Standard.al

Rama zgjedh ish-kundërshtarin e “Gani Bobit” si këshilltar për Rajonin

Gëzim Saliu

Kryeministri i ardhshëm: Shkëlzen Maliqi  i bashkohet Rilindje me qëllim që rajoni të jetë pjesë e BE-së

 

shkelzen-maliqi_analistShkëlzen Maliqi do të jetë këshilltari për rajonin i kryeministrit të ardhshëm të vendit Edi Rama. Në një postin në rrjetin social facebook, kryesocialistit ka bërë të ditur emërimin e një këshilltari të ri të kabinetit të tij, duke nënvizuar se pranë do të ketë njerëz me cilësi të spikatura.  “Kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t’ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes – Shkëlzen Maliqi”, shkruante Rama.

Emërimi

Sipas kryeministrit të ardhshëm, Shkëlzen Maliqi, i cili aktualisht mban postin e këshilltarit politik pranë ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj si edhe ka rolin e drejtuesit të Institutit të Studimeve Sociale“Gani Bobi”, i është bashkuar skuadrës së Rilindjes me qëllim që rajoni të jetë pjesë e BE-së, sa më shpejt. “Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Evropën e Bashkuar. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkëlzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik”, shkruante Rama në profilin e tij zyrtar në rrjetin social. Shkëlzen Maliqi është analist politik, kritik arti, por edhe filozof. Maliqi ka drejtuar një sërë organizatash, mes të cilave edhe Institutin e Studimeve Sociale, “Gani Bobi”.  Maliqi ka qenë disa herë kritik ndaj vendimeve politike të marra nga kryesocialisti Rama në krye të PS-së. Në një seri shkrimesh në gazetën “Express” të Kosovës, ai ka kritikuar disa nga veprimet e Ramës, në raport me koalicionet politike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kështu, sa i përket zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Maliqi shkruante se,: “strategjia e defaktorizimit të LSI-së dhe të Ilir Metës dështoi”. Ndërkohë në maj të 2011 kompania “Gani Bobi” e Shkëlzen Maliqit, organizoi një sondazh në Tiranë, i cili parashikonte humbjen e të kryetari të PS-së Edi Rama ndaj rivalit të tij Lulzim Basha për zgjedhjet vendore si kryetar i bashkisë të kryeqytetit. Opozita socialiste e akuzoi në atë kohë “Gani Bobi-n” për manipulim të pastër të sondazheve. “Kësaj here Rama mori edhe një leksion ndëshkues për kokëfortësi dhe arrogancë, sepse sërish nënçmoi faktorin LSI”, ka theksuar Maliqi pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Më parë, kryeministri i ardhshëm i vendit ka bërë të ditur emrat e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në zyrën e Kryeministrit, ku Gjenerali Sandër Lleshi do të jetë këshilltar për çështjet e mbrojtjes e ndërsa Vali Bizhga është përzgjedhur nga kreu i qeverisë së ardhshme në postin e shefes së kabinetit të ri të Kryeministrisë.

Kush është Shkëlzen Maliqi

Shkëlzen Maliqi është lindur më 1947 në Rahovec. Ai njihet si filozof shqiptar, kritik arti, analist politik dhe intelektual në Kosovë. Maliqi është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” kosovarë. Shkëlzen Maliqi studioi dhe u doktorua për filozofi dhe ka jetuar në Beograd që nga viti 1966 gjer më 1982. Që nga viti 1993 zyra e Fondacionit në Prishtinë selinë e kishte në Beograd. Gjatë viteve 1990 u përfshi dhe në politikë. Një nga themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës dhe kryetar i saj i parë në vitin 1991-1993. Ka mbajtur pozicione drejtuese në organizatat e shoqërisë civile si Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (1995-2000) dhe Komiteti i Helsinkit i Kosovës (1990-1997). Ka botuar disa libra mbi artin dhe politikën në shqip, anglisht, italisht, spanjisht, dhe serbisht. Ai tani kryeson institutin “Gani Bobin”, Instituti për Studime Sociale.

 

 

Bashkëpunëtorët e përzgjedhur nga Rama në zyrën e Kryeministrit

Vali Bizhga- Shefe e kabinetit të Kryeministrisë

Sandër Lleshi- këshilltar për çështjet e mbrojtjes i Kryeministrit

Shkëlzen Maliqi-këshilltar për rajonin i Kryeministrit

 

LSI

Vasili: Zv/ministrat do të zgjidhen pas mandatimit të qeverisë së re

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili deklaron se postet e zv/ministrave të rinj janë pozicione që propozohen nga Kryeministri dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave. Sipas tij këto poste do të plotësohen në javët në vijim, pas votëbesimit të qeverisë së re. “Zëvendësministrat janë pozicione që propozohen nga Kryeministri, është proces që do plotësohet në javët që vinë pas betimit të qeverisë së re. Me atë frymë kompromisi që u ngrit qeveria, me të njëjtën frymë do plotësohen edhe këto pozicione të dyta”, u shpreh Vasili. Ndërkohë duke marrë shkas nga vrasja e vetëm një dite më parë në kryeqytet, nënkryetari i LSI-së ka apeluar që qeveria në detyrë të përmbushë me rigorozitet detyrat e saj kushtetuese deri në ditën e fundit të drejtimit të vendit. “Rrahje ordinere, vulgaritetet, vrasjet në rrugët tona po vërehet si fenomen i zakonshëm. Vrasja e vetëm një dite më parë ishte qenë provë e qartë e një shteti dhe Ministrie përkatëse që po mungon në detyrat e saj plotësisht, kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të rrezikuar. Tërheqim vëmendjen që qeveria në ikje ka disa detyra kushtetuese për të përmbushur, janë detyrime të pashmangshme që duhet tu rrinë në kokë deri ditën e fundit të detyrës”. Qeveria e re e së majtës pritet të ketë rreth 38 zëvendësministra, ku pjesa më e madhe e tyre pritet të vijë nga listat e kandidatëve të PS-së. Po ashtu një pjesë të madhe të këtyre posteve pritet t’i marrë aleati më i madh i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim. Aktualisht LSI-ja është e vetmja nga 35 partitë aleate të së majtës, që ka arritur të përfaqësohet me ministër në kabinetin qeveritar, ku ka marrë pesë poste ministrore.

 

 

 

Comments are closed.