Atentat biznesmenit të kromit në Bulqizë, plagoset kalimtari

0
157

Sonja Caka

Policia: Dyshohet se Qerim Markut i është bërë një tjetër atentat në shkurt të këtij viti në qendër të qytetit

 

vrasje_(1)Bulqiza tronditet sërish nga krimi, ku një biznesmen kromi ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë. Sipas policisë, atentati ndaj dy personave ka ndodhur në një servis makinash, në vendin e quajtur “Kthesa e Spitalit”, në dalje të qytetit. Nga hetimet paraprake mësohet se viktima është Qerim Marku, 44 vjeç, kurse i plagosur në gjendje të rëndë ka mbetur Femi Ismaili, 60 vjeç. Sipas burimeve policore, bëhet me dije se viktima është qëlluar në momentin kur kishte parkuar në një servis makinash, ndërsa aty pranë ndaloi edhe një makinë tjetër, nga e cila është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Më pas, autorët, ende të paidentifikuar, janë larguar me shpejtësi, ndërsa Marku ka humbur jetën dhe Ismaili u transportua për t’iu dhënë ndihmën e parë në spitalin e Bulqizës dhe më pas në Spitalin Ushtarak. Nga hetimet e para mësohet se Ismaili ka qenë i rastësishëm në ngjarje dhe nuk kishte lidhje me viktimën Marku. Policia e Bulqizës ka si pistë një konflikt të vjetër, ku edhe viktima Marku ka qenë në një përplasje me armë mes dy grupeve në qytetin e kromit.

Ngjarja

Vrasja ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 12:00, në vendin e quajtur “Kthesa e Spitalit”, në dalje te qytetit. Sipas policisë, viktima është Qerim Marku, 44 vjeç, i njohur në qytet si një nga të fortët e Bulqizës, i cili merrej me biznesin e kromit. Mësohet se 44-vjeçari ka humbur jetën 40 minuta pasi mbërriti në spitalin e Bulqizës. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Femi Ismaili. Sipas burimeve policore, vrasja mund të ketë motiv kontrollin e kromit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Qerim Marku kontrollonte biznesin e tij me telefon nga banesa, pasi kishte frikën e një atentati. Disa muaj më parë, në shkurt 2013, në qendër të qytetit pati një shkëmbim zjarri mes bandave të kromit e mendohet se objektiv i këtij shkëmbimi zjarri të ketë qenë vetë Marku. Nga shkëmbimi i zjarrit, më 29 shkurt 2013 nuk pati të lënduar. Burimet bëjnë të ditur se autorët ishin vënë në vëzhgim të tij, dhe e ekzekutuan rreth 100 metra larg pallatit ku banonte, pranë spitalit rajonal. Policia ngriti postblloqe dhe nisi krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Dëshmia

Pas ngjarjes, kanë reaguar familjarët e të plagosurit rëndë Femi smeli, i cili u plagos rastësisht mesditën e djeshme në servisin ku iu bë atentati biznesmenit Qerim Marku. Sipas burimeve spitalore, Ismaili ka mbetur i plagosur rëndë në gjoks, duke u dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak ne kryeqytet, ku dhe vazhdon të ndodhet ne gjendje te rëndë. Babai i të plagosurit është shprehur se djali i tij ishte plagosur gabimisht. “Nuk dimë gjë kush qëlloi, por djalin tonë e qëlluan gabimisht. Nuk kishte lidhje me personin tjetër”, – u shpreh ai, duke shtuar se lajmin e kishte mësuar nga media. Ndërkohë që, nga hetimet e para, nisur edhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje, dy personat, njëri i vrarë dhe tjetri i plagosur rëndë, ndodheshin me mjetin e tyre në një servis, kur nga një makinë tjetër hapi zjarr me automatik. Dëshmitarët treguan se makina e autoreve ishte tip “BMW” në ngjyrë vjollcë dhe iu afrua servisit vetëm pak minuta pasi kishin ndaluar dy shënjestrat e sulmit me armë zjarri.

 

 

Itali

Ekzekutohet 40-vjeçari Hajderasi, dyshohet larje hesapesh

Një shqiptar është qëlluar për vdekje dy net më parë në Piaçenca. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:15 të ditës së diel kur katër persona kanë mbërritur me një makinë “Fiat Punto” dhe njëri prej tyre ka qëlluar mbi shtetasin Sadik Hajderasi, 40 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin e ngjarjes, 40-vjeçari ka qenë i ulur në bar “Baraonda” në rrugën “Kolombo”. Ai ka tentuar që të shpëtojë, pasi ishte qëlluar për herë të parë por në atë moment autori i ngjarjes e ka qëlluar për së dyti duke i marrë jetën. Por më me fat ka qenë 35-vjeçari Artur Kala, në momentin kur një plumb tjetër është drejtuar edhe te ai, ndërsa ndodhej bashkë me Hajderasin. Pas kësaj autori i dyshuar i krimit është kthyer dhe ka hipur në makinën që e kishte sjellë në vendngjarje. Deri më tani dyshohet se, krimi ka ndodhur për larje hesapesh mes disa grupeve shqiptare. Policia ka mundur të mbledhë një sërë dëshmish dhe kanë qenë pikërisht ato që kanë ndërtuar edhe dinamikën e krimit dhe kanë zbuluar numrin e atentatorëve, tipin e makinës dhe drejtimin që morën pas krimit.

 

Pukë

Vetëdorëzohet autori i vrasjes së 22-vjeçarit Përndreca

Është vetëdorëzuar autori i vrasjes së 22-vjeçarit në fshatin Gojan të Pukës. Autori i krimit, Festjon Luka, u dorëzua mëngjesin e djeshëm para forcave të komisariatit të Pukës. Sipas burimeve policore, 22-vjeçari Bardhok Përndreca u qëllua me plumba pistolete paraditen e së dielës pas një zënke të rastin me bashkëfshatarin e tij. Burime policore konfirmuan se viktima u qëllua nga afër me pistoletë, ndërsa një plumb i ka depërtuar në zemër, çka ka qenë fatale për jetën e tij. Mësohet se një ditë më parë viktima ishte konfliktuar me një bashkëfshatarin e tij dhe sherri ka vijuar edhe paraditen e djeshme. Ofendimet e rënda mes palëve, duket se kanë çuar edhe në përdorimin e armëve, duke shkaktuar edhe vdekjen e 22-vjeçarit. Mësohet se i riu kishte dy vjet në Francë si emigrant me azil, ndërsa kishte ardhur në fshat për të shuar një konflikt të kushëririt të tij me autorin Luka.

 

Gjirokastër

Trafiku ilegal i njerëzve kundrejt 500 eurove, arrestohen 3 persona

Tre persona kanë rënë në pranga të Policisë Kufitare të Kakavijës, pasi akuzohen se ndihmonin personat me probleme në zonën Shengen për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale kundrejt një shume të konsiderueshme parash. Burime policore bëjnë me dije se falë operacionit të zhvilluar nga policia kufitare janë arrestuar shtetasit Elton Duraj, Bardhyl Shkrela dhe Xhelal Koçia, në cilësinë e udhërrëfyesit. Nga hetimet paraprake mësohet se shtetasit e sipërpërmendur në momentin e arrestimit, po ndihmonin 9 persona të kalonin kufirin nga Shqipëria në Greqi, kundrejt shumës prej 500 eurosh. Policia bën me dije se trafikantët kalonin persona në mënyrë ilegale pasi ato kishin probleme në vendet e zonës Shengen. 3 nga 9 shtetasit që prisnin të kalonin kufirin në mënyrë ilegale, mësohet se ishin femra nga Shkodra, Lezha dhe Berati. Ato udhëtonin në automjetin e të arrestuarit, Elton Duraj, tip “Mercedes-Benz” me targa FR 1897 D. Të arrestuarit ishin prej kohësh nën vëzhgimin e policisë, ndërkohë që dje u finalizua arrestimi i tyre.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency