Kategoria Superiore, Partizani rikthehet fuqishëm

0
149

Altin Vorpsi

“Të kuqtë” kanë mundur skuadrën e Kastriotit me rezultatin e pastër 2-0. Fitore me shumë vlera mori edhe Flamurtari që mposhti në Shkodër Vllazninë. Teuta e Maganit gëzon për tri pikët e para.

 

partizaniTakimet e para të edicionit të 75-të të Superligës shqiptare nuk kanë gjetur “paqe”. Të tria këto ndeshje kanë nxjerrë nga një fitues. Kanë triumfuar dy skuadra udhëtuese, Partizani dhe Flamurtari, ndërkohë që durrsakët e Maganit kanë përmbysur me mjaft vështirësi eurogolin e Bekim Kulit për Bylisin.

Në Krujë

Partizani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Kampionatin e 75-të Kombëtar të Futbollit, ndërsa Vllaznia është antipodi i tij. “Të kuqtë” kanë befasuar, duke triumfuar në Krujë me rezultatin 2-0, falë golave të Hyshmerit dhe Demirit. Maliqi i Partizanit ka marrë dy të verdhë dhe në minutën e 75-të i ka lënë të tijtë në inferioritet numerik. Sidoqoftë, loja e formacionit të Hasan Likës ka qenë mjaft efikase, bindëse në prapavijë dhe vrasëse në kundërsulm. Për pasojë, të kuqtë dalin me tri pikët e para nga kjo transfertë e vështirë, duke u hakmarrë në njëfarë mënyre për goditjen e fundit që ia dha Kastrioti para disa vitesh për në kategoritë inferiore, në ndeshjen e “play-out”-it të zhvilluar në “Niko Dovana”.

Vllaznia pa ide

Kuqeblutë e Shkodrës janë mundur brenda në “Loro Boriçi” 1-0 nga Flamurtari. Goli për vlonjatët ka autorësinë e mesfushorit Taulant Kuqi, shënuar që në minutën e 32-të. Kohë në dispozicion për të reaguar kanë pasur të besuarit e Agim Canajt, por potenciali nuk premton shumë. Ky ishte një fillim mjaft i mbarë për kuqezinjtë e Gjokës, të cilët kanë kaluar një problematikë të madhe së fundi dhe janë riorganizuar “in extremis” pas largimit të lojtarëve cilësorë. Vllaznia ka luajtur që në minutën e 65-të me dhjetë lojtarë, pasi Baçi është ndëshkuar me të kuq nga kryesori Jemini, ashtu sikurse ka ndodhur edhe në Krujë.

Në Kavajë

Në Kavajë kanë fituar me përmbysje durrsakët e Maganit, që kanë vuajtur jo pak. Kuli ka shënuar i pari një eurogol, në fundin e pjesës së parë, ndërsa ka barazuar në të dytën Ahmataj, para se Daniel Xhafaj të vuloste suksesin 3-pikësh të të tijve. Teuta luajti në stadiumin “Besa”, për shkak se e ka stadiumin e vet në rikonstruksion.

 

 

Java e 1-rë

Dje

VLLAZNIA-FLAMURTARI 0-1

Golat: Kuqi 32′

 

TEUTA-BYLIS          2-1

Golat: Ahmataj 70′, Xhafa 84′ / Kuli 44′

 

KASTRIOTI-PARTIZANI  0-2

Golat: Hyshmeri 25′, Demiri 51′

Sot

TIRANA-LAÇI (17:00)

SKËNDERBEU-BESA (19:00)

4 shtator

LUSHNJA-KUKËSI (17:00)

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Partizani     1          3

2 Teuta            1          3

3 Flamurtari 1          3

4 Besa            0          0

5 Kukësi        0          0

6 Laçi             0          0

7 Lushnja      0          0

8 Skënderbeu  0      0

9 Tirana         0          0

10 Bylisi         1          0

11 Vllaznia    1          0

12 Kastrioti    1          0

 

Kategoria e Parë

Dinamo e nis me humbje

Dinamo e filloi keq sezonin e vet të dytë në Kategorinë e Parë, me një humbje në Pukë ndaj Veleçikut debutues në këtë kategori pas dhjetë vitesh. Edhe pse kanë kaluar të parët në epërsi, blutë kryeqytetas janë ndëshkuar plot tri herë, duke e pasur të pamundur përmbysjen. Veleçiku, pa president e fushë të vetën për të luajtur, bën surprizën e parë ndaj një emri të madh të futbollit shqiptar, që këtë sezon synon rikthimin në elitë. Fiton Elbasani ndaj Tërbunit, rikthehet me gol në shtëpi pas shumë kohësh Arjan Pisha. Mbrojtësi që ka luajtur me disa skuadra ka shënuar në fundin e ndeshjes, duke shmangur kësisoj një barazim “të siguruar” nga pukjanët përmes një penalltie të kthyer në gol nga Agastra. Rezultatin e ka zhbllokuar për vendësit Endri Dalipi, që në fillimin e pjesës së parë. Tri pikët e para në kampionat dhe Elbasani duket se e ka marrë seriozisht këtë vit, çka duket edhe në afrimin e disa lojtarëve cilësorë, ndaj shikohet si pretendent. Apolonia, që rikthehet në Kategorinë e Parë pas disa sezonesh, ka pasur përballë Shkumbinin, që gjithashtu zbriti nga Superiorja pas 16 vitesh radhazi që merrte pjesë në elitë. Ndeshja mes tyre u luajt në “Roza Haxhiu” të Lushnjës për shkak se stadiumi i Fierit po i nënshtrohet një rikonstruksioni në shkallët e tij. Dy gola të papës dhe një i Atandës u kanë dhënë suksesin e merituar bardhejeshilëve të Demirajt, të cilët kanë evidentuar që në start problematikën e madhe ku ndodhet skuadra peqinase. Tomori i zbritur në të Parën ka udhëtuar drejt Himarës dhe ka fituar minimalisht, me një gol të realizuar nga Avdo në kohën shtesë. Beratasit japin sinjale pozitive dhe shprese se nuk e kanë vendin në të Parën, por në elitën e futbollit shqiptar, ku aspirojnë edhe ata të rikthehen shpejt. Barazim pa gola është regjistruar në Mamurras, ndërsa Albpetroli debutues në këtë kategori, ashtu si Veleçiku, e ka nisur garën me fitore. Patosarakët kanë përmbysur golin e hershëm të Butrintit, duke marrë tri pikët e para.

 

Formula 1

Lauda: Alonso ankohet shumë

Niki Lauda ka fituar dy nga tre titujt e tij kampion në Formulën 1 me Ferrarin dhe për këtë arsye i lejon vetes të japë mendime dhe këshilla për Alonson, i cili deri tani nuk ka fituar asnjë titull me makinën legjendare pasi Sebastian Feteli e ka mundur gjithmonë. “Nëse piloton një Ferrari, duhet ta kuptosh që jo gjithmonë është makina më e shpejtë. Ata po punojnë shumë, por nuk janë aq të shpejtë sa Red Bulli. Alonso ankohet dhe italianët janë shumë të ndjeshëm. Tek Ferrari do të donin që Alonso të mos ankohej kaq shumë”, – theksoi ish-piloti austriak, i cili mendon se sjellja e bën antipatik spanjollin. “Për mua është piloti më i mirë në qarkullim, por në krahasim me Fetelin, Hamiltonin apo Rosbergun i mungon diçka në sjellje”, – tha austriaku. Në lidhje me zëvendësuesin e Masa tek Ferrari vitin e ardhshëm, Lauda deklaroi: “Mendoj se Ferrari duhet të zgjedhë Kimi Raikonenin, edhe pse Alonso nuk do ta donte si shok skuadre”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency