Mbyllet merkatoja, shpallet “mbreti” dhe “dështakët”

0
140

Jurges Veizaj

 

bale_neymar_dentro_getty100313

Sezoni veror i merkatos u mbyll në datën 2 shtator. Duhet thënë që ishte një merkato që gumëzhinte, por që disa prej tyre ishin thjesht shumë zhurmë për asgjë. Por mbrëmja e së hënës i dha fund sezonit veror të transferimeve për vitin 2013. Këta dy muaj qenë të mbushura me shume spekulime dhe marrëveshje por nuk duhen lënë pa përmendur edhe zhgënjimet, veçanërisht zhgënjimesh. Dita e fundit tregoi qartë se cila nga skuadrat përfituan më shumë nga ky afat veror dhe kush doli më shumë e humbur. Më poshtë do t’ju prezantojmë skuadrën që ishte skuadra më aktive dhe ato që zhgënjyen në emra.

Mbreti Real Madrid

Bejl ishte qershia me tortë për Realin këtë sezon transferimesh. Florentino Perez gjithmonë godet, e ka bërë më parë me Zidanin, Ronaldon, vazhdon të mahnisë edhe sot me Kristianon dhe Bejlin. Si skuadër galaktikët mbajnë rekordin e blerjeve me të shtrenjta (Kristiano Ronado 96 milionë euro, Gareth Bejl 91 milionë euro, Zinedin Zidan 75 milion euro). Përveç blerjes së uellsianit spikasin edhe senatorët e talentuar spanjollë (Isko, Karvahal, Irralamendi). Por përveç përforcimeve te Reali këtë vit është një risi. E ardhmja e tyre varet nga lojtarët e rinj dhe të freskët, që janë të uritur për të fituar. Këta janë brezat e viteve ‘90, si: Isko, Naço, Karvahal, Morata, Kasemiro dhe Hese që do të jetë 6-shja përfundimtare e skuadrës së parë të “Los Blancos” për sezonin e ri. Dy prej tyre të sjellë nga merkatoja, ndërsa pjesa tjetër nga kantina. Të gjithë kanë lindur ndërmjet viteve 1990-1993.

Vlen të shtohet në këtë listë edhe Varane, që gjithashtu ka lindur në vitin 1993, dhe është drejt hapit të tij përfundimtar për të konsoliduar pozicionin e tij në skuadër si qendërmbrojtës. Ançelotti do të veprojë si trajner dhe mësues së bashku me ndihmën e lojtarëve veteranë, në mënyrë që ta pajisë skuadrën me pjekurinë e nevojshme që duhet për të arritur suksesin. Ai ka shumë përvojë dhe do të jetë strategu i përsosur për të krijuar armatën e suksesit. Duke qenë strikt ai u jep lojtarëve atë që meriton.

Trajneri italian duhet të jetë i lumtur me gjithë këtë arsenal që ka dhe shpreson se do të sjelli në “Bernabeu” trofeun e 10 të Champions-it. Disa nga lojtarët e larguar janë Ozil, Higuain dhe Kaka.

 

Dështakët

Ndryshe nga Reali, disa skuadra të tjera të mëdha evropianë nuk kanë pasur të njëjtën performancë. Jo për mungesë të fondeve, por kanë menduar t’i besojnë skuadrës që kanë, duke shtuar vetëm pak përforcime.

Mançester Junajtid

Djajtë e kuq gjatë kësaj merkatoje u panë si të pafat. Të gjithë lojtarët patën objektivat e tyre, por asnjëri prej tyre nuk dëshiroi t’i bashkohej David Mojesit. Djajtë e kuq mund të thuhet se ngelën me gisht në gojë dhe u duhej që në fund të merkatos të gëzoheshin vetëm me blerjen e belgut shumë të kërkuar Mauren Felaini. I pari në listën e tyre ishte Tiago Alkantara, që u kërkua me ngulm që në fillim të korrikut, por spanjolli zgjodhi ish-teknikun e tij, Pep Guardiola, i cili i hapi dyert në ekipin e parë të Barçës kur ishte vetëm 17 vjeç. Më shumë sesa skuadrën e Bajernit ai zgjodhi trajnerin për t’i dhënë mundësinë vetes që të punonte dhe një herë më Pepin. I dyti ishte katalanasi tjetër Çesk Fabregas, për të cilin Mojesi e shpalli hapur interesimin. Ish-mesfushori i Arsenalit nuk e tradhtoi zgjedhjen e tij për fanellën katalanase, pasi nëse ai do të largohet ajo skuadër do të jetë vetëm Arsenali. Tjetër dështim në transferim ishte spanjolli Ander Herrera i Atletik Bilbaos, për të cilin duheshin edhe 6 milionë euro më shumë për t’i prishur kontratën me klubin bask (lojtari vlerësohej 36 milionë). Talenti i Atletikos i ka të gjitha mundësitë për të qenë yll i së ardhmes por ai do të presë edhe pak para se të lëvizë te një klub i madh. Ai që duket se i dha goditjen përfundimtare, ishte Lejgton Beins. Lojtari që luan në krah me Evertonin, ishte një nga lojtarët që kërkohej më shumë nga Devid Mojesi (bashkë me Felainin), por që në fund zgjodhi që t’i bashkohej legjendarëve të Liverpulit. Tjetër dështim i orëve të fundit për djajtë e kuq ishte Fabio Kontrao. Junajted provoi në orët e fundit të merkatos ta merrte në huazim, por asgjë nuk u konkretizua. Portugezi lëvizi por jo ne drejtim të Mançester. Kështu Junajtid e mbylli merkaton me vetëm dy blerje, uruguaianin Guljermo Varela dhe belgun Mauren Felaini.

 

Paris Sen Zhermen

Parisienët, të kripur, por pa ide. Blerja e Edinson Kavanit për shifrat e 64 milionë eurove, nuk ua rregullon statusin klubit parisien. Francezët dolën humbës nga kjo betejë. Klubi brenda dy muajve humbi drejtorin sportiv Leonardon, i cili u skualifikua nga Gjykata Sportive, si dhe trajnerin Karlo Ançeloti, i cili u largua për tek Reali i Madridit. Blerja e mbrojtësit brazilian Markinjos për shumën e 35 milionë eurove, u vlerësua si shumë e lartë për një mbrojtës që nuk ende nuk jep shumë garanci për shkak të moshës dhe moseksperiencës. Ardhja e Lorent Blank nuk duket se ka dhënë shumë garanci, këtë e treguan ndeshjet e para në ligën franceze, ku PSG u lodh shumë për të marrë disa rezultate. Nga ana tjetër largimi i Mahmadu Sakos për tek Liverpuli ishte një tjetër bilanc negativ për skuadrën parisiene, që tani e tutje ka vështirësi për të rreshtuar formacionin, me Lavecin, Pastoren dhe Menezin të detyruar për të luajtur në role të ndryshme.

 

Milan

Milani vazhdon të stepet. Adriano Galiani në ditët e fundit, ashtu sikurse e ka zakon, bëri lëvizjet e merkatos. Lëvizje që panë të largohej Kevin Prins Boateng për tek Shalke 04 dhe të afrohej menjëherë Alesandro Matri. Më pas si për surprizë rikthehet Kaka. Nga ana tjetër kuqezinjtë sigurojnë dhe Valter Birsën. Por ajo çka e bën Milanin dështak në këtë sezon veror të transferimeve, është fakti se të gjitha lëvizjet u bënë në repartin e sulmit dhe mesfushës. Blerjet e Andrea Polit dhe Saponarës vënë në dyshim projektin që ka Milani. Nga ana tjetër reparti i mbrojtjes është pothuajse i shkatërruar, me Bonerën e dëmtuar dhe Mekses e Zapata që nuk japin shumë garanci, gjë që e tregoi ndeshja kundër Veronës, Milani nuk tregohet i zgjuar dhe efikas por qëndron pasiv dhe mendon vetëm për disa pika duke lënë pas dore fazën mbrojtëse. Vendim i gabuar i djajve që duhet të mendojnë në Janar për një zgjidhje.

 

Barcelona

Barça e madhe, por nuk sjell emra të rinj. Katalanasit edhe këtë sezon nuk sollën një fytyrë të re në qendër të mbrojtjes. Blerja e Nejmarit dha idenë se Barça do të bënte “revolucion” dhe u krijua përshtypja se po bënin një merkato të fortë, por dështimi në afrimin e emrave të mëdhenj në mbrojtje është ajo çka e bën Barcelonën dështake për këtë sezon të merkatos verore. Gjendja e Pyjolit, më shumë në infermieri sesa në fushë, bën që Barça t’ia besojë qendrën e mbrojtjes, Havjer Maskeranos. Për mbrojtjen Barca dështoi në objektivat që vuri këtë merkato. Tiago Silva nuk pranoi të ndërronte skuadër, duke i ofruar Parisit besnikëri me shtyrje të kontratës. Ndërsa për David Luiz dukej se lëvizja ishte kot për dy arsye. E para sepse Murinjo nuk mund ta lëshonte mbrojtësin për shkakun se forma e lojtarit është shumë e mirë. Dhe e dyta sepse 40 milion euro sipas Abramoviç nuk mjaftojnë. Të dy brazilianët e treguan qartazi se nuk i tërhiqte shumë fanella pasi u mungonte siguria në përshtatjen me lojën atje, pasi të luash tika-taka ajo kërkon kohën e vet, dhe kjo mund t’i vinte në pikëpyetje prezencën në kombëtaren e Brazilit për Botërorin e vitit të ardhshëm. Kështu Barcelona përballë rivalit historik, Realit të Madridit, duket se është e pa-mbrojtur, gjithçka do të shihet në përballjet e para. Barcelona është në formë por a vallë i bën ballë galaktikve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency