Lemeria e 1 shtatorit!

0
154

Artan Fuga (Anëtar i Akademisë së Shkencave)

 

Fuga_-_Photo1-300x2301 shtatori – si dita e fillimit të shkollës, tradicionalisht më kanë mësuar se është një ditë e lumtur dhe e gëzuar.

Të rriturit ashtu na thoshin dhe ne gëzonim me gëzimin që na injektonin të mëdhenjtë.

Unë në fakt gëzoja me frikë dhe lemeri.

As njëri-tjetrit si shkollarë nuk i tregonim se gëzimi ynë vinte nga gëzimi i të mëdhenjve që kujtonin se ne gëzonim, por ne gëzonim sepse duke imituar të mëdhenjtë nuk kishim se si të mos gëzonim.

Ku di fëmija se çfarë është dija që ne të gëzonim!

Ne gëzonim me lemeri, sepse po të mos gëzonim dhe të mos ndiheshim të lumtur, na vinte fajësia se nuk ishim të gëzuar.

Ne ishim të gëzuar sepse nëse nuk do të ishim të gëzuar, atëherë nuk do te ishim të gëzuar sepse nuk ishim të gëzuar.

Lemeri.

Gëzim në lemeri.

Nuk kishim asnjë gëzim se do të nxinim dije. Ku di fëmija se çfarë është dija! Ne gëzoheshim vetëm se do të luanim me shokët pas mësimit.

Çfarë të gëzoheshim!

Frika nga notat e këqija, tmerri nga takimet me prindër, pesha e ritmit dhe disiplinës për detyrat e shtëpisë, gishti kërcënues i mësueses.

Ishte një datë e keqe.

Mësuesen e klasës së parë tani e dua shumë. Por atëherë e kisha frikë dhe lemeri.

Ja pra, të rriturit që gëzoheshin për ne. Të fuqishmit gëzohen për të dobëtit dhe të dobëtit që bëjnë sikur gëzohen, sepse në fakt gëzohen që duke u gëzuar si të fuqishmit nuk tërheqin mbi vete violencën e të fuqishmit, autoritetin e tij fajësues, pra ishim të gëzuar që duke bërë si të gëzuar, evitonim fajësinë e të mos qenit të gëzuar!

A mos çdo feste është e tillë?

E pse gëzojnë fëmijët për 1 qershorin!? Edhe mundet, por ne nuk e dimë.

E pse gëzojnë fëmijët për ditëlindjet e tmerrshme që bëjnë të rriturit? Edhe mundet por nuk jam i sigurt.

E pse goca që martohet duhet të jetë e lumtur në dasmën idiote të krushqve dhe të lumturohet sipas lumturisë së krushqve incestualë!

E pse dëshmorët janë të lumtur kur ne shkojmë të varret e tyre dhe i bëjmë të lumtur duke u përulur hipokrizisht para tyre?

Kujdes kur lumturoheni për lumturinë e të tjerëve!

1 shtatori ma ka mësuar këtë edhe për herë të parë po guxoj ta ndaj me ju.

Lumturia e të tjerëve që më tregonin se çfarë është lumturia ime dhe bërja sikur je i lumtur sepse në fakt je i lumtur që bën sikur je i lumtur sepse së paku eviton fajësinë, është në fakt një lemeri.

Lemeria del jashtë si lumturi.

Dhe kur ministri i Arsimit mbante fjalimin dhe na uronte: “Gëzuar festën të dashur fëmijë!”, – ishte pika e fundit e gotës plot e lemerisë infantile që tërhiqej zvarrë nga bota e të rriturve mizorë dhe shkretonin spontanitetin fëmijor që vinte në burgun – shkollë direkt nga liria e fshatit, plazhit, lagjes, lojës me gjyshërit që dukeshin sikur trishtoheshin se shkolla po rifillonte.

Lemeria e 1 shtatorit.

Kujdes kur hidhni fishekzjarre prindër, se traumatizoni fëmijët dhe pastaj ankoheni se përse lindin autistë. Se nuk duan t’ju dëgjojnë, ja përse bëhen autistë!!!

Kujdes të fuqishëm kur gëzoheni në emër të të dobëtëve, sepse i dhunoni edhe më shumë. Të dhunon protektori, fati i prostitutave na e mëson këtë. Në të gjithë jemi pak si prostituta në njëfarë kuptimi.

Kujdes me atë fjalimin për 1 shtatorin apo kur vetë presidenti i republikës të uron vitin e ri, gjeli i detit të ngecet në fyt kur ai feston dhe lumturohet për ty.

Ja përse kurrë nuk jam i lumtur për tjetrin derisa ai të më thotë vetë: Lumturohu për mua!

Kam frikë se gaboj, kam frikë se i injektoj lumturinë time dhe ai e asimilon me mirësjellje dhe e rinxjerr nga vetja si lumturi për të qenë në sinkron me lumturinë time që lumturon për lumturinë time që lumturon për lumturinë e tij, e cila lumturon për lumturinë time.

Ja përse nuk lumturohem për fëmijët kur këta blejnë librat e shkollës – çfarë lemerie – gjeografia numër 8, algjebra numër 6, kaq shumë, o Zot, kaq e vështirë qenka jeta! Nuk lumturohem kur i rras fëmijës një tufë me lule për t’ia dhënë zyshës ditën e parë të shkollës.

Mbaj mend gjembat që me shponin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency