Hashim Thaçi pritet nga krerët e shtetit shqiptar dhe përfaqësues të opozitës

0
138

Florenc Drizari

Kryeministri i Kosovës takohet me Berishën, Nishanin, Ramën, Bashën dhe Metën

 “Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës mblidhen bashkë në Prizren”

 

Kryeministri-kosovar-Hashim-Thaci-dhe-ai-shqiptar-Sali-BerishaKryeministri i Kosovës Hashim Thaçi zhvilloi një ditë më parë një tur takimesh me krerët e shtetit shqiptar dhe atyre të opozitës. Gjatë takimit që ai pati me Kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, Thaçi i raportoi homologut të tij pjesë të diskutimeve që po zhvillohen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi me Nishanin

Gjatë takimit që Kryeministri i Kosovës zhvilloi me Presidentin e Republikës Bujar Nishanin, u vlerësua karakteri strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën.

Presidenti Nishani vuri në dukje se ka mbështetur në vazhdimësi bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete fqinje të pavarura e sovrane dhe përgëzoi klasën politike shqiptare të Kosovës për një përqasje racionale ndaj pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, duke pranuar logon e KQZ-së. Kryeministri Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Shqipërisë dhe nënvizoi vendosmërinë që Kosova të ecë në rrugën e reformave dhe integrimit euroatlantik.

Takimi me Berishën

Axhendën e takimeve të tij në Tiranë, Kryeministri i Kosovës e nisi me kreun aktual të ekzekutivit Sali Berisha, ku ky i fundit përgëzoi Thaçin për marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. “E përgëzova përzemërsisht për marrëveshjen, apo procesin e Brukselit me të cilin, po hapin një kapitull të ri në drejtim besoj të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor , të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe shqiptarëve dhe serbëve. Thaçi ka dëshmuar një shkallë të lartë përgjegjshmëriee dhe vendosmëri të madhe që procesi të konkretizohet me sukses. Për shqiptarët marrëveshja e Brukselit e një rëndësie të madhe”, – u shpreh Berisha. Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës theksoi faktin se ishte në Tiranë në një vizitë miqësore për të falënderuar mikun e tij Berisha, për bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë mandatit të tij 8 vjeçar në qeveri. “Kryeministri Sali Berisha ka bërë një punë të madhe për njohjet e Kosovës. Një falënderim i veçantë i shkon Kryeministrit Berisha për ndërtimin e Rrugës së Kombit”, – u shpreh Thaçi.

Takimi me Ramën

Në nëntor të këtij viti në qytetin e Prizrenit do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes qeverisë së re të majtë në Shqipëri dhe ekzekutivit të shtetit të Kosovës. Kështu bënë të ditur dje Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama dhe kreu i ekzekutivit të Kosovës Hashim Thaçi pas takimit që zhvilluan në selinë e PS-së, duke theksuar domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. “Unë dhe një pjesë e ministrave do të zhvillojmë një vizitë në Prishtinë sapo të formalizojmë qeverinë. Do zhvillojmë një takim dypalësh të përbashkët që do ta kthejmë në një institucion për t’i dhënë shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh”, – tha Rama. Në të njëjtin kontekst, Thaçi pohoi: “Mbledhja e dy qeverive tona do zhvillohet në nëntor, në Prizren. Do punojmë bashkërisht dhe për Shqipërinë Evropiane dhe për Kosovën Evropiane”.

Takimi me Metën

Kryeministri i Kosovës, u takua dje edhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në konferencën e përbashkët për mediat, Kryeministri i Kosovës vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me zotin Meta, duke i shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Thaçi e cilësoi kreun e LSI-së si bashkëluftëtar të betejave për çlirimin e Kosovës. “I jam shumë mirënjohës zotit Meta për angazhimin e tij personal, të pakursyer e të jashtëzakonshëm në mbështetje të përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Roli i zotit Meta për lirinë e Kosovës është i çmueshëm dhe respektohet prej qytetarëve të Kosovës”, – deklaroi Thaçi.

 

 

BOX

Kreu i PD-së, Basha: PD, mbështetje Kosovës edhe në opozitë

Axhenda e takimeve të Kryeministrit të Kosovës në Shqipëri, Hashim Thaçit, pas krerëve të shtetit vijoi me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Në këtë takim u rikonfirmua mbështetja e demokratëve për Kosovën. “Patëm rasti të shqyrtojmë disa çështje të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve, diskutuam për detyrën time të re, por rolin e opozitës së re në parlament, për rolin dhe vizionin që do kemi për Kosovën dhe integrimin evropian të Kosovës dhe Shqipërisë dhe evropianizimin në tërësi të Rajonit. Sigurova Thaçin që nuk do mungojë bashkëpunimi nga PD edhe në opozitë”, – tha Basha. Duke u ndalur tek marrëveshja e Kosovës me Serbinë, kreu i selisë blu pohoi: “Marrëveshje historike që hap një kapitull të ri për gjithë rajonin provë e qartë e forcës dhe besimit që Kosova ka krijuar në vite”. Ndërsa Thaçi në fjalën e tij vlerësoi rolin e Bashës në njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe në ndërtimin e rrugës së Kombit. “Takohem me mikun Basha, Kryetarin e Bashkisë, liderin e ri të opozitës shqiptare. E përgëzova për punën e bërë në bashki, e falënderoj për angazhimet e tij në ndërtimin e rrugës së Kombit, për punën e tij të palodhshme si ministër për njohjen e Kosovës. E urova për zgjedhjen në krye të PD, kam besim të plotë për të ardhmen e Shqipërisë, ka qenë në krye të përgjegjësive për liberalizimin e vizave”, – tha Thaçi.

 

Zgjedhjet e pjesshme

KQZ shpall pas dy ditësh rezultatin zyrtar për komunat Dardhas dhe Rrethina, PS kërkon riformatimin

Kandidati i LSI-së Genci Hamollari, fitoi në Komunën Dardhas dhe kandidati i PS-së, Luan Harusha, fitoi në Rrethina të Shkodrës

Shtatë ditë pas mbylljes së zgjedhjeve të pjesshme vendore në dy komunat, Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, KQZ pritet të shpallë zyrtarisht fituesit të hënën e ardhshme. Sipas rezultateve paraprake, në dy komunat u shpallën fitues kandidatët e koalicionit të majtë, PS-LSI.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet paraprake ku kandidati i LSI-së, Genci Hamollari, u shpall fitues në Komunën Dardhas me një diferencë prej 1138 votash ndaj rivalit të tij, kandidatit të Partisë Demokratike, Gentian Peres, ndërsa kandidati i PS-së, Luan Harusha, rezultoi fitues në zgjedhjet në Komunën Rrethina të Shkodrës. Ai mori 4411 vota ndaj rivalit Ridvan Guri, mori 1402 vota.

Zgjedhjet në komunat Rrethina dhe Dardhas kryesisht e zhvilluan të rregullta edhe pse në terren u raportuan disa incidente në qedrat e votimit në Korçë, ndërsa procesi i numërimit të votave në Shkodër filloi në mesnatë. Përpos kësaj, KQZ në orët e para të mëngjesit të datës 2 shtator, shpalli rezultatet paraprake; një risi kjo për administratën e KQZ-së, pacaka se për rezultatet e shpjejta ndikoi edhe numri i vogël i pjessmarrësve në votime.

QËNDRIMET E PS –LSI DHE PD

Ndërkohë, edhe pse zgjedhjet e pjesshme nuk patën kontestime nga palët, më herët përfaqësues ligjor të PS-së janë shprehur me kritika ndaj punës së administratës së KQZ-së, kryesisht me përbërjen e anëtarëve të komisionit. Përfaqësues të PS-së i kanë cilësuar si “vendimmarrje politike” disa qëndrime kyçe të KQZ-së në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për këtë, ata kanë mbështetur qëndrimet për rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rikompozimi i KQZ-së është ringritur si çështje pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kryesisht nga socialistët, ndërkohë që demokratët i kanë kundërshtuar këto qëndrime, duke bërë thirrje që të plotësohen vendet e mbetura bosh nga koalicioni i majtë, ose të propozohen anëtarë të rinj prej tyre. Një qëndrim pro rikompozimit të KQZ-së është mbajtur edhe nga përfaqësues të LSI-së, por kjo çështje sipas tyre, nuk është parësore me fillimin e punës së qeverisë së re. Përbërja e KQZ-së sipas nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, duhet të rishikohet me përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, ku kanë ndryshuar edhe raportet mes dy koalicioneve të PD-së dhe PS-së.

ANËTARËT E KQZ-SË

Në kundërshtim me disa qëndrime publike të mbajtura nga përfaqësues të së majtës qoftë në KQZ, por edhe jashtë saj për rikompozimin e komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor, janë shprehur vetë anëtarët e këtij komisioni. Hysen Osmanaj dhe Klement Zguri, kanë deklaruar se mazhoranca e re qeverisëse duhet të plotësojë vendet e mbetura bosh që pas dorëheqjes së tri anëtarëve të majtë që në muajin prill të këtij viti. Sipas tyre çdo vendim tjetër është në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Në mbështetje të qëndrimeve të tyre kanë dalë edhe disa ekspertë zgjedhor, por kjo çështje pritet të rishitet nga mazhoranca e re socialiste, e cila aktualisht prej gati pesë muajsh ndodhet e papërfaqësuar me anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency