Administrimi i territorit? I pamundur pa barazitë politike

0
183

 Prof. dr. Artan Fuga

(Anëtar i Akademisë së Shkencave)

 

Fuga_-_Photo1-300x230Është normale që opinioni publik shqiptar, i sapo kthyer nga pushimet e verës, bredhur lart e poshtë nëpër kodra, male dhe plazhe, brenda dhe jashtë vendit, edhe ata që e kanë bërë shëtitjen duke ndejtur para televizorit të shtëpisë, të fokusohet te administrimi i territorit.

Sigurisht kjo çështje nuk mund të trajtohet sikur të ishte një garë amatorësh sepse si objekt analizash edhe administrimi territori është më shumë se një shkencë, është një disiplinë me vështirësi shumë të lartë arësyetimi, më shumë është një bashkësi e ndërthurur shkencash që duhen trajtuar me seriozitet dhe jo shpejt e shpejt në formën e opinioneve fluturake.

Studimet e mia të ndërmarra brenda grupeve të gjëra kërkuesish, në bashkëpunim me pushtet lokale, më kanë çuar në një sërë konstatimesh dhe përfundimesh që desha t’i ndaj me lexuesit e mi të « Standard » – it dhe më gjerë të shtunave.

Konstatimi i parë është ndofta pak i çuditshëm, por nuk ke se çfarë i bën së vërtetës, ajo shpesh të çon drejt pohimesh që nuk pranohen lehtë, aq më pak që mund të hapin telashe për vendim-marrësit politikë.

Nga analiza e territoreve që dikur ishin plazhe turistike dhe tani janë mbushur me beton në formën e ndërtesave që « iu marrin frymën njera tjetrës », që mbipopullojnë plazhet dhe kështu ndotin napën freatike, nënujore, mbindotin rërën dhe detin duke derdhur atje ujrat e zeza të hoteleve dhe ndërtesave, ngritur me ose pa leje, del se këto zona janë të mbipopulluara me banorë dhe nga ana tjetër janë të zbrazura nga qytetarët.

Dikush që habitet shpejt do të pyeste :

Ccfarë është kjo ?

As e parë as e dëgjuar : Edhe paska banorë me shumicë, por edhe s’paska qytetarë !!!

A nuk janë banorët edhe qytetarë?

A nuk ka sjellë demokracia jonë të drejta dhe liri demokratike për çdo njeri duke e bërë banorin një njeri politik, me të drejta dhe detyra, pra nuk e ka bërë atë qytetar?

E ka bërë, e ka bërë, por në një këndvështrim të përgjithshëm, dhe aspak në atë teknik, operacional, pra në kuptimin e strategjive të menaxhimit të territoreve kombëtare.

Nëse dikujt i duket si imagjinatë e tepruar të thuash se territori është deformuar në zonat turistike bregdetare sepse atje ka banorë por nuk ka qytetarë, ne i themi të qetësohet dhe të mësojë, nëse nuk e di, se e vërteta është pikërisht e tillë, ajo strukturohet në fjali të cilat shprehin realitete të cilat syri normal sigurisht që nuk i sheh.

 

***

1. Zona ekonomike e vendit e administruar gjerësisht nga komuna rurale

 

Këtu nis pikërisht problemi. Shumë zona bregdetare që sot përmbajnë potencialet e industrisë të turizmit bregdetar, si fusha e ekonomisë më premtuese dhe më e hapur ndaj flukseve ekonomike dhe kulturore e demografike globale, pra zona më kozmopolite e ekonomisë shqiptare, në fakt administrohen nga komuna rurale.

Fshati administron pushimet, turizmin, urbanizimin e zonave bregdetare, arkitekturën, infrastrukturën që duhet të jetë mikpritëse për turistin ndërkombëtar dhe për atë të huaj. Nga kjo pikëpamje më e drejtë, me këtë gjendje të trishtët që është, turizmi do të kishte qenë mirë të ishte bashkuar me ministrinë e bujqësisë apo të zhvillimit rural, quheni si të doni. Por, në fakt nuk mund të jetë kështu.

Nuk i kemi ne industritë e mundshme të turizmit bregdetar, veç qyteteve, edhe në zona rurale ku territori administrohet nga komunat rurale ?

Golem,

Shkallnuer,

Spidhe,

Patok,

Qeparo,

Dhërmi,

Jalë,

Divjakë,

Gjiri i Lalzit, etj, etj.

Po mirë, e çfarë pastaj ? – do të pyeste dikushi me të drejtën e tij për të pyetur me çudi.

Puna është se në këto komuna shërbimet urbanistike, kadastrale, shërbimi i higjenës, etj., janë sikur do të administronin një fshat apo kooperativë bujqësore edhe nga numri i punonjësve, edhe nga shkalla e teknologjisë në përdorim, edhe nga kapacitetet e tyre për të mbrojtur rendin dhe imponuar ligjin në administrimin e territorit, edhe për nga shkalla e aftësimit profesional të punonjësve, pra nga shumë gjëra.

Si mundet që një administratë rurale të administrojë një territor që do të duhej të trajtohej si një zonë ekonomike e hiperurbanizuar dhe hiperkozmopolite dhe e hapur ndaj proceseve të globalizimit ?

Sigurisht që e ka të pamundur dhe e ndodhur kështu, nuk është fare çudi që ajo të mos ketë fuqi as të krijojë modele administrimi territori, as fuqi të mjaftueshme për të vendosur rregullin dhe mirëqeverrisjen në plazhe, dhe as t’u bëjë ballë presionit të peshkaqenëve të mëdhenj që vijnë dhe vendosin në zonën bregdetare ligjin e më të fortit.

Shihni se ccfarë shërbimi mjeksor ka mundësi të ketë një komunë rurale dhe masni edhe nevojat për mjek dhe higjenë në territor gjatë periudhës së nxehtë të tuzimit dhe do të masni hendekun e rrënuar mes komunës rurale dhe detyrës së paimagjinuar për të administruar një territor që gjatë verës i ngjan një zone ku jeton një popullsi që Niçja do ta quante të « lopës laramane ».

 

***

 

2. Si prishet ligjërisht rregullimi i territorit

 

Nga shqyrtimet dhe vizitat në terren ka dalë se sigurisht janë ndërtimet pa leje ato që e prishin peisazhin territorial në zonat turistike. Por, po të ishte kaq do të ishte gjëja më e lehtë për t’u riparuar. Nuk është fjala te ndërtimet pa leje sepse ato ndalohen pa vështirësi, mjaftojnë ca muskuj dhe ndërhyrje policore.

Puna është te ndërtimet pa leje.

Territori dëmtohet shpesh pikërisht duke e zbatuar ligjin, por duke e zbatuar keq.

Sepse veç ligjit, për administrimin e territorit, ka nevojë edhe për politika administruese, të cilat nuk orientohen dot as vetëm me iluminizëm, as me psikologji thjesht dashamirëse, por janë fryte të një vargu faktorësh që i përcaktojnë.

Le ta lemë për një çast jashtë vëmendjes faktorin informal, ndonëse ai duket se ka bërë kërdinë gjithandej. Puna është se paradoksalisht komunës rurale duket se i intereson të bëhen ndërtime pa leje në zonën bregdetare sepse veç taksës për modifikime në territor, merr edhe gjobën për ndërtim pa leje.

Për të mos thënë se strategjitë e komunës rurale, majë kodrës,  janë afatshkurtra, me sot e me nesër, sikurse janë në poste e me mandate të përkohshëm të zgjedhurit lokalë, që dëshërojnë që mundësisht pallatet, hotelet, restorantet, të bëhen kapicë në plazh, sepse sa më shumë para, taksa, gjoba të vendosin tani, aq më shumë rrisin buxhetin e komunës. Buxhetin e komunës, por edhe nënfusha të tjera që vaditen me parà.

Po kështu prishet territori i ekonomisë të turizmit !

Punë e madhe.

Ata që do të vijnë të bëjnë çfare të duan, ideja është për të marrë sa më shumë parà sot, këtu, tani. Na duhen parà për të bërë rrugë rurale, për kopshtet dhe cerdhet e komunës, e për gjëra të tjera. Na duhen edhe vota !

Sa më shumë të dendësohen ndërtesat dhe të mbisundojë betoni,  brenda ose jashtë ligjit, në zonën e plazheve, aq më shumë të ardhura financiare ka komuna rurale. Pra, territorit nuk e shkatërron, nuk e rrënon thjesht aktiviteti informal. Ai po se po, bën kërdinë, por paradoksalisht, edhe logjikat e funksionimit të sotëm të pushtetit lokal, pra të komunave rurale, dinamikat e marrëdhënieve mes vendimmarrësve, të zgjedhurve dhe elektoratit të tyre, banorëve, janë të tilla që kërkojnë e ushtrojnë presioni që plazhet të betonohen.

Taksa per tokën ose ajo për të ardhurat bujqësore nuk është asgjë në buxhetin e komunave rurale që administrojnë floririn e zonave turistike bregdetare para të ardhurave që vijnë nga zona bregdetare.

Qesharake ishte se në hartat e territori të këtyre komunave zona e rërës quhej « zonë e padobishme ekonomikisht » sepse ende ruante përcaktimin e kohës së kooperativave bujqësore.

Aty ku sot janë qypa me flori.

Merrni mundimin, politikanë dhe vendim-marrës të nderuar, dhe shihni se sa të ardhura ngrenë komunat rurale nga zonat turistike dhe sa nga zona bujqësore dhe do të konstatoni se raportet janë si ato të lartësisë së një mali dhe të një kodre me rërë për të bërë llac…

Pastaj shihni se sa nga këto parà që vilen nga zona e plazheve shkojnë përsëri për mirëmbajtjen e plazheve dhe do të konstatoni të vërtetën se një komune rurale as nuk i hyn fare në xhep rishpërndarja e drejtë e buxhetit komunal në të gjithë territorin e vet.

Zona e fshatit konsiderohet me syrin e nënës, dhe zona e plazhit me atë të njerkës.

Po pse xhanën ?

Përgjigja është e thjeshtë.

Vendimmarësit komunalë dhe elektorati i tyre nuk e shfrytëzojnë vetë ata përgjithësisht detin, plazhin. E shohin vetëm si një « lopë te majme » për ta vjelë, për ta vjelë sa më shpejt para sesa ajo të ngordhë. Në këtë mënyrë interesi i ngushtë afatshkurtër ka hedhur tej interesin afatgjatë dhe zhvillimin e qendrueshëm.

 

3. Ku janë qytetarët ?

Në bregdet këtë verë plazhet kanë qenë fare të boshatisur, këmbë qytetari nuk u vu re atje. Kështu ka qenë për vit në këto dy dekada. Këmbë qytetari nuk shkelte në rërë, nuk futej në det, nuk hante në restorante, kokër qytetari nuk kishte nëpër kafenetë e plazhit.

Dikush që nuk i beson kërkuesit shkencor do të thoshte : « More, je ndër vete ti, atje kishte mizëri njerëzish, e ti thua nuk kishte këmbë qytetari ! »

Sigurisht njerëz ishin ata, por nuk ishin qytetarë me të drejta politike lokale. Lokalisht pothuajse nuk kishin asnjë të drejtë politike.

Të zgjedhurit komunalë e kanë elektoratin e tyre në zonën bujqësore të komunës. Andej kanë presion ata. Kurse në zonën e plazheve ka plazhistë, qejfbërës, patriotë – turistë, popull, njerëz, quajini si të dëshëroni, por jo qytetarë me të drejta politike lokale. Ata mund të kenë karta identiteti të Republikës të Shqipërisë, por ata nuk kanë të drejta politike lokale, sepse nuk kanë të drejtë të votojnë atje ku pushojnë.

Sigurisht jo të gjithë pushuesit mund të kenë të drejtë vote në bregdet. Por, ata që kanë një shtëpi, një apartament, një investim, një pasuri, pra të gjithë ata që paguajnë taksa dhe që janë aktorët më aktivë të zhvillimit të zonës. Se kështu si tani i bie që aktorët më aktivë ekonomikë dhe socialë të kenë lokalisht më pak të drejta politike sesa të tjerët. Kjo është një padrejtësi politike. Dhënia e të drejtave politike lokale është një proçes që do ta thellojë demokracinë shqiptare.

Pa demokraci qytetare nuk ka administrim territori.

Kur ai që ka investuar në një apartament, hotel, vilë, kafene, dyqan, etj., pra paguan taksa lokale, të ketë edhe të drejtën e votës atje, atëhere ai mund të ushtrojë presion mbi vendimmarrêsit komunalë që buxhetet të shpërndahen si duhet, drejtësisht, dhe që densifikimi urban në këtë zonë të mos bëhet kundër zhvillimit të qendrueshëm.

 

4. Pse politika ndofta nuk e do rregullimin dhe administrimin urban bregdetar ?

Po, problemi është se duhet ta dojë politika.

Po, pse mos e dojë politika ?

Po, sepse i prishen disa ekuilibre. Mund të vendoset ekulibri urban i territorit, por kështu mund të prishen ekuilibret politike dhe elektorale në zonat bregdetare.

a. Duhen krijuar qytete, pra qendra urbane në hapësirat ku ka përqendrim investimesh dhe demografik në zonat bregdetare.       Golemi – bregdet, a nuk mund të jetë një qytet i vogël dhe të trajtohet si i tillë ?

Shkallnueri – bregdet nuk mund të ishte një qytet më vete ?

Nëse jo, bashkuar të gjitha zonat bregdetare nga Durrësi në Kavajë a nuk mund të për bënin një qytet të madh më vete.

Ky është guximi për ta riparë hartën e ndarjeve administrative kombëtare.

E kështu me rradhë pa hyrë në seicilin territor sepse kjo është krejtësisht e mundur për të krijuar qytete dhe « gjerdane qytetetesh » në ato që tani quhen plazhe.

Ccfarë kapacitetesh të reja administrimi territori do të fitonin !

Por, kështu cënohen interesat elektoraliste në komunat rurale që do të mbeten rurale, dhe vetëm nëpërmjet politikave të integruara të territorit do të gjenin burime konkurruese zhvillimi e jo duke i zhvatur plazhet.

A ka kurajo politika ta ndëmarë këtë hap ?

Kjo duhet bërë, të tjerat janë arnime pa kurajo.

b. Qytetari duhet të ketë të drejtë edhe për zgjedhjet kuvendore edhe për zgjedhjet për pushtetin lokal të votojë ku të dojë sipas dëshirës së tij : ose në qytetin ose fshatin ku ka banesën kryesore, ose në zonën bregdetare apo malore ku ka rezidencën dytërore apo ka një biznes apo pasuri.

Kështu ai e zgjedh vetë ccdo vit se nëse do të ketë zgjedhje ku do të votojë. Kjo do t’i mbushte zonat bregdetare me qytetarë, që sot nuk janë, por atje ka vetëm mizëri njerëzish ndofta qeflinj, ndofta aktivë ekonomikisht, ndofta të zënë ekonomikisht, por nuk kanë të drejta politike lokalisht.

Është pabarazia politike që shkatërron administrimùin e drejtë të territorit.

Ky është përfundimi kyç i studimeve të sociologëve dhe urbanistëve shqiptarë që kanë punuar sëbashku me mua.

Por, a është gati politika të japë këto të drejta politike lokale që do ta bënin hartën elektorale të Shqipërisë të lëvizshme, dhe do të prishte ekuilibrat klientelistë të vendosur deri sot ?

Nuk kam prova të besoj se është gati për ta ndërmarrë këtë hap emancipimi politik, ridemokratizimi, demokratizimi të dytë, pra për të shkua    r drejt të drejtave politike më të thella, qytetare.

Pa demokracinë qytetare nuk ka administrim të drejtë territori.

Nuk do që ta bëjë ?

Punë e saj.

Ne e thamë të vërtetën tonë, e « shpëtuam shpirtin» tonë.

Por, administrim të mirë territori të mos kërkojë kot pastaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency