PS “tërhiqet” nga premtimi për legalizimet falas

0
132

Artan Shkreli: Propozimet e ekspertëve do të merren në shqyrtim nga grupi i punës për programin qeverisës

 

K_213721891Propozimet e bëra publike nga ekspertët e huaj në konferencën e zhvilluar nga Partia Socialiste për territorin dhe ekonominë kanë vënë në dyshim premtimet elektorale të bëra nga kjo forcë politike për uljen dhe heqjen e taksave si edhe legalizimin falas. Këshillat e dhëna nga ekspertët ekonomik për të pasur kujdes me sistemin e taksave pritet të shqyrtohen këto ditë nga grupi i punës për programin qeverisës. “E gjithë kjo nuk është gjë tjetër vetëm një suport, një substrakt e cila i mbi vihet programit që ka bërë Partia Socialiste për fushat që kjo konferencë u mblodh. Janë një prelud shumë i madh në nivelin e ekspertizës të atyre personave që do merren me zbatimin e programit nesër në ekzekutiv. Ky është motivi pse aty pavarësisht se nuk kishin një rol direkt, kishte ministra dhe një pjesë e administratës që do punojë nesër”, u shpreh një prej organizatorëve të konferencës Artan Shkreli për Vizion Plus.

Legalizimi falas

Sa i përket një prej premtimeve kryesore të Partisë Socialiste në fushatën për zgjedhjet e 28 qershorit, ai që lidhte me legalizimin falas, ekspertët e huaj propozuan në punimet e konferencës që procesi të ketë një taksë për të mbledhur të ardhura që do ti shkonin si investim sërish komunitetit. Ky propozim pritet të shqyrtohet nga grupi i punës për programin qeverisës, gjë që mund të ndryshojë edhe premtimin e socialistëve nga legalizim falas në legalizim me një taksë minimale. “Akti i parë i qeverisë socialiste do të jetë që merr fundi ndërtimi pa leje. Si të thuash nuk do legalizohet asnjë ndërtim që bëhet më dhe përveç kësaj fillon procesi i legalizimit të ndërtimeve ekzistues. Me sa di unë do legalizohen kryesisht objektet që janë rezidenciale, që familjet shqiptare banojnë aty brenda, asnjëri nuk do nxjerri një familje me një grua me fëmijë në krahë, kjo pamje nuk do ekzistojë. Ndërkohë nuk do legalizohen vetëm objekte që bien ndesh zhvillimit të ardhshëm, zonat monumentale, pranë vijës bregdetare etj”, tha Shkreli. Legalizim falas për zonat informale ka qenë një ndër premtimet kryesore të kryetarit të Partisë Socialiste, në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të fituara më pas nga koalicioni i majtë.  ditë para zgjedhjeve. “Familjet nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për legalizimin, nuk është premtim elektoral. Të gjitha shpenzimet e procesit të legalizimit do t’i bëjë shteti. Për lagjet informate legalizimi do të jetë falas. Procesin e legalizimit, duke e parë si një proces që lidhet me daljen tonë nga kriza ekonomike dhe me zhvillimin e ekonomisë tonë kombëtare, do ta drejtoj vetë personalisht”, ka deklaruar Rama në takimin elektoral, tetë para zgjedhjeve me temë “Tirana e të gjithëve”, ku ishin të pranishëm banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë në ditët e para të muajit gusht, deputeti socialist Artan Lame gjatë një deklarate nga selia e PS-së  ka përsëritur premtimin për legalizimin falas të banesave, por ka shtuar se do të merren masa dhe do të zhbëhet çdo vendim për legalizime në zonat e mbrojtura mjedisore, parqe kombëtare, arkeologjike, turistike e në plazhe. “Ne nuk do të legalizojmë asgjë të kundërligjshme në vijë bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllime fitime kudo qoftë, do të ketë penalizime ta që masakrojnë bregun dhe ata që kanë bërë legalizime në zonat e mbrojtura mjedisore, arkeologjike, gjatë rrugëve kombëtare dhe nyjet kryesore rrugore, turistike, plazheve etj. Ne po mbledhim informacion për falsifikimet që po bëhen për ndërtime delikate dhe do ti zhbëjmë ato”, ka theksuar Lame.

 

Propozimet e ekspertëve të huaj

Leif Pagrotsky- Ish-ministri i ekonomisë në Suedi

“ Kur je në politikë gjëja më e lehtë është që të bëjmë premtimin për uljen e taksave apo përjashtimin nga pagimi i taksave. Ne e kemi bërë këtë për gjenerata të tëra dhe në fakt ishte një situatë katastrofë. Të bazohet ekonomia juaj dhe rritja ekonomike në deficit dhe në borxhe kjo është shumë shumë e rrezikshme”

Ish-ministri i Financave të Rumanisë- Sebastian Vladescu

“Unë i dëgjova me kujdes  ministrat që do marrin detyrën dhe problemet që ata paraqitën… Ata janë në pozitë të mirë tani dhe mund të thonë se asgjë nuk është bërë mirë dhe do duhet të përballemi me sfidat. Nga përvoja ime do thoja se kanë 95% shans të dështojnë, pasi kanë shumë optimizën dhe se do përpiqen të zgjidhin problemet dhe do shohin se nuk kanë burime të mjaftueshme për t’i realizuar. Ndaj do sugjeroja: përpiquni në pak gjëra, fokusohuni p.sh tek popullsia rurale”

Rainer Hehl – Arkitekt

“Është e qartë se nuk mund të shkatërrohet informaliteti duke shkatërruar ndërtesat, por duhet trajtuar kjo çështje. Duhet ta çojmë një hap përpara, dhe kjo do të thotë se duhet ta zgjidhim problemin. Në fakt, duhet të shohim potencialin që ka informaliteti urban”, tha Hehl.

“Nga legalizimi i ndërtesave informale të vendoset një taksë e cila duhet të investohet po në atë zonë për të garantuar zhvillim”

Jacob Faas- përfaqësuesi i biznesit izraelit

“Nuk jam dakord që ju të investoni në tekstilet ku të krahasoheni me Indonezinë që prodhon me 1 dollar, por të investoni në teknologjinë e lartë. Ju duhet të tregtoni veten jashtë, të bëni shfaqje, të tregoni se çfarë projektesh nisni. Pra, ju nuk duhet të rrotulloheni vetëm tek fusha juaj, por shisni veten, dilni me projekte konkrete”

 

 

Energjia dhe Industria

Arvizu takon Gjiknurin: Mbështetje qeverisë së re me çdo mënyrë të mundshme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu ka zhvilluar dje një takim në selinë e Partisë Socialiste me të zgjedhurin si ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës në qeverinë e re Damian Gjiknuri. Në këtë takim, që zgjati rreth 1 orë, ku ambasadori shoqërohej nga stafi i tij i ngushtë, i përbërë nga këshilltarët si edhe nga zv.ambasadori i SHBA-ve në qendër të bisedës u vendos sektori i energjisë. Kryediplomati amerikan ka konfirmuar bashkëpunimin e  Shteteve të Bashkuara me qeverinë e majtë e cila pritet të marrë detyrën pas 9 shtatorit. “Ne vijojmë konsultimet me njerëzit që do të mbajnë pozicione kyçe në qeverinë e re. Zoti Gjiknuri na bëri një pasqyrë të prioriteteve të tij. Ne jemi të vendosur të punojmë me qeverinë e re e mbështetur në çdo mënyrë të mundshme”, tha Arvizu. Ndërkohë nga ana e tij, Gjiknuri theksoi se,: “Qe një takim i frytshëm shtruam disa piketa për bashkëpunim të mëtejshëm  shfaqën vizionin tonë edhe problematikën me sektorin dhe besojmë gjithmonë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara edhe në këtë sektor delikat të ekonomisë shqiptare”. Më parë, ambasadori amerikan ka zhvilluar takime edhe me dy ministrat e tjerë të kabinetit Rama, Sajmir Tahirin, i zgjedhur si ministër i Brendshëm dhe Mimi Kodhelin, e cila do të mbajë postin e ministres së Mbrojtjes në qeverinë e re si edhe me ministrin e ardhshëm të Drejtësisë Nasip Naço.

 

Qeveria e re

Ndryshojnë selitë e ministrive

Ndryshimi i strukturës së qeverisë së re do të sjellë ndryshime edhe në selitë ku do të vendosen këto ministri. Ndër të parat godina që do të preket do të jetë ajo e ministrisë së Financave, e cila pas shumë vitesh e instaluar në godinën e kryeministrisë do lëvizë për tu instaluar në godinën aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes, ku po ashtu në këtë godinë do të vendoset edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të drejtohet nga Arben Ahmetaj. Kjo lëvizje e Financave vjen për shkak se godina aktuale e Kryeministrisë do të jetë e mbipopulluar, duke marrë parasysh se Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministri i marrëdhënieve me Parlamentin dhe ministri i Çështjeve vendore, do kenë zyrat e tyre në këtë seli.  Nga ana tjetër , Ministria e Mbrojtjes do të zhvendoset tek Shkolla e Bashkuar, ku gjendet dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA. Ndryshim do të pësojë edhe godina aktuale e Ministrisë së Punës, në të cilën do të vendoset Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me në krye Erjon Veliaj. Ndërkohë që pjesa tjetër e ministrive, që nuk ka ndryshuar strukturë, do të mbeten në të njëjtat godina ka janë edhe aktualisht.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency