Standard.al

Rindërtimi i Kosovës – nëpërmjet degradimit

Milazim Krasniqi

 

Rindërtimi dhe ndërtimi i Kosovës (1999-2013) pas gjymtimit të saj nga okupimi klasik dhe nga agresioni ushtarak i Serbisë (1990-1999) ka ndjekur një rrugë plot paradokse, të cilat kanë prodhuar zhgënjimin që dëgjohet sot si zëri më i thekshëm në kakofoninë e jetës sonë shoqërore, si zëri i pashpresë i ikanakëve në kampet e Hungarisë. Ja si duket shkurtimisht kjo rrugë katërmbëdhjetëvjeçare e rindërtimit/ndërtimit të vendit nëpërmjet paradoksesh, që kanë prodhuar edhe rrugën e re drejt kampeve të Hungarisë.

Vendi i rërës së plaçkitur, guroreve dhe sharrave asgjësuese

1. Rindërtimi i shtëpive të shkatërruara dhe ngritja e shtëpive të reja filloi duke shkatërruar shtretërit e lumenjve. Sot, disa nga lumenjtë e vendit, veçmas Drini i Bardhë, janë shëmtuar aq keq sa vende-vende nuk dihet as se ku është shtrati i tyre. Ky shkatërrim ka ndikimin e vet në ambient, në jetën e gjallesave të lumenjve dhe në mikroklimën e vendit. Rehabilitimi i këtyre lumenjve të shëmtuar e të shkatërruar ende nuk është në planet e shtetit.

2. Bashkë me prishjen e shtretërve të lumenjve, gjithnjë në emër të rindërtimit të vendit, filloi edhe hapja e guroreve përkatësisht shkatërrimi i pakontrolluar i disa peizazheve dhe bjeshkëve të vendit, të cilat sot duken si fantazma. E vërtetë apo jo, doli fjala se shumica e këtyre guroreve janë prona të njerëzve të fortë, që pjesëmarrjen në luftë e bënë kalë beteje të fuqisë së tyre politike e ekonomike në Kosovën e pasluftës. U krijua perceptimi se ata që janë aq të fortë sa të rrëzojnë bjeshkët pa i marrë kujt leje, mund të thyejnë edhe kocka dhe kafka, prandaj më mirë është të mos u gjendesh në udhë, edhe nëse u shkrepet që të hapin gurore në pronën tënde. Pra, guroret prodhuan edhe frikën nga reputacioni hijerëndë i gurthyesve, duke e degraduar edhe respektin për të kaluarën.

3. Edhe sharrat janë inkuadruar me tërë potencialet e veta në këtë shkatërrim të pasurisë kombëtare e të ambientit, përmes rindërtimit e ndërtimit të vendit, sepse kanë shkretëruar e janë duke shkretëruar disa nga malet qindravjeçare të Kosovës. Duket se edhe ato janë pjesë e zinxhirit të bizneseve që identifikohen me :njerëzit e fortë”, sepse punojnë në pikë të ditës, (shumica pa e paguar as energjinë elektrike që shpenzojnë në mënyrë enorme) ndërsa askush nuk ua prishë terezinë.

 

Vendi i automjeteve dhe naftës së kontrabanduar   

 

4. Bashkë me këtë rindërtim dhe ndërtim kaotik, erdhi edhe vala e veturave të vjetra, që ndotin keqas ambientin dhe që me tymnajën që lënë pas, të zënë frymën. Në fillim ato u futën në vend me lejen e Bajram begut e më vonë importimi i veturave të vjetra u fut brenda kuadrit ligjor, për të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Rreziku në rrugë nga këto vetura shkatarraqe është shumë i madh, sepse edhe kompanitë e kontrollit teknik, më të shumtën janë të licencuara ose me kriterin e meritave në luftë, ose të lidhjeve korruptive. Prandaj, kontrollet janë sa për sy e faqe dhe veturat dalin në rrugë pa qenë në gjendje të rregullt. Nga ana tjetër, sot anekënd Kosovës mund të shihen me dhjetëra varreza të veturave të vjetra, që kanë zënë toka buke dhe kanë nxirë ambientin si mos më keq. Por, lehtësia e padurueshme e qarkullimit të veturave të vjetra e shkatarraqe, të cilat mund t’i blejnë edhe ata që nuk kanë as brekë, është pjesë e politikave buxhetore të vendit. Duke mos lënë të zhvillohet trafiku publik e duke i detyruar qytetarët që të kenë gjithsecili veturë, çfarëdo qoftë veture, planifikuesit e politikave buxhetore mundësojnë që të hyjnë më shumë para në buxhet edhe nga importimi i veturave të vjetra e edhe nga akciza e naftës. Pra, mbushja e arkës së shtetit është e varur nga këto vetura shkatarraqe dhe nga qarkullimi i tyre i çakërdisur nëpër rrugët e vendit tonë! Edhe me çmimin që paguhet me jetët e njerëzve e edhe me çmimin e kontaminimit të ambientit!

5. Autobusët që qarkullojnë nëpër qytetet dhe rrugët e Kosovës, veçmas ata në rrugët e Prishtinës, janë si të ishin vjedhë nga muzetë, ku do të duhej të ekspozoheshin si relikte të një kohe të kaluar. Kësi autobusësh mund të shihen vetëm në ndonjë qytet të Pakistanit e të Bangladeshit. Udhëtimi pa asnjë komoditet i qytetarëve të tërë Kosovës e veçmas të atyre kryeqytetas, është epilogu i vetëm i këtyre autobusëve shkatarraqë. Por, edhe ata rezultojnë si një vlerë e madhe për buxhetin e shtetit, sepse duke qenë jokonkurrentë dhe joefikas, ata kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të shtetit nga nafta që harxhojnë veturat shkatarraqe.

6. Kur është fjala për naftën, edhe ajo është e kudondodhur, si veturat shkatarraqe, sepse janë ngritur pika karburanti gjithandej, me leje e pa leje, vetëm e vetëm që të harxhohet sa më shumë karburant e rrjedhimisht të mblidhen sa më shumë para në buxhetin e varfër të shtetit!

 

Vendi i ideve anarkiste dhe çartiste  

 

7. Një mënyrë paradoksale e rindërtimit dhe e ndërtimit të vendit ishte edhe heqja dorë nga mbledhja e mirëfilltë dhe me konsekuenca ligjore e taksave për shërbimet. Shfrytëzimi i energjisë elektrike dhe i ujit pa i paguar, nga një pjesë e madhe e shfrytëzuesve, vazhdon edhe katërmbëdhjetë vjet pas çlirimit të vendit dhe pesë vjet pas pavarësimit të tij! Këtu paradoksi është tipik kosovar, sui generis: bashkësia serbe nuk i paguan shërbimet sepse nuk e njeh shtetin, ndërsa shumë shqiptarë shmangen nga pagesa me lloj-lloj arsyetimesh, ndër to edhe të meritave në çlirimin e vendit! Pra edhe ata që nuk e njohin shtetin edhe ata që thonë se e kanë bërë shtetin, nuk paguajnë për shpenzimin e energjisë elektrike, të ujit e të bërllogut. Në këso rrethanash, kompanitë që ofrojnë shërbime, as nuk kanë plane zhvillimore as nuk kanë përgjegjësi para qytetarëve, si kushdo që punon badihava. Tash kanë kaluar edhe në tallje ndaj qytetarëve që paguajnë shërbimet, siç bën ujësjellësi rajonal “Prishtina” i cili për mungesë të furnizimit me ujë, akuzon keqpërdoruesit anonimë, thua se nuk e ka obligim vetë kompania që të mirëmbajë kapacitetet e veta në bashkëpunim me organet e drejtësisë. Cinikët do të thoshin se zhvillimi i vendit po mundësohet pikërisht nga këto reduktime të ashpra të ujit, sepse qytetarët e pandërgjegjshëm, duke i ujitur kopshtet e veta, në fakt po ndihmojnë në rritjen e prodhimtarisë së perimeve në vend.

8. Elementë i rëndësishëm i këtij rindërtimi dhe ndërtimi të Kosovës përmes shkatërrimit është edhe deindustrializimi i dhunshëm i vendit me politikat e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut (merreni me mend që ajo udhëhiqej nga Bashkimi Evropian!!!) menjëherë pas çlirimit të vendit. Mbyllja e fabrikave që ishin duke prodhuar, privatizimi i tyre për një copë bukë, ndërrimi i destinimit, ka lënë me mijëra njerëz pa punë dhe buxhetin e shtetit pa miliona euro. Mbaj mend se si Bernard Kushneri, hipur në një kamionçinë për pastrimin e borës, pati thënë se nuk do të lejonte aktivizimin e fabrikave ekzistuese, sepse nuk e donte “kthimin në ekonominë komuniste”. Pse gënjente aq keq ai farë burri se rifillimi i punës së fabrikave ekzistuese do të thoshte kthim në ekonominë komuniste?! Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Mali i Zi nuk i mbyllën e nuk i tjetërsuan fabrikat, po i vunë në funksion, i transformuan më vonë përmes privatizimit, pasi ua kishin shtuar vlerën dhe ashtu e ruajtën një dinamikë të zhvillimit ekonomik të shteteve të reja të pavarura. Kurrfarë rikthimi në “ekonominë komuniste” të Kushnerit, nuk u ndodhi.

9. Në këtë skemë të shkatërrimit përmes privatizimit hyn edhe shitja e tokës së ish kooperativave e kombinateve bujqësore, me çmime tmerrësisht të lira edhe lënia e tyre djerrë nga pronarët e rinj. (Disa dhjetëra hektarë të një ish kooperative bujqësore, që janë privatizuar në fshatin tim, vazhdojnë të jenë toka të djerra, ndërsa unë e mbaj mend se prej tyre merreshin me tonelata luledielli.)

11. Ndërtimet e shtëpive të banimit dhe objekteve të ndryshme pa leje ndërtimi gjithandej Kosovës e veçmas në kryeqytetin e saj, përbëjnë kulmin e këtij rindërtimi/ndërtimi paradoksal të vendit, sepse janë shkatërruar e po shkatërrohen përditë pamjet e qyteteve e të fshatrave dhe toka e bukës ndanë rrugëve magjistrale. Kur është fjala për Prishtinën, ajo tashmë është shndërruar në një qytet ku rrënohen edhe objektet e trashëgimisë kulturore, gati si në vitet e egra të komunizmit jugosllav.

 

Vendi i qytetarëve të zënë peng nga liria

 

Ka edhe më shumë këso paradoksesh të rindërtimit e ndërtimit të vendit tonë përmes shkatërrimit e degradimit, por po më duket se edhe me kaq mjafton që të kuptohet ideja e këtij teksti se çfarë shteti jemi duke ndërtuar. Jemi duke ndërtuar një shtet, i cili në start është i dënuar të jetë i dështuar, sepse aty ku shkatërrohen lumenjtë, peizazhet e pyjet, aty ku nuk paguhen shërbimet e taksat, aty ku buxheti nuk nxitë prodhimin, aty ku shteti i të drejtës dhe shteti ligjor nuk kanë fuqinë imponuese, aty shtet të suksesshëm nuk mund të ndërtohet. Deri sot nuk ka bërë vaki.

Në një realitet të tillë, ku rindërtimi dhe ndërtimi i vendit bëhet pa projekt, pa bazë ligjore, pa etikë dhe pa dashuri për shtetin e ri, qytetarët ndihen dhe janë të pafuqishëm. Qytetarët e këtij vendi janë të zënë peng ndërmjet lirisë së fituar ndaj pushtuesit dhe uzurpimit të lirisë së tyre nga njerëzit e forte dhe “miqtë tanë”, që e kanë zëvendësuar shtetin. Më së keqi është se nuk ka asnjë forcë politike, intelektuale ose morale që mund t’i nxjerrë nga kjo pozitë. Pse? Sepse njerëzve të fortë u janë bashkuar “miqtë tanë” ndërkombëtar, ata që do të duhej të ndihmonin mëkëmbjen e shtetit të ri, me anën e imponimit të sundimit të ligjit. Por,“miqtë tanë” nuk kanë dashur të humbin kohë që të ndihmojnë ngritjen e një elite të mirëfilltë e kompetente, po e kanë ngritur atë me mjetet rrethanore, pra me ata që u janë gjendur para hundëve, me të ashtuquajturit njerëzit e fortë. Me ta ia kanë nisur nga e para rindërtimit dhe ndërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta, duke toleruar gjithçka në emër të këtij rindërtimi/ndërtimi dhe konsolidimi. Kaq thellë janë involvuar në punët e këtij vendi sa që tashmë janë bërë pjesë përbërëse e këtij projekti paradoksal të rindërtimit nëpërmjet degradimit. Por, ata vazhdojnë të jenë në të terur sepse nuk janë të zgjedhur, nuk kanë mandate, thjesht janë vetëm miq. Kaq shumë janë fshehur pas trupit të institucioneve të zgjedhura, saqë më askush nuk i kujton si vendimmarrës, (kujtojeni mënyrën e zgjedhjes së presidentes!) ndonëse ata janë vendimmarrësit e vërtetë edhe në Kosovën e pavarur. Por, me një ndryshim esencial nga koha e Kushnerit dhe e Shtyllës së Katërt të Bashkimit Evropian, kur ishin direkt të ngarkuar me mandat pushtetor. Tash pushtet zyrtar nuk kanë, po në shumë raste janë pjesë e organizuar… e krimit.

Paradoksi i tërë kësaj situate mund të kuptohet më qartë edhe nga një evokim i gjendjes së qytetarëve të Kosovës para katërmbëdhjetë vjetëve: ata ktheheshin masivisht në vendin e vet, paçka se shtëpitë i kishin të djegura dhe pasurinë të shkatërruar. Por, ata ktheheshin masivisht. Ndërsa tash po të njëjtit njerëz, katrëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të vendit, po ikin masivisht. Prej çkahit po ikin këta njerëz, kaq të dërrmuar e kaq të dëshpëruar? Thënë figurativisht, ata po ikin nga kjo mënyrë e rindërtimit të vendit nëpërmjet degradimit. E thënë ndryshe, po ikin nga vendi ku gradimi i degradimit është shndërruar në rregull.

 

 

 

Comments are closed.