Qeveria miraton vendimin për shpronësimin e pronarëve

0
186

Zonat ku do të kryhet shpronësim i plotë dhe ndërtimet që do të shpronësohen në kushtet “pa leje ndërtimi”

Pronarët e tokës do të përfitojnë rreth 912 milionë e 622 mijë lekë

 

GrimshawDo të jenë 204 objekte, të cilat do të shpronësohen me vendim qeverie. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi listën e objekteve që do të preken nga zgjatimi i bulevardit të Tiranës. Vendimi “Për shpronësimin për interes publik të pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, faza I”, në Bashkinë e Tiranës, u miratua ditën e djeshme në mbledhjen e qeverisë. Zbatimi i këtij projekti paraqitet i një rëndësie vitale për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së kryeqytetit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies dhe të zhvillimit të vrullshëm ekonomik të Bashkisë Tiranë. Bashkia e Tiranës paraqiti pranë Ministrisë së Brendshme kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive të paluajtshme që preken nga ky ndërtim. Për vënien në zbatim të projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza I, në Bashkinë e Tiranës, pas analizës teknike të kryer nga grupet teknike të punës të ngritura pranë Bashkisë së Tiranës, është konstatuar nevoja për shpronësimin e pasurive troje në pronësi private me sipërfaqe totale prej 38.642 m² dhe 204 objekteve të ndërtuara, në pronësi apo posedim privat. Referuar informacionit zyrtar dhe verifikimeve në terren të kryera nga grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Tiranës me qëllim kontrollin, evidentimin dhe vlerësimin e masës së shpërblimit për objektet e banimit, objektet industriale dhe bujqësore, janë identifikuar si pasuri private të domosdoshme për t’iu nënshtruar procedurave te shpronësimit për interes publik, pasuri troje pronë private gjithsej 38.642 m², të ndodhura në Zonat Kadastrale 8340 dhe 8330.

Objektet që preken

Referuar informacioni zyrtar dhe bashkëpunimit institucional midis Bashkisë së Tiranës dhe ALUIZNI, është konstatuar se nga zbatimi i projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza I, preken 204 objekte ekzistuese, të cilat janë në pronësi apo posedim privat. Ndërsa llogaritjet e sipërfaqeve të ndërtimit në objektet e identifikuara si objekte që do t’i nënshtrohen shpronësimit, janë kryer nga grupet e punës bazuar në matjet metrike në terren, si dhe përllogaritjet matematikore dhe grafike. Pas shqyrtimit të dokumentacionit u arrit në konkluzionin se: – Për sipërfaqen prej 38.642 m² truall, vlerësuar me çmimin 26.137 lek/m² të ZK 8330, si dhe 23.217 lek/m² të ZK 8340, me vlerë totale 912.622.642 lekë. Ndërsa për 204 objekte, sipas matjeve në terren nga grupet e punës, bazuar në çmimet e Entit Kombëtar të Banesave, vlera totale është 844.853.879 lekë. Në kushtet kur zbatimi i projektit shtrihet në një zonë urbane kryesisht informale, pjesa më e madhe e objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të shpronësimit kanë statusin “objekte të ndërtuara pa leje”. Fondi për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga Bashkia e Tiranës.

 

            

Bashkia, ndryshon vendqëndrimi i autobusëve pranë stacionit të trenit, ja ku do të vendosen

Për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri, stacioni i autobusëve ndërqytetas do të zhvendoset nga sheshi pranë stacionit të trenit. Duke filluar nga sot, datë 6 shtator, stacionimi i autobusëve ndërqytetës në sheshin pranë stacionit të trenit do të ndërpritet në mënyrë përfundimtare. Deri në ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve, stacionimi i autobusëve ndërqytetës do të zhvendoset në sheshin që ndodhet në rrugën “Dritan Hoxha”, me drejtim Tiranë-Durrës, 250 metra nga rrethrrotullimi i sheshit “Karl Topia”. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, për të nisur sa më parë punimet për ndërtimin e bulevardit të ri i cili është dhe projekti më i rëndësishëm i 70 viteve të fundit për kryeqytetin. Realizimi i këtij projekti do të sjellë një impakt të rëndësishëm, në zhvillimin ekonomik, do të nxisë punësimin dhe përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve.

 

Zhdukja e fëmijëve romë, Avokati i Popullit: Nuk jam përfshirë

Avokati i Popullit i hedh poshtë të gjitha akuzat që e shohin emrin e tij të lidhur me shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian për romët. Sipas Igli Totozanit, e gjithë kjo atmosferë e krijuar nuk është aspak e vërtetë dhe nuk i shërben shoqërisë. Avokati i Popullit theksoi se akuzat mbështeten në fakte të pavërteta teksa bëri apel që debati duhet të fokusohet të zgjidhjen e çështjes Rome. KE, sipas Avokatit të Popullit, duhet të japë përgjigje nëse janë vjedhur fondet apo jo që na ka dhënë KE-ja. “Shpesh opinionet, diskutimet e politikes janë gjëra pozitive, është ë nevojshme qe e vërteta të lindi nëpërmjet debatit, por tek ne zhvillohen debate mbi të dhëna jo të vërteta, si pasoje këto pështjellohen ne acide, gaze, zjarre që nuk i shpërbejnë as të vërtetës dhe as Shqipërisë. Përpara se të nisnin debate të tilla, pyetjet duhet t’i drejtohen KE-së, KE duhet të japë përgjigje nëse janë vjedhur fondet apo jo që na ka dhënë KE-ja. Debati duhet të jetë se çfarë duhet të bëjmë ne për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të ndihmohen ata shqiptare që jetojnë në kushte të vështira, disa jetojnë edhe jashtë, rrugëve, ky duhet të jetë debate që duhet të bëjmë ne, kjo është përgjegjësi e jona, e Ministrisë së Punës, Arsimit”. Këto deklarata Avokati i Popullit, Igli Totozani i bëri gjatë një takimi në zyrën e tij me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffman.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency