Bashkia transport falas nga Tirana në Vorë, për përdoruesit e linjës së trenit

0

Pas 15 vitesh hiqet linja e tensionit të lartë në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë

Loading...

 

62130_511695258881660_1753209691_n_348694Nisja e punimeve për bulevardin e ri të Tiranës ka diktuar nevojën e nisjes së zhvendosjes së shinave të trenit. Për këtë arsye, duke nisur nga dita e Hënë, Stacioni i Trenit do të zhvendoset në Vorë. Për t’u krijuar të gjithë lehtësirat e nevojshme udhëtarëve që përdorin linjën e trenit për të udhëtuar, Bashkia e Tiranës do të vërë në dispozicion autobusë  falas, për transportin e pasagjerëve të trenit, nga Tirana në Vorë dhe anasjelltas.

Udhëzimet

Nisja e autobusëve bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orareve të nisjes së trenit dhe anasjelltas. Për të përdorur shërbimin falas të autobusëve, pasagjerët duhet të kenë biletën e trenit ose abonenë që i identifikon si përdorues të linjës së trenit. Zhvendosja e shinave të trenit, përveç se i hap rrugën realizimit të një projekti strategjik, siç është ndërtimi i bulevardit të ri, do t’i japë fund ankthit të banorëve që jetojnë përgjatë zonës ku shtrihen shinat e trenit. Aksidente të shumta, me pasojë edhe humbje jete njerëzish janë shkaktuar në këtë zonë, si pasojë e kalimit të qytetarëve dhe automjeteve mbi shinat e trenit.

Kryebashkiaku Basha ua premtoi banorëve të kësaj zone, zhvendosjen e shinave të trenit, në vitin 2011, një premtim që do të kthehet në realitet, duke nisur nga dita e hënë, pra sot. Investimi që e pason këtë hap të parë, pra ndërtimi i bulevardit të ri do të sjellë një cilësi të re jete për banorët, mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik.

Linja e tensionit të lartë

Pas 15 vitesh, linja e tensionit të lartë do të zhvendoset nga bulevardi “Zogu i Parë”. Zhvendosja e kësaj linje, një shqetësim i madh i banorëve të kësaj zone ishte një premtim i kryebashkiakut Basha, bërë gjatë fushatës elektorale në vitin 2011. Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës ka marrë një ekip të specializuar nga jashtë si dhe po bashkëpunon me OST. Ekspertët e huaj e kanë konsideruar punën në zhvendosjen e linjës së tensionit të larte, si një ndërhyrje “kirurgjikale”. Zhvendosja do të përfundojë tërësisht brenda javës së parë të shtatorit. Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja, z. Henrik Hysenbegasi tha se punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zviceriane, në bashkëpunim me ekspertë të OST-së. “Punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zviceriane, duke përdorur teknologjinë e fundit. Jemi në pikën përfundimtare, ku kryhet lidhja e kabllove. Brenda pak ditësh do të mundësojmë vënien në efiçencë të linjës nëntokësore, “Tirana-1” – nënstacioni-Qendër dhe me vënien në efiçencë të kësaj linje do të mundësohet edhe zhvendosja e linjës ajrore të tensionit të lartë përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, deri në vazhdim tek stacionin Tirana-1” – u shpreh z. Hysenbegasi. Drejtori i njësisë operative për Tiranën, pranë OST-së, z. Sali Toçilla ka falënderuar Bashkinë e Tiranës, për këtë investim me parametra bashkëkohorë dhe që i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit. “Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit. Gjejmë rastin të falënderojmë Bashkinë e Tiranës, që bëri të mundur zbatimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës” – theksoi z. Toçilla. Ndërkohë ka reaguar dhe OST në lidhje me zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë. “Do të zëvendësohet linja ajrore përgjatë Bulevardit ‘Zogu i Parë’. Kjo linjë shërben për të furnizuar qendrën e Tiranës. Pas disa ditësh përfundojnë punimet për këtë linjë. Linja ajrore ka qenë një zgjidhje emergjente në 1998. Punimet nga një firmë e specializuar zvicerane”, – thuhet në reagimin e tyre.

 

 

 

Vora stacioni i ri i trenave deri në përfundim të terminalit

Sërisht Vora do të shërbejë si një stacion nga ku do nisen trenat për në Durrës, Shkodër e qytete të tjera. Trenat e udhëtarëve do të ruajnë të njëjtat orare të mbërritjes dhe të nisjes nga Vora, sipas orarit aktual të trenave. Gjatë ditës në linjën Durrës -Tirane e kthim lëvizin gjashte çifte trenash. I pari niset nga Durrësi në orën 6.15, ndërsa i fundit që nga dita e hënë do të niset nga Vora, si stacion fundor në orën 20.22, pa e ndryshuar orarin aktual. Vora do të jetë stacion hekurodhor provizor sepse stacioni multimodal do të jetë vendqëndrimi për trena, autobus e taksi. Kompania italiane “Ital – Ferr do të punojë për të, ndërsa sipas Bashkisë Terminali është pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë. Punimet për zgjatimin e bulevardit ende nuk kanë nisur, por Bashkia e Tiranës bëri të ditur më herët se javën e ardhshme do të përzgjedhë kompaninë e cila do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike, disa institucione kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj. Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia”.

 

Njoftimi

CEZ njoftim për shkëputje të energjisë

Kompania CEZ Shpërndarje ka njoftuar dje se Tirana nga data 1 deri ne 6 shtator do të ketë kufizim të energjisë elektrike.  Ndërprerja e energjisë do të fillojë nga ora 22:00 deri ne 06:00. Zonat që preken nga kufizimi janë: Rruga e Durrësit, Rr.Mihal Duri, Rr.Ded Gjoluli, Rr.Naim Frashëri, Rr.Abdyl Frashëri, Rr.Sami Frashëri. Kufizim të energjisë do ketë edhe në zonat “Libri Universitar, Rr.Ismail Qemali, Pjetër Bogdani”. CEZ sqaron se këto kufizime do të bëhen për shkak të punimeve në linjën kabllore 110 kË në nënstacionin Qendër-Tiranë.

 

 

Përfundon ekspedita arkeologjike, “Adrianopol  2013”

Ekspedita Italo – Shqiptare e cila nisi një muaj më parë ka nxjerrë në pah një territor të gjerë të teatrit të Adrianopolit, e cila dikur mbulohej nga aluvionet e lumit Drino. Në përfundim të gërmimeve të këtij viti, ka qenë i pranishëm edhe drejtori i institutit të arkeologjisë, Luan Bërzhita. Sipas Bërzhitës e veçanta e këtij viti lidhet me ndërtimet e shekullit të gjashtë, me ndërtimet e perandorit Justinian, e  cila na jep mundësinë të gjykojmë se kjo qendër nuk pati vetëm një zhvillim të vrullshëm në shekujt e dytë, të tretë dhe fillimit të shekullit të katërt, por edhe në shekullin e gjashtë. Teatri  i Adrianopolit, me një kapacitet prej 4000 vendesh, u zbulua në vitet 1970 nga arkeologu  Apollon Baçe. Ai ndodhet përballë fshatit Sofratikë të komunës së Dropullit të poshtëm, shumë  afër rrugës nacionale, çka e bën atë lehtësisht të prekshëm nga ana e vizitorëve. Teatri i Adrianopolit, është një qendër turistike e rëndësishme e zonës së minoritetit.

 

 

Shën Gjin

Pushuesit nuk i tremben shiut

Hyrja e Shëngjinit edhe mëngjesin e djeshëm ishte e mbushur me trafik dhe pushues që rendnin drejt bregdetit. Ditët me shi të fillim javës dhe ulja e temperaturave, nuk i kanë trembur pushuesit në këtë bregdet, të cilët vazhdojnë të popullojnë këtë zonë. Ditët me shi nuk kanë ndikuar, pasi kthimi i motit me diell i ka sjellë sërish pushuesit në bregdetin e Shëngjinit. Nëse koha do të jetë e mirë, këta pushues shprehen se do të jenë prezentë edhe gjatë muajit shtator. Deti me pushues të shumtë që lahen, tregon se pushimet vijojnë, ky sezon pretendohet se do të zgjasë. Këtë pretendojnë operatorët turistik, por këtë e dëshirojnë edhe vetë pushuesit në bregdetin e Shëngjinit.

 

Loading...