Siria – Purgatori i Pranverës Arabe

0
200

Enver Hasani

Lufta në Siri nuk është luftë për ndërrim regjimi, por për ndryshim të tërësishëm të gjeopolitikës në rajon. Rruga për Damask nuk është rrugë për më shumë dritë, si në pikturën e Caravaggio-s që reflekton tregimin biblik për Shën Palin, pra nuk është rrugë nga e mira dhe nga humanizmi, por Purgator i Pranverës Arabe: faji i deritanishëm i vendeve perëndimore dhe i aleatëve të tyre përreth mund të jetë i përkohshëm vetëm nëse tani, dhe vetëm tani, rrëzohet regjimi në Damask. Nëse kjo nuk bëhet, rruga për Damask do të jetë ferri i vërtetë i Pranverës Arabe nga shkaku i thjeshtë se mjerimi njerëzor që po krijohet në Siri sigurisht që do të mbushet nga islami politik vehabist.

 

Mideast SyriaSado që këto dy vitet e fundit u mësuam me dhunën në Siri, reagimi i fundit perëndimor ndaj helmimeve masive të qytetarëve sirianë, hors de combat, sikur i ka zgjuar të vdekurit e Purgatorit dantean. Nëse ky reagim do të jetë Lutje për të Vdekurit, sipas traditës parakristiane, përkatësisht një grumbullim i pafajësisë së përkohshme në Purgatorin sirian, kjo mbetet të shihet.

Dhuna siriane që në fillim ka dhënë shenja se ai konflikt konstant dhe i ashpër nuk mund të vazhdonte si u nis, por se do të bëhej më i ashpër dhe më primitiv. Pakkush ka besuar se pas një kohe të shkurtër bota do të shihte në ekran skena rrëqethëse të civilëve sirianë, duke dhënë shpirt nga asfiksimet e shkaktuara nga përdorimi i armëve kimike prej regjimit aktual në Damask.

Ata që kanë ndjekur me vëmendje këtë konflikt, ndërkaq, këtu e dy vjet më parë, e kanë pasur të qartë se ai do të jetë Purgator i Pranverës Arabe dhe i vetë ndërgjegjes perëndimore, ku do të futeshin të gjithë liderët aktualë të kësaj bote për të pritur si në tregimet biblike apo si te Komedia Hyjnore e Dantes për t’u pastruar nga mëkatet e politikave gabim të ndjekura deri më sot karshi Sirisë. Situata aktuale atje, merret vesh, reflekton konsiderata realpolitike, jo të artit të idealizuar baroque të Caravaggio-s të shprehur në pikturën e tij “Rruga për në Damask” (1601), apo të poemës epike të Dante Aligerit. Kjo, nga shkaku se ndryshimi i regjimit në Siri do të paraqet ndryshim të thellë gjeopolitik, i cili do të stabilizojë përfundimisht parametrat e prishur aktualisht, rajonalë e botërorë, më shumë se çdo rast tjetër që ka ndodhur pas mbarimit të Luftës së Ftohtë.

Për Evropën dhe për Kosovën, si pjesë e saj, rrëzimi i regjimit diktatorial atje do të thotë më shumë siguri dhe më pak oksigjen vehabist në këtë pjesë të botës. Në fakt, fundi i Bashar al-Asadit është fillimi i kurorëzimit efektiv të Pranverës Arabe, i matshëm me parametrat e luftërave për dinjitet njerëzor, të kryera në Evropë e më gjerë.

Kur filloi konflikti sirian, krahas lëkundjes serioze të regjimit në Egjipt, shumëkush mendoi se bëhej fjalë për ndryshime në regjim dhe në formë të qeverisjes, lehtësisht i arritshëm sipas modeleve të testuara gjetiu në vendet arabe-islamike. Bile-bile, disa menduan se, në rastin më të keq, do të përsëritej skenari libian. Të gjitha këto dolën si të gabuara për faktin se tërë Pranvera Arabe u pa si homogjene, e njëtrajtshme dhe pa ndonjë ndryshim strukturor të brendshëm. Ato dallime, ku po ndodhte Pranvera Arabe, në fakt, ishin të jashtëzakonshme dhe strukturore, të cilat kushtëzoheshin nga faktorë identitarë të popujve të këtyre vendeve, por në të njëjtën kohë edhe nga faktorët e tjerë politikë dhe gjeostrategjikë.

 

Faktorët identitarë

 

Me faktor identitar, në kontekstin e Pranverës Arabe, nënkuptojmë vijat kyç, të cilat kanë formësuar identitetet primare të vendeve dhe të popujve të përfshirë në Pranverën Arabe, vija të cilat nuk ndryshojnë esencialisht kundruall ndikimit të faktorëve të tjerë politikë dhe gjeostrategjikë. Në vijim të kësaj, ravijëzohen dy vija formësuese të identitetit të vendeve dhe të popujve të përshirë në Pranverën Arabe: vija sunite dhe vija shiite e identitetit bazik. Këto vija identitare kanë qenë të ndrydhura gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ashtu që atëbotë dukej sikur nuk ekzistojnë fare. Në fakt, përgjatë këtyre vijave është duke u ridefinuar edhe raporti i ri i forcave në atë pjesë të botës, duke rikthyer dominimin e shumicës sunite në atë rajon. Kjo, nga shkaku se shtetet e botës arabo-islamike, gjatë Luftës së Ftohtë, patën funksionuar sipas recetave të krijuara ideologjike jo nga ish-padronët kolonialë, por nga shteti tanimë i zhdukur sovjetik.

Modeli i shtetit arabo-islamik ka qenë një përzierje e të majtës ekstreme me mësimet (e ideologjizuara) të Kuranit. Ky i dyti, pra interpretimi i Kuranit, sipas prizmit ideologjik sovjetik, së bashku me çështjen palestineze, ka shërbyer në të shumtën e kohës si arsyetim për të mbajtur gjallë agjendën antisemite dhe antiperëndimore në planin global e rajonal. Betonimi i këtij modeli të shtetit nga ana e sovjetikëve ngriu në tërësi identitetet bazike, duke vënë në plan të parë anën ideologjike të regjimeve arabo-islamike. Me kolapsin e perandorisë sovjetike, gradualisht u bënë të qarta ravijëzimet e dallimeve serioze, më të thella, të këtyre shoqërive përgjatë vijave sunite dhe shiite, të cilat kanë mbijetuar çfarëdo dallimi ideologjik apo tjetër, të krijuar nga e kaluara. Ky dallim bazik identitar e bën Pranverën Arabe të vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u modeluar sipas pranverave të ngjashme, të cilat kanë ndodhur gjetiu në Evropë. Procesi i demokratizimit në Evropë, por, ta zëmë, edhe në Egjipt e në Tunizi, dallon rrënjësisht nga ai sirian, irakian, etj., për faktin se më shumë ngjason me konfliktin jugosllav ndërmjet identiteteve tërësisht të kundërvëna ndaj njëri-tjetrit, të cilat luftën për territor e kanë cilësi të dallueshme nga distanca.

Faktorët politikë dhe gjeostrategjikë

 

Ndër faktorët politikë që i kanë dhënë formën aktuale konflikteve në Pranverën Arabe vlen të theksohet modelimi i këtyre shteteve sipas shtetit komisar sovjetik. Emri i Partisë Ba’ath, por edhe i partive të tjera satelite sovjetike, del në spikamë në këtë kontekst. Këto parti-shtet kanë dominuar jetën politike të këtyre vendeve me dekada të tëra. Ky model politik i imponuar në këto vende ka qenë si pasojë e faktorëve gjeostrategjikë të kohës: në procesin e dekolonizimit pas Luftës së Dytë Botërore ish-shteti sovjetik mori primatin duke plotësuar vakuumin e krijuar pas tërheqjes së ish-padronëve kolonialë perëndimorë. Këta të fundit, të komprometuar si pasojë e politikave koloniale, ngelën në defensivë dhe të pafuqishëm për të rimbushur vakuumin e lënë prapa vetes. Kjo mbulesë politike u rrënua së bashku me perandorinë sovjetike pas vitit 1990, duke i lënë zhveshur tërësisht regjimet arabe-islamike prosovjetike. Kjo ka qenë kështu së paku deri në mesin e viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, pra gjatë tërë kohës që Rusia nuk po merrte veten nga traumat e humbjes së perandorisë sovjetike. Pas kësaj kohe, Rusia gradualisht filloi afrimin me ish-satelitët e saj në botën arabo-islamike. Ky kthim i Rusisë nënkuptonte rikthim në politikat e vjetra të balancit të forcave, të matjes së tyre, kundruall rialëve të vjetër në Perëndim. Shtetet e njëjta të këtij rajoni, Siria e Libia në rend të parë, por edhe tjerat, filluan të afrohen me Rusinë duke i bërë karshillëk Perëndimit në politikat e këtij të fundit në ish-Jugosllavi, në Kinë, bë Lindje të Mesme dhe çdo kund, duke konsoliduar në të njëjtën kohë regjimet e majta represive (me përjashtim të Egjiptit dhe të Jemenit), të mbështetura fort nga Rusia. Të frikësuar nga ky rikthim rus në politikat e rajonit dhe më gjerë, edhe vendet properëndimore të botës arabe-islamike u bënë me satelitët e Rusisë, kryesisht heshturazi, duke manifestuar kësisoji në politikën e jashtme sjellje të njëjta: luftë për dominim rajonal dhe rrezikim të interesave vitale amerikane dhe perëndimore në rajon dhe më gjerë. Kjo sjellje e tyre ndaj botës së jashtme, si dhe vazhdimi i politikave të represionit të skajshëm ndaj shtetasve të vet, krijoji parakushtet për shpërthim të pakënaqësisë qytetare në këto vende. Format e manifestimit të kësaj pakënaqësie, ndërkaq, dalluan shumë në vartësi të stofit identitar të këtyre vendeve: siç pritej, manifestimi më i përgjakshëm do të ishte atje ku pakica sundon shumicën.

Derisa Pranvera Arabe në vendet e tjera u krye nëpërmjet ndeshjeve ideologjike dhe transformimeve ideologjike në shkallë të thellë, në rasti sirian një gjë e tillë nuk mund të imagjinohet për faktin se pakica e ideologjizuar mban frenat e pushtetit në vend dhe çdo lëshim i tyre ka ndikime të thella gjeostrategjike në tërë rajonin. Rrëzimi i regjimit sirian të Bashar al-Asadit nuk mund të jetë ndryshim regjimi ideologjik. Ai do të jetë ndryshim i pushtetit mbi një territor dhe defaktorizim përfundimtar i liderëve jolegjitimë në rajon për një kohë të gjatë.

Irani, me rrëzimin e regjimit sirian, sado paradoksale që mund të duket, do të përjetojë menjëherë Pranverën Arabe të nivelit më civilizues të parë deri më tani, për faktin se Siria, jo Irani, është çelësi i zgjidhjes së krizës në atë pjesë të botës. Hezbollahu është krijuar në Iran, por rrita dhe kalimi i tij i dedikohet Sirisë. Kjo sepse në Siri gërshetohen konfliktet identitare shekullore, të brumosura thellë me politikën ruse që synon rikthimin e ndikimit në rajon dhe më gjerë. Regjimi sirian mban mbi supet e tij të gjitha këto kundërthënie, gjë që shpjegon reagimin me helme kimike ndaj qytetarëve të vet, reagimin e çmendur që përdor çdo mjet kundër largimit nga pushteti. Regjimi sirian ka shkatërruar dhe do të shkatërrojë deri në pikë të fundit çdokënd që i del para sepse, për dallim nga Gadafi, për dallim nga Milosheviqi, por edhe për dallim nga diktatorët e tjerë që kanë ku të ikin në rast të humbjes, Bashar al-Asad nuk ka një vend ku mund të strehohet nga drejtësia penale, sepse paraqet epitomin e sundimit të pakicës ndaj shumicës, sundim që ka buruar nga konjukturat momentale të kohë së Luftës së Ftohtë. Lufta në Siri nuk është luftë për ndërrim regjimi, por për ndryshim të tërësishëm të gjeopolitikës në rajon. Rruga për Damask nuk është rrugë për më shumë dritë, si në pikturën e Caravaggio-s që reflekton tregimin biblik për Shën Palin, pra nuk është rrugë nga e mira dhe nga humanizmi, por Purgator i Pranverës Arabe: faji i deritanishëm i vendeve perëndimore dhe i aleatëve të tyre përreth mund të jetë i përkohshëm vetëm nëse tani, dhe vetëm tani, rrëzohet regjimi në Damask. Nëse kjo nuk bëhet, rruga për Damask do të jetë ferri i vërtetë i Pranverës Arabe nga shkaku i thjeshtë se mjerimi njerëzor që po krijohet në Siri sigurisht që do të mbushet nga islami politik vehabist. Ndërhyrja kundër regjimit në Damask tani, dhe vetëm tani, do të stabilizonte rajonin për shumë vite e dekada në vijim, meqë do të krijonte një hartë të re gjeopolitike, do t’i jepte kuptim Pranverës Arabe duke e barazuar atë më pranverat e tjera post-komuniste të kryera gjetiu. Vetëm ndërhyrja tani, dhe vetëm tani e jo më vonë, do të forconte pozitat e rebelëve sirianë, të cilët janë më mendjehapur ndaj vlerave të demokracive liberale perëndimore. Mbi të gjitha, rrëzimi i regjimit të Asadit do t’ia mbyllte dyert përgjithmonë krijimit të një regjimi politik të modeluar sipas islamit vehabist. Çfarë forme do të ketë ndërhyrja, vetëm apo me aleatët e tjerë, kjo ka fare pak rëndësi. Mirë do të ishte së bashku me sa më shumë aleatë, por edhe pa ta nuk prishë punë, sepse fundja kundërshtarët e ndërhyrjes ushtarake kundër regjimit aktual sirian përveç fjalëve të ashpra dhe kritikave nuk kanë mundësi e alternativë tjetër politike.

 

(Autori është profesor i Të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Qëndrimet e paraqitura në këtë shkrim janë personale)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency