Mima, BB, ekspertët e financave: Politikat e Berishës shpëtuan vendin nga recesioni, jo taksës progresive

0
149

 Ervin Kaduku

Nuk ka më hapësirë për ulje të taksave, Rama do të vendosë regjim mbytës ndaj biznesit në vend dhe do të pengojë investitorët e huaj që të vërshojnë në Shqipëri; taksa e sheshtë shpëtoi vendin

 

ekonomi-02[1]Konferenca dyditore e Partisë Socialiste, “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, është vënë sërish në “shënjestër” të qeverisë. Ministri i Ekonomisë, Florjon Mima, përmes një deklarate për mediat, ka theksuar dje se kryesocialisti Edi Rama duhet t’u kushtojë rëndësi porosive të lëna në unison nga ekspertët e huaj, të cilët këshilluan kundër aplikimit të taksës progresive, si dhe theksuan se deri tani qeveria shqiptare ka mundur të shmangë me sukses recesionin, që përfshiu një pjesë të madhe të vendeve të Evropës dhe botës.

“Ndërsa në diskutimet mbi territorin ishin të pranishëm një grup klientësh të zotit Rama, nuk mund të lë pa nënvizuar se pjesë e konferencës ishin ekspertë të nderuar të ekonomisë. Ekspertët e huaj theksuan se përpjekja më madhore duhet të jetë shmangia e rënies së ekonomisë në recesion”, – u shpreh Mima. Sipas kreut të METE-s, ekspertët e huaj kërkuan që të rritet ekonomia dhe të bëhet kujdes me taksat, këshillë kjo që, sipas tij, ka rënë në vesh të shurdhër, pasi ndryshe po procedohet nga ana e socialistëve.

“Ekspertët e huaj kërkuan kujdes për taksat. Këshilla për të rritur ekonominë dhe jo taksat ka rënë në vesh të shurdhër të atyre që po përgatitin projektin për çmontimin e taksës së sheshtë”, – tha Mima. Ai u ndal edhe në deklaratat e PS për koncesionet. “Ministrat e rinj që do të marrin detyrën në shtator do të kenë mundësi të kalojnë në lupë çdo koncesion, sikundër do të gjejnë në tryezat e tyre dhjetëra projekte madhore e reforma të rëndësishme të ndërmarra përgjatë këtyre viteve nga qeveria demokratike”, – tha ai.

Banka Botërore

Në mbyllje të mandatit të saj në Shqipëri, edhe shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Kseniya Lvovsky, vlerësoi partneritetin me qeverinë shqiptare dhe dha këshillat e para për qeverinë e re. Në një deklaratë për mediat, ajo theksoi se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013 ka qenë e dobët, por më e mirë se vendet e tjera të rajonit. Zyra e Bankës Botërore mendon se nuk ka hapësirë fiskale për investime të reja dhe as për realizimin e shumë nga premtimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale mazhoranca e re. Ndërkohë që ka qenë vetë Edi Rama që ka propozuar ulje të taksave gjatë kësaj fushate, sipas Lvovskyt, qeveria e re nuk mund të ulë taksat, por duhet të ketë në qendër uljen e borxhit publik dhe të përqendrohet për një politikë fiskale të konsoliduar. “Asnjë qeveri e re nuk ka shanse të ulë taksat, vetëm nëse redukton në mënyrë drastike shpenzimet”, – shtoi ajo.

Lvovsky vlerësoi zgjedhjet edhe gjithë procesin si historik për vendin, si dhe shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me qeverinë në largim, për të cilën tha se ka realizuar një sërë arritjesh.

“BB mat përparimin e saj fiskal me rritjen fiskale që përfundojnë me 30 qershor. Ky ishte një vit i vështirë për ekonominë e vendit si në rajon, si pasojë e ndikimit të krizës së zgjatur në Eurozonë. Ndikimet se krizës dhe recesioni janë ndjerë më shumë se më përpara. Shqipëria ka pasur probleme me huatë si dhe në sektorin privat. Një numër problemesh në sektorin e energjetikës e ka përkeqësuar presion fiskal dhe ekonomik, por vlerësimi duhet të shihet në kontekstin e gjithë rajonit. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e dobët por ka ecur më mirë sesa vendet e tjera fqinje”, – u shpreh shefja e BB.

E pyetur nga gazetarët për borxhin publik, ekspertja e BB-së tha: “Nëse do të vendoset të bëhen shkurtime drastike në shpenzime, për çdo qeveri të re është e nevojshme të rrisë efektivitetin e menaxhimit të shpenzimeve publike, prandaj do të jetë shumë e rëndësishme të përqendrohet në reforma strukturore që sigurojnë të ardhura afatmesme dhe përfitime afat mesme. Borxhi publik duhet kufizuar”.

Lvovsky përsëriti disa herë thirrjen për qeverinë e re për të ngritur Këshillin Fiskal. “Situata ekonomike është mjaft e vështirë për shkak të krizës botërore; ka disa vite që qeveria bën përshtatje të buxhetit afatmesëm dhe ky vit nuk ishte ndryshe nga vitet e tjera. Ka gjasa që edhe këtë vit të bëhen përshtatje. Ka rëndësi që qeveria të vendosë rregulla fiskale dhe të ngrejë këshillin fiskal”, – nënvizoi ajo.

Këshilla tjetër e ekspertëve të BB-së është “zgjerimi dhe përshpejtimi i reformave strukturore. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kushtet e krizës ekonomike në rajon dhe botë. Në disa fusha reformat kanë nevojë të zgjerohen dhe njeri prej tyre është sektori energjetik dhe sektori i pushtetit vendor. Selektiviteti strategjik është këshilla jonë për qeverinë e re; pra, të mos hapet në të gjitha fushat në të njëjtën kohë, në të gjitha drejtimet njëherazi”. Këshilla e tretë dhe më thelbësorja ishte konsolidimi fiskal.

Do të jetë me rëndësi që të rritet besueshmëria në institucionet publike. Kjo përfshin ndër të tjera transparencën, pavarësinë e institucioneve; përfshin gjithashtu shtetin ligjor, respektimin e tij pa diskriminim, që ai të mos respektohet në mënyrë selektive, të padrejtë. Ka shumë mundësi që Shqipëria të ketë një administratë profesionale sepse ka pasur një personel të kualifikuar dhe mbajtja e tij do të jetë një test të ri. Pra, unë e konsideroj mbajtjen e këtyre personave si një test për qeverinë e re në integrimin e vendit në BE, u shpreh shefja e zyrës së BB.

Lidhur me sistemin e shpërndarjes së energjisë, Lvovsky vuri theksin tek përmirësimi i këtij sistemi si dhe të zgjidhjet çështja e pronës. “BB rekomandoi që të arrihet një zgjidhje e negociuar me CEZ-in, sepse sektori i shpërndarjes është në meanaxhim të shtetit përkohësisht, por çështja e pronësisë nuk është zgjidhur ende. Është kyç, përmirësimi i performancës së këtij sektori”, – tha Lvovsky duke shtuar se “është qeveria që do të vendosë se kur do të jetë momenti për ta riprivatizuar”.

 

INSTAT

Ekonomia shqiptare ka arritur edhe tremujorin e parë të këtij viti të mbajë ritme pozitive zhvillimi, në një kohë kur shumë ekonomi të ngjashme, madje edhe shumë më të zhvilluara, kanë rrëshqitur prej vitesh tashmë në terren negativ. Ekonomia në tremujorin e parë të vitit 2013 u rrit me 1.7 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2012, ndërsa, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012, u rrit me 0.7 për qind, bëri të ditur INSTAT.

Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin Posta dhe komunikacioni dhe Industria respektivisht me 15.4 për qind dhe 14.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2012. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin Ndërtimi, Transporti dhe Tregti, Hotele dhe Restorante respektivisht me 4.8 për qind, 2.9 për qind dhe 2.1 për qind.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012 me rritje u paraqit Ndërtimi me 3.8 për qind, Industria me 3.3 për qind, Posta dhe komunikacioni me 1.4 për qind dhe Shërbime të tjera me 1.3 për qind. Transporti dhe Tregti, Hotele dhe Restorante u shfaqën me rënie krahasuar me tremujorin para-ardhës respektivisht me 2.3 për qind dhe 0.4 për qind.

Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 2.1 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2012 dhe ra me 1.1 për qind kundrejt tremujorit paraardhës.

Ritmet e rritjes në tremujorin e parë janë të ngjashme me ato të vitit të kaluar.

Sektori i post-komunikacionit po regjistron rritje mjaft të lartë për të katërtin tremujor radhazi, çka tregon aftësi për ta ruajtur ecurinë me një farë vazhdimësie. Edhe industria u rrit për të katërtin tremujor radhazi, por në këtë degë nivelet janë më të luhatshme. Duhet thënë se shkallët më të larta të rritjes vazhdon t’i sigurojë industria nxjerrëse me 35.2% duke regjistruar të katërmbëdhjetin tremujor radhazi pozitiv. Rritja në këtë nëndegë të industrisë mbështetet kryesisht në eksportin e lëndëve të para dhe konfirmon faktin se rritja ekonomike e Shqipërisë po mbështetet në një masë të madhe në kërkesën e jashtme. Rritje disi më të lehtë se mesatarja ka arritur bujqësia, me 2.1%, çka megjithatë përfaqëson një rezultat zhgënjyes, duke pasur parasysh nivelet e larta gjatë vitit të kaluar dhe pritshmëritë që ka nga sektori bujqësor edhe për këtë vit.

Gjatë vitit 2012, bujqësia u rrit me afro 7.5%, ndërsa këtë vit Banka Botërore parashikon një kontribut të lartë të këtij sektori në rritjen e ekonomive të Rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Në zonë pozitive është edhe sektori i shërbimeve me 1.3%, ndërsa sektorët e tjerë ekonomikë kanë rezultuar në rënie. Edhe në tremujorin e parë të këtij viti ndërtimi ishte sektori me rënien më të thellë, 4.8% kundrejt një viti më parë. Në rënie më të përmbajtur sektori i Transporteve me 2.9% dhe Tregtia me 2.1%. Të dhënat e tremujorit të parë konfirmojnë një ekonomi që po rritet me hap të ngadaltë, në gjurmët e vitit 2012

 

Ekspertët

Neritan Sejamini, ekspert i politikave publike, një nga kontribuuesit në hartimin e reformës për taksën e sheshtë, ka shpjeguar në një bisedë me radion gjermane “Deutsche Welle” përparësitë e një takse të ulët të sheshtë, në rastin e Shqipërisë. Sipas tij, “një vend me taksa më të ulëta dhe sistem më të thjeshtë fiskal është më tërheqës për investuesit e huaj. Pra objektivi për t’u bërë më tërheqës për investuesit e huaj, ishte një nga arsyet. Megjithatë arsyet kryesore për futjen e taksës së sheshtë kishin të bënin me situatën në vend. Shqipëria prej vitesh përballet me një evazion të lartë fiskal. Një pjesë e madhe e bizneseve përdorin bilance të dyfishta. Është krijuar një sistem për shmangien e taksave, pjesë e të cilit nuk janë vetëm bizneset, por edhe punonjësit e administratës fiskale, të cilët bashkëpunojnë kundrejt korrupsionit. Sigurisht kjo shmangie e detyrimit fiskal ka një kosto, por sa më të larta të jenë taksat aq më e ulët bëhet në raport relativ kjo kosto. Pra një taksë e ulët dhe sistem i thjeshtë tatimor, nxit bizneset të dalin nga informaliteti, dhe kjo ishte një nga arsyet e futjes së taksës së sheshtë”.

 

Debati

Ashtu si Shqipëria, edhe mjaft vende të rajonit, si Kroacia, Maqedonia, Kosova etj., përdorin taksën e sheshtë, për t’u bërë më tërheqëse për investuesit e huaj, të cilët preferojnë një sistem të thjeshtë fiskal. Në komentin e saj, “Deutsche Welle” vë në dukje se taksa e sheshtë ka ndikuar pozitivisht në reduktimin e ekonomisë informale, duke bërë që shumë biznese të dalin nga informaliteti.

 

Fondacioni “Adenauer”

Thomas Schrapel, drejtor i fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë, theksoi se është e rëndësishme një taksë e ulët e sheshtë, po ashtu sikurse është i rëndësishëm është zbatimi konsekuent i ligjeve ekzistuese nga administrata fiskale: “Nëse dëgjon mendimin e investuesve, problemi kryesor që ata kanë nuk është edhe aq sistemi fiskal që aplikohet në Shqipëri, por zbatimi me konsekuencë i sistemit. Në të vërtetë nuk ka një expressis verbis, pra një sistem fiskal i cili në mënyrë absolute është më i miri. Është mirë që në të ardhmen të shihen përvojat e vendeve të rajonit. Për Shqipërinë një taksë e sheshtë rezulton tërheqëse për investuesit e huaj, por në fund të fundit më e rëndësishme është siguria për zbatimin me konsekuencë të sistemit të zgjedhur fiskal. P.sh. në praktikë jo gjithnjë është e qartë, qoftë për investuesit e huaj qoftë për ata shqiptarë, se si procedohet me taksën mbi vlerën e shtuar, kur aplikohet ajo etj. Këto janë të rregulluara qartë në ligj, por zbatimi në praktikë jo gjithnjë funksionon. Pra flasim për temën siguri ligjore”, – ka thënë ai për radion gjermane.

 

Neritan Sejamini

Sipas tij, një vend me taksa më të ulëta dhe sistem më të thjeshtë fiskal është më tërheqës për investuesit e huaj. Pra objektivi për t’u bërë më tërheqës për investuesit e huaj, ishte një nga arsyet. Megjithatë arsyet kryesore për futjen e taksës së sheshtë kishin të bënin me situatën në vend. Shqipëria prej vitesh përballet me një evazion të lartë fiskal. Një pjesë e madhe e bizneseve përdorin bilance të dyfishta. Është krijuar një sistem për shmangien e taksave, pjesë e të cilit nuk janë vetëm bizneset, por edhe punonjësit e administratës fiskale, të cilët bashkëpunojnë kundrejt korrupsionit.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency