Përfaqësuesit e TAP, Berishës: Së shpejti nis puna për ndërtimin e rrugëve të gazit në Shqipëri

0
142

Ina Jano

Kryeministri: TAP shënon arritjen më të rëndësishme strategjike pas anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë së Kosovës

 

GAZSJELLESITRANS-ADRIATIK_20Delegacioni i nivelit të lartë i konsorciumit të Gazsjellësit Trans-Adriatik TAP, kryesuar nga menaxheri i Përgjithshëm z. Kjetil Tungland dhe drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë, z. Michael Hoffmann, mbërritën dje në Tiranë posaçërisht për të zhvilluar një takim me Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimit eksponentët e lartë të konsorciumit i dhanë shefit të qeverisë shqiptare lajmin e mirë se së shpejti në Shqipëri do të fillojë puna për ndërtimin e rrugëve të gazit. “Zoti Tungland e njohu Kryeministrin me ecurinë në vijim të projektit të TAP-it lidhur me vendimin për fillimin e punimeve dhe vendimin përfundimtar të investimit nga konsorciumi i Shah Denizit. Së shpejti puna në Shqipëri do të fillojë për ndërtimin e rrugëve të aksesit në funksion të ndërtimit të gazsjellësit, përmendi ai. Zoti Tungland informoi Kryeministrin se konsorciumit të TAP i është bashkuar kompania belge më e madhe e shpërndarjes së gazit në atë vend, Fluxys, e cila me ndërtimin e gazsjellësit Belgjikë – Itali e bën TAP një projekt për furnizim gazi panevropian”, – bëhet e ditur sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave. Z. Tungland shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen dhe rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Berisha personalisht i luajtën në projektin TAP-it pa të cilat nuk do të ishte mundësuar vendimi përfundimtar pozitiv nga konsorciumi i Shah Denizit për përzgjedhjen e TAP. Kjo mbështetje e siguruar, ishte veçanërisht domethënëse në vitet e fundit, përmendi ai, ku Shqipëria u angazhua maksimalisht për përfundimin e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për konsiderimin e aplikimit të projektit të TAP-it pranë konsorciumit të Shah Denizit. Kryeministri Berisha theksoi se për Shqipërinë projekti TAP shënon arritjen më të rëndësishme strategjike pas anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë së Kosovës. Të gjitha projektet e tjera me pa të drejtë anashkalonin Shqipërinë. Ky projekt jep përgjigje përfundimtare problemit të energjisë në Shqipëri, ndikon në uljen e shpenzimeve familjare për ngrohje dhe gatim. Shqiptarët do furnizohen me gaz nga një vend mik siç është Azerbajxhani. TAP inkurajon investime të mëdha në të gjithë sektorët e industrisë dhe ekonomisë. Projekti rrit ndjeshëm rolin e Shqipërisë në energjetikën rajonale dhe evropiane si dhe ngre në një nivel të ri bashkëpunimin strategjik me fqinjët tanë dhe vendet e BE-së.

Kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohjen e thellë ndaj z. Tungland dhe të gjithë ekipit që ai drejton për punën e gjithanshme të jashtëzakonshme që bënë për këtë me rëndësi të madhe strategjike edhe jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën. Këmbëngulja jonë dhe e juaja bazohej në besimin tonë të përbashkët tek ky projekt madhështor. Ekipi që ju drejtuat përgatiti me profesionalizëm të lartë një dokumentacion bindës për konsorciumin Shah Deniz 2 që faktonte qartë se TAP ishte në distancë projekti më i leverdishëm më serioz. Gjithashtu Kryeministri Berisha, në mbështetje të vendimit për TAP-in, theksoi rolin vendimtar të marrëveshjeve ndërqeveritare të arritura mes vendeve qytetar të projektit dhe ato të interesuara të Ballkanit perëndimor, sikurse pa diskutim edhe të largpamësisë së Presidentit Aliyev për përzgjedhjen e projektit të TAP-it.

Facebook

Berisha: Ndërtimi i TAP, në mes të 2014-ës

Takimin e djeshëm, Kryeministri Berisha e komentoi edhe në rrjetin social Facebook, ndërsa e shoqëroi edhe me foto nga takimi i kortezisë që pati me delegacionin e TAP-it. Ai e përshkroi në këtë mënyrë: “Të dashur miq, sot (dje) prita në një takim zotin Kjetl Tungland, drejtor i Përgjithshëm i projektit TAP, me zotërinjtë Michael Hoffmann dhe Albert Haak. Në takim zoti Tungland vlerësoi rolin e Shqipërisë, pa të cilin TAP nuk do të përzgjidhej dhe me informoi se në mesin e vitit që vjen fillon në Shqipëri ndërtimi i TAP. Një lajm shumë i mirë!! Në këtë takim miqësor falënderova zotin Tungland dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyer të tyre që bëri të mundur përzgjedhjen e TAP si projekti më i leverdishëm. Unë shpreha mirënjohjen time dhe për bashkëpunimin tonë të qytetar e te frytshëm 8-vjeçar në njërin prej projekteve më të mëdha të kohës të cilit ne bashkërisht i besuam dhe që fitoi mbi disa projekte të tjera të mëdha dhe me mbështetje të fuqishme politike por që padrejtësisht anashkalonin Shqipërinë. Për Shqipërinë TAP, pas anëtarësimit në NATO dhe Pavarësisë së Kosovës, përben arritjen më të madhe strategjike. Me këtë projekt Shqipëria zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e energjisë, merr gaz nga një vend mik, ul koston e gatimit dhe ngrohjes për qytetaret e saj si dhe fiton një pozicion të rëndësishëm strategjik në fushën e energjisë në rajon dhe në Evropë. Gjatë ndërtimit të tij dhe gazifikimit të vendit investohen mbi 1.5 miliard euro dhe punësohen mijëra dhe mijëra qytetarë”.

 

Takimi

Berisha pret ambasadorin e ri: Shqipëria nuk ndërmerr asnjë veprim drejt Iranit

Kryeministri i uroi suksese në detyrë ambasadorit të Iranit. Ambasadori i Iranit, z. A. Majid Mozafari, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për pritjen, kërkoi mbështetjen e tij për çuarjen më përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke ditur, siç theksoi ai, rolin e madh që Kryeministri Berisha do të ketë në jetën e vendit edhe më gjerë. Ai u shpreh se Irani nuk do të kishte dashur që Shqipëria të ishte vendi i parë i strehimit të individëve të grupit MEK (Mojahedin-e-Khalq), të cilët ndodheshin në kampin “Liria” në Irak. Zoti Berisha i tha ambasadorit iranian z. A. Majid Mozafari se ky vendim ka të bëjë me një qëndrim tërësisht humanitar të qeverisë shqiptare. Shefi i qeverisë e siguroi se nga territori i Shqipërisë nuk do të mundet të ndërmerret qoftë edhe një veprim në drejtim të Iranit nga askush dhe së dyti, cilido prej të strehuarve, që do të ketë garancinë e plotë të autoriteteve Iraniane dhe dëshiron të kthehet në vendin e tij, nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritete shqiptare. “Ne jemi të përkushtuar, – tha Kryeministri Berisha, – t’u krijojmë atyre të gjitha kushtet për një jetë të lirë dhe të mirë në këtë vend”, ndërsa ritheksoi se ky akt nuk ka të bëjë më asgjë tjetër veç qëllimit humanitar. Kryeministri tha se ishte plotësisht i vetëdijshëm në potencialin e madh që ekziston mes marrëdhënieve të Iranit dhe Shqipërisë, ndërsa uroi që Irani në interesin më të mirë të tij të zgjidh me transparencë dhe bashkëpunim të besueshëm, siç edhe vendet e tjera e kanë zgjidhur, kundërshtitë për problemin e armëve bërthamore dhe të eci në rrugën e kooperimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

Premtimi

Halimi: Opozitë të fortë për të mos prekur institucionet e pavarura

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka publikuar në faqen e tij në Facebook lajmin për takimin me disa prej partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe më të cilët ka bashkëpunuar gjatë kohës që ka qenë në krye të këtij dikasteri. Por ndërkohë ai ka bërë publik edhe opinionin e tij në lidhje me të bërit opozitë gjatë katër viteve të ardhshme. “Përmbylla takimet e partnerëve ndërkombëtarë me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, të OPDAT-it dhe USAID-it. Një takim i mirë ku ndamë qëndrime të përbashkëta për mbrojtjen dhe konsolidimin e administratës publike të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të pavarura. Do të jemi opozitë e fortë dhe konstruktive dhe nuk do të lejojmë prekjen e institucioneve të pavarura të vendit. Me sinjalet e para kërcënuese të mazhorancës së re, kam bindjen se mbështetja ndërkombëtare për qëndrimet tona të drejta do të jetë e pakufizuar”, – shkruan zoti Halimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency