Ekzekutim me pagesë për biznesmenin e ndërtimit në Durrës

0
312

Elton Qyno

Plarent Cani, anëtar i bandës së Shijakut. Ishte dënuar me 14 vite burg në Itali

Dy persona me motor e qëlluan me plumba në kokë, teksa Cani pinte kafe në mëngjes

 

policia-ne-vendngjarjeEkzekutohet me dy plumba në kokë anëtari i njërës prej bandave të Shijakut, që ka si specialitet të sajin trafikun e heroinës në drejtim të Italisë. Plarent Cani ishte duke konsumuar kafe në lokalin shumë pranë pallatit që po ndërton në Durrës, kur një motor me dy persona të hipur lart, është afruar në rrugë, dhe se njëri prej personave ka qëlluar me pistoletë, duke qëlluar me dy plumba në kokë shtetasin 40-vjeçar, babain e tre fëmijëve, më i madhi 13 vjeç. Plarent Cani, njihej në Durrës si biznesmen në fushën e ndërtimit të pallateve, ndërkohë që në dosjen e policisë Shqiptare dhe asaj Italiane, është skeduar si person i përfshirë në rrjetin e drogës. Për shkak të kaluarës së tij dhe të një dënimi me 14 vite burg nga gjykata e Barit, për akuzën e trafikut të drogës dhe pjesëmarrjes në organizata kriminale, policia e Durrësit e lidh vrasjen e biznesmenit të ndërtimit me pistën e larjes së hesapeve. Cani rezulton të ketë qenë anëtar i njërës prej bandave të Shijakut në Durrës,e cila drejtohet nga një emër shumë i njohur i policisë shqiptare dhe asaj italiane. Kohët e fundit Cani i kishte hyrë rrugës së biznesit, ku fillimisht ka hapur në Durrës një butik dhe më pas ka themeluar kompaninë e ndërtimit “Cani Constrituon”.

Ekzekutimi

Plarent Cani, 40 vjeç, është vrarë rreth orës 08:30 të mëngjesit të së hënës në sektorin “Teuta” të plazhit të Durrësit. Ndonëse i dënuar në mungesë në Itali, viktima ka mundur të ngrejë aktivitetin e tij në Durrës pa probleme, duke qenë i licencuar dhe arritur të sigurojë leje ndërtimi për objektet që merrte përsipër. Mëngjesin e djeshëm ai ishte duke pirë kafen e parë të ditës në një lokal pranë objektit që po ndërton kompania e tij. Nga dëshmitë e para në vendin e ngjarjes rezulton se Plarent Cani, 40 vjeç, është goditur me pistoletë në kokë dhe gjoks nga dy persona me kaska që lëviznin me motor. Autorët i janë afruar viktimës dhe pasi kanë qëlluar mbi të janë larguar me shpejtësi. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash, ndërsa Cani megjithëse është dërguar në spital nuk ka mundur të mbijetojë. Postblloqe policore janë ngritur në hyrje-daljet nga zona e plazhit, ndërsa forca të shumta kanë nisur kontrollet në rrugët dytësore të kësaj zone të mbipopulluar. Hetimet janë përqendruar në aktivitetin e viktimës në fushën e ndërtimeve në bregdet, si dhe larjes së hesapeve për shkak të veprimtarive të paligjshme në të cilat ishte përfshirë në të kaluarën dhe që dyshohet se kishte ende lidhje me to. Të shtënat sipas ekspertëve mjeko-ligjorë kanë ardhur nga një distancë jo më e largët se dy metra dhe plumbat i ka marrë në organe jetësore.

Vrasës me pagesë

Nga mënyra e ekzekutimit të biznesmenit duket se vrasësit kanë qenë tepër të organizuar dhe profesionistë. Në vendin e krimit ata kanë lënë vetëm katër gëzhoja dhe siluetën e motorit që është parë nga dëshmitarët, teksa largohej me shpejtësi. Policia e Durrësit ka ngritur dyshime të forta se vrasja e Plarent Canit është paguar nga persona që kanë dashur eliminimin fizik të tij. Pista e parë që lidhet me këtë vrasje është ajo e trafikut të drogës, pasi Cani ka qënë pjesë e një organizate droge që drejtohet nga disa persona nga Shijaku dhe Vlora. Mendohet se Cani, ka pasur konflikte me anëtarët e bandës dhe për pasojë ka nisur lufta brenda llojit, duke sjellë dhe vrasjen e Plarent Canit, babait të tre fëmijëve. Ndërkohë që pista e dytë lidhet me atë në fushën e ndërtimit kur, Cani ka qenë për disa vite ndërtues pallatesh në qytetin e Durrësit. Aktualisht policia e Durrësit është duke kryer veprime hetimore me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit. Megjithatë shpresat për zbulimin e vrasësve duket se janë të pakta, pasi vetë viktima ishte individ që kishte konflikte të shumta. Për këtë ngjarje është aktivizuar dhe Prokuroria e Durrësit, duke ndihmuar policinë për përgjimin e personave që mendohet se kanë marrë pjesë në vrasje.

 

Katapultimi nga droga në tregti me rroba e pallate

Dyshimi, paratë e trafikut të drogës u pastruan në ndërtimin e pallateve

Biznesmeni 40-vjeçar kishte arritur të bënte një “trampolinë”, duke u hedhur nga aktiviteti kriminal me drogën në një biznes të ligjshëm me ndërtimin e pallateve, rrugëve dhe veprave të tjera. Duket se të gjithë kapitalin financiar të fituar nga tregtia me drogën e ka ligjëruar duke krijuar biznese. Fillimisht e ka nisur me një butik duke tregtuar veshmbathje që i sillte nga Italia dhe më pas në vitin 2008 ka hapur kompaninë “Cani Construction”, duke ndërtuar pallate në qytetin e Durrësit. Megjithëse emri i Plarent Canit është dorëzuar disa herë nga autoritetet italiane tek ato shqiptare si pjesë e listës së personave që duhet të arrestohen, një gjë e tillë nuk ka ndodhur aspak. Nuk dihet në çfarë rrethana nuk është marrë një vendim i tillë, por me sa duket të qenit biznesmen ndërtimi, Plarent Cani kishte mundur të sheshonte dhe problemet me policinë shqiptare dhe të punonte i qetë. Gjatë këtyre viteve, Cani ka ndërtuar disa pallate në zonën e Golemit dhe Durrësit. Cani u vra në një atentat të tipit mafioz, teksa pinte kafe në orët e para të mëngjesit.

DËNIMET E ANËTARËVE TË ORGANIZATËS
Plarent Cani  14 vite burg
Artur Vaqo   23 vite burg
Kujtim Pajo   16 vite burg
Alfred Katro  16 vite burg
Alfred Daja   14 vite burg
Faizal Qehajaj 13 vite burg
Ilir Sukaj   12 vite burg
Albana Katro  8 vite burg
Rubin Mustafa 7 vite burg
Ilir Braha   7 vite burg

 

 

Letra e lamtumirës

“Nuk shlyej kredinë e vendosa që t’ju lë”

 Vetëvritet me një plumb 40-vjeçari. Kishte marrë kredi të madhe në një bankë

Shkëlqim Mullai qëlloi me një plumb pistolete veten brenda në makinën e tij

Elton Qyno

“Nuk jam në gjendje të shlyej kredinë. Të më falni, gjithçka e kam bërë për të mirën tuaj, por nuk arrita t’ia dal e vendosa t’ju le. Unë po iki, por mos harroni se ju kam dashur shumë”. Ky është teksti i letrës së lamtumirës që një 40-vjeçar ka shkruar përpara se të ndërmarrë aktin ekstrem të vetëvrasjes. Shkëlqim Mullai ka qëlluar veten me një plumb pistoletë në kokë dhe kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë gjetur trupin e pajetë dhe më pas kanë njoftuar policinë e Durrësit. 40-vjeçari Mullai është gjetur rreth orës 10:00 në sektorin “Rinia”, ndërkohë që prej vitesh banonte në zonën e Xhafzotajt. Disa vite më parë, Mullai kishte marrë një kredi nga një bankë e nivelit të dytë. Shuma e lekëve që kishte marrë ka qenë tepër e madhe dhe mbetja pa punë ka sjellë që Shkëlqim Mullai të mos kishte mundësi financiare për të paguar këstet e kredisë. Nga ana tjetër herë pas here, banka ka kërcënuar 40-vjeçarin se nuk do ta toleronte më, duke marrë masa të sekuestrimit të pasurisë që ai kishte vënë si garanci pasurore. Kjo ka ndikuar në gjendjen e tij psikologjike dhe për pasojë, 40-vjeçari ka kaluar në depresion, duke sjellë dhe ndërmarrjen e aktit ekstrem, atë të vetëvrasjes.

Vetëvrasja

Shkëlqim Mullai duket se nuk kishte gjetur asnjë rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga kredia bankare. Herë pas here, i ishte drejtuar miqve të tij, duke i kërkuar ndihmë ekonomike me qëllim shlyerjen e kësteve bankare, por edhe me këtë metodë nuk kishte mundur të zgjidhtë gjë. Ditën e djeshme, 40-vjeçari ka rënë në depresion të thellë pasi nga ana e bankës ka marrë njoftimin se nëse nuk paguante këstet e prapambetura, atëherë do vihej përmbarimi në lëvizje, me qëllim sekuestrimin e pasurisë që ai kishte vënë si garanci. Në këtë situatë të tillë, Shkëlqim Mullai e ka parë veten të mundur dhe ka vendosur të vetëvritet. Mullai ka hynë në makinën e tij dhe brenda saj ka shkruar letrën e lamtumirës për familjen dhe fëmijët e tij. “Nuk jam në gjendje të shlyej kredinë. Të më falni gjithçka e kam bërë për të mirën tuaj, por nuk arrita t’ia dal e vendosa t’ju lë. Unë po iki, por mos harroni se ju kam dashur shumë”, – thuhet në letrën, që policia arriti ta gjejë pasi kontrollit të bërë në makinë. Pasi ka mbarur fjalët, 40-vjeçari ka lëshuar stilolapsin dhe më pas ka marrë një pistoletë tip “TT” që e dispononte pa lejë. Me një plumb të vetëm ai ka qëlluar në kokë, duke bërë që të shembet i pajetë brenda makinës së tij.

Gjetja e trupit

Kanë qenë disa prej kalimtarëve të rastit ata që kanë parë trupin e gjakosur brenda në makinë. Më pas qytetarët kanë telefonuar policinë e Durrësit, të cilat kanë shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e kryera dhe verifikimi i dokumentacionit të makinës, është bërë identifikimi i shpejtë i viktimës. Më pas policia ka njoftuar për ngjarjen në fjalë edhe familjarët e tij, të cilët banojnë në Xhafzotaj të Durrësit. Gjatë kontrollit të automjetit është arritur të gjendet dhe një letër, ku viktima njoftonte vetëvrasjen dhe shkaqet që çuan në marrjen e vendimit ekstrem. Ky nuk është rasti i vetëm që persona të ndryshëm, vrasin veten si pasojë e mos pagesës së këstit të kredisë bankare. Kriza ekonomike ka rritur numrin e kredimarrësve të këqij, të cilët për shkak edhe të humbjes së vendit të punës apo vonesës së marrjes së pagave mujore, nuk janë në gjendje të paguajnë dhe këstet mujore. Për pasojë nga ana tjetër vepron banka, e cila nëpërmjet një urdhër ekzekutimi ve në lëvizje përmbarimin që në shumicën e rasteve janë privatë, duke i sekuestruar pasurinë e vënë si garanci, nga ana e qytetarëve. Pas këtij veprimi këto pasuri nxirren në shitje në ankande të ndryshme, dhe se lekët arkëtohen nga banka. Të gjitha këto veprime, futin në krizë mendore kredimarrësit, që në shumë raste kanë zgjedhur t’i japin fund jetës.

 

Aksioni për shkatërrimin e 1 mijë bimëve narkotike

 Policia greke dyshon se ka kapur mikun e super të kërkuarit Marian Kola

Rikthehet edhe një herë në vëmendjen e mediave greke, por jo vetëm, çështja e dy shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikallasë. Sipas raportimit të mediave greke, policia helene ka arrestuar mëngjesin e djeshëm dy shtetas shqiptarë në një zonë në Amari në Rethimo, pasi në zonën e quajtur Pandanasa Amariu kultivonin rreth 1000 pemë hashashi. Ndalimi i tyre është bërë gjatë një kontrolli rutinë, ku policia ka diktuar dy shtetasit shqiptarë, të moshave 22 dhe 35 vjeç, të cilët kanë hapur zjarr menjëherë kundër forcave të policisë greke. Si rrjedhojë e të shtënave ka mbetur i plagosur njëri nga shqiptarët, Aleksandër Kola. Ndërkohë policia ka zbuluar se dy personat e arrestuar dje në Kretë duhet të jenë të afërt me Marian Kolën, i cili u arratis në mars të këtij viti nga burgu i Trikallasë dhe që u vra në përleshje me policinë disa javë më parë. Përkatësisht, për 35-vjeçarin Aleksandër Kola, policia mendon se është i afërt dhe bashkëpunëtor me Marian Kolën, duke i dhënë hetimit një pistë tjetër më të thellë nga sa mendohej.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency