Standard.al

Terminali i pasagjerëve, javën e ardhshme nisin procedurat për koncesionin

Stacioni i ri i trenit dhe stacioni i tramit, në të njëjtin terminal

Terminali i parë që do të ndërtohet në Shqipëri

 

Synthesis Report on DFS_040213_with images (4)Terminali i ri që do të ndërtohet në Tiranë, do të jetë ndër më modernët në rajon. Bëhet fjalë për një terminal i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 80.000 m². Bashkia e Tiranës dhe BERZH javën e ardhshme nisin procedurat koncesionare për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Studimi i fizibilitetit për terminalin e ri të pasagjerëve në Tiranë u hartua nga kompania italiane “Ital – Ferr”, me një fond prej 500 mijë eurosh, të akorduar nga BERZH-i. Në këtë terminal, i cili është i pari që do të ndërtohet në Shqipëri, do të vendoset stacioni i ri i trenit dhe stacioni i tramit, i cili do të bëjë transportin e udhëtarëve nga terminali multimodal përgjatë bulevardit të ri, deri në sheshin “Nënë Tereza”. Terminali është pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban, i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë. Në 5-vjeçarin e parë (2020), pritet një rritje e kapacitetit prej 20%. Në 5-vjeçarin e dytë (2025), kemi një rritje prej 25%, krahasuar me 2020. Në 5-vjeçarin e katërt (2035), kemi pothuajse dyfishim, krahasuar me 2025-ën. Në terminal është parashikuar edhe parkim nëntokësor, si një zgjidhje tepër efiçente dhe e përshtatshme për realizimin e plotë në funksionimin e këtij terminali, i cili do të funksionojë për parkim makinash private dhe autobusë.

Në terminal parashikohet:

-Në katin përdhe, stacioni i tramvajit dhe trenit, depoja e tramvajit si dhe qendra e pajisjeve hekurudhore
-Stacion për autobusët ndërkombëtarë, në pronësi të kompanive të transportit shqiptar

-Stacion për autobusë ndërqytetas;

-Stacion për autobusët ndërkombëtarë, në pronësi nga kompanitë e huaja të transportit;

-Taksi-van, zonë parkimi dhe një tarracë në formë katrore publike, në kufi në perëndim me terminalin e autobusëve urbanë

-Parkimi i autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve;

-Linjë për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana

-Rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit etj. në territorin e terminalit; ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit; ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve

 

Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë:

-autobusë të linjave ndërkombëtare – 34

-autobusë të linjave ndërqytetës – 57

-autobusë të linjave urbane – 15

-mikrobusë – 48

-parkim autobusësh – 26

-taksi – 20

-parkim i automjeteve private – 100
Nga ky terminal parashikohet të nisen:

-automjete – 10 000
-mikrobusë – 3 700
-autobusë – 900
-autobusë ndërkombëtarë – 100
-autobusë urbanë – 180

 

Ekonomiku bashkë me studentët bojkotojnë provimet e vjeshtës

Ndërtimet pa leje që po bëhen pranë Fakultetit Ekonomik kanë bërë që studentët dhe stafi akademik i këtij fakulteti të bojkotojnë provimet e vjeshtës. Protesta e ditës së nesërme ka si qëllim kryesor të sensibilizojë opinionin publik dhe të gjitha institucionet e tjera për sa i përket uzurpimit të territoreve universitare. Ndërtimi i godinave pranë ambienteve universitare është një problematikë e cila është ngritur disa herë si shqetësim nga ana e studentëve dhe stafit akademik të universitetit. Për disa herë me radhë janë organizuar disa protesta, duke pasur si pikënisje kryesore moszbatimin e vendimit të marrë nga gjykata për ndërprerjen dhe moslejimin e vazhdimit të punimeve abuzive pranë godinës së Fakultetit të Ekonomisë. Edhe pse vendimi i gjykatës shprehet qartazi për shfuqizimin e lejes së ndërtimit të godinave pranë Fakultetit të Ekonomisë, ende po vazhdojnë punimet.

 

INSTAT: Papunësia 12.8%, biznesi ka ulur punësimet

Biznesi po hap gjithmonë e më pak vende të reja pune, duke dëshmuar kështu për situatën e vështirë në të cilën ndodhet. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat për tregun e punës për tremujorin e dytë 2013, nga ku rezulton se shkalla e papunësisë ka mbetur e pandryshuar në 12.8% në krahasim me tremujorin e parë të vitit, duke shënuar tremujorin e katërt radhazi me këtë nivel. Por shifrat për punësimin në sektorin privat jo bujqësor tregojnë për një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të vitit. Sipas INSTAT-it, numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, në fund të tremujorit të dytë ishte 282.034 persona, duke u rritur me vetëm 1066 persona në raport me tre muajt e parë të vitit. Ritmi i hapjes së vendeve të punës nga sektori privat mbetet shumë i ulët, në raport me vitet e mëparshme, duke reflektuar frenimet e investimeve gjatë dy viteve të fundit. Një shqetësim ky i ngritur vazhdimisht edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila tkurrjen e investimeve private në ekonomi e ka shpjeguar me pasigurinë e biznesit për të ardhmen. Për sa i përket sektorit shtetëror, Instituti i Statistikave konstaton se në tremujorin e dytë të këtij viti në të ishin të punësuar 163.800 persona, gjithsej 200 vetë më pak se tremujori i mëparshëm. Biznesi është burimi kryesor i gjenerimit të vendeve të punës në Shqipëri, por sipërmarrja private po kalon ditë të vështira, duke u përballur me efektet e krizës në vendet fqinje.

 

 

Comments are closed.