Standard.al

Po e vlerësove veten, do ta qortosh veten

introspectionTë gjithë i njohim njerëzit që e kritikojnë vazhdimisht veten – gruaja tërheqëse që kërkon ngaherë ndjesë për pamjen e saj të papërkryer ose burri, i cili komenton për pavendosmërinë apo mangësitë e arritjeve të tija. Pjesë e qëllimit në shprehjen e këtyre vërejtjeve është që t’i pranosh gabimet e tua në sy të të tjerëve, kështu që njerëzit mos të të kritikojnë, ose të të japin pikë për përulësinë tënde. Por, duke i radhitur këto lloj pohimesh publike, në jetën praktike ato:

 

•           shihen shpesh si pohime acaruese nga njerëzit e tjerë.

•           zakonisht nuk i bindin të tjerët se ti qenkësh një person më i mirë.

•           tërheqin panevojshmërisht vëmendjen e tyre ndaj gabimeve të tua, të cilat ata edhe mund t’i shpërfillnin; dhe më e rëndësishmja nga të gjitha:

•           tentojnë ta riforcojnë pikturën që i bëre vetes si njeri i pavlerë.

Ky “vetëposhtërim’ verbal është një lloj manifestimi i dukshëm i vetëvlerësimit të ulët. Natyrisht, mund të supozosh se mbase kjo gjë edhe luftohet me anën e teknikave për “ngritjen e vetëvlerësimit”. Por zgjidhja më e mirë nuk qëndron tek e mësuara si të dërdëllitësh autokritika apo të praktikosh vetëlëvdata, pavarësisht se nganjëherë kjo mund të jetë e dobishme. Zakonisht, ngritja e vetëvlerësimit është antiproduktive. Është më mirë të çrrënjosësh çfarëdolloj sasie vetëvlerësimi – e lartë apo e ulët qoftë. Me fjalë të tjera, të pushosh së vetëvlerësuari.

 

Vetëvlerësimi i konsumuar

Shpesh, dëshira e një personi për vetëvlerësim lidhet me miratimin prej një personi tjetër – shokut të jetës, prindërve, etj. Tara, një zonjë mjaft tërheqëse 41-vjeçare punonte si sekretare ekzekutive te një firmë reklamash në Medison Square. Ajo kishte një vajzë në shkollën e mesme dhe një djalë në shkollën fillore. Ishte grua e gjatë, e hollë dhe mund ta merrje për modele. Ndonëse gjatë bisedës e përmendi se kënaqej të shtunave mbrëma, kur dilnin jashtë me të shoqin dhe një çift tjetër, në më të shumtën e kohës më zbrazi një litani problemesh e ndjenjash të zymta.

– Nervozohem për çdo gjë dhe pastaj më kap dëshpërimi. Shqetësohem për sëmundjet dhe po ashtu për situata të ndryshme në punë. Më gërryen nga brenda zilia ndaj grave të tjera që kanë ndonjë gjë më të mirë se ç’kam unë. Nuk dua të takoj njerëz të rinj. Nëpër dasma, apo kur shoh filma, më dalin fare kollaj lot dhe e urrej përherë veten që qaj. Dëshiroj vazhdimisht të isha tjetër njeri. Ndihem si ndonjë qaramane. E urrej pamjen sesi dukem. Nuk qetësohem dot dhe ndihem e frikësuar nga bosi im.

Toni i zërit të sugjeronte se Tara e përbuzte shumë veten, gjë të cilën ajo qe gati ta vazhdonte edhe më tej.

– Duken si shumë gjëra për tu marrë me to, – e ndërpreva unë. – Nga të tëra këto, cila duket se të ka shqetësuar më shumë këto ditë?

– Vështirë ta them. Mendoj se janë marrëdhëniet me tim më, kur vjen e rri me neve. Ajo është shumë kritikuese dhe zakonisht e ka drejtpërdrejt me mua. Ja, p.sh. natën e kaluar, ajo po ankohej se shtëpia qe rrëmujë. Unë e di se mund ta bëj më mirë pastrimin e shtëpisë, por thjesht nuk kam kohë. Ime më s’ka shkuar kurrë në ndonjë punë, kështu që e ka patur tërë kohën e nevojshme për ta mbajtur dritë shtëpinë. Por në një farë mënyre e ndiej se ka të drejtë. Unë DUHET ta mbaj vërtet shtëpinë të pastër e të rregullt. Nuk e ndjej asnjëherë veten rehat në një shtëpi të rrëmujshme.

– Le ta zëmë, sikurse thoni, se në shtëpinë tuaj ka rrëmujë të madhe.

– Kjo është e lehtë.

– Dhe ti je e dëshpëruar nga kjo.

– Po, jam.

– Kjo do të thotë se diku në shtëpi ju keni një DUHET.

– E keni fjalën për: “Unë DUHET të kem një shtëpi të pastër?

– Pikërisht!

– Unë mërzitem shumë kur shoh pluhura apo rrangullina nëpër shtëpi, – pranoi Tara. – Ndihem edhe vetë si plehrë.

– Po le të supozojmë më të keqen, se ju jeni vërtet një amvisë e çrregullt shtëpie. Kjo është vetëm një nga aspektet e jetës suaj. Ama, nga kjo nuk rrjedh se në tërësinë tuaj si person, ju nuk qenkëshit grua e mirë.

– Por unë s’jam e mirë për asgjë. Me fëmijët jam nënë koti. Ata nuk janë me aq personalitet sa fëmijët e Maritës, pa le që edhe në punë po bëj gafa përherë, aq sa ka raste kur e qelb fare.

– Ta zemë sikur të gjitha këto janë të vërteta – por unë dyshoj se në vetëgjykimet tuaja ju kërkoni të përkryerën – ju prapë keni ende forca për të ndryshuar. Dhe kjo forcë është një nga aspektet e juaja. Po ta vini në përdorim e të përmirësoni disa prej këtyre fushave, atëhere do të keni gjëra shtesë, ku spikat aftësia juaj. Për më tepër, në të ardhmen mund të zbuloni aktivitete të tilla, të cilat s’i keni provuar kurrë më parë dhe nga ato do ta kuptoni shpejt se e keni një farë talenti.

I tregova Tarës edhe arsyen tjetër se, të bëje gabime s’do të thoshte se ishe njeri fare kot. Thjesht fakti se ajo kishte arritur të mbijetonte, se nuk kishte pësuar kurrë aksidente automobilistike, se nuk e kishte helmuar veten apo se nuk i kishte dalë ndonjë kamioni përpara, tregonte se nuk bënte gjithmonë veç gabime ose, që punonte keq.

 

 

 

Nga vetëvlerësimi në vetëpranim

Synimi për tu ndjerë mirë me veten është një kurth. Nëse njerëzit të kritikojnë, ose, nëse nuk vazhdon t’i mbash lart standardet e tua, ti nis ta konsiderosh veten si një njeri të pavlefshëm dhe ndihesh i pashpresë. Ndërsa, kur del mirë në sytë e vetvetes dhe të tjerëve, priresh të mendosh se tani duhet vazhduar që t’i provosh vetes se je në gjendje ta ruash këtë vetëvlerësim; kështu, ti ndihesh i pasigurt, madje edhe atëherë kur të shkojnë punët mbarë.

Ju mund të përdorni teknikat e përshkruara në këtë kapitull për të çrrënjosur problemin tuaj bazë – vetëvlerësimin. Në vend që ta vlerësoni veten, pranojeni atë ashtu si jeni – një qenie njerëzore e gabueshme, që mund ta gëzojë jetën, pavarësisht sesa varfërisht i kryen punët dhe pavarësisht se kush nuk ju aprovon.

Comments are closed.