Standard.al

Shtyrja e punëve: rruga e kollajtë drejt një jete me strese

Michael R. Edelstein

David Ramsay Steele

 

stressBeti ishte një grua rreth të tridhjetave, flokëzezë dhe me tipare delikate. Ajo erdhi të më takonte për shkak të gjendjeve depresive që e kapnin shpesh. Të binte menjëherë në sy gatishmëria e saj për ta kthyer vazhdimisht bisedën te çështja që e shqetësonte. Për shembull, megjithëse ishte truphollë, me përmasa elegante dhe shquhej dukshëm nga plot gra të tjera në lidhje me pamjen e saj fizike, e thoshte shpesh se ishte “e shëndoshë” dhe “e shëmtuar”. E kisha vështirë ta shmangia përshtypjen që më krijonte me këto fjalë, të cilat mbase do i shkonin më tepër ndonjë misionareje të përkushtuar e fanatike. Me anën e atyre fjalëve ajo donte të thoshte se e ndiente veten si një zhgënjim apo si një dështake e pashpresë në çdo gjë që bënte.

Beti qe e martuar dhe kishte tre fëmijë. Dy vjet përpara se të vinte tek unë, pati hequr dorë nga një punë profesionale e mirëpaguar për t’u bërë shtëpiake apo edukatore shtëpie për fëmijët, me kohë të plotë. Në këtë mënyrë, kursimi i atyre të hollave, që më parë ia paguante dados, tani i rikompensonte disi mungesën e të ardhurave nga punësimi.

Sikurse e kishin zbuluar edhe plot gra të tjera përpara saj, Beti vërejti se të merreshe me fëmijët e vegjël kishte shumë më tepër kërkesa sesa një punë zyre me kohë të plotë. Kështu, jo vetëm që nuk kishte përparuar sa duhej në fushat që kërkoheshin, të tilla si ato artistiket apo muzikoret dhe që i pati pandehur se do të qe e lehtë t’i përmbushte, jo vetëm që nuk kishte arritur t’i plotësonte të ardhurat e shtëpisë me këtë lloj vetëpunësimi të lirë, por tani e shihte se ishte duke krijuar vonesa edhe me detyra të tilla rutinë, siç janë p.sh. pagesat e faturave.

Beti qe e bindur se kjo paaftësi për t’i çuar punët deri në fund, tregonte absurditetin e saj si qenie njerëzore.

Ajo e quante veten fajtore, ngaqë i ishte bërë zakon t’i shtynte gjërat për më vonë. Njëkohësisht, ndjesia e fajësisë ia përforconte zakonin e shtyrjes së gjërave ngaqë e konsideronte vazhdimisht veten si të paaftë. Sa herë që nuk arrinte të kryente ndonjë detyrë brenda kohës së caktuar, e shihte këtë fakt si një provë të mëtejshme se qe e destinuar për t’i shtyrë gjërat gjatë tërë jetës.

Unë e ndihmova Betin që ta luftonte vetëpërbuzjen dhe mangësinë e saj me anën e të menduarit të një Ushtrimi Treminutësh, të përpiluar në atë mënyrë që ta bënte të kuptojë se vetëm ngaqë i shtynte pa arsye punët për më vonë, kjo s’e kthente në një grua të pavlerë.

Në këtë kuptim, zakoni për t’i shtyrë punët ishte Problemi i saj Praktik, ndërsa Problemi Emocional ishin qortimet që i bënte vetvetes.

Më pas, ne iu kthyem zakonit të Betit për t’i shtyrë punët, i cili qe një problem sjellor me rrënjët te “DUHET “ e saja. Në fillim, Beti këmbëngulte se thjesht ishte e zënë me një mori punësh dhe se kjo gjë nuk e linte për t’i kryer disa prej tyre brenda afateve të përcaktuara. Ndërsa e pyesja, doli se gjatë ditës kishte orë, kur ajo edhe mund të shkonte e të shlyente faturat e prapambetura: p.sh.: kur fëmijët qenë duke fjetur ose relativisht të qetësuar, por në ato çaste ajo do të gjente lloj-lloj pretekstesh për të mos u marrë me pirgun e faturave.

– Kështu, kur ke ndonjë mundësi që t’i shlyhesh tërë ato fatura, përse nuk e bën këtë? Çfarë arsyesh i jep vetes, kur nis e merresh me diçka tjetër?

– Se jam tepër e rraskapitur dhe se do të bëja mirë të shkoj e t’i paguaj faturat atëherë kur të ndihem krejtësisht në formë. Kështu, në vend të kësaj, nis e merrem me diçka që nuk kërkon përqendrim: shoh televizor ose përpiqem ta mbaj veten më këmbë, duke bërë ndonjë punë fizike, p.sh.: përzgjedh rrobat për në lavatriçe.

– Por në fakt ti shkon dhe i paguan faturat e prapambetura?

– Po. Zakonisht më kap paniku që herët në mëngjes dhe orët e tjera i kaloj duke u sorollatur derisa t’i likuidoj të tëra faturat.

– Dhe kjo bën që të ndihesh edhe më e lodhur gjatë pjesës tjetër të ditës?

– Po, – u përgjigj ajo e trishtuar, – dhe më duhet të paguaj edhe kamatë-vonesat.

Nga pyetjet e mëtejshme doli se në çastin kur shtynte vajtjen për pagesat e faturave, ajo i thoshte vetes: “Faturat “DUHEN” paguar kur të jem e shlodhur, tani ndihem tepër e lodhur”. Ky rast i Betit përkufizohet si rasti i Tolerancës së Ulët të Shqetësimit. Për shkak të konceptit “DUHET”, ajo i kundërvihej kryerjes së diçkaje tepër të mërzitshme dhe sajonte lloj-lloj pretekstesh si e si që ta shtynte atë.

Sikurse shumë njerëz – shtyrës të paarsyeshëm të punëve – Beti i thoshte vetes: “Do të merrem me këtë punë, kur të më piqen kushtet”. Kjo nënkupton: “Do të merrem me të, kur të ndihem mirë.”

(Mendimi i Ri Efektiv): Nuk ka arsye përse të jetë aq e lehtë shtyrja e vetes për të shkuar e paguar faturat. Nuk ka arsye pse DUHET të jem përherë në gjendje të bëj veç ato gjëra që më pëlqen t’i bëj dhe vetëm kur u krijuakan kushte të përkryera. Asnjë shtojzovalle e bukur s’ka ndërmend të ma rregullojë jetën time, kështu që vetëm mua në tërë historinë e njerëzimit më ka rënë shorti ta bëj këtë. Nëse i paguaj tani faturat, do të ndihem më mirë pas një ore. Po këmbëngula për këto fatura, pas pak mund të ndihem më pak e lodhur, por, edhe po të jem krejt e drobitur, jam aq e zgjuar sa të merrem me to. Kujdesi i tanishëm për këto fatura është një lloj investimi i vogël me përfitime të mëdha: harxhimi i 20 minutave për tu marrë me diçka të rastësishme që s’më pëlqen, mund të më shërbejë që të shmang ndonjë krizë të ardhshme, ku do të harxhoja më shumë orë e mbase në kohë më të padëshirueshme të ditës. Po ashtu, kjo më ndihmon të shmang edhe kamatë vonesat.

F.(Sjellja dhe Ndjenja e Re): Shko paguaj faturat edhe po të jem e lodhur, në vend që të rri ulur e të shoh televizor.

 

Shtyrjet e afatit nuk janë aq të këqija

Shtyrjet e paarsyeshme të afateve janë një nga problemet më të përhapura e më të mangëta personale, por fare pak njerëz kanë ardhur të më takojnë për shkak të këtij vesi. Kur njerëzit vuajnë nga një problem emocional, si: ankthi apo depresioni, atyre mund tu vejë mendja të vizitohen te një psikoterapist, por, kur vuajnë nga probleme sjellore, të tilla si: e pira apo oreksi i tepruar, ata rrallë konsultohen me psikoterapistin. Atyre mund tu shkojë mendja t’i drejtohen Shoqatës së Alkoolistëve Anonimë ose Shoqatës së Ruajtjes nga Mbipesha e mbase ndonjë organizate tjetër vetëndihmuese. Por Shoqatë të njerëzve që vuajnë nga shtyrja e punëve nuk ka, ndonëse kjo e metë është më e përhapur se teprimi në pijet apo të ngrënit dhe shpesh u shkakton njerëzve plot andralla të tjera.

Problemi i Betit është mjaft tipik për faktin se ajo u ndje e detyruar të vizitohej te psikoterapisti për shkakun e një gjendjeje emocionale – depresionit – por që më pas doli se po e vinte veten në merak nga dështimi për t’i kryer përfundimisht punët që besonte se duheshin kryer dhe po e fshikullonte pa pikë mëshire veten për shkak të çrregullimit të saj sjellor – pra, shtyrjes së pakuptimtë të punëve.

Shtyrja e punëve, apo (prokrastinacioni) vjen nga dy terma latine që përkthehen: “për nesër”. Prokrastinacioni thjesht nënkupton shtyrje deri në një datë tjetër dhe nuk përbën domosdoshmërisht një vetë-dëmtim. Të shtysh, apo të vonosh një veprim, mund të jetë shpesh një vendim i arsyeshëm.

Vendimin e dikujt për shtyrjen e një veprim, mund të jetë e vështirë që ta klasifikosh si të arsyeshëm apo të paarsyeshëm, nëse e marrim si diçka të izoluar. Nëse Riçardi e shtyn datën e vizitës te dentisti, për shkak të ngarkesës së punëve, kjo do të ishte e arsyeshme. Por nëse e ka përdorur të njëjtin preteks gjatë pesë viteve dhe tani i duhet të përballet me ndonjë lloj operacioni dental, të cilin mund ta kishte shmangur po t’i ndiqte rregullisht vizitat te dentisti, mund të dyshojmë se këto pretekste shtyrjeje kanë qenë të paarsyeshme.

Madje edhe shtyrësit më të palogjikshëm mund të gjejnë ngaherë arsye që tingëllojnë bindëse në çdo rast për shtyrjen e afatit që i kanë bërë diçkaje.

Nëse nuk ndiheni i bindur që vendimi juaj për shtyrjen e ndonjë veprimi është ose jo i arsyeshëm, një test i mirë për ta provuar këtë është metoda: “Mospendimi në të Ardhmen”. Pyeteni veten sesi do të ndiheshit për vendimin e tanishëm, kur të ktheni kokën mbrapa pas një apo dy ditëve. Kur të vijë e nesërmja, ju do të mendoni: ishte një vendim i drejtë, apo i padrejtë? Në shumicën e rasteve nevojitet vetëm t’ia shtrosh qartë këtë pyetje vetes për të marrë një përgjigje të menjëhershme. Atëherë vepro në përputhje me këtë: Sillu tani në atë mënyrë që nesër, kur të kthesh kokën mbrapa, të ndjesh kënaqësi ngaqë e more atë vendim.

Comments are closed.