Standard.al

KQZ shpërdan bazën materiale, anëtarët ankohen për bojkotin e partive politike

Zgjedhjet e pjesshme vendore në Dardhas dhe Rrethina

Hysen Osmanaj: I shoh shumë indiferente të dy forcat politike që nuk kanë propozuar emrat e komisionerëve

 

kqz rezultatiKomisioni Qendror i Zgjedhjeve kritikon ashpër qëndrimin e partive politike për mosdorëzimin e listës në KQZ, me emrat e komisionerëve në nivelet e dyta dhe të treta që do të administrojnë zgjedhjet e pjesshme në dy komuna të vendit. Një ditë më parë ishin anëtarët e KQZ-së, të cilët ritheksuan se partitë duhet të sjellin në kohë emrat e komisionerëve, ndërkohë që më herët administrata i ka bërë thirrje subjekteve politike nëpërmjet zëdhënëses së shtypit, por pa marrë në këmbim listën e emrave. Pas mbërritjes së fletëve të votimit dy ditë më parë në doganën e Tiranës dhe dorëzimin e tyre në magazinat e KQZ-së, administrata zgjedhore pritet që këtë të premte të fillojë dhe shpërndarjen e bazës materiale.

HYSEN OSMANAJ

Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, tha se partitë kanë tejkaluar çdo limit për dorëzimin e listës emërore të komisionerëve dhe për këtë, ata duhen rikontaktuar deri në plotësimin e detyrimeve ligjore.

“I shoh shumë indiferente të dy forcat politike dhe të tëra forcat politike që kanë ndryshuar komisionerët. Kjo do të thotë se ata nuk kanë zbatuar ligjin. Komisionerët mund të jenë ata që kanë qenë në zgjedhjet e përgjithshme dhe mbase nuk kanë nevojë për trajnime, por duhet të ishin në kuadrot ligjore dhe ne duhet ti pranonim ato. Mesa shoh KQZ i ka kryer të gjitha detyrimet që i përcakton ligji, por janë forcat ligjore që aktualisht nuk po respektojë detyrimet ligjore.

Duhet të marrim kontakt që sot me forcat politike përsëri; nuk kanë ngelë më forma shkresore, por gojarisht që ata të zbatojnë kodin zgjedhor. Duhet të marrim kontakte që forcat politike të sjellin listat e komisionerëve”, – deklaroi Hysen Osmanaj.

Ndërkohë, burime brenda KQZ-së, thonë se përfaqësuesit e subjekteve politike janë kontaktuar në telefon dhe kanë premtuar dorëzimin e emrave, por aktualisht lista nuk ka ardhur. Kjo KQZ-së shpjegohet si neglizhencë edhe për faktin se këto zgjedhje të pjesshme vendore, nuk kanë peshë të madhe politike, qoftë edhe në nivel lokal.

Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi) tha se administrata do të çojë ekspertët në KZAZ, edhe kur të vijnë propozimet e partive politike, ata të bëjnë trajnimet edhe ën momentet e fundit.

Ndërkaq, dy ditë më parë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, i rikujtoi subjekteve zgjedhore të përmbushin detyrat e tyre ligjore në bazë të kodit elektoral, të miratuar me konsensus nga vetë ata.

“Duke ndjekur në dinamikë  ecurinë e procesit para zgjedhor që do të zhvillohet më datë 1 Shtator, për kryetar në komunën Rrethinat, qarku Shkodër dhe kryetar në Komunën Dardhas të qarkut Korçë, shpreh shqetësimin më në lidhje me mosrespektimin e kuadrit ligjor dhe shkeljen e afateve ligjore të propozimeve për anëtarëve të KQV-ve pranë KZAZ-ve nr 2, qarku Shkodër dhe KZAZ nr. 73, qarku Korçë, nga të gjitha subjektet politike që gëzojnë  të drejtën dhe kanë detyrimin ndaj këtij procesi”, – deklaroi zëdhënësja e KQZ-së. Ajo vijoi më tej duke thënë se për realizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të këtyre procedurave,  KQZ i bën apel të gjitha subjekteve politike të paraqesin  urgjentisht propozimet e tyre për anëtarë të KQV pranë KZAZ-së nr. 2 dhe 73, që këto komisione të vazhdojnë punën për emërimet e tyre,  dhe KQZ  të kryejë trajnimet e planifikuara për ta.

 

 

 

Vëzhguesit, ndërkombëtarët shprehin interes, organizatat kombëtare jo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje kërkesën e organizatës IFS për akreditimin e 6 vëzhguesve në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në dy komuna të vendit, në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës. Interes për akreditimin e vëzhguesve duket se ka pasur vetëm IFS, ndërkohë që nga organizatat kombëtare nuk janë paraqitur kërkesa, edhe pse tashmë afatet kohore të parashikuara në kodin zgjedhor kanë përfunduar.

Lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, KQZ sqaron se pas mbërritjes në Doganën e Tiranës së fletëve të votimit prodhuar nga kompania sllovene sipas të gjitha kërkesave specifike ligjore, dhe në afatin kohor të parashikuar, është vijuar me intensitet puna për përpunimin dhe ndarjen e tyre në kutitë e çdo Qendre Votimi.

 

Takimi me Presidentin e OSBE-së, Berisha: PS vjen me premtime antiglobaliste, rrezik rënia ne recension

Kryeministri Berisha bashkë me kryebashkiakun Basha presin në takim Wolfgang Grossruck

Kryeministri Berisha priti në takim Wolfgang  Grossruck, deputet i parlamentit austriak dhe President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Gjatë takimit, Kryeministri i shprehu atij shqetësimin për mungesën e eksperiencës në përbërjen e kabinetit të ri qeverisës, duke vënë theksin te rreziku i mundshëm për rënien e ekonomisë në recension.

Kryeministri Berisha, pasi bëri një përmbledhje të reformave themelore të ndërmarra gjatë këtyre viteve, theksoi se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet dhe ia ka dalë me sukses që vendi të mos binte në recesion, pavarësisht se kriza financiare evropiane e botërore solli pasojat e saj. Partia Socialiste, tha Kryeministri, me premtime antiglobaliste dhe jo realiste si shërbim shëndetësor falas, heqje të taksave për 95 për qind të shqiptarëve, legalizime falas etj, dhe me një ekip qeverisës pa eksperiencë do ta çojë Shqipërinë në recesion, duke sjelle krizë ekonomike, papunësi e varfëri. Kryeministri Berisha theksoi se opozita do të jetë vigjilente e do të qëndrojë përballë tyre duke bërë një opozitë të fortë.

Nga ana e tij, Wolfgang Grossruck, shprehu vlerësime për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe dhe lidershipin e Kryeministrit Berisha në këto arritje, ndërsa theksoi angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit. Grossruck u shpreh se shpreson që qeveria e re do t’i konsolidojë e çojë përpara këto arritje.

QËLLIMI I TAKIMIT

Gjatë takimit që Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Grossruck pati me Kryeministrin Berisha dhe kreun e ri të PD-së Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, tha se qëllimi i vizitës ishte materializimi i një angazhimi të marrë dy vite më parë për asistimin me ndihmë logjistike dhe trajnime të shërbimit zjarrfikës të disa qyteteve të Shqipërisë. Në kuadër të kësaj iniciative u janë dhuruar pajisje shërbimeve zjarrfikës së Vlorës, Shkodrës, Krujës dhe Laçit, duke ofruar edhe trajnimin e efektivave zjarrfikës të tyre. Ndihma me vlerë të përgjithshme 500 mijë euro, tha z. Grossruck, është një kontribut për modernizimin e shërbimit zjarrfikës shqiptar.

Kryeministri i falënderoi përfaqësuesit e shërbimit zjarrfikës austriak për ndihmën bujare për një shërbim jetik si ai zjarrfikës. Në mënyrë të veçantë ai falënderoi z. Grossruck për mbështetjen, angazhimin e vazhdueshëm dhe ndjenjat e sinqerta të miqësisë për Shqipërinë e shqiptarët, dhe e cilësoi atë një njeri, i cili nuk lodhet kurrë për të ndihmuar këtë vend.

Kryeministri nënvizoi se e konsideron shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët bashkëpunimin me Austrinë dhe se shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kombeve tona do të vazhdojnë të zhvillohen intensivisht.

 

 

Takimi në Kryeministri, LDK kërkon dekorime për 13 personalitetet e shquara kosovare

Kryeministri Berisha priti në një takim deputetin e LDK-së, Armend Zemaj, i cili ishte i shoqëruar nga drejtues të forumit rinor të kësaj partie.

Duke falënderuar  kryeministrin Sali Berisha për mikpritjen, miqtë nga Kosova kërkuan ndihmën e tij që Shqipëria  të nderonte me dekorime 13 personalitete të shquara, bashkëmendimtarëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit historik të Republikës së Kosovës   Ibrahim Rugova.

Ata vlerësuan rolin dhe kontributin e Kryeministrit Berisha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë,  në Kosovë, ndërsa e quajtën  atë bashkë me Ibrahim Rugovën, si dy liderët historik të së djathtës shqiptare.

Kryeministri Berisha premtoi se do të ndikonte, që nderimi i personaliteteve të shquara nga Kosova të vazhdonte pa ndërprerje dhe se shumë shpejt në Tiranë, në rrugën me emrin e Presidentit Rugova do të vendoset edhe shtatorja e tij.

Ai përgëzoi bashkëpunimin mes të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë në nderimin e patriotëve shqiptar, ndërsa përshëndeti  sportisten nga Kosova Majlinda Kelmendi për fitimin e titullit “Kampion Bote” në xhudo.

Comments are closed.