Standard.al

Basha pret Arvizun tek selia e re e PD-së, premton opozitë të fortë. Ambasadori: “Në krye të autobusit të jenë të gjithë”

FLORENC DRIZARI

Aleksandër Arvizu: SHBA nuk mbajnë qëndrim sa i përket SHQUP-it

 

Basha-selia-e-re-300x200Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu bëhet zyrtari i partë i lartë që viziton ambientet e reja të PD-së, ish – godinën e SHQUP-it. Një ditë më parë ai zhvilloi një takim me kreun e ri të PD-së, Lulzim Bashën, gjatë së cilës shprehu vlerësimet për bashkëpunimin afatgjatë me qeverisjen e djathtë dhe në të njëjtën kohë, garantoi se kjo marrëdhënie do të vazhdojë edhe më tej. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Basha, deklaroi se opozita do të jetë në mbrojtje të interesit qytetar dhe proceseve integruese të vendit.

Takimi i z. Arvizu me z. Basha në selinë e re të PD-së, erdhi pas disa akuzave që i janë bërë përfaqësuesve të selisë blu nga homologët e tyre të majtë, për ndryshimin e vendndodhjes drejtë shtëpisë së ushtrisë. Në fjalën e tij, ambasadori amerikan pranoi se ndryshimi i selisë së PD-së është shoqëruar me polemika të ndryshme nga socialistët që priten të vijnë sëshpejti në pushtet, por sipas tij, kjo çështje nuk e shqetëson SHBA-në dhe për vendin që ai përfaqëson, me rëndësi është funksionimi i shtetit ligjor.

ALEKSANDËR ARVIZU

“Dëshiroj të vlerësoj shkurtimisht vendndodhjen ku jemi takuar sot (dje). Gjithashtu dallojmë se çështja e kësaj prone ka qenë subjekt i polemikave të ndryshme. SHBA nuk mbajnë qëndrim sa i përket asaj, por ajo që ne këshillojmë është përmbajtja kundrejt shtetit ligjor dhe objektivitet. Ky takim ishte parashikuar të zhvillohej më herët dhe ishte menduar të takoheshim në selinë blu. Më pas u njoftuam që Partia Demokratike kishte lëvizur këtu dhe ishte e gatshme të na priste dhe kjo shpjegon arsyen pse ndodhemi këtu sot”, sqaroi Arvizu.

Pas takimit të parë me kreun e ri të selisë blu, Lulzim Bashën, ambasadori në ikje teksa e ka uruar personalisht për detyrën, theksoi rolin e rëndësishëm që ka opozita në jetën politike në vend si përqendrimi tek qëllimi më i madh për shqiptarët pa dallime politike: integrimin.

“Pasi zoti Basha u zgjodh kreu i ri i PD kam pasur mundësi të shkëmbej një informacion jo zyrtar duke e përgëzuar për detyrën dhe tani pata rastin ta takoj. Dëshiroj ta falënderoj atë dhe PD për bashkëpunimin afatgjatë dhe ky bashkëpunim të vijojë dhe më tej. Folëm për qëllimin e zjarrtë të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, që është shtegu Europian i Shqipërisë, shtegu euroatlantik, rruga drejt Brukselit. Folëm për rolin e opozitës së vendit, pasi në çdo demokraci është e rëndësishme që të gjitha partitë të luajnë rolin e tyre dhe nëse do të shprehesha me një metaforë do të thoja që “në krye të autobusit të jenë të gjithë”, u shpreh Arvizu.

LULZIM BASHA

Nga ana e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri publike faktin se në takim u shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjes teksa e ka siguruar ambasadorin amerikan për një opozitë të fortë, ballore në mbrojtje të interesit publik.

“Përshëndetje! Sot kam pritur në selinë e re të Partisë Demokratike Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Alexander Arvizu dhe bashkëpunëtorët e tij, Zv. Ambasadorin Z. Jardine dhe dy bashkëpunëtorë të rinj që sapo kanë mbërritur në Tiranë. Është takimi im i parë me të në detyrën time si Kryetar i Partisë Demokratike dhe me këtë rast shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë çështjesh që nga procesi zgjedhor i 23 Qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit dhe çështje të rëndësishme të integrimit Europian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik, si dhe roli i Partisë Demokratike si një opozitë e forte ballore, krijuese dhe moderne në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të qytetarëve Shqiptarë”,- theksoi Basha.

 

 

 

KQZ, te dielën mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore

Të dielën ka zgjedhje për pushtetin vendor. Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar rreth një muaj më parë që këtë të dielë të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore në dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës. Zgjedhjet e pjesshmë pritet të mbahen për shkak të shkarkimit të krerëve vendor dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fund të muajit korrik. Ashtu si zgjedhjet e kaluara për pushtetin qendror, edhe këto zgjedhje pritet t’i nënshtrohen të njëjtave procedura përsa i përket administrimit të procesit. Në këto zgjedhje pritet të votojnë rreth 20 mijë shtetas shqiptarë. Dy ditë më parë KQZ ka filluar shpërndarjen e bazës materiale, ndërkohë që pritet trajnimi i komisionerëve. Ditën e premte KQZ miratoi me 4 vota pro: Projektvendimin “Për përdorimin e kamerave rregjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në vëndet e numërimit të votave për zgjedhjet e pjesëshme për kryetar komune të datës 1 Shtator 2013”. KQZ vendosi përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekranëve), për shfaqjen e fletëve të votimin, në vendin e numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme të datës 1 shtator. Ky proces është përdorur edhe në zgjedhjet pararendëse dhe tashmë KQZ disponon pajisjet kryesore të nevojshme për realizimin e tij.

 

Konferenca e PS, reagon Olldashi: Rreth i mbyllur pseudo-ekspertësh klientelistë

Ministri i Transportit Sokol Olldashi nëpërmjet një konference për shtyp në ambientet e ministrisë, ka komentoi konferencën dyditore të Partisë Socialiste, “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, zhvilluar para pak ditësh në kryeqytet, duke i quajtur disa të ftuar si pseudo ekspertë.

“Kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur pseudo ekspertësh, është një rreth influence që shfaqet herë si konkurrent, herë si këshillues, herë si anëtar jurie, është rrethi i klientëve të Ramës si kryetar bashkie”, tha Olldashi. Olldashi tha më tej se, Rama ka mosnjohje të thellë të rajoneve të Shqipërisë, ndërsa u shpreh se Kontrolli i territorit nuk mund të bëhet me fushata ndëshkimore. Duke ironizuar propozimet e ekspertëve, Olldashi nënvizoi se, “Që nga Piramida mund të rrëshqitet, këtë fëmijët e Tiranës e dinë, por që rrëshqitja mund të bëhet nga poshtë lart këtë asnjëri se dinte”.

Duke ironizuar propozimin për kthimin e vilës së Enverit në një vend ku mund të mbyllen filozofët, Olldashi tha se: ”Propozohet që filozofët të hynte në dhomën e gjumit të Enver Hoxhës, të mendohen dhe të thonë si do jetë Shqipëria. Imagjinoni Ramën që mbyllet 3 muaj në dhomën e Hoxhës, i vetmi që do pranonte është Koçoja, por edhe atë mbetet ta pyesim”,- tha Olldashi.

Comments are closed.