Ekspertët: KQZ mori vendim politik

0
142

Marrë nga “Evropa e Lirë”

Sipas ekspertëve, vendimi i KQZ-së nuk është mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, sa është mbështetur në aspektet politike të marrëveshjes së 19 prillit, të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

 

kqz-kosove1Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e logos së shtetit të Kosovës nga fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, nga ekspert juridik, cilësohet si vendim politik dhe jo kushtetues. Sipas tyre, vendimi i KQZ-së nuk është mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës sa është mbështetur në aspektet politike të Marrëveshjes së 19 prillit të arritur në dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, profesori Riza Smaka vlerëson se zgjedhjet janë çështje shtetërore dhe se vendimi i KQZ-së nuk është në përputhje me kushtetutën. Heqja e logos së shtetit nga fletëvotimet, nënvizon Smaka erdhi si pasojë e presioneve të Beogradit i cili kishte vënë kusht daljen e serbëve në veri të Kosovës në zgjedhje me heqjen e simboleve. Ai i cilëson si hipokrizi politike edhe deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të cilët i kishin lënë vendimin për logon KQZ-së, përderisa një çështje e tillë ishte pjesë e Marrëveshjes së Brukselit. “Në parim nuk është dhe as që mund të jetë në përputhje me Kushtetutën sepse zgjedhjet janë çështje shtetërore, domethënë nacionale që quhen me terminologjinë euroatlantike. KQZ-ja i organizon dhe i ndërmerr të gjitha masat për mbarëvajtjen e tyre, por nuk është organi që i cakton zgjedhjet e tjera e tjera”, – ka vlerësuar Smaka. Ndërkohë, Dren Doli nga Grupi për Studime Politike e Juridike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së mund të jetë një precedent shumë i rrezikshëm për Kosovën edhe pas zgjedhjeve.
Duke i lënë si neutrale fletëvotimet, Kosova po rrezikon të lë neutral gjithë pjesën veriore në raport me pavarësinë e saj, sipas kërkesave të Beogradit, tërheq vërejtjen Doli. “Është një precedent shumë i rrezikshëm i cili mund të përdorët më pastaj nga serbët e veriut për të gjitha rastet e tjera kur logoja e Republikës së Kosovës, apo institucioneve të Republikës së Kosovës kërkohet të vendoset në ndërtesat, dokumentet tjera, aktet nënligjore, udhëzimet që institucionet komunale apo institucionet e Kosovës që veprojnë në veri do të duhej t’i aplikonin sipas ligjit në fuqi”, – ka thënë Doli. Sa i përket aspektit kushtetues, lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta dërgoj vendimin e KQZ-së për logon për gjykim juridik te Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, sipas Dren Dolit, Kushtetuesja nuk do të mund të kthejë prapa vendimin e KQZ-së pasi që nuk ka juridiksion mbi këtë organ. “Besoj që kërkesa që mund të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje mund të hedhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe të shpallet si e papranueshme për shkak ët mungesës së juridiksionit të Kushtetueses që të shqyrtoj vendimet e KQZ-së”, – ka deklaruar Doli. Ndërkaq profesori Riza Smaka beson se edhe nëse dërgohet në Kushtetuese vendimi i KQZ-së, edhe atje do të gjendet një interpretim i cili do të lë në fuqi mospërdorimin e simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotime.
Ai pret që Kushtetuesja të merr një vendim të shpejtë për shkak të afateve të ngushta kohore që kanë mbetur deri në organizimin e zgjedhjeve lokale. “Gjykata Kushtetuare do të duhej ta gjykonte këtë çështje me urgjencë. Por mos të harrojmë që Gjykata Kushtetuare është gjykatë, por është më pak gjykatë e juridiksionit të përgjithshëm profesional dhe është më tepër e atij politik. Kështu që unë konsideroj që edhe në këtë rast do ta gjejnë njëfarë kompromisi”, – ka thënë Smaka. Çështja e pranisë së simboleve të shtetit të Kosovës në fletëvotime ishte ngritur si problem politik nga Beogradi zyrtar i cili thirrej në neutralitetin e Marrëveshjes së arritur me Prishtinën më 19 prill në Bruksel. Sipas palës serbe, Marrëveshja është neutrale në raport me statusin e Kosovës, kështu që edhe fletëvotimet, zgjedhjet dhe organet e reja lokale në viset e banuara me shumicë serbe, sidomos në veri, duhet të trajtohen si neutrale. Në anën tjetër, interpretimi i Prishtinës zyrtare është se me anë të këtyre zgjedhjeve edhe serbët nga komunat veriore më në fund po integrohen në kuadër të institucioneve dhe sistemit juridik të Kosovës.

 

Maqedoni

Nevojë urgjente për të rregulluar problemet me gjuhën shqipe

Ndonëse deputetët dhe ministrat shqiptarë mund të përdorin gjuhën shqipe gjatë seancave plenare në Kuvendin e Maqedonisë, kjo e drejtë me ligjin për gjuhët i mohohet vetë nënkryetares së këtij institucioni, zonjës Suzana Saliu, gjatë udhëheqjes së seancave. Ajo, në një prononcim për media të martën, ka kërkuar që nevoja për zgjidhjen e këtij paradoksi të hyjë në axhendën e grupit të punës të formuar për zbatimin e rekomandimeve të raportit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend. “Në raportin për ngjarjet e 24 dhjetorit, në kapitullin e katërt shtrohet nevoja për përcaktimin e çështjes së udhëheqjes së seancave plenare në rregullore dhe unë mendoj se ky moment duhet te shfrytëzohet, aq më tepër që komisioni për implementimin e rekomandimeve të raportit do të punojë me konsensus dhe pa përjashtime. Mendoj se ka bazë kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave plenare, por nevojitet vetëm një pikë vullnet politik nga elita politike maqedonase”, – deklaroi Saliu, nënkryetarja e Kuvendit. Nënkryetarja e Kuvendit, që nga emërimi në këtë post para dy viteve, nuk ka pranuar të udhëheqë asnjë seancë plenare, pasi për të është e papranueshme që deputetëve shqiptar t’i drejtohet në gjuhën maqedonase. Ky kufizim që i bëhet përdorimit të gjuhës shqipe në Kuvend ka qenë një nga arsyet kryesore të Partisë Demokratike Shqiptare për të bojkotuar grupin e punës për ngjarjet e 24 dhjetorit, të cilin partia e Menduh Thaçit e ka quajtur farsë politike. Sipas PDSH-së, problemi real i Maqedonisë është mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve dhe jo raportet mes vetë partive maqedonase.

 

Kosovë

Limaj lirohet nga arresti shtëpiak

Gjykata e Krimeve në Kosovë sot liroi nga arresti shtëpiak Fatmir Limaj, deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e UÇK-së të njohur si Çeliku, i cili akuzohet për krime lufte për rastin e njohur “Kleçka”. Vendimi për lirimin e tij nga arresti shtëpiak u mor në seancën e djeshme, ndërsa vendimi final për procesin gjyqësor ndaj Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij do të shpallet me 17 shtator të këtij viti. Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limajt, ka konfirmuar për “Kosovapress” se kryetari i trupit gjykues Malkolm Simons i ka njoftuar sot se do të donte të shpall aktgjykimin për rastin “Kleçka”, me 17 shtator 2013 dhe në atë ditë do të kenë vendimin përfundimtar në rigjykimin maratonik për Limajn dhe të tjerët. “Nesër prokurori Salustro paraqet fjalën përfundimtare, pas tij këtë do ta bëjë mbrojtja e Limajt dhe pastaj me 10 dhe 11shtator pasojnë fjalët përfundimtare të avokatëve të tjerë dhe përfundimisht do të kemi verdiktin definitiv me 17 shtator 2013. Mbrojtja e Limajt është e bindur se mund të kemi vetëm aktgjykim lirues për Fatmir Limajn dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, ngase më asgjë nuk është vërtetuar e kundërta e lirimit të Limajt dhe të tjerëve në maj të vitit 2012. Ne kemi pasur një rigjykim epilogu i të cilit në bazë të ligjit dhe drejtësisë është ditur nga dita e parë”, – ka thënë Gashi. Ndërsa, të hënën është mbajtur seanca e rastit “Kleçka”, ku është mbyllur procedimi i provave të reja, duke i konsideruar të lexuara raportet e ekspertëve ndërkombëtarë rreth gjendjes psikike të dëshmitarit Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.

 

Bruksel

Sot takimi i fundit mes Kosovës e Serbisë përpara hapjes së negociatave

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku, së bashku me ekipin negociator në Bruksel do të zhvilloj nesër takimin e fundit përgatitor për hapjen e negociatave për MSA. Ditën e djeshme, Ministrja Çitaku ka informuar kabinetin qeveritar për përgatitjet për negocimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve afatmesme dhe rekomandimeve. Sipas saj, draft marrëveshja që është tani dhe pritet të marrë dritë jeshile nga anëtarët e BE-së, përmban të gjitha komponentët e MSA, të ngjashëm me vendet e rajonit. “Periudha tranzitore mes nënshkrimit të MSA dhe hyrjes së saj të plotë në fuqi është 10 vjet. Kjo është periudha më e gjatë që e kanë pasur edhe vendet e tjera të rajonit. Duhet të përqendrohemi më shumë në kriteret afatmesme. Jemi në rrugë të mbarë që paralelisht me negocimin e MSA-së, të përmbushim kriteret afatmesme. Përmbushja e reformës zgjedhore është një ndër sfidat me të cilat ne duhet të prodhojmë rezultate sikurse organizimi i zgjedhjeve të lira dhe transparente. Më 5 shtator kemi afat të japim imputet e fundit për raportin e progresit”, – ka deklaruar Çitaku. Në 28 qershor, Brukseli miratoi autorizimin për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën.

 

Athinë

Ali Ahmeti, bisedime për emrin e Maqedonisë

Zv.kryeministri i Maqedonisë, Ali Ahmeti, zhvilloi një vizitë në Athinë ku edhe pati takime me krerë të politikës greke. Gjatë takimit me homologun e tij grek dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, Ahmeti theksoi rëndësinë e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. Ai kërkoi dialog për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë. Sipas Ministrisë së Jashtme greke, lideri i shqiptarëve të Maqedonisë u shpreh pro zgjidhjes së kontestit, si e vetmja alternativë që i mbetet këtij shteti që të integrohet në Evropë. Sipas Ahmetit, dikush në Maqedoni dëshiron rrugën e bllokimit dhe jo atë të integrimit, ndaj palët duhet të ulen dhe të dialogojnë për këtë çështje, si dhe për një sërë problemesh që shqetësojnë vendet e rajonit. Burimet nga kjo ministri theksuan qëndrimin e Athinës zyrtare për zgjidhjen e çështjes së emrit, me qëllim heqjen e vetos greke për anëtarësimin e fqinjit të saj verior në NATO dhe BE. Mësohet se zoti Venizelos ka shprehur vendosmërinë e Athinës për pozicionet e saj të bllokimit, pasi sipas kryediplomatit grek, Shkupi zyrtar ka zgjedhur rrugën që të mos dialogojë, por të qëndrojë në pozicionin e tij, çka nënkupton shkeljen e vijës së kuqe për Athinën. I vendosur për vazhdimin e dialogut, por edhe në favor të bashkëpunimit dypalësh ishte edhe ministri grek i Mbrojtjes, Dhimitiris Avramopulos, i cili gjatë takimit që dy liderët patën më herët në këtë ministri u shpreh se dy vendet duhet të dialogojnë për prosperitet dhe një të ardhme më të mirë për rajonin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency