Vrasja e Qerim Markut në Bulqizë nga njerëz të paguar prej kundërshtarit

0
361

Marku ishte kthyer në shqetësim për biznesmenët e tjerë që veprojnë në minierën e Bulqizës

 

Qerim MarkuPersonat që kanë ekzekutuar me armë zjarri Qerim Markun duket se janë të njëjtët që një vit më parë kishin tentuar të vrisnin Markun, por nuk patën mundur ta realizonin planin e tyre. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Bulqizës ka shoqëruar rreth 15 persona, të cilët, pasi janë marrë në pyetje, janë lënë sërish të lirë. Ata kanë rrëfyer se nuk kanë pasur mundësi të shihnin autorët e krimit, ndërkohë që mes të shoqëruarve kanë qenë edhe të afërm të viktimës, të cilët gjatë marrjes në pyetje kanë dhënë disa emra, që sipas tyre, ata mund të kenë gisht në vrasje. Mirëpo këta emra janë verifikuar nga ana e policisë së Bulqizës dhe se asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar që të jetë afër vendit të krimit ditën kur është vrarë biznesmeni i kromit Qerim Marku. Ata janë shoqëruar në polici dhe gjatë marrjes në pyetje kanë pohuar se pikërisht në orarin kur është ekzekutuar Marku, kanë qenë në punë. Për të provuar këtë fakt i kanë servirur policisë dhe disa dëshmitarë të tjerë dhe e kanë ftuar policinë të kryejë verifikimin e telefonave.

Vrasja e Markut

I njohur ndryshe edhe si një nga të fortët e kësaj zone, Qerim Marku u vra pranë një servisi në dalje të qytetit, sapo kishte zbritur nga mjeti i tij. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Sami Smeli, por që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë viktimës i është bërë edhe një atentat tjetër rreth një vit më parë. Konfliktet e tij me persona të tjerë, kanë ndodhur për shkak të stoqeve të kromit. Nga informacionet e policisë thuhet se viktima duke ushtruar presion prej të fortit në Bulqizë, përvetësonte stoqe kromi që ishin pronë e të tjerëve. Nisur nga kjo, po hetohen personat që kanë pasur konflikt me të. Dyshohet se autorët e kësaj ngjarjeje janë të njëjtit autorë të atentatit një vit më parë.

Plagosja në shkurt

Qerim Marku, në muajin shkurt, ka rënë në pritë duke u plagosur rëndë. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe transportimit të tij me helikopter në Spitalin Ushtarak, Marku ka arritur të shpëtojë. Edhe në atë kohë, policia vuri si shkak të ngjarjes problemet me zonat e kromit, që shpeshherë Marku ishte bërë problem edhe për disa biznesmenë të tjerë. Duket se në këtë situatë, pala kundërshtare ka paguar njerëz profesionistë duke sjellë dhe kryerjen e dy atentateve, me qëllim vrasjen e 40-vjeçarit. Tek i pari, Marku ka arritur t’u shpëtojë plumbave vetëm me disa plagë, por këtë herë vrasësit ishin siguruar që Qerim Marku të mos u ikte nga duart. Në këtë kushte ata i kanë ngritur pritë, sërish në dalje të qytetit të Bulqizës, ku sapo Marku ka zbritur nga automjeti i tij është qëlluar me automatik, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë, ka ardhur si pasojë e një sërë konfliktesh të një pas njëshme që Marku kishte me kompanitë e tjera, të cilat nxjerrin kromin nga miniera e Bulqizës.

 

Skema e anulimit të ekstradimit oficeri shkresat i firmosi vetë

Gjok Tushaj, biznesmeni i naftës dhe oficeri i Policisë Gjyqësore dërgohen në gjykatë

Gati një vit pasi grupi operacional special kreu arrestimin e tij në afërsi të zonës së ish-Bllokut, prokuroria e kryeqytetit mbylli hetimet për të kërkuarin nga shteti italian, Gjergji Tushaj, dhe dy bashkëpunëtorët e tij që e kishin ndihmuar për të falsifikuar dokumentet, në mënyrë që t’i shpëtonte drejtësisë. Në kërkesën për gjykim, prokurorja Antoneta Sevdari i thotë gjykatës se i kërkuari, biznesmen nafte, Gjergji Tushaj, ka falsifikuar dokumentet së bashku me oficerin e Policisë Gjyqësore, Aleksandër Kolmarku, dhe shtetasin Bardhok Gjini, në një kohë që ndihmës të tij në këtë proces që kanë paraqitur rrethana të rreme, sipas organit të hetimit janë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar. Historia nis në verën e 2012-ës, kur shteti italian, nëpërmjet një letërporosie, i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të verifikonte disa dokumente të lëshuara nga institucionet shqiptare për të pandehurin Gjergji Tushaj, me emrin e mëparshëm Gjok Tushaj, i dënuar nga ky shtet për rrëmbim personi, marrëdhënie seksuale me dhunë dhe shfrytëzim prostitucioni. Por, pavarësisht këtij vendimi të formës së prerë, nëpërmjet avokates së tij Tushaj ka paraqitur në gjykatën e Monzës dokumente që tregonin se përgjatë viteve për të cilat akuzohet, ai ka qenë i punësuar në uzinën e bakrit Laç, mandej ka qenë i shtruar në Spitalin Ushtarak Tiranë si dhe është pajisur me një patentë të klasit C nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Organi i hetimit konkludon se të gjitha këto dokumente janë falsifikuar në mënyrë që të pengohej ekstradimi i të kërkuarit, pasi Tushaj s’ka qenë kurrë i punësuar në uzinë, nuk ka qenë kurrë i shtruar në Spitalin Ushtarak si dhe nuk është pajisur ndonjëherë me patentën në fjalë.

 

Shkresat i firmosi oficeri

Hetimi ka nxjerrë të njëjtën problematikë si ajo me Spitalin Ushtarak, edhe për rastin e verifikimit nëse Gjergji Tushaj ka punuar ose jo në uzinën e hekurit në Laç. Më 23 mars të këtij viti, Prokuroria e Lezhës i kërkon informacion me kërkesë zyrtare uzinës së bakrit në Laç, ndërkohë që kjo e fundit i kthen përgjigje në datën 22 mars me të njëjtin numër protokolli. Mirëpo ajo që ka vënë në lëvizje specialistët e prokurorisë, është se drejtori i uzinës, Resul Shahu, nuk ka qenë në Shqipëri gjatë muajit mars, kur edhe janë firmosur shkresat. Kaq ka mjaftuar që dyshimet e dy oficerëve të hetimit të bien plotësisht mbi oficerin Aleksandër Kolmarku, i cili duket se i ka firmosur të gjitha dokumentet vetë, por ka gabuar në ndryshimin e datave dhe numrave të protokollit. Ky fakt tregon se nuk ka asnjë destinacion marrës të korrespodencës së dërguar nga Prokuroria e Lezhës. Ndërkohë, në shkresën e falsifikuar tregohet se shtetasi Gjergji Tushaj ka punuar pranë kësaj uzine në periudhën kohore 1997-2002, por dokumentacioni nuk gjendet për shkak të dëmtimit të tij gjatë trazirave të vitit 1997. Sipas prokurorisë, kjo manovër është një gafë e tij, pasi flitet për fillim të marrëdhënieve të punës në vitin 1997 dhe vazhdim të tyre për pesë vite, të cilat karakterizohen si të qeta dhe pa probleme për të pasur dokumentacionin e duhur.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency