Standard.al

Vodhi 8 milion lekë nga pensionet pranga shefes së postës në Lushnjë

Hatixhe Daka, falcifikonte dokumentat e pensionistëve të komunës Këmishtaj në zonën e Lushnjës

 

PRANGA_ARRESTIMShefja e një zyre poste në një komunë të Lushnjës ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka vjedhur rreth tetë milionë lekë të reja nga pensionet që duhej të shpërndante. Vjedhja mendohet se është kryer për gjashtë muaj, por vetë e arrestuara nuk e ka pranuar një fakt të tillë, duke pretenduar se do të zbardhet e vërteta. Bëhet fjalë për shefen e zyrës postare në Këmishtaj të Lushnjës, Hatixhe Daka, 44 vjeçe, e cila është arrestuar nga policia për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën, ndërkohë që ka dyshime se ajo ka bashkëpunuar me persona të tjerë, ende të paidentifikuar.

Falcifikim dokumentash

Burimet policore nga komisariatit i Lushnjës bënë të ditur se dyshohet se veprimtaria e saj kriminale është zhvilluar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe ka nisur rreth gjashtë muaj më parë. Në atë kohë, shumë të moshuar, të cilët tërhiqnin pensionin nëpërmjet zyrës së postës në Këmishtaj, kanë filluar të ankohen se nuk u kishin dalë paratë. Ata kanë pretenduar se janë ankuar te Daka, por ajo i ka mashtruar, duke deklaruar se nuk kishin ardhur paratë, pasi ka probleme me buxhetin. Por, ata kanë marrë informacion se disa kishin arritur të marrin pensionet e tyre, kështu që i janë drejtuar policisë për kallëzim mbi këtë fenomen, duke kërkuar që të zbardhet e vërteta. Menjëherë, policia ka nisur hetimet mbi këtë çështje dhe pas tre muajsh, janë shtuar kallëzimet mbi çështjen e pensioneve. Në këto kushte, me urdhër të prokurorisë, grupi hetimor ka bërë edhe vëzhgime, ku ka arritur të ngrejë dyshime të arsyeshme, se paratë ishin vjedhur nga punonjësit e postës. Kjo përgjegjësi, sipas policisë, binte direkt mbi Hatixhe Dakën, kështu që është kërkuar të shikohen listat e pagesave të pensioneve të shpërndara.

Arrestimi i Dakës

Duke studiuar materialet, ka rezultuar se pensionet ishin dhënë, pavarësisht se pensionistët nuk i kishin marrë paratë që u takonin. Kështu, policia ka ngritur dyshimet se janë falsifikuar dokumentet dhe këto janë kryer nga shefja e zyrës postare. Duke u bazuar mbi këto informacione, pasi janë sekuestruar edhe dokumentet përkatëse, të cilat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës, me qëllim për të zbuluar falsifikuesit, policia ka vendosur arrestimin e Hatixhe Dakës. Sipas të dhënave nga policia, ajo është marrë në pyetje në lidhje me dyshimet e ngritura për të, por që nuk është pranuar vjedhja e pensioneve. Ajo ka deklaruar se nuk ishte përgjegjëse për këtë vjedhje dhe se hetimet do nxjerrin të vërtetën. Nga ana tjetër, policia tha se nga veprimet e kryera deri më tani, duke u bazuar edhe në disa kallëzime të kryera pranë uniformave blu, rezulton se për gjashtë muaj janë vjedhur rreth 8.17 milionë lekë të reja, që mendohet se janë përvetësuar nga e arrestuara. Kjo nuk është hera e parë që punonjës shtetërorë abuzojnë me detyrën, por bie në sy se që nga zgjedhjet e deri dje, ky është ndër të paktët operacione që ka realizuar policia, duke të dhënë përshtypjen se ka rënë në përgjumje edhe për shkak të ndërrimit të pushteteve.

 

 

Urra e “Mbretit Zog”, grabitet për skrap

Monumenti i kulturës në mëshirë të fatit

Mania e vjedhjes së hekurit për skrap ne Burrel,nuk kursen as Monumentet e Kulturës.Parmakët metalikë dhe një pjesë e shtresës së poshtme të Urës së Zogut mbi lumin Mat janë prerë dhe janë vjedhur. Gjatë një vëzhgimi të bërë me kameran tonë shihet qartë dëmtimi që i është bërë kësaj vepre, duke i hequr çdo pjesë metalike të saj në sipërfaqe. Vetëm pjesa e betonuar është ende e paprekur, shtresa e saj dhe harqet për të cilat edhe shquhet kjo urë në strukturën e saj të veçantë.Po ashtu, dëmtues të këtij Monumenti Kulture nuk janë vetëm “mbledhësit e skrapit”, por edhe shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Mat, që ka bërë të mundur zbulimin e këmbeve të urës, të cilat tashme e kanë të shkruar destinacionin,prerja dhe shitja per skrap. Edhe pse shqetësimi është ngritur shpesh herë në media asnjë person nuk është ndaluar dhe asnjë masë nuk është marrë për ruajtjen e urës së Zogut. Banorët e zonës shprehen jashtë kameras tonë se duhet të vendosen roje nga ana e policisë, sidomos gjatë orëve të natës pasi ura po shkon drejt shëmbjes. Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 me fondet të qeverisë së atëhershme italiane dhe ruhet nga ligji “Për trashëgiminë kulturore” i cili nuk po zbatohet në këtë rast. Ura është projektuar nga inxhiniere italiane dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga pertej detit. Vite më parë ka ekzistuar një rrjet kujdestarësh të Monumenteve, të cilët kontrollonin të gjithë territorin e Shqipërisë. Që prej vitit 2006 ata u pezulluan dhe tashmë këto objekte kulture janë në mëshirë të fatit.

 

Rëndë në spital

Korçë, puntori i mermerit pret këmbët

Një punëtor i një firme mermeri në Korçë ka prerë këmbët gjatë një aksidenti në punë, ndërkohë që bluzat e bardha bëjnë me dije se gjendja e tij është kritike. Aksidenti në punë ka ndodhur në një firmë mermeri në fshatin Dishnicë të Korcës, ndërkohë që i plagosuri Gjergji Çipi 46-vjeç mësohet se ka marrë dëmtime të rënda dhe është dërguar në gjendje të rëndë në reanimacion. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kontrollin nëse firma i zbaton rregullat e sigurisë teknike në punë.

 

Ekstradohet në Boznjë maqedonasi

Ekstradohet drejt Bosnje Hercegovinës, maqedonasi i dënuar për vjedhje me dhunë. Është Policia e Shtetit ajo që ka bërë të ditur se, Interpol Tirana, rreth orës 13:30 të ditës së djeshme  ka kryer ekstradimin nga Shqipëria drej Bosnjë-Hercegovinës, të 39-vjeçarit Besir Behluli, nga Maqedonia. Policia ka saktësuar faktin se ky person, është i dënuar me 10 muaj heqje lirie me vendim të Gjykatës së Bihac-it, të dhënë në datën 15 janar 2013 për akuzën e “vjedhjes me dhunë”, sipas Kodit Penal të Bosnjë-Hercegovinës. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Sarajevë më datë 12 qershor 2013, është bërë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Bosnjë-Hercegovinës i Besir Behluli.

 

 

Comments are closed.