Mazhoranca nuk do lejohet të prekë reformat dhe administratën e trajnuar nga Britania dhe Italia

0
119

Sonja Caka

Ministri, falënderime dy diplomatëve për ndihmën e shteteve të tyre në reformat në burgje e gjykata

 

halmiDisa javë para përfundimit të detyrës, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka zhvilluar dje dy takime kortezie me dy ambasadorë, përkatësisht ata britanikë dhe italian. Gjatë takimit me ambasadorin britanik Nicholas Cannon dhe atë italian Massimo Gaiani, ministri i ka falënderuar ata për mbështetjen  e jashtëzakonshme në zhvillimin e projekteve të cilat u konsideruan si histori suksesi, ndërsa garantoi dy diplomatët se mazhoranca nuk do lejohet të prekë reformat dhe administratën e trajnuar nga Britania e Madhe dhe Italia. Ministri u ka kërkuar ndihmë dy diplomatëve që të mos lejojnë që stafi i trajnuar prej tyre, si në burgje, ashtu dhe te Shërbimi i Provës të preken nga largimet masive që pritet të ndodhin në administratë. Sipas tij, administrata është një aste që duhet ruajtur.

Takimi me ambasadorin britanik

“Shërbimi i Provës, reforma e jashtëzakonshme në sistemin burgjeve, i kurseu buxhetit të shtetit më shumë se 15 milionë euro në vit. Monitorimi elektronik e vendosi Shqipërinë në pozicionin e vendit lider në rajon për përdorimin e teknologjisë për të dënuarit” u shpreh ministri Halimi gjatë takimit që pati dje me ambasaordin britanik Nicholas Cannon, duke theksuar se Britania dha një ndihmë të jashtëzakonshme në realizimin e këtyre reformave të rëndësishme për sistemin e drejtësisë. Halimi theksoi më tej se në opozitë do të jetë pas çdo projekti duke monitoruar ecurinë e tyre për të siguruar vazhdimësinë e projekteve  aq të domosdoshme për sistemin e drejtësisë. “Maxhoranca e re ka kërcënuar administratën e trajnuar nga ana juaj me paratë e taksa paguesve britanikë e evropiane. Ne nuk do të lejojmë mazhorancën e re të prekë punonjësit e kualifikuar të Shërbimit të Provës dhe monitorit elektronik” – theksoi Halimi. Ministri ngriti në takim edhe shqetësimin se mazhoranca e re po sulmon  institucionet e pavarura. “Institucionet e pavarur janë thelbi i një shteti demokratik  dhe ne do të jemi opozita më e fortë dhe mbrojtësit e tyre”. Nga ana e tij ambasadori britanik vlerësoi lartë bashkëpunimin me ministrinë e Drejtësisë në realizmin e reformave në drejtësi duke e cilësuar këtë bashkëpunim ekzemplar dhe si një model për t’u replikuar me qeveritë e  ardhshme. “Ne nuk do të lejojmë që reformat e realizuara  të bllokohen. Do të ishte shumë keq që puna e realizuar në  Shërbimin e Provës të kthehej mbrapsht. Ju premtoj se do t’i ndjekim nga afër ecurinë e këtyre reformave  që janë krijesë e juaj po aq sa edhe e jona” – u shpreh ambasadori britanik ndërkohë që vlerësoi shumë të rëndësishme ekspertizën që ekspertët e shërbimit të pronës dhe monitorimit elektronik kanë marrë në Britani. Në takim u vlerësuan lartë si marrëveshja e arritur me qeverinë britanikë për transferimin e të dënuarve ashtu edhe roli kyç që ka luajtur Ministria e Drejtësisë në përafrimin Shqipërisë me BE.

Takimi me ambasadorin italian

Ministri Halimi takoi dje edhe ambasadorin italian Massimo Gaiani, ku deklaroi se “në vazhdim duhet të mbrojmë arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe administratën si aset kombëtar”. Ministri e falënderoi ambasadorin Italian edhe për ndihmën e madhe që qeveria e tij kanë dhënë për trajnimin e administratës së burgjeve, si dhe i kërkoi që të vazhdojnë ta mbështesë këtë administratë para presionit për shkarkime  që mazhoranca e re  po shpalos ende pa marrë detyrën. Në fjalën e tij, ministri Halimi e konsideroi Italinë një partner të rëndësishëm  si në realizmin e reformave në drejtësi  si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Halimi veçoi kontributin e ekspertëve italianë në kuadër të  misionin Euralius me të cilët Ministria e Drejtësisë bëri të mundur reformim e sistemit të drejtësisë, hartoi paketën penale dhe civile, dixhitalizoi gjykatat dhe i bëri ato më transparente si dhe vlerësoi asistencën financiare në ndërtimin e burgjeve dhe gjykatave. Lufta ndaj krimit të organizuar  falë marrëveshjes së arritur nga qeveria shqiptare dhe ajo Italiane gjatë këtyre viteve të fundit është një arritje e realizuar nga bashkëpunimi i suksesshëm mes palëve. “Deri para disa vitesh Shqipëria ishte strehë e krimit të organizuar . Më shumë se 1000 persona  të kërkuar ndërkombëtarisht kryesisht nga Italia qëndronin në Shqipëri, kishin biznese dhe mbrojtjen nga politika. Me marrëveshjen historike që realizuam,  i premë rrugën bandave dhe krimit të organizuar  duke i vendosur ata pas hekurave . Kjo marrëveshja është monitoruar  dhe  për çdo devijim që është  hasur në zbatimin e saj kemi marrë masat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke i propozuar për shkarkim. Në ditët në vijim masa të ngjashme do të merren ndaj të  gjyqtarëve edhe prokurorëve të tjerë që nuk kanë zbatuar këtë marrëveshje kushtetuese“ – tha Ministri Halimi. I shqetësuar nga  aktivizimi i segmenteve të krimit të organizuar në zgjedhjet  fundit parlamentare, ministri e siguroi ambasadorin italian se opozita do ta monitorojë  zbatimin e kësaj marrëveshje. “Njerëz me precedentë penalë të dënuar në Itali, që i kishin shpëtuar ndjekjes penale, u vunë në krye të fushatës elektorale” – tha ministri. Ministri e falënderoi ambasadorin Italian edhe për ndihmën e madhe që qeveria e tij kanë dhënë për trajnimin e administratës së burgjeve, si dhe i kërkoi që të vazhdojnë ta mbështesë këtë administratë para presionit për shkarkime  që maxhoranca e re po shpalos ende pa marrë detyrën. “Do të jemi një opozitë e fortë në mbrojtje të administratës dhe institucioneve të pavarura si dhe  të arritjeve tonë në luftën ndaj krimit të organizuar “- theksoi ministri Halimi. Nga ana e tij ambasadori italian vlerësoi bashkëpunimin e deri tanishëm si në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar ashtu edhe në drejtimi të bashkëpunimit dy palesh në reformimin e sistemit të drejtësisë, përmirësimit të dukshëm të infrastrukturës në burgje si dhe vlerësoi se administrata civile  është një aset kombëtar i çmuar, që duhet vlerësuar.

 

 

Fier

Analizat, helmimi i dasmorëve ndodhi nga mishi

Dasmorët u helmuan nga mishi. Ky është rezultati i hetimeve paraprake i analizave që u janë bërë dasmorëve të intoksikuar në një ceremoni martesore në fshatin Gorishovë të komunës Cakran. Sipas analizave, dasmorët janë helmuar në pjatën e parë, kryesisht nga mishi, qoftet dhe rostoja. Ndërkohë që në spitalin e Fierit, në Pediatri, vijojnë të jenë nën trajtim fëmijët e helmuar. Deri në në orët e vona të dy netëve më parë, kanë qenë prezentë 17 persona të shtruar në pavionin e sëmundjeve infektive dhe 24 fëmijë, të cilët ishin në pediatri. Rezulton që pothuajse që të gjitha rastet që u pyetën vinin nga konsumimi i pjatës së parë, përkatësisht mishi, qoftet dhe rostoja. Sipas burimeve zyrtare, inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë mbërritur në lokalin ku u bë ceremonia paralelisht me inspektorët e higjienës dhe konfirmojnë mbylljen e aktivitetit të këtij restoranti. Megjithatë, nga hetimet rezulton se pronari i restorantit thjesht ka ofruar ambientet ndërkohë që produket ushqimore janë sjellë nga familjarët që organizonin ceremoninë e martesës. Policia nga ana e saj ka shoqëruar familjarët e dasmës për të hetuar më tej se ku janë blerë produktet ushqimore përfshirë edhe pijet dhe në ç’kushte janë mbajtur ato para se të dërgoheshin në restorant.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency