Shpërthimi i tritolit në banesën e Kollozit, dosja kalon te Krimet e Rënda

0
135

Sonja Caka

Prokuroria: Dyshohet se tritoli është vendosur për shkak të detyrës së drejtorit të ALUIZNIT në Vlorë

 

gjykata e krimeve te renda_3Disa muaj pas shpërthimit të tritolit në banesën e kreut të AKUZINIT dhe njëkohësisht edhe kreu i PD-së për Vlorës, Ardian Kollozi, Prokuroria për Krime të Rënda merr në dorë hetimin e kësaj çështjeje. Kalimi i dosjes te krimet e rënda ka ndodhur për shkak të dyshimit të arsyeshëm në bazë të provave paraprake të grumbulluara, se shpërthimi i rreth 500 gramëve eksploziv, të jetë vënë për shkak të detyrës që ushtron Kollozi dhe problemeve të shkaktuara nga vonesat e dosjeve për legalizim. Burime pranë akuzës bëjnë me dije se ka qenë ora 2:45 mëngjesit, kur sasia e tritolit prej rreth 500 gramë ka shpërthyer një kat poshtë banesës së drejtorit të ALUIZNIT, çka lë të dyshohet se atentatorët kanë ngatërruar katin. Sipas prokurorisë, mekanizmi i shpërthimit ka qenë me fitil dhe jo i telekomanduar, pasi në vendin e ngjarjes ekspert të policisë shkencore kanë gjetur mbetje të fitilit të djegur. I pyetur nga prokuroria, drejtori i ALUZINIT ka mohuar të ketë pasur probleme me njeri, duke orientuar hetuesit drejt pistës së atentatit për shkak të detyrës. Prokuroria, mësohet se ka kontrolluar gjithë zonën duke bllokuar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth, ndërsa ka shoqëruar disa persona, por deri tani asgjë konkrete për zbardhjen dhe identifikimin e atentatorëve me tritol në qytetin e Vlorës.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 02:45 të mëngjesit të fillimit të muajit qershor, në katin e 10-të, një kat më poshtë nga ku ndodhet banesa e Ardian Kollozit. Shpërthimi i lëndës eksplozive ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke dëmtuar dyert dhe dritaret e dy kateve, të katit të 10 dhe 11. Ngjarja, e cila jo vetëm ka tronditur banorët e pallatit, por edhe të zonës përreth, pati reagim te shumë banorë të zonës, të cilët kanë dalë nga banesat e tyre për të parë nga afër ngjarjen. Menjëherë është rrethuar vendngjarja dhe forca të shumta policore janë ngjitur në ambientet e pallatit, i cili ndodhet në lagjen “29 Nëntori”, duke marrë në pyetje banorët e pallatit, si dhe janë mbledhur prova nga vendngjarja. Po ashtu, policia, e cila ka patrulluar përgjatë gjithë zonës, ka bërë shoqërimin e disa personave, që kanë qenë të pranishëm në afërsi të zonës dhe pasi janë marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore, janë lënë të lirë. Fillimisht hetimet janë kryer nga oficerët e Vlorës dhe më pas është kërkuar mbështetja nga Tirana me specialistë të kësaj fushe. Specialistët nga Tirana kanë mbërritur në orët e para të ditës, të cilët drejtoheshin nga nëndrejtori i përgjithshëm i policisë, i cili është shoqëruar nga kreu i Prokurorisë së Vlorës, Dorian Tafili. Nga hetimet paraprake janë ngritur dyshimet se sasia e lëndës eksplozive ka qenë e konsiderueshme, nga 500 gramë e llojit tritol. Sipas policisë, nga hetimet nuk përjashtohet edhe funksioni i tij si drejtor i përgjithshëm i ALUIZNI-t. Pallati ku u vendos lënda eksplozive ndodhet përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, kështu që pozicioni i tij ka bërë që zhurma e shpërthimit të dëgjohej pothuajse në të gjithë qytetin bregdetar.

 

Korçë

Neonazistët e “Agimit të Artë”, bllokojnë për disa orë Kapshticën dhe Kosturin

Neonazistët e “Agimit të Artë” kanë filluar reagimet e tyre lidhur me çëhstjen e konfliktit për kishën e Përmetit, duke protestuar dhe bllokuar për disa orë kalimin e emigrantëve në pikën kufotare të Kapshticës në Korçë. Protesta u zhvillua në tokën greke, ndërsa nga të dy anët e kufirit u morën të gjitha masat për të mos lejuar konfrontime të emigrantëve shqiptarë me protestuesit. Protesta antishqiptare u zhvillua mesditën e djeshme, duke filluar në në doganën e Kapshticës, në anën greke, dhe prej andej kanë vijuar në Kostur, ku edhe aty kanë penguar sërish kalimin e emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë. Sipas burimeve policore mësohet se protestuesit e ‘Agimit të Artë’ kanë tentuar të godasin me grushta edhe tre shqiptarë, por fatmirësisht nuk i kanë lënduar, pasi ka ndërhyrë policia greke. Në protestë u shfaq edhe një parullë ksenofobe: “Shqiptarët janë qenër, nuk i duam në vendin tonë, do t’i djegim.” Nga burime në vendngjarje u mësua se protesta kishte si shkak konfliktin për kishën e Përmetit. Për pasojë, shqiptarët që kanë dashur të kalojnë kufirin kanë devijuar rrugën për në atdhe nga Follorina. Siç raportohet edhe në orën 16:00 protesta vazhdon dhe rruga e Kosturit mbetet e bllokuar dhe nuk dihet se derisa do të zgjasë. Dogana e Kapshticës ka pezulluar punën dje në mesditë për rreth një orë për shkak të protestës antishqiptare. Për të shmangur përplasjen, autoritetet doganore shqiptare ndërprenë punën dhe Drejtori i Kufirit, Ylber Zyberi, diskutoi me homologët grekë për shkaqet e protestës. Asnjë shqiptar nuk u lejua të kalojë tokën shqiptare për të penguar konfrontimet.

 

Vlorë

Grabiten dhe dhunohen për të dytën herë dy të moshuar në Dukat

Nuk do u mjaftonte një traumë e përjetuar më parë, duke qenë preh e grabitësve të maskuar, por sërish në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme do grabiteshin e dhunoheshin sërish. Dy të moshuar nga fshati Dukat i Vlorës janë grabitur dhe goditur për të dytën herë në banesën e tyre, kësaj here nga një person i pamaskuar. Sipas burimeve policore, të moshuarit quhen Laçe Hibroj, 80 vjeç dhe Selvi Hibroj, 77 vjeçe. Ata kanë qenë vetëm në shtëpi kur hajdutët u kanë hyrë në shtëpi nga dritarja e banjës dhe u kanë vjedhur 65 mijë lekësh të reja. Sipas burimeve policore, referuar edhe dëshmisë së të moshuarit, 80-vjeçari Laçe Hibroj ka dëgjuar zhurma jashtë banesës dhe ka dalë për të parë se çfarë ka ndodhur. Pasi ka vënë re një person, ky i fundit e ka goditur në fytyrë dhe ka arritur t’i marrë shumën prej 50 mijë lekësh të reja. Grabitësi i pa maskuar më pas ka mundur t’i marrë bashkëshortes së 80-vjecarit, Selvi Hibroj, shumën prej 15 mijë lekësh të reja dhe është larguar menjëherë përmes derës. Nga hetimet paraprake mësohet se i riu ka hyrë në banesë përmes dritares së tualetit, ndërkohë që megjithëse ka qenë i pa maskuar dhe vetëm me një kapele, të moshuarit kanë deklaruar në polici se nuk e identifikojnë dot për shkak të errësirës. Ata kanë rrëfyer në polici se grabitësi ishte shtat shkurtër. Të moshuarit kanë denoncuar ngjarjen në polici dhe kanë bërë apel për kapjen e autorëve.

 

Durrës

Në mes të ditës, grabitet nga dy femra dhe një djalë argjendaria

Jo vetëm meshkujt nëpër aksione grabitjesh, tashmë të angazhuara edhe femrat. Ngjarja në mes të ditës, fatmirësisht pa të lënduar në njerëz. Dy femra dhe një djalë kanë qenë autorët e grabitjes me armë të një argjendarie në Durrës. Argjendaria e grabitur ka qenë pranë tregut Industrial të qytetit të Durrësit duke vjedhur një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Sipas policisë rezulton se tre personat e armatosur, pasi kanë kërcënuar e grabitur bizhuteritë me vlerë, nën kërcënimin e armëve janë larguar me shpejtësi me një automjet tip Benz me targa të Laçit. Ky automjet dyshohet të jetë i vjedhur në qytetin e Laçit. Nga ana e policisë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Ngjarja u shënua dje rreth orës 15:00 pranë tregut industrial të qytetit bregdetar, ndërsa mësohet se grabitja ka ndodhur në harkun e pak minutave. Dyshohet se nga grabitja, pronari është dëmtuar në vlerën e 20 milionë lekëve të vjetra. Policia në vendngjarje ka marrë në pyetje shitësen, pronarin e argjendarisë si dhe dëshmitarë që kanë qenë prezent gjatë grabitjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency