin dhe financimin. Por, më tepër sesa financimin presin vullnetin politik për tu bërë realitet. Kështu që nuk dua të marr këtu angazhime solemne, padyshim për qytetin e Korçës, që do jetë eksperienca më e bukur e jetës time, kudo që unë të jep, por padyshim që nëse quhet vlerësim emërimi në pozicionin e zëvendëskryeministrit, ky vlerësim nuk më takon mua por edhe ju. U takon qytetarëve të Korçës”, – theksoi në mesazhin e tij të fundit si kryetar bashkie Niko Peleshi. Dorëheqja e zv.kryeministrit të ardhshëm nga drejtimi i Bashkisë Korçë vjen 2 ditë para mbledhjes së Parlamentit të ri që do zyrtarizojë kabinetin qeveritar “Rama” të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku fitorja e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ bëri të mundur rikthimin e socialistëve në pushtet pas 8 viteve opozitë. Pas aktit të dorëheqjes së Peleshit, në qytetin juglindor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për kreun e bashkisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency